top of page

ASKUSH PA…THEMBËR…AKILI


ASKUSH PA…THEMBËR…AKILI

Epilog për librin “Markezë Shqiptarë” (2003)


Faruk Myrtaj


Sipas logjikës dhe rregullit të Politikës me Sundim të Njëshit, elitarët edhe mund të shfaqin vlera, por me se s’bën duhet të kenë vese e dobësi, që të mos kenë imunitet, pra të jenë "si të tjerët e tjerë", jo-elitarët, "të vdekshmit". Në shoqëri me hierarki piramidale lejohen- gjer si shtresë- gjysma-elitarë, të rrëzueshëm, të pasigurt, të frikur. Lartësia relative shndërrohet në autoritet relativ, pushtet ndaj hapësirave të arsimuara masivisht, sa-dalë nga analfabetizmi, admiruese duartrokitëse, që mjaftohen me një Politikan, me një shkrimtar, “popull që edhe kur s’di s’pyet: Pse?”. Këta elitarë le ta kenë një status, ca privilegje, si të anëtarëve të Komitetit Qendor; ndokush edhe me status anëtari të Byrosë Politike. Të paktëve fare, veç privilegjeve, diferencimeve, gjysmë-lirive, lojës së fjalëve, mund tu lejohet vajtje-ardhja në Perëndim në mision të tablosë së ndricuar të demokracisë popullore dhe egos vetiake. Si varësi, të kontrollueshme, u hapej edhe një dosje: thjesht t’i pengonte si gjysma elitarë të bëheshin Elitë... “Thembrën” si mallkim të Kohës Dje, ua godet koha tjetër. Rëniet morale, pa dekret, prej heshtjes kur duhej folur, mos-heqjes dorë nga lavdia dhe nderjet e përfituara nën diktaturë- edhe pasi ajo ka rënë, provon se nuk ke qenë elitar. Asnjë rëndësi s’ka se…turmat edhe pse nuk të lexojnë, që kanë pushuar së lexuari sapo u mundësua leximi pa kontroll, edhepas hapjes së arkivave vazhdojnë të mbeten po ato… “Sic jemi, prej tyre bërë! Vlera e virtyte, prej tyre, si të tyret; nëse kemi vese, prej tyre i kemi!” Rënien e Busteve dhe Simboleve, verifikuar si false prej kohës, e vuajnë si rrënim kombëtar. Shkrimtari mezi bëhet, ndaj mezi dhe mbetet, aq më pak “shkrimtar i madh”. Ngjizet e mbetet, kur në kohë të vështirë mban gjallë lirinë përmes fjalës, krijon mundësinë e artit si mbijetesë…

Këtë mundësi ia jep (edhe) nënteksti. Qe të mbetet “në fuqi” ky privilegj, ky lloj leximi, do duhet shpjeguar: pse s’kishin të drejtë nënteksti edhe shkrimtarë të tjerë të po asaj kohe?! A s’ishin të gjithë nën të njëjtën diktaturë? A s’kalonin të gjithë nën të njëjtën censurë, drejtori shtypi?! Apo kishte shkrimtarë me imunitet, sic të dënuar me listë? Të gjykosh për politikën, letërsinë, artin e djeshëm, është tjetër. Si kudo pas regjimesh. Nëse themi se këtu ka qenë pa-liri e pa-shoqe, se asnjë rreze drite nuk depërtonte pa leje, do duhet të pranojmë edhe se zemër-rrëgjuar, barkushe tharë, pa kontakte me letrat e botës, ishin të shumtët. E trishtë, lënduese, por aftësia prej krijuesi uli kryet. Njeriu shërbeu për të mbajtur gjallë qiriun e jetës së tij. Jo aq kollaj t’u themi shkrimtarëve, sot, pse nuk ishin të tillë dje? Se, edhe vetë, si lexues, apo si qytetarë, s’kemi qenë aq ndryshe. Po të ishim ata që jemi sot, si lexues nuk do të pranonim t’ua lexonim librat shkrimtarëve konformistë, aq më pak “borive të Partisë”, sic i quante Lasgushi kur e kandisnin të shkruante edhe ai në kohën e hyjnimit të tyre. Për shkak të jetëve të ndryshme gjykuam ndryshe, por këtë akt s’e bëmë publikisht. Së pari se ishte e pamundur, se s’kishim autorë e libra të tjerë; na u desh të lexonim vetëm këta, vetëm për këta shkruhej e flitej kudo, nisi e na pëlqyen librat e tyre. Po Sot, sot si sillemi ne, ndaj shefave të politikës aktuale?! Si e rrëfejmë të sotmen reale, që nesër të mos ndahemi sërish nga e Sotmja që bëhet me të shpejt e Shkuar?

