ARRATISJA E KAZANOVËS NGA BURGU I PLUMBIT – VENECIA




Lutfi ALIA


Don Zhuani joshës i femrave dhe Kazanova i joshur nga femrat, janë të dy figura mitike të shndërruar në legjenda. Si thekson Franko Kuomo në veprën “Elogio del libertino”, dhe pse janë dy sedutorët prootipë, duhet t’i njohim dallimet mes tyre, për të shmang keqinterpretimet. Kazanova i joshur, nuk është Don Zhuan joshës. Kazanova i dashuron femrat marrëzisht, i dashuron të gjitha gratë me të cilat krijon marrëdhënje, madje do të donte të martohej me të gjitha dhe t’i mbante përherë, sikur të mos e braktisnin njera pas tjetrës. Krejt ndryshe ndodh me Don Zhuanin, ai i përdor femrat pa i dashuruar, i përbuz dhe i braktis të gjitha, ndonëse asnjera nuk donte ta braktiste. Kështu Don Zhuani u shndërrua në mit, andaj për aventurat e tij kanë shkruar shumë, duke thurur plot legjenda. Don Zhuani e sfidoi Zotin, i shkeli normat morale dhe ligjet hyjnore, andaj ishte i destinuar të ndëshkohej rëndë për aventurat, si përfaqësues tipik i apollogjisë të libertinizmit si e prezanton mjeshtërisht Molieri (Jean-Baptiste Poquelin). Kazanona është figurë historike, që i ka dokumentuar qëndrimet dhe aventu-rat e tij në 26 vepra biografike. Don Zhuanit i interesonte të arkivonte numërin e marrëdhënieve me gratë (në Spanjë kishte 1003 dashnore), ndërsa për Kazanovën nuk kishte rëndësi numëri i dashnoreve, por sa orgazma kryente me një femër në një natë. Karahas aventurave dashurore dhe mashtrimeve, për Kazanovën mjaftuan disa qendrime patetike, që gjykata e Inkuizicionit ta mbylli në qelitë e errëta të burgut të Plumbit të Venecias.

Giacomo Girolamo Casanova (Xhiakomo Jeronim Kazanova), u lind në Venezia2 prillë 1725 dhe vdiq më 4 qershor 1798, në kështjellën Dux të Bohemisë, aktualisht qyteti Duchov në Çeki. Fëmijërinë e kaloi në Calle della Commedia (Rrugica e Komedisë), lagje ngjitur me Calle degli Albanesi, madje në shkollën elementare kishte plotë shokë moshatarë albanezë.

Kazanova është i njohur botërisht si aventurier, shkrimtar, poet, përkthyes, shkencëtar, filozof, ekonomist, financier, jurist, alkimist, inxhinjer, matematicien, mashtrues, hileqar, kumarxhi, joshës femrash, qejfli i çthurur, masson, ezoterist dhe agjenti sekret i Republikës së Venecias. Sot duket një kuriozitet, por Kazanova është shpikësi i lojrave të “fatit”. Në vitin 1762, në takimin me ministrin francez të financave, Kazanova i prezantuar si ekspert i financave publike, i sugjeroi se mënyra më e mirë për të rritur të ardhurat në arkën e shtetit, duhet organizimi nga shteti i lojrave të fatit – bixhozit, që Ai e quajti lotto – llotaria, madje rregullat e llotarisë që ka përcaktuar Kazanova, zbatohen të pandryshuara dhe në ditët e sotme.




Xhiakomo (Gjokë) Jeronim Kazanova

Veper e Alessandro Longo (1774)


Kazanova u bë i famshëm në Europë me veprën “Histoire de ma vie - Historia e jetës time”, e shkruar në frëngjisht, që asi kohe ishte gjuha e elitës europiane. Kjo vepër autobiografike nuk është roman pornografik, por rrëfime me çiltërsi të aventurave magjepëse sentimentale, të udhëtimeve dhe takimeve me personalitetet e kohës dhe ne veçanti për takimet e shumta galante me femrat. Gjatë udhëtimeve nëpër Itali dhe në shumë shtete Europiane, Kazanova ka takuar shumë personalitete të kohës si Jean Jacques Rousseau, Voltaire, Madame de Pompadour, Wolfgang Amadeus Mozart, Lorenzo da Ponte, Benjamin Franklin, Papën Benedikti XIV, Antoin François Prevost, Alessandro Kaliostro, Papën Klemente XIII, Katerinën II të Rusisë, Frederikun II të Prusisë, Pietro Metastasio, kontin Saint Germain, patricin Matteo Bragadin, senatorët Marko Barbaro, Marko Dandolo etj, etj. Gjatë kohës që punonte bibliotekar në kështjellën Dux në Bohemi, asistoi në premierën e operas Don Zhuani në Pragë (1787), si miku i Mozartit dhe i libretistit Lorenzo Da Ponte, madje Kazanova kishte dhënë kontribut me këshilla me shumë vlera për hartimin e libretit të operas.

Jeta e Kazanovës është dinamike dhe tepër aktive, me udhëtime e takime të shumta, ku ka shprehur aftësitë

e tij intelektuale për çdo aspekt; ishte talent i lindur për të tërhequr vemendjen e atyre që takonte dhe diskutonte,

duke i magjepsur bashkëbiseduesit me kulturën dhe gojtarinë, por i shquar dhe për aftësitë për të shmangur e për t’i shpëtuar andrallave dhe sherreve që krijonte. Kazanova ishte filozofi në veprim, që ka interpretuar mjeshtërisht Orazio në “Carpe diem – shfrytëzoje ditën” dhe “Squere Deum – ndiqe Zotin”, madje askush më mirë se Ai nuk i ka zbatuar këto parime, që nuk kanë vlera fetare, por shprehin besimin, që çdo njeri prej nesh ka në vetvete me atë “natyrën hyjnore”, që të udhëheq gjithmonë në rrugën më të mirë.

Në veprën “Histoire de ma vie” Kazanova shkruan: Lexuesi do të shikoi në këto kujtime, se në jetën time nuk kam pas asnjë qëllim të përcaktuar, i vetmi qëllim për mua ishte të takohem me sa më shumë personalitet dhe të bashkëbisedoj me ata, ishte pikërisht ky kriter që më çonte andej nga frynte era. Njeriu është i lirë, vetëm kur beson se është i lirë. Gabimet e mia dëshmojnë se arti i udhëtimeve në buzë të humnerave dhe pa rënë poshtë, bazohej në kurajon time për te ecur para në jetë dhe se forca pa besimin në vetvete është e pa vlefëshme. Është e pamundur të renditen të gjitha udhëtimet dhe takimet e Kazanovës me personalitetet e kohës, madje çdo njeri prej këtyre udhëtimeve dhe takimeve eshtë një libër historie me vehte.

Ne vitin 1742, pasi përfundoi studimet në drejtësi në Padova, shkoi në Korfuz, që ishte në zotërim të Venecias dhe në vazhdim vizitoi Kostantinopolin. Në Korfuz takoi zonjën Foskarini, me të cilën kaloi një natë të paharruar mesdhetare në Butrintin magjik, si thotë Kazanova: “Dashuria më shërben në jetë, vetëm sepse më lejon të vdes përsëri”. Në intimitetin dhe përkëdheljet dashurore i tha zonjës Foskarini: “Merre shpirtin tim dhe me jep shpirtin tënd”, pra si kuptohet nuk është gjuha e joshësit, por të joshurit nga zjarri dashuror femëror.