ARMELA HYSI: DITA E TETË
- Jul 10, 2025
- 2 min read

RETË
Një re e bardhë me fustan nusëror
Veshur, ecën drejt Jugut.
Pas saj ca re të vogla, të bardha,
Të lehta, mbajnë vellon e gjatë,
Avull-ujore në duar.
E fundit, nebulozë e hirtë dasmorësh
Çakërdisen.
Retë ecin butë drejt Jugut.
Me krenarinë e të pakapshmes.
Të isha re...
...Jeta ime, kjo dasëm shtëllunge.
Të isha re...!
MAD WORLD
- më jep edhe një tjetër.
pëshpërit e vogla me vështrimin lutës të urisë.
nuk dija më a do të vije.
pash mjaft mjerim sot për ta menduar
qafë-shtrënguar nga nyja e madhe e pritjes
grimcoja madhështinë e vetmisë
egoizmin vulgar
për t'u ndjerë kaq e rrallë dhimbja ime absurde.
metamorfoza e syve të kafenjtë të vogëlushes
në dy biskota të lumtura
psikoterapia shekullore e ndërgjegjësimit.
mund të shkelësh sërish
mbi rrugët e ardhjes time
të detyrohem kthimin tim
në qenie ideale.
DITA E TETË
kohë e gërryer nga brenda
– mendime –
ka diçka nga unë ajo natë e enjtur që
largohet duke bredhur lodhtas rrugicës së përgjumur
me pamjen e një harrese fustan rrudhosur
e flokë të hutuar vetmie.
valixhia lidhur mëngjrazi
rëndon buzë më buzë
pasazhe të oksiduara
dhe në të djathtën
baulja e gjyshes që tërheq shkallëve të poezisë
që nga mituria
me gjithë gurët e mullinjëve blues që trashëgova
në njërën këmbë
ka ende këpucën që mbeti pa u shndërruar
pas klithjes së mesnatës së përralltë
e vetmja dëshmi ‘vallëzimit magjepsës
nën vello parfullimash.
gunga e madhe mes shpatullash
poshtë cipës deje-blu të lëkurës
tradhëton nyjen e lidhjes së çarçafëve të arratisjes
të zinj si velat e mynxyrës
meqë s’arriti kurrë t’i dalë ballazi vetvetes.
FYTYRA
më është e vështirë të qetësohem me këto tehe
që përplasen fluturakëve pëshpëritës të dhomës.
Matis* pret me gërshërë frëngëlluese letra sfilitëse
pranë veshit tim
edhe k’të natë
trupat e ledhatuar frojdjan
silueta bumbuese të
ngecur në zhurmërinë e trurit të tij.
në zallahurën e fëmijërisë sime.
tiparet e humbura nga fytyrat e tyre
ndoshta flenë terrenësh të pabanuar
ndoshta zhdukur për fare janë
të mos mbaj pengje borxhesh a hakmarrjeje.
mjaftojnë gjurmët në butësinë time amorfe.
-------------
*Henri Matisse (1869 – 1954) piktor
PAS IKJES
ke ikur nga fotografia dhe në kornizë
tani shoh vetëm shatërvanin parvaz-trishtuar.
njomështirën e puthjes si harresë të pllangët
copëza të shkërmoqura zhaurimë mekur
të gjetheve të shkelura.
currilat pritje-blatuar pluskojnë
përhumbjes dhe zogu që
mbaje mbi supë për të pozuar
sy-gremisur lëviz frymë sosur
puplat e pastërvitura
që s’mësuan kurrë të fluturonin
nën sigurinë tënde.
KOSOVËS
mos i shih dhimbshëm Ati im krahët
pendë-ndkura në shpatullat e mia
gjakun e kaltëryer bulza-mpiksur
të çjerrave
vragat e shigjetave dhe ciflave depërtuese
nga shpërthimet pas shpine të tradhëtisë
këto gungëzime që prek buzëdredhur me mollëza
si vargmale gjarpërueshe hartës plastike
me reliev – brenda lëkurës kith-mjelmtë – janë të
ngjiturat e kockave pas krisjeve
pas thyerjeve.
më të forta janë bërë kështu me shtresa
krenarie fitoresh.
të paepërshme.
tmerruese. më shih si heroinë
si legjendë
veç kujtimet
kujtimet dhembin tek treten.









Je poete e pakapshme, e paarritshme Poetja që flet me zemrën e saj, arrin të prekë zemrat e të gjithëve.
Poezitë e tua janë pasqyra ku shohim dashurinë, dhimbjen, shpresën dhe bukurinë e jetës.