top of page

 Asgjë e re nga fronti i…



NGA LLESH NDOI

 

        Është në natyrën njerëzore që individi të jetë i pa kënaqur me gjendjen në të cilën ndodhet në një moment të caktuar, e të hedhë sytë të shoh përtej tij. Ngjet përgjithësisht, si me majat: sa ngjet një kodër, shfaqet një majë që synohet si më e larta, sa e arrinë atë del një tjetër më e lartë që lakmohet, e kështu me radhë. Sa më i lartë të jetë niveli ku gjendesh, aq më të larta janë edhe pretendimet për të “kapur” maja të reja edhe më të larta. Parë në këtë këndvështrim, kjo ndjeshmëri njerëzore shërben si një nxitës pozitiv për zhvillime të vazhdueshme dhe shpjegon edhe ecurinë e përgjithëshme të shoqërisë njerëzore në vijimësi e sidomos në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, e në këtë pjesë të gjysmës së parë të shekullit të ri që po “trokon” me shpejtësi. Kjo situatë u përket kërkesave të bazuara vërtetë në bazamentin e arritur e që nuk hyjnë në rangun e fantashkencës, pasi mund të ndodh që kërkesat e larta të shndërrohen edhe në të kundërtën e tyre e të bëhen frenuese. Por le t’a lëmë për momentin “në harresë” këtë anë, pasi nuk është në fokusin e kësaj analize modeste.

Jemi pra në pranimin e faktit se një arritje bëhet baza dhe nxitja për një kërkim të ri. Edhe shoqëria shqiptare në tërësinë e saj ka shënuar arritje të rëndësishme në harkun kohor të viteve të fundit, por opinioni i përgjithshëm është se këto arritje nuk janë në shkallën e duhur, nuk janë përfaqësuese e denjë e shpirtit e intelektualitetit të shqiptarëve dhe, për më tepër, nuk po hedhin bazat për tejkalimin e vetvetes drejt një cilësie të re, aq e dëshiruar dhe e shumëpritur prej tyre.

Me të drejtë kërkohen ritme të përshpejtuara edhe për të kompensuar prapambetjen historike, edhe pse koha e sotme e mundëson këtë.

Po pse na ndodh kjo dhe cila është perspektiva e afërt e zgjidhjes?

Modestisht disa mendime si njëri ndër ata që pretendojnë ndryshimin. Mes të sotmes dhe të nesërmes, një perde artificiale e pështjellon shikimin. Megjithë hapjen e shoqërisë shqiptare ndaj botës e nivelin e lartë të emigrimit të saj, megjithë intelektualitetin natyror të tyre e shkallën e lartë të arsimimit, shoqëritë tona nuk po arrijnë të shënjestrojnë saktë “majat” që duhet të kapin, kur duhet t’i synojnë ato e të kronometrojnë hapat drejt tyre. Kjo sepse udhëheqësitë politike janë nën nivelin e shoqërisë, e në vend që të stimulojnë ritme të larta zhvillimi, të ftojnë të shohësh pas e të jemi “të lumtur” me udhëheqjen e tyre, në vend që të identifikojnë të ardhmen, të tregojnë me gisht armikun apo të keqen, që arritjet nën udhëheqjen e tyre të quhen “më të lartat e mundshme”, e që po kërkuam më shumë mund të “rikthehemi atje”. Ja! Në Kosovë, sa herë me të drejtë kërkohen zhvillime të reja, e me ritme të përshpejtuara, tregohet serbi…Jo se situata me Serbinë e armiqësia me të nuk përbën faktor frenues, por se yll orientues për shoqërinë shqiptare në Kosovë duhet të jetë Bashkimi Evropian, NATO e Amerika, jo ish-Jugosllavia, as Turqia… Në Mal të Zi, faktori shqiptar duket se është pak më i orientuar, disi më i organizuar e faktor pozitiv drejt një perspektive më të mirë për të gjithë. Edhe në Maqedoninë e Veriut zhvillimet e fundit flasin pozitivisht, por… Si gjithnjë ka një të tillë? Edhe tash në të dy këto vende ka organizime shqiptarësh, që nuk shohin apo nuk duan të shohin nordin, verbuar nga bajraktarizmi ynë tipik. Po në Shqipëri?!

