Përkthim në shqip
Astrit Lulushi
Librave të huaj në shqip, i shtohet edhe romani ‘Dhe Tani Flas’ nga shkrimtarja e njohur në Itali dhe në botë, Maria Teresa Liuzzo, kandidate e Çmimit Nobel për letërsi.
Libri tregon jetën plot vuajtje dhe dhunë familjare të një vajze të vogël në Italinë e jugut. Romani ka si protagonist Marinë, e cila përfaqëson të gjitha gjitha vajzat, të cilat ndeshen me të tilla peripeci kudo e kurdo në jetën e tyre.
Kjo mënyrë pa dinjitet e trajtimit, ngulitet në mendjen e Marisë, e cila vendosë t’i tregojë botës se çfarë ndodh në të vërtetë prapa mureve të shtëpisë.
Për të mos iu nënshtruar torturave të vazhdueshme, fizike dhe verbale, Maria rishpik jetën, ëndrrën, të ardhmen dhe dashurinë e saj; i bën ato imagjinare. “Ajo mbajti vetëm lulen nga ai udhëtim shkëmbor…” Ndoshta vdekja kishte vendosur ta shpëtonte për ta detyruar të jetonte vdekje të tjera të ndryshme.
Këtë libër, M.T. Liuzza ia kushton në mënyrë të veçantë djalit të saj Davide, i cili, shumë kohë përpara lindjes, ishte drita e syrit të saj dhe “një arsye për të jetuar…nga barku i nënës krijohet ajo lidhje e pandashme me fëmijët gjatë gjithë jetës, madje edhe më gjerë, që nuk është thjesht ndjeshmëri, por shkrirje shpirti, trupi dhe gjaku.” Davide ka qenë pjesëmarrës i pavetëdijshëm, por aktiv në jetën e saj. “Ai e jetoi jetën time, si vëzhgues dhe shoqërues në të gjitha vështirësitë…”, prandaj e kupton se pa ‘të, ky roman nuk do të ishte i mundur të shkruhej. Libri hyn në radhën e veprave klasike psikologjike që flasin për kujtime të dhimbshme, por edhe për guximin, shpengimin dhe shpëtimin, “përtej denoncimit të shenjtë.”
Ardhja në shqip e romanit ‘Dhe Tani Flas’ është gjithashtu një ndihmesë për trajtimin e traumave të ngjashme ne botën shqiptare që sot nuk dallon shumë nga bota. Është i vlefshëm për të gjitha moshat. Libri, botuar nga Tirana Times, del së shpejti në librari.
Comments