top of page

ASLLAN OSMANAJ: FJALA-DRITË QË VEÇ LARTËSOHET


( Vështrim, analizë e shpalime )

      Autori Rexhep Hasani sjell librin e ri me titull: “Rrugëtimi i Fjalës” kushtuar fjalëzgjuarit, Halil Bekë Ahmetajt. Pas një pune disavjeçare mbledhëse, hulumtuese, ky autor arriti të realizojë një libër me përmasa të mëdhaja dhe shumëfaqësh. Përsonazhi i librit, Halil Beka sikur ishte harruar sidomos nga brezi i tanishëm. Por, atyre njerëzve që edhe kur u hirosen eshtrat dhe nuk u ndryshken fjalët as bëmat, meritojnë të mos flakën, meritojnë nderim reflektimi.

  Sa herë njoftohet për botimin e një libri të ri jetëshkrimor, pra për një person, kërshëria ( pa e lexuar e as prekur me dorë) përqëndrohet fluturimthi në copëzime deri në tejskajshmëri. Disa e mendojnë të personifikuar e të stilizuar në forma e përmasa të ndryshme fizike a liriko-epike. Që ka përdorur mjete të thjeshta e moderrne. E deri në sa beteja ka marrë pjesë, sa ka vrarë a ka prerë?! Cilat ishin armët më të frytshme të tij? Nëse i përket fushës së Artit a Letërsisë imagjinojnë; veprat, skenat, veshjet… Po Halil Beka s’ka marrë pjesë në beteja luftrash, siç s’ka vrarë as prerë njerëz. Madje, as s’ka fyer ndokënd kurrë. Përkundrazi, me filozofinë e mendimit dhe fjalën e bluar hollë, ju ka shërbyer njerëzve si një këshillimor popullor. Ja si e përmbledh R. Hasani: “Ky personazh fjalëbarak si një kështjellë që gjithë jetën nuk i lëvizi asnjë gurë fjalës së tij. Dhe që nuk i mbaronte kurrë drita e saj…”  Duke u kthyer tek personazhi monografik i librit, cilësoj se ky është Halil Bekë Ahmetaj i fshatit Grit të Tropojës. Si paraardhësit e vazhduesit e tij, jetuan në një mjedis të bukur natyror. Afër, në kah të djathtë të Lumit të Valbonës. Kulla e Halilit mjeshtrore, e moçme, në gjunj të një kodrine vogëlake. Me dritaret që shikojnë rrafshinat e arave e livadheve. E që nga pas e anash  flladitej prej kashnjeteve të gështenjave e pemëve frutore. Portretizimi e tipizimi i Halil Bekës, me pak fjalë, një njeri i thjeshtë, i qetë, i matur, gojëmjaltë, mbresëlënës e me trup të zakonshëm. Në analogjinë e kohrave të ndryshme, sikur e kanë frymëzuar e rrezatuar tek Halili, bëmat e fqinjt tij, të pleqnarit Binak Alia.               

  Dikur Azem Sadri Sylisufaj, afërsisht moshor me të shprehej: “Të gjithëve na merr malli ta kishim gjallë Halil Bekën, të uleshim e ta dëgjonim fjalëmençurin e fshatit tonë…”! Ndërsa Qazim Doshlani i Rosujës, që një përrua i ndanë me Grinë, kur flet për Halil Bekën pushtohet nga emocionet. Kjo jo për faktin se e ka shok tepër të afërt,djalin e tij Sylejmanin. Por për përjetimet e personale ku shprehet: “Ai burrë i pashëm me thellësi mendjeje e fjale. Ai burrë i zoti që s’ju ndie kush për ato që thoshte, se ishin përzemërsi thrashegër drejtësie e mirësie. Ishte fati i brezit tim që morëm vlera nga ai brez burrash për përparimin tonë.   

 Shtyllën e çeliktë të mendimit e fjalës së Halil Bekës do e kishte gërryer ndryshku i harresës, duke e asnjanësuar e shndërruar në gojëdhënë. Autori R. Hasani ka bërë një punë shumë të madhe, me këtë libër, për t’ja përcjellur brezave. Duke përditësuar e lartësuar udhën e fjalës së tij. Me kënaqësi, veçoj termin meritor për Rexhepin, siç ndiej keqardhje për vete e disa të tjerë. Që e kemi njohur e dëgjuar H. Bekën në të panumërtat raste duke u mrekulluar prej tij. E meta jonë se nuk mbajtëm shënime, s’bëmë intervista, biseda e tjera si Rexhepi.

  Në vështrimin gjuhësor, tërë materialet e mbledhura e të përjetuara janë fjalë e shprehje frazelogjike burimore nga leksiku i gegërishtes. Natyrisht, H. Beka atë rrafsh dialektor ka përdorur. Por, kultura e mprehtësia e fjalës së tij, zgjon interes edhe përtej kufijve vendor. Ndihet një përpjekje për të harmonizuar në ndonjë element të veçantë me gjuhën e njëjtësuar letrare. Detyrimisht që ka përdorur numeracione referuese sqaruese në shumicën e faqeve librore. Me gjithë atë pasuri leksikore që ka sjellë të kishte një tejkalim më të njëjtësuar gjuhësor, lexuesit e çdo visi do ta përthithnin njëherazi thellësinë e fjalës. Rexhepi e ka si metodë zgjatjen, nuk përdorë shumë gjuhën e thukët. Prandaj shëmbëllejnë disa tema nëntitujsh si përsëritje. Por, mënyra e stilit të të qasurit së shkrimit të mbërthen.

Edhe për këtë libër, që duhet vlerësuar, vihen re, mospërputhjet harmonizuese të prirjeve të sëmura të dy krahëve të skajshëm. Krahu i perëndimorëve që çvleftësojnë; veprat, autorët e deri tek prejardhjet prindërore. Dhe krahu tjetër, që s’pranon asgjë nga kultura e huaj. Këto dukuri negative, po fitojnë shpesh terren hakmarrës dhe shpërfillës mes mjediseve krijuese. Lidhur me pararëndesen, në ujdinë e gjegjshme etiko-parësore të përvojës, të paktën 50-vjeçare, duke mposhtur unet; arsimore, profesionet, detyrat (krijimet dhe gazetarinë), jam prirur mbi bazën e çelësit të dorëzanisë, së fjalës së thënë e të shkruar. Sy më sy e faqebardhë! Përbijësit që s’bluajnë ushqim, as fjalë, të presin ecurinë e kohës së kafkave golare. Thirrja vjen, kur larg dhe në shekullin e kaluar, personalitete si Halil Beka e tjerë, që sjellin thesare fjale a duhet reflektuar?!   

   Sot Halil Beka s’ka asnjë bashkëmoshatar. Vetëm vazhduesit e afërt familjar. Edhe ata dijnë sa mund të dijnë. Dhe tundimi i konfliktit të lidhjes së gjakut i bën të heshtur. Për rrjedhojë gjithë ajo pasuri mendimi e fjale- dritë të atij burri të ikur, nuk do t’i kishim të pranishme, pa këtë libër. U desht ky libër që të na kujtesonte e të mos harrohej as për të ardhmen. Tani kulla e fjalës është plakur. E ka plakur vetmia. Muret dhe ajo pjesë e gjelbërimit dëshmojnë se gjallojnë vazhdimësia katër brezash në SHBA e gjetkë. Që ndihen krenar për ish-kulmin e asaj kulle. Autorin Rexhep Hasanit duhet përgëzuar dhe uruar arritje tjera në krijimtari të frytshme!                                        

88 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page