top of page

Ashtu siç renditen pllakat trotuareve, gdhend e skalit fjalët shqipe


Lutfi Mema


Mendime rreth ciklit të poezive të autorit Noke Abilekaj

Një cikël me poezi të shkurtra, lakonike, për të cilat dua të jap ndonjë mendim, pa dashur që të vë “vulën” për to. Poezia e parë “I ati rrufit dopjo tjetër”, prezanton një temë të re, të patrajtuar në krijime, por të ndeshur veç në media... Një plagë e rëndë, e trishtë, e dhimbshme, një dramë e vërtetë, që përjeton vendi ynë, kur jo vetëm të rinjtë enden nëpër rrugët e botës, por edhe foshnjat e porsalindura trafikohen, fluturojnë sipër oqeanit, duke lënë pas të atin, që thith nikotinën e kthen ndonjë gotë si anestezi për trurin, ndërsa lehona, që e lan me puthje e me lot gjaku hamendëson e lutet për jetën e fëmijës...Një jetë pa jetë! Poezi mbresëlënëse, histori e dhimbshme, dhënë në këto pak vargje... E vërteta është bijë e kohës: nga hallet braktiset Shqipëria, fshatra, ku nuk sheh tym oxhakësh, fshatra që nuk marrin frymë, qytete pa gjallëri, ku mungon vrulli , gëzimi rinor, qytete të plakura në moshë...

Poezia e dytë “Qeveria”, jep indiferentizmin, moskokëçarjen, mashtimet e gënjeshtrat e qeverisë së shurdhuar para kërkesave, që nuk duket fare, ose që premton, se do të bëjnë mrekulli, deri në “ përmirësimin e cilësisë së diellit “. E shurdhuar nga kërkesat, qeveria nuk duket, “ E pamë, kur na mori djalin!” Pozitë-opozitë nuk janë unikë, nuk janë solidë. Edhe, kur mazhoranca përpiqet të ndërtojë diçka të bukur e me vlerë, opozita do ta minojë, se kërkon karrige...Njerëz të tillë i përqesh koha.

