
Tregim nga Kozma Gjergji
E quaja fat që kisha koleg doktor Frederikun, ose Rikun, siç e thërrisnin gjithandej. Në sajë të tij fituam mjaft nga betejat e vështira me vdekjen.
E adhuroja pa masë për kulturën e profesionalizmin dhe sjelljen prej zotërie. Dashamir, solidar e kurdoherë i gjindshëm. Të mbushte me kurajo, optimizëm, besim.
Ishte diplomuar në një prej universiteteve të famshëm të Polonisë. Ky shans i qe ofruar si nxënës i dalluar, por edhe se vinte nga prindër partizanë.
Për gjashtë vjet atje mblodhi etshëm shumë nektar diturie dhe u kthye në atdhe me kosheren plot. Krahas Universitetit, edhe Varshava, kryeqyteti, i pati dhënë mjaft me mrekullitë urbane, artin, letërsinë, muzikën, teatrin, kinemanë dhe gjithë hiret e jetës moderne.
I jepnin alergji disa tradita e vese mesjetare të dëmshme, për çrrënjosjen e të cilave s'kursehej të kontribuonte. Reagonte keq e konfliktohej me injorancën ngrehaluce partiake e shtetërore dhe s'reshte ta tallte pa mëshirë me humorin karakteristik.
Gjithnjë në krah të progresit e me vështrimin larg. Çmonte e nderonte jashtzakonisht miqësinë e shoqërinë dhe i pëlqente të bëhej shpesh protagonistë i teatrit të tyre. Veç pasionit për librat e dominonte fort edhe ai i gjuetisë, sidomos për femrat. Janë të lloj- llojshme ndodhitë e bëmat ku shkëlqeu dhe që e çuan në ferr.
Dëshiroj t'ju njoh me disa më pikantet, duke besuar se, pasi t'i lexoni do thoni që ia vlejti e s'qe kohë e humbur kotë. Po e filloj me një nga më të hershmet, e cila tregohet edhe sot.
Shkon për të vizituar fëmijën tek ky një nuse e re. Pamja e saj e goditi, magjepsi, shushati. Ngjante përsosmërisht me bukuroshen polake që dikur kishte dashuruar çmendurisht. Pyeti veten mos qe ndonjë fanitje. Jo, jo… E shikoi thellë në sy dhe i foli përzemërsisht.
-Urdhëroni!…
-Kam djalin doktor… Grindet e s'ka oreks. Nuk i afrohet fare gjirit të pijë…
-Do ta rregullojmë, do ta rregullojmë… Shërohet shpejt, ndaj mos u shqetësoni… Fillimisht bëjmë një demonstrim e pastaj…
Ai i kërkoi të nxirrte gjirin dhe ta ftonte fëmijën për të pirë. Ajo veproi ashtu, por i biri qëndroi i tërhequr e indiferentë. Atëhere doktori iu drejtua atij për ta nxitur.
-Xhan i vogël, zëre, zëre thithkën…
Djali prapë s'tregoi asnji dëshirë.
-Ka disa ditë kështu, -shtoi e ëma.
-Do ta rregullojmë, -përsëriti doktori dhe me ton lutës ngulmoi.
-Bimbi i dashur, afroje pra gojën tek thithka të pish… Hë de… Hë… Do ta zësh apo ta kap xhaxhi doktori?... -dhe vetëtimthi e përpiu gjirin, duke i demonstruar vogëlushit sesi duhej të vepronte.
Nusja e re shtangu e shokuar. Si mundet të sillej kështu një njeri e mjek i shquar?! S'e dha veten. E heshtur, e habitur mori recetën dhe u largua. Nuk i mbajti mëri e as u ankua, përkundrazi i vijojë vizitat, të cilat kulmuan me një nga ato aventurat që i ngjan uraganit.
Mua dhe Frederikun na ftoi për drekë një nga pacientët që e kishim shëruar. Meqënse banonte në fshat e ia vlente dhe si shëtitje morëm edhe bashkëshortet e fëmijtë.
Kur zbritëm nga autobusi atje, të vegjlit u befasuan tek panë në fushë tërë ato lopë e dele duke kullotur. Një nga viçat po pinte qumësht te e ëma me vrull e të goditura. Djali i doktorit sapo e pa shpërtheu i shqetësuar.
-Mami, mami… Shiko viçi po i kafshon dhe ha bilet lopës!…
S'i përgjigjeshim dot nga të qeshurit. Riku ia priti shpejt ta qetësonte.
-Mos u shqetëso bir. Kur të rritesh do ta kuptosh se ajo çfarë bën viçi s'është gjë e keqe. Ah, sikur ta kishte dhe yt'at fatin e asaj lope!…
Ndërkohë, me buzë në gaz arritëm në shtëpinë e pacientit tonë. Gjithçka ishte bërë gati e qëndronte në pritje. Tërë ai bollëk shprehte falenderim e mirënjohje të thellë.
Zumë vend rreth tavolinës. I zoti i shtëpisë, pra pacienti, kish ftuar dhe baxhanakun "si të muhabetit". Tokëm gotat me urime dhe biseda kaloi për kohën, llojet e cilësinë e pijeve, të prodhimeve blegtorale e bujqësore…
Baxhanaku për të na bërë qejfin e çoi fjalën në fushën tonë. Iu drejtua Frederikut gjithë kureshtje.
-Doktor, e kam fort merak të di, se si shpjegohet që dobiçët dalin shumë të zgjuar? E thotë dhe populli kur lavdëron dikë: "Eshtë dobiç i zgjuar!... " Por ama, përgjigjen e dua shkencore dhe pa çensurë.
-Ashtu do të ta japim, -ia ktheu Riku e vazhdoi. -Dobiçët dalin të zgjuar e shumë të zgjuar ngaqë ngjizen me zjarrin më përvëlues e të furishëm të dashurisë… Njësoi siç ndodh me modelimin e metaleve të forta e çmuara, të cilat i shtojnë e përforcojnë cilësitë vetëm në temperatura të larta…
-Aaaa!… -u habit baxhanaku. -Kështu dalka që dhe kovaçët qënkan heronjtë e mëdhej të asaj pune dhe të pjellët i paskan më të zgjuarit e botës!… Mendoja se kushedi ç'marifete do kishte, paaaa, këtë lloj shkence e njoh dhe di ta bëj mjaft bukur edhe unë…
Duke qenë në terrenin tonë dhe kur pas disa gotave gjërat të duken më të këndëshme e interesante, më erdhi qejfi të përgojoja drejtorin.
-Çuditem me atë njeri! Gjithnjë i stërmenduar sikur t'i jenë mbytur gjemitë dhe të mbante në kurriz tërë hallet e globit…
-I dashur koleg dhe mik, nuk e ditke që ai mavriu ka hallin më të madh?
-Jo. Çfarë halli?!
-E ka gruan tepër të re dhe të bukur. Nuk i thonë shaka!…
-S'më kish shkuar ndonjëherë në mënd kjo.
-Ja, po ta them unë, që e di fort mirë… Ca shtetarëve si ky, biografinë më të saktë e interesante ua bëjnë vetëm gjinekologët… Sulltani këtë e gradonte menjëherë Pasha