Sunduesi - në artin e më të aftëve të thirrur nën armë, bëhet i pranueshëm, jetë-gjatë… Kadare, si Njësh i Letrave në kohën të cilën masivisht e pranojmë si të pa liri, është mbetësi më i madh. Mes atyre që nuk u penguan.

[Humbësit, Humbësit e Medhenj janë të tjerë…Ata ende s’janë kthyer. Nuk kemi rrëfyer se jemi gati t’i presim…të bëhemi lexues të tyre, të atyre që ishin ndaluar dhe të atyre që po linden përtej kufijve të Letërsisë së AtyreMoteve…] Vet shkrimtari, I Vetmuar, pas Rënies së Kohës, ka shmangur në heshtje autorësinë e shumë më shumë librave të tij -thuajse tërë blloku i poemave, p.sh- krahasuar me çka Censura Dje i kërkoi të ri-shkruante/ri-botonte. Tjetër gjë gjeti te “Dimri i Vetmisë së Madhe” një banor i Bllokut a i rrethinave të tij, tjetër një i burgosur i Burrelit, tjetër dikush që s’e lanë të ndiqte shkollën, edhe natyrisht krejt tjetër ata që u privuan nga të qenit -gjallë e vdekur, në atdhe a në letërsinë e gjuhës së tyre... Është veti e letërsisë, ky lexim, liri e lexuesit që s’ka varësi nga autori, aq më pak në kohë me masë tjetër lirie… Artisti a shkrimtari që lejohet të vizatoj dukje alternative të realiteteve, asnjëherë s’e ka kollaj tu “shpëtoj” kurtheve, fajeve kolektive, njëherazi edhe egos fat-vogël, gjallo-heshtur- ndaj dhe për shkrimtarin ambicioz - mbetet zgjedhja:

“Ose të mos bëhej ai që dëshironte, të cilën e besonte se mund të bëhej, ose…” “...ose të bënte marrëveshjen e heshtur: ti Shef e Zot në politikë, në Shtetin tënd, në Shtetin-Shtet, unë Njësh në Letrat, në Shtetin tim, në Shtetin e Letrave…”

Janë dy shtete që s’mund të kenë të njëjtin kryeqytet, kushtetutë, administratë, institucione. Nëse bien në ujdi, edhe historinë s’mund ta kenë të përveçme. Tjetër përgjegjësia në shtetin e politikës, tjetër në atë të letrave. Një i akuzuar, kushdo, prej “shtetit të letrave”, qoftë edhe në kuadrin e “bashkëfajësisë”, do ta kishte të udhës të mbrohej kësisoj: “Zotërinj! Ç’punë kam unë me punët tuaja?! Me Revolucionet, heroizmat e krimet! Historinë e politikës e bëni ju, për turmat politike që tërhiqni pas vetes. Bashkë-kohësia përkon se jam…një qytetar i detyruar përpara ligjit, të cilin ju e formuloni, miratoni dhe e zbatoni siç ua ka ënda. Ajo për të cilën përgjigjem është vetëm krijimi im, libri im, kënga ime, skulptura ime, piktura ime…Përgjigjem vetëm për artin tim. Për këtë gjë jam unë në këtë botë! Të bëj artin. A më akuzoni për të?! Jam gati të përgjigjem, i vetëm, nëse ka një akuzë të tillë!”

Problemi, si epilog pas këtyre periudhave, qëndron nëse je i lirë prej asaj të shkuare, të rrëfehesh i tillë.

20 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page