Në epitafin “ Vulëhumburi “, që ngjall diskutime të ndryshme, e shohim autorin Noke Abilekaj tepër skeptik. Ndoshta i ndikuar nga situata, rrethanat që përjeton, ku njerëz të ndershëm, që luftuan e punuan me përkushtim, mbetën në hije ose errësohen vlerat e tyre dhe përfitojnë të pandershmit. Pavarësisht nga këto, dua të vë në dukje se të gjithë ata me këto cilësi të “ vulëhumburit “, nga të ndershmit glorifikohen, ngrihen lart. Këtyre njerëzve, një prej të cilëve është edhe autori, u ngrihet në memorie një përmendore në breza... Në parathënien e “Iliadës”, shkruar nga Homeri, atje, ku banon ti, Noke Abilekaj, Spiro Çomora shkruan: “ Jeta është përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur, fisnike, të shkëlqyer, për të fituar pavdekësinë. Dhe një jetë aktive, krijuese, që jetohet me intesitet të tillë, nuk ka si të mos jetë e bukur “. Dhe ti, N. Abilekaj, me vullnet, durim, këmbëngulje, me një vizion largpamës, ndrite me arritjet e suksesshme si mësues e drejtues i shkollës më të madhe në Republikë për numrin e nxënësve para viteve 1990, rrezatove edhe për të ardhmen në breza, ke mbetur në mendjen e atyre që të njohin për këto cilësi të njeriut të ndershëm, të palodhur, me ideale të larta. “ Ekziston vetëm një lumturi në jetë, të duash dhe të të duan “-shkruan Xhorxh Sand, dhe ti ia ke arritur kësaj me punë të ndershme. Duke punuar e shtruar pllaka trotuareve të Greqisë, ku të përplasi jeta, me vështrimin e syrit dhe ndjeshmërinë e zemrës, si pjesë e halleve të emigracionit, i përjetove këto halle dhe mendja jote e mprehtë gjeti shtigje për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve shqiptarë, që të mësonin gjuhën amtare. Ashtu siç renditje pllakat trotuareve, gdhende e skalite fjalët shqipe, që t’i renditnin fëmijët e të formonin fjali në gjuhën e tyre. Çdo fjale e fjalie ti u dhe shpirtin tënd. Me një guxim qytetar, me këtë libër të vogël në dukje, kape një problem madhor të ditës, të mësohej “ Gjuha shqipe në familje “. Të mësuarit i dhe një dimension të ri... Libri finalizoi përpjekjet e tua, sepse ua dhe prindërve dhe fëmijëve nëpër duar... Ti gëzon respekt dhe një emër të nderuar me këtë libër, që gjeneron gëzim e dashuri dhe nuk e mbytën dot forcat e errëta... Ti nuk je mësues gjuhe, por në hartimin e librit të ndihmoi e kaluara, intelekti i lartë, morali, pjekuria e mendimit, vullneti dhe dëshira e mirë, që u bënë shtrati burimor i tij... Pas gjithë këtyre shkruan epitafin “ Vulëhumburi “. Pse? Pa dashur të bëj avokatin dhe të çoj ujë në mullirin e Nokes, shtoj se autori ndodhet midis alternativës që përjeton dhe dëshirës e asaj që ëndërron. Zbërthimi i situatës dhe gjendja e tij shpirtërore shpjegon epitafin. Në një këndvështrim relativ autori ka një farë të drejte...Një domethënie tjetër e epitafit: mashtrues, kusarë, hajdutë, drogaxhinj, kriminelë,vrasës me pagesë, imoralë, e tërë kjo kope me bastardët e pasuesit e tyre të molepsur, nuk i përfillin të ndershmit, i quajnë “vulëhumbur”, pavarësisht se siç thotë shoqja e shkollës pedagogjike, mësuesja e nderuar Meshtane Hodaj: “S’jemi vulëhumbur, po jemi krenarë, se mësuam breza...”. Në situata të tilla komplekse, të turbullta, të mjegulluara, të verbëra, Nokja është i çorientuar, i deziluzionuar, sheh kotësinë e jetës dhe shkruan epitafin “Vulëhumburi”. Në këto momente, kur ligësia ulet këmbëkryq, të pengon të ecësh përpara... I Madhi Dritëro Agolli, në një rrjedhë tejet negative, i shqetësuar prej pëshpësheve e thashethemeve, revoltohet e shkruan: “ Unë e di, do çmendem ndonjë ditë, dhe do dal kaçak në Kurvelesh, si kaçak të liqve t’u zë pritë, s’u bëj gjë, veç gjuhën do t’u pres”. Po Nokja që jeton në një mjedis tjetër, më të rëndë akoma?! Atë e kap dëshpërimi, ndjen një ftohje. Ka vite që kam takuar një të ri, tegtar droge. I fola qetë: “Pse nuk merresh me punë të ndershme?” Ai ngriti zërin e më tha: “I zoti i bën të gjitha!” Marrëzi! Pra, ai i ri e hiqte veten për të zotin, trim, guximtar, mburrej, se kalonte miliona nëpër duar... Po ne të tjerët?! Sipas atyre ne Jemi “vulëhumbur”. Nokja i ndershëm, që i gëzohet djersës së tij, ndodhet në limitet e mbijetesës. Edhe më keq akoma: Lexoj në internet një poezi nga Vullnet Mato: “Një person tepër i çuditshëm, befas m’u ul pranë në tryezë, më shigjetoi me sy të guximshëm, tha troç: “Jam vrasës me pagesë!” Poetin e kapin drithërimat nga koka te këmbët, duke menduar: “Kush e kish bërë këtë atë pagesë mizore, të më fshinte nga faqja e dheut mua!”

Tha:”Mos ki frikë, s’dua të të heq qafe, siç bëj me njerëzit, ku më kanë paguar, më pëlqen të shkëmbejmë nja dy llafe, ç’mendim ke për punën që kam ushtruar?

T’i thoshja është poshtërsia më e madhe, që bën njeriu me shpirt katil e pa mend, nga më të fëlliqurat e punëve kriminale, që kam dëgjuar se bëhen në këtë vend!

Këto fjalë mund ta ndërsenin në çast, të më numëronte dy-tre plumba ballit, të më linte përtokë, si thes me kashtë dhe të fluturonte si kalorës majë kalit.

I thashë, bën mirë apo keq, ti e di vetë, sepse i ke bërë me kohë llogaritë e tua, para se t’i hyje kësaj pune me siklet, kot më pyet e më trondit ndjesitë mua.

Ai tha, nuk vras njerëz të kategorisë tënde, sado miliona sikur të më japin në pazar, askujt nuk i shkon asnjëherë në mendje të kërkojë hakmarrje, nga një poet qyqar...”

Qyqar! Vulëhumbur!- ja opinioni i tyre. Në këto luhatje nuk dua të bëj apologji! Por, theksoj se pavarësisht rrethanave, që përmenda, shprehur me gjuhën matematike, të ndodhur para vektorit pakicë, pasuruar në mënyrë të pandershme dhe që është e përkohshme, në grahmat e fundit dhe vektorit shumicë, që jeton me ndershmëri në vite e dekada, ne do të ecim me shumicën-uragan. Dhe ti, Noke, mbetesh njeri i ndershëm me vulë, jo me damkë, jo i njollosur!…

LUTFI MEMA Personalitet i Shquar i Arsimit Kombëtar

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page