Vërtetë “perdja” është e rëndë! Partitë tona e “fshehin” me çdo mjet të mirën e mundshme që duhet të shënjestrojmë e t’a mbërrijmë duke ecur shpejt e në rrugët e njohura demokratike dhe na sugjerojnë xhirimin pafund në baltrat e së shkuarës, ose na orientojnë djallëzisht në “shtigje të pashkelura”, duke vonuar perspektivën evropiane, për ku populli ynë është thellësisht i orientuar shpirtërisht e mendërisht. Partia Socialiste paraqet “si udhë ndryshe” nga udhëheqësia e tyre, kthimin tek berishizmi i piramidave, Partia Demokratike me të gjitha segmentet e saj, paraqet alternativën e saj si “të vetmen” e të ndryshmen, si kthim në komunizëm, ish - LSI, sot Partia e Lirisë, ka si projektin e saj më madhorë “blej votën për të pasuruar veten duke vjedhur shtetin”! Partitë e tjera, ose janë pa zë, ose satelite të tyre. Jo vetëm në Shqipërinë zyrtare, emigrimi i pjesës më aktive e më të arsimuar të shoqërisë, e për më tepër dekurajimi sistematik i saj për të ndikuar në zhvillimet tona shoqërore në nivele të larta, përveç mbajtjes së frymës gjallë përmes remitancave, është faktor negativ me rëndësi që e “errëson” edhe më tej “perden” nga ku shihet e nesërmja dhe që duhet shkallmuar si pengesë e rendjes drejt saj.

      Asgjë e re nga fronti i …

     Zgjedhjet e reja janë mekanizmi përmes të cilave idetë pararojë marrin pushtet dhe udhëheqin shoqërinë drejt objektivave të afërme apo strategjike, duke programuar edhe ritmin drejt tyre. Kaq shumë vite tranzicion ekonomiko - politik në shoqërinë tonë dhe nevoja urgjente për të përshpejtuar, na kanë bërë që edhe arritjet e derisotme të “mos na hynë fare në sy”, aq sa shumica e shqiptarëve identifikojnë si perspektivë emigrimin në Gjermani, Itali, Francë e SHBA. E këtu nuk ka dallim moshe, shkalle arsimore e niveli ekonomik. Këtë kërkojnë të papunët dhe në pritje të saj “s’prekin punë me dorë” në Shqipëri, këtë kërkojnë të shkolluarit që s’janë të punësuar në profesion dhe nuk “lëshojnë pé” që të përshtatin veten ndaj punëve që koha i kërkon, këtë kërkojnë edhe mjekët që kanë punën e sigurt dhe respektin njerëzor e material të njerëzve, veç kujdesit të posaçëm të shtetit, këtë kërkojnë mësuesit edhe pse statusi i tyre ka pësuar ndryshime positive, këtë kërkojnë ata që s’kanë asnjë lek në xhep, por edhe pronarët e vegjël që duan “t’i ndihmojnë” botës demokratike, se nuk gjejnë punëtorë në vend, as treg për produktet e tyre, të mbetur të vetmuar e pa institucione të kujdesit social, këtë po “kërkojnë” edhe pensionistët, e kërkojnë këtë edhe nivelet e ulta të administratës së shtetit…

Siç duket edhe nga situatat e krijuara, ky vend do të mbetet “pronë” e politikanëve të lartë e të korruptuar që me parimin “ka për të gjithë” s’kanë pse nguten. Mjafton të jenë të gatshëm në pozicionet e tyre si “gladiatorë”, në pushtet dhe opozitë, dhe “e mira” do t’u trokasë në derë? Deri kur? Gjasat janë për gjatë, derisa vazhdojmë të “tundim” të njejtën baltë tash tridhjetë e kusur vite. Ata që e njohin teknikën e përpunimit të baltës e dinë se sa më shumë ta “tundësh” atë aq më perfekte bëhet në cilësinë e vet. Por prap balta, baltë mbetet…

