
Vullnet Mato
AROMË FËMIJE
Fenomen i çuditshëm, por i vërtetë,
kur mes disa fëmijëve të lindur,
nëna dallon aromën e fëmijës së vet,
si në errësirë, ashtu dhe symbyllur!...
Aromën e veçantë të fëmijës së saj,
me asnjë aromë lulesh, s’e ngatërron,
sikur të endet, mes luleve në maj,
nuhatja e përsosur e nënës, nuk gabon.
Ndoshta krijuesi, apo natyra me specie,
bëri të dallohet mirë, gjallesa që i përket,
mes shumë nënave, një nëne të vetme,
për ta mëkëmbur krijesën e saj në jetë.
Pasi nëna e mëkon, me pelena mbështjellë,
foshnja sapolindur, bie erë kulloshtër gjiri,
nuk ka aromë më të këndshme, ta ndjellë,
nuhatjen me aq ëndje, kur e ka te pëqiri.
Ajo nuk është thjesht një aromë fëmije,
që krijon nuhatjen e veçantë për nënën,
është një oksigjen, me impulse lumturie,
që i ngroh gjakun, kur i përshkon zemrën.
Ky fenomen bën, që dhe nëna e verbër,
ta gjejë fëmijën e vet, kudo në hapësirë,
të rendi si flladi, nga një vend në tjetër,
t’i shkojë pranë me gjirin, aromës erëmirë.
Kësisoj nëna edhe mes disa fëmijëve të vet,
dallon te secili prej tyre, aromën specifike.
Kjo e bën nënën, nga gjithë njerëzit në jetë,
ta çmohet, se është një qenie krejt magjike.
Përveç shumë vetive cilësore, të vetvetes,
që e dallojnë si qenie të veçantë njerëzore,
nëna me ngrohtësinë dhe fuqinë e tërheqjes,
ka në organizmin e vet edhe diçka diellore:
Dielli, si nëna, me dritën e syrit vështron,
planetët e gravitetit, si fëmijë të një barku,
me aromën e erës kozmike, i shtrëngon,
t’i mbajë përreth vetes, të gjithë bashku...
Comments