
SKULPTORI HAMZA HALILI
Artisti që e bën gurin dhe drurin të buzëqeshë dhe të qajë si njerëzit
Ka shumë artistë që mbeten të panjohur për faktin se punët e tyre i kanë përvetsuar të tjerët dhe janë mburrur me to. Kanë mbetur në hije sepse si edhe në disa fusha të tjera të jetës edhe në letërsi, art dhe muzikë disa të vetëquajtur të mëdhenj vazhdojnë të trumbetohen si të pazëvëndësueshëm, si gjenialë, si ata nuk paska të tjerë.
Një nga ata artistë që të magjeps me punët e tij dhe që nuk mburret për to është skulptori Hamza Halili.
Po kush është Hamza Halili ?
Lindi në Trebisht të Dibrës më 13 maj 1939. Me mbarimin e shkollës së mesme artistike u vendos në Tiranë ku dhe vazhdon të banojë. Ka shërbyer si specialist për shumë vite në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni” Tiranë si dhe në Shkollën e Mesme Artistike ”Jordan Misja”.
Është autor i qindra punimeve artistike në dru allçi, gurë dhe në mermer. Më 1963 mori pjesë për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë me portretin në allçi “Fëmija” , një punim që tërhoqi vëmënndjen e kritikës për shijën e hollë të dhe talentin e autorit. Që atëhere është pjesëmarrës i rregullt në të gjitha ekspozitat kombëtare që janë hapur në Tiranë Më 1990 hapi në Tiranë ekspozitën e parë vetjake dhe më 1996 ekspozitën e dytë.
Skulptori dhe piktori Hamza Halili ka marrë pjesë në grupet e punës për realizimin e shumë veprave madhore të arteve figurative si të monumentit “Nënë Shqipëri”, në Tiranë, të monumentit të Pavarësisë në Vlorë etj.
Ndër punimet më të njohura dhe të vlerësuara janë portreti në allçi “Heroi i urave” 1969, kompozimet në dru “Hedhja e farës” 1970, “Fllad rinor” 2005, “Perla e jetës” 2005 etj.
Mjaft nga punimet e skulptorit Hamza Halili kanë zënë vend në galerinë e arteve, në institucione të ndryshme artistike dhe në koleksione të shumta brenda e jashtë vendit si në Itali, Gjermani, Greqi, Maqedoni etj.
Pas një pune 15 vjeçare në studio dhe disa dekadave në veprimtari në dobi të prodhimit ai vendos të dalë me një ekspozitë me punime të zgjedhura. Në sallën “Ibrahim Kodra” në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë, dhe Sporteve u ekspozuan 46 punime të tij, kryesisht në dru, allçi, gur dhe mermer. Këto punime janë të kohëve të fundit, por ka edhe ndonjë peng të vjetër të artistit, të paraviteve 90, që nuk mundi ta ekspozonte në atë kohë, për vetë kohën që ishte. Bie në sy, talenti, individualiteti artistik, mjeshtëria e skalitjes e trashëguar nga ustallarët e Dibrës dhe të Gollobordës që e bëjnë drurin të qeshë dhe gurin të flasë. Më parë ka marrë pjesë së bashku me të tjerët në ekspozita të ndryshme në Galerinë e Arteve Figurative, por tani ka “pushtuar” sallën që mban emrin e të madhit Ibrahim Kodra.
Skulpturat e tij nuk kanë diçitura. Çdokush i shikon, interpreton dhe përjeton sipas perceptimit të tij. Dhe kjo është dëshira ime artistike, shprehet skulptori.
Në këto skulptura ka realizëm, por ka edhe abstraksion, ka traditë, por ka edhe novatorizëm. Pjesën më të madhe të tyre e kanë figurat kombëtare si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Adem Jashari, Naim Frashëri, artistja e madhe Tefta Tashko Koço etj. Bie në sy kushtimi që i bën autori figurës së femrës shqiptare, të nënave. Do të shohësh edhe një grua të ngarkuar me bucelën e ujit, edhe një nënë që ushqen fëmijën me gjirin e saj, edhe një vajzë që është veshur me rroba plazhi. Janë femra të lindura nga druri, nga guri, i them me dashamirësi skulptorit. Figura e femrës dhe e nënës në tërësi është parë në kompleksitetin e vet, por edhe si krijuese të jetës. Një skulpturë që paraqet një grua të ngarkuar, që mban në shpinë ngarkesa, dru, apo bar për bagëtinë, të duket si fenomen i së shkuarës, por është edhe sot një realitet i hidhur si dikur. Ka akoma gra në zonat rurale që ngarkohen me pesha të rënda dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithë , jo vetëm autorin. Skulptori Halili, më thotë se kjo i përket së shkuarës në zonat e vendlindjes së tij, por unë e kundërshtoj se fatkeqësisht ky fenomen ndodh përsëri. Burrat janë në kurbet dhe gruas i bien të gjitha punët e rënda të shtëpisë.
Skulptori Halili i kushtohet edhe temës së mërgimit. Gollobordasit kanë qenë mërgimtarë brënda vendit të tyre edhe para viteve 90. Ata i ndërtuan pothujase të gjitha veprat më të mira të paraviteve 90. Autori paraqet një kërcu të gdhendur artistikisht, një zgavër të thellë që nuk mbushet, që shpreh një grua që prêt, prêt pafundësisht, burrin, djalin, vëllain të vijë nga kurbeti. Ngjarjet e Otrantos, mbytja e dhjetra shqiptarëve në detin e trazuar e ka shqetësuar autorin dhe e ka shprehur në skulpturat e tij që janë portrete që flasin, që akuzojnë. Po kë ?!
Kur mëson që autori ka punuar në Ndërmarrjen Artistike “Jordan Misja” dhe se nga mendja dhe duart e tij kanë dalë qindra projekte e modele artistike habitesh me thjeshtësinë e tij dhe qetësinë e tij. Ai nuk mburret. Talenti i lindur, ndonëse vetëm me shkollën e mesme artistike, sepse nuk e dërguan në Akademinë e Arteve bënte të mundur që gjërat e dala nga Hamzai të ishin të gjalla si njerzit.
Hamzait i pëlqen të përgatisë vepra skulpturore që vendosen në parqe ashtu si në disa vende të Europës dhe të botës. Ai filloi të pikturojë dhe të përgatisë skulptura që në moshën 17-18 vjeçare kur ishte nxënës në liceun artistik. Që në vitin 1964 ai ekspozoi skulptuirën e parë të titulluar “Portret fëmije, skulpturë që u vlerësua maksimalisht nga skulptori Andrea Mano, i cili do ta merrte Hamazain kudo ku ai punonte në komplekset skulpturore monumentale të vendit. Kështu Hamzai merr pjesë në përgatitjen e veprës “Nënë Shqipëri” , të monumentiut të pavarësisë në Vlorë, në Gjirokastër etj. Ai nuk e nxjer nga duart veprën pa e latuar deri në perfeksion, deri sa ta shëndrrojë në një qënie të gjallë. Jeta e gjallë në krijimtarinë e tij është tipari kryesor që e shoqëron atë. Mjeshtëria artistike, individualiteti, mbështetja në tabanin kombëtar janë pjesët përbërëse të krjimtarisë të këtij artisti të heshtur, por që meriton vëmëndje.
Sakip Cami, Poet dhe publicist
Comments