Nuk duket perspektivë e afërt pasi aktorët e faktorët politikë janë të njejtët tash tridhjetë e kusur vite. Për më tepër mungon oferta politike prej tyre. Partia Socialiste, e tejngopur me pushtet dhe me disa arritje që përbëjnë ngjarje me rëndësi, si reforma në drejtësi e ndonjë tjetër, sado që me pikatore, përballë një opozite jo vetëm të vjetër, por edhe të shkatërruar, në luftën brenda oborrit nuk e ndjenë nevojën “të guxojë” për më tej. Një pushtet “i garantuar” më shumë nga paaftësia e kundërshtarit se sa nga aftësia e vet, e shton arrogancën e saj, shton “majmjen” e trupit dhe të trurit e ngadalëson gjithshka pozitive të nisur. E vetmja “lëkurë ujku” në trinat e “vathit të saj” është SPAK-u. Por sado të bëj ai e sado të shtrëngoje prangat në duart e eksponentëve të saj, s’mund të sjellë efektin e shumëpritur, i vetëm e pa faktorët e tjerë shoqërorë. Opozita tradicionale e vjetëruar tejskajshmërisht në ofertën e saj politike, tashmë edhe e copëzuar, në kërkim të “të parit” humbës, nuk përbën shpresë për shumicën e shqiptarëve. Pro apo kundër, halli i saj nuk janë shqiptarët, por Berisha, “i arrestuar” kryesisht nga mendësia feudale që e udhëheq në diskursin e tij politik. Partia e Lirisë është në rënie të lirë, pasi “torba e tagjisë” së saj tani mezi mban familjen e liderit e nuk mund të blej më pushtet. Zërat e tjerë opozitarë kanë lindur pa zë! Nuk flas për numra, se numrat vijnë, por s’kanë zë politik e ofertë për asgjë. Ose janë amplifikatorë të partive mëmë, ose u janë kthyer populizmave neomarksiste, me maskë demokratike, duke mos zgjuar asnjë shpresë, përveçse tek një grusht personash që “duan të gënjehen” sipas parimit të vjetër “Për inat të sime vjehërr, shkoj e fle me mulligjinë”. Ato, sillen si opozitë, që nesër do vijnë “të katapultuara” në pushtet, thjesht e vetëm nga zhgënjimi i shqiptarëve, në vend që të artikulojnë një grusht tezash e të mundohen të mbledhin rreth tyre sa më shumë njerëz. Kulti i individit është prezent në pushtet e opozitë. Bile edhe krijesat e reja opozitare “frymëmarrin” vetëm nga gurmazi i njëshit e si të tilla nuk sjellin asgjë të re. Tendenca ndaj populizmit, fjalëve të mëdha pa thënë asgjë, brohoritjeve e duartrokitjeve frenetike që ekzaltojnë liderët, mungesa e bashkëbisedimeve me bartësit e halleve që në thelb bartin dhe zgjidhjet e tyre, e bën situatën pa perspektivë. Kësisoji mungon guximi politik e intelektual, që kërkohet prej të gjithëve. Të guxojnë kërkohet nga të gjitha palët në pushtet, në opozitë dhe në shoqëri.

     Po për çfarë duhet guxuar?!

     Sistemi politik shqiptar nuk po arrinë të aktivizojë, ose i mungojnë, mekanizmat e duhur për t’a mbyllur fazën e tranzicionit e për t’i kanalizuar zhvillimet shoqërore në kahjen e me ritmin që kërkon koha. Ky sistem duhet “përmbysur” me guxim, jo për t’u kthyer aty ku ishim, jo me revolucion e metoda neomarksiste a neofashiste, por përmes reformave të thella shtetformuese që u hapin udhë zhvillimeve. Duhet guxim pra:

1. Për të rishkruar Kushtetutën që është bërë leckë prej tyre, duke ngritur institute e institucione të reja, vështirë të prekshme në të ardhmen, duke:

- Rikthyer fuqinë e votuesit, barazinë e fuqinë e votës së tij, si garant jo vetëm për alternimin e pushteteve qendrore e lokale, por edhe brenda të njejtit mandat qeverisës për çështje thelbësore të ecurisë së punëve në vend,

- Për modifikimin e formës së qeverisjes, duke ulur mbifuqinë e disa individëve e shtimin e fuqisë së institucioneve,

- Për uljen e numrit të deputetëve në parlament dhe gjetjen e një formule të verifikimit të vullnetit edhe në mesmandat,

- Rritjen e kompetencave të Presidentit dhe zgjedhjen e tij nga populli,

- Uljen e peshës vendimmarrëse të Kryeministrit,

- Shkurtimin me ligj të burokracisë shtetërore.

- Adresimin e korrupsionit me fondet e shtetit në nivelin e “krimeve në familje” (i tillë është derisa shpërdoron besimin e zgjedhësve!) e dënimin e paamnistueshëm të tij,

Në këtë guxim, do të propozoja që në tërësi të mos preket reforma në drejtësi, përveçse ndonjë korrektimi që e dikton zbatimi i saj i derisotëm.

1. Reformë radikale zgjedhore, ku numri i çështjeve është thjeshtësisht i identifikuar. Duhet guxim me i pranuar ato edhe pse dikujt, apo disave, u dhemb. Si mund të arrihet?

- Sistem zgjedhor proporcional kombëtar me prim e prag dhe me lista të hapura, pa asnjë “diskriminim pozitiv”. Ne se jo proporcional i pastër kombëtar, katër rajone mund të jenë maksimalisht mjaftueshëm,

- Votim i emigrantëve pa asnjë kusht e pengesë,

- Votim elektronik i detyrueshem në të gjithë Shqipërinë,

- Administrim i rezultateve nga trupa apartiake e apolitike, ndoshta nga sistemi i drejtësisë,

- Ashpërsi maksimale e transparencë e plotë lidhur me financat e partive politike e individeve që pretendojnë votat e zgjedhësve në të gjitha nivelet e pushtetit,

- Penalizim maksimal i krimeve zgjedhore.

Për një reformë të tillë ia vlen sakrifica e shtyrjes së zgjedhjeve përmes një pakti politik kombëtar e kalimi në një qeverisje teknike njëvjeçare.

2. Fokusim tek problemet reale ekonomike, duke identifikuar bujqesinë, turizmin, teknologjinë e ndonjë tjetër fushë fitimprurëse, e synuar kalimin nga “Republika e tregtisë”, apo e bananeve, në republiken e produkteve “Made in Albania”

3. Fokusimin tek ato reforma që sfidojnë shpopullimin, ulin ritmet e tij e synojnë rikthimin. Pagat janë një mekanizëm, por sado të rriten ato, pa ekonomi nuk arrinë kurrë nivelet e vendeve të tjera të zhvilluara konomike.

- Duhen stimuluar lindjet e fëmijëve dhe martesat në moshë të re, në nivele deri sot të paimagjinueshme,

- Duhen stimuluar elitat e shoqërisë a synuar mbajtjen e rikthimin e trurit në vend, pasi situata është alarmante.

- Shteti të heq dorë nga parimi: “më takojnë të gjitha mua, e për ju s’bëj asgjë” edhe në arsim, shëndetësi e sektorë të tjerë, e të gjej mekanizma kompensimi që disa punë t’i zgjidhë tregu e t’i kompensoje shteti.

4. Reformë e guximshme në administratë, nisur me uljen e saj drastike, pagesën e mire, rritjen e mekanizmave antikorrupsion e ngritjen cilësore të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ka një kakofoni emërtimesh, vendndodhjesh, kryqëzime e përplasje kompetencash, që e bëjnë situatën alarmante.

Natyrisht që ka e mund të rrjeshtoja edhe shumë fusha e drejtime të tjera që s’duan shumë “mend”, por më shumë “shpirt” për t’i realizuar. Aktorët politikë e akademikë padyshim që kanë gjithë kapacitet për t’i adresuar problemet, mjafton që të hiqet dorë nga kuptimi “feudalesk” mbi Shqipërinë, Qeverinë e qeverisjen e saj! Për punë të mira gjendet koha kurdoherë, por koha e shqiptarëve është sot! Dhashtë Zoti!

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page