Farsa e gjyqeve ndaj drejtuesve kryesorë të UÇK - së dhe vetë Kosovës së Pavarur, edhe pas më shumë se 20 vjetësh, fatkeqsisht vazhdon; madje ka hyrë në një fazë të turpshme. Qëllimi për ta baltosur luftën e ndershme të djemve dhe vajzave të Kosovës, tashmë është mëse i qartë. Duhet të jesh i verbër, i përulur ose fare pa tru që të mos kuptosh se çfarë loje po luhet kundër një populli që u bë viktimë e një politike shfarosëse, nisur qysh nga famëkeqi Milosh Obrenoviqi, te “Naçertania” e Ilia Garashaninit, Pashiçit, Nikollës, “Dëbimi i shqiptarëve” i të poshtrit akademik Vasa Çubriloviç, emisarëve titistë Mugosha me shokë, gjatë Luftës Nacional - Çlirimtare, Rankoviçit e deri te gjenocidi i falangave kriminale të drejtuara nga kasapi i Ballkanit S. Millosheviç me mashat e tij të tipit Zhelko Raznatoviç Arkani. Është e tepërt të kujtosh tmerret e përbindshme që ushtria serbe shkaktoi mbi një popull të shtypur, të çarmatosur, të pafajshëm e të vuajtur. Ato nuk i kemi me të treguar e me të dëgjuar, por me mundësitë që ka krijuar modernizimi sot, i kemi parë vetë, siç i pa bota mbarë bota që nuk donte ta besonte se pirgjet me kufoma të hitlerianëve do përsëriteshin sërish, gjersa lindi rezistenca heroike ndaj asaj dhune të pashpirt dhe bashkimi me të i veprimeve luftarake të forcave të NATO - s. Shqiptarët kudo që janë, ashtu sikurse i kanë mbetur mirënjohës përjetë, gjithkujt që ka thënë edhe një fjalë të vetme në favor të çështjes tonë kombëtare, nuk do të harrojnë kurrë kontributin e asaj Aleance për vendosjen e drejtësisë njerëzore dhe juridike. Është fakt i pamohueshëm, se Pavarësia e Kosovës erdhi edhe si rezultat i ndërhyrjes ushtarake të tyre dhe përpjekjet e ndërkombëtarëve për ndërtimin e një shteti demokratik ishin mëse të domosdoshme. Por, në kontekstin e këtyre ngjarjeve, disa të vërteta duhen thënë hapur, pa pasur kompleksin se mos keqkuptohemi. Edhe pse e dimë se politikat e shteteve të fuqishme, lëvizin sipas koniukturave të krijuara dhe interesave afatgjata, sikurse u shpreh i nderuari President Bill Klinton, është disi e pajustifikuar pyetja e drejtuesve serbë, se a duan ta njohin pavarësinë e Kosovës. Vështirë të gjendet një rast i ngjashëm në praktikën botërore që agresori me duart lyer me gjakun e burrave, grave, fëmijëve e pleqve të një populli paqësor që jetonte në trojet e veta shekullore, pra xhelati dhe viktima të ulen në të njëjtën tavolinë dhe të zhvillojnë bisedime. A s`të kujton kjo xhelatin që i thoshte Don Karlosit se “Të vras për të mirën tënde”? Askush nuk e shpejgoi dot se për çfarë arsyesh Kosova, me të mbaruar lufta, nuk u orientua nga bashkimi i natyrshëm me shtetin amë. A e dinë të huajt se kosovarëve u digjet shpirti për Shqipërinë aqsa edhe fëmijët e tyre i quanin me emrat e qyteteve shqiptare. A nuk ishin ata që shprehën admirim për bujarinë e pashembullt me të cilën ne i pritëm vëllezërit e motrat tona të përzëna nga tanket, topat e mortajat e ushtrisë serbe? Ç`e keqe i erdhi botës nga bashkimi i dy Gjermanive? Cili është ai ligj në të drejtën ndërkombëtare që pengon bashkimin, kur atë e dëshërojnë vetë popujt? Po vendosja e stërzgjatur dypushtetit në Kosovë, a nuk e dinin ata se do të sillte vetëm konfuzion e çoroditje?Po nga ana tjetër lind pyetja pse diskriminohen kosovarët, duke u vënë kushte absurde, deri dhe lëshime territoresh, dhe duke mos i lejuar të lëvizin si gjithë të tjerët nëpër Evropë? Dhe ja tani, del në plan të parë gjëja më e pabesueshme; arrestimi i shoqëruar me demonstrime krejtësisht të panevojshme dhe nxjerrja në gjyq si terroristë e krerëve të luftës më të ligjshme të kohëve moderne, personaliteteve më të larta të shtetit të Kosovës, arrestime që qartazi shfaqin qëllimin e ulët për të përdhosur imazhin e një lufte mëse të drejtë. Shqiptarët e Kosovës nuk u ftuan në dasmë nga ana e qeveritarëve të Beogradit. Ata kur u sulmuan, reaguan sipas ligjeve të luftës, ku vepron llogjika që po më qëllove do të të qëlloj të të vras. Ata nuk shkuan në Serbi dhe nuk bënë kurrfarë gjenocidi atje, se fundja nuk e kishin as fuqinë e duhur përpara makinerisë ushtarake serbe, që mbështetej moralisht dhe ushtarakisht nga një superfuqi e njohur siç ishte Rusia. Çfarë do bënin ndërkombëtarët, sikur dikush t`i