top of page

Armiku i kthyer në mik.



Tregim nga një ngjarje e vërtetë.

Nga Kristo Çipa

Doli tek kryqezimi i rrugës së lisave me atë të Vanovës. Ktheu kokën nga kasha e Shen Kollit, sikur deshi t’i merrte aprovimin, por shenjti ishte në telashet e tij me sistemin e kohës dhe ky e dinte litarin e mjegulltë që prodhonte diktatura, prandaj hoqi dorë nga marrja e aprovimit dhe vendosi të vepronte ashtu siç ja thoshte rradakja i tij.

Hodhi vështrimin nga shtëpitë tej në të Callos dhe pa tufat e grave veshur me të zeza dhe dëgjoi vajtimet dëshpëruese e drithëruese që përhapeshin valë valë nga jehona që përcillte “Përroi i së diellës”. Pa burrat që ecnin grupe grupe me kokën ulur, sikur të ishin duke u kthyer të mundur nga ndonjë betejë.

Hoqi festen e zezë dhe e vuri tek xhepi i brendshëm i tallaganit, shpupurisi çepenë me flokët e rrallë, qëlloi gjoksin me grushte dhe lëshoi britmën therese- Oi, Oi, Oi. derëziu, derëziu!

Zëri i tij i fortë e metalik, fytyra e gjerë dhe krejtësisht e llahtarisur, gjoksi leshtor i hapur dhe i goditur nga duart e mbledhura grusht, të jepnin idenë se ishte këputur një majë mali dhe po rrokullisej me rrapëllimë nëpër faqet e brinjave e po shkonte të largonte detin e vajtimit. Njerzit hapnin rrugën të shtangur dhe flisnin me njeri-tjetrin:- Po ky çka që bën sikur i ka vdekur djali i vetëm? Për ku shkon?

Asnjeri nuk po orientohej. Ndërsa bërtiste dhe ecte, mendja e tij po bënte luftë me vetveten

-Unë e kisha kundërshtar këtë burrë të rrëndë, që sot u nda nga jeta. Vallë a më takon të shkoj atje dhe aq me tepër duke vajtuar me bërtitje e ulërima? Zëri i brendshëm i thoshte : -Po, po! Të takon të shkosh se vërtet të iku një kundërshatar, por ai të jepte nder dhe lezet në luftën që bëje.

Duke bërë këtë luftë me vetveten, këmbët e çuan tek lisi mbi shtëpinë ku kishte ndodhur gjëma. Aty ndali, mblodhi fuqitë, pa malet, kullotat, fushën e blegtorisë, grykën që shkonte drejt detit dhe rifilloi të qarët me bot, me atë oi, oi e grushtet që godisnin gjoksin.

Grumbulli i njerëzve kthyen kokën dhe panë atë shkëmb të çuditshëm që po zbriste me këmbët e tij të qante me gjëmë dhe të nderonte kundërshtarin e vdekur. Çudia po ndodhte dhe askush nuk mund të fliste e të orientohej. Kishte ngrirë jeta dhe vdekja. Njerëzit i hapnin rrugën dhe ai po ecte drejt odës së madhe. Hyri dhe hodhi syte. Kundershtari i tij ishte shtrirë në pafajsinë e tij, ashtu trupvigan siç kishte qënë në gjalljen e tij. Heshti disa sekonta me shami në dorë dhe filloi vajtimin karakteristik pilurjot:

Ngrehu o burrë e dil përballë

Unë a derëziu

Siç dalin mali me malë

Më ke goditë, s’më ke sharë

Nderin zvarrë s’ma ke marrë

Se të dy në rrap kur dilnim

Edhe pa llafosur flisnim

Tani këta që mbenë prapa

Janë si bregu me të kapta

Ti ike po unë mbeta

Vallë do më ket’ lezet jeta?

Unë a derëziu

Lisi ra vetiu!

Fshiu lotët me shami, psherëtiu thellë dhe u kthye nga njerëzit e praanishëm në odën e mortit, si për të gjetur vend për t’u ulur. Djali i madh i të ndjerit e morri për krahu dhe e uli në qoshën e shtëpisë, aty ku ulej miku më i nderuar. Dikush i zgjati kutinë e duhanit dhe ai filloi ta dridhte ngadalë, sikur donte të rikthente vitet e shkuar. Dajua i kundërshtarit, njëherëz dhe baxhanak e theu heshtjen:

-Qysh e hodhe këtë gurr të rrëndë mbi supe dhe erdhe të vajtosh kundërshtarin tënd, këtu në shtëpinë e tij, në këtë ditë të zezë të tij? Të gjithë prisnin me ankth përgjigjen. Ai nuk nxitoi. Dukej sikur po nxirrte me shumë mundim gurin, jo nga supet por nga zemra.

-U lehtësova-tha pas pak. -E nxorra nga zemra se po më bluante. Tani jam supepërpjetë. Më kishte lezet lufta more vëllezër! Ishte kundërshtar që më jepte nder. Hallall e pastë për ç’kemi shkuar!

Kaq foli dhe s’kish nevojë për më tutje. Kodi i burrërisë qe vendosur me përpikmëri të hatashme. Nderohej kundërshtari për cilësite e tij burrërore.

Komente nuk u bënë por vdekja e rrëndë erdhi e u lehtësua sikur do përcillej një re e bardhë që vishte majat e maleve në pranverë apo vjeshtë. Armiku ishte kthyer në mik.

* * *

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page