sulmonte vendet e tyre me zjarr e me hekur, t`u digjte qytetet e fshatrat, të shkatërronte objektet historike, kulturore dhe të kultit, të vriste kë të gjente, të përdhunonte gratë dhe vajzat e tyre apo t`i vinte përpara siç bënin dikur hordhitë e Xhingis Hanit? Mos vallë po të ishte gjallë, do çohej në Hagë edhe Heroi i Kosovës, Komandanti i UÇK - së Adem Jashari që i lindur në Prekaz, po atje u vra duke luftuar, së bashku me 56 pjestarë të tjerë të familjes së tij, shembull i rrallë dhe ndofta i vetmi në historinë botërore. Kujtoni Gjyqin e Nurembergut të zhvilluar nga 20 Nëntori i 1945 deri në 1Tetor të vitit pasues, dhe nuk do gjeni asnjë nga gjeneralët e ushtrive fituese që të gjykohej për shkelje të rregullave të luftës, se do të qe gjëja më e pa drejtë dhe më e pakuptimtë. A nuk ishin vallë avionët e RAF - it dhe të tjerëve që bombarduan qytete gjermane dhe vranë me mijra nga popullsia civile. Nuk e nxori kush Pol Sibiersin në gjyq pse hodhi bombën e parë atomike në 6 gusht mbi Hiroshima duke vrarë dhjetra mijëra qytetarë, që u pasua nga ajo e tre ditëve më vonë në Nagasaki. Dhe ai gjyqi i Nurembergut mbetet në historinë e jurisprudencës si gjyqi i parë model i aplikuar nga një Tribunal Ndërkombëtar, shembulli i të cilit duhej ndjekur nga legjislacioni i OKB - së. Besoj se në Hagë e dinë shumë mirë këtë. Po ashtu, nuk ka sesi shpjegohet i gjithë ky zell,veçse si një shkelje e parimit të gjësë së gjykuar, pasi ka rënë me kohë akuza bazë, ajo e fantazmës së asaj shtëpisë së verdhë misterioze. Po ashtu, pafajësia e ish kryeministrit trim Haradinaj e vërtetoi bllofin e kurdisur nga ata që më e pakta duan të përkëdhelin serbët. Po pse ka shkuar puna deri këtu? Mendja ta do të besosh se në mes është futur politika e cila arsyeton se “Kosovën e kemi tonën, makinerinë luftarake serbe e gjunjëzuam. Tani na mbetet ta afrojmë, dhe të mos ja lemë influencës ruse. Ata muslimanët (!) e Kosovës, mjaft e kanë aq sa kanë fituar”. Sipas kësaj llogjike, duhet shpënë në gjyq edhe udhëheqja e NATO - s që urdhëroi bombardimin për 78 ditë me radhë të kryeqytetit serb. A nuk jemi para një paradoksi kështu. Platoni qysh në kohën e tij e quante drejtësinë si “harmoni e virtyteve të maturisë, guximit dhe urtësisë”. Por a po tregohet e tillë ajo gjykatë me drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm të Kosovës. E kanë thënë edhe të tjerë para meje se çfarë drejtësie është ajo që vepron me dy standarde; pra kur merret me këmbëngulje me udhëheqësit e Kosovës që bënë luftë çlirimtare dhe i lë të patrazuar ata si Aleksandar Vuçiçi që ishte Gebelsi i Millosheviçit. Po si është e mundur kjo, kur dihet se janë po ata që turbulluan gjithë Ballkanin dhe u morën jetën qindra mijra njerèzve. Dhe ja tani, në këtë klimë, pas akuzave që nuk i janë bërë as Geringut e Himlerit, serviret marrëveshje me Serbinë. Po si mund ta besosh këtë pa buzëqeshur hidhur? Le ta themi hapur; ne shqiptarët, si këtu, si në Kosovë, nuk kemi asgjë me popullin serb. Por politikën nuk e bëjnë ata, por qeveria. Dhe qeveria serbe vështirë se e ka seriozisht përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Si e tillë, ajo punon nën rrogoz, jo vetëm që Kosova të mos njihet nga shtetet e tjera, por edhe të krijohet ideja se ata jo që s`dinë të formojnë shtet, por edhe janë kriminelë, nga ata të rrezikshmit që bëjnë krime jo dosido, por kundër njerëzimit. Pra, të vërtetohen teoritë djallëzore të “akademikëve” të saj. Para këtij realiteti, nuk është shumë dinjitoz edhe qëndrimi i politikës tonë të jashtme. Dikush mund të preket nga këto fjalë, por ky është mendimi im edhe pse e di që Volterit thosh se “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim”. Nëqoftëse historinë e kanë përcaktuar si jehonë e së shkuarës në të ardhmen, po u garantoj se nuk kanë për t`u bërë ndonjëherë miq të vërtetë me ne serbët. por, kjo është puna e tyre. Neve na takon që të ngremë fort zërin për padrejtësitë që po bën drejtësia e Hagës me një problem mjaft madhor tonin. Fundja edhe ne kemi Akademi Shkencash. Heshtja është e pafalshme.
Urime Shpendi! Një shkrim analitik i perkryer dhe me theks te forte kritike dhe autokritike per institucionet shqiptare, qe heshtin ndaj veprimeve te gabuara me dashje nga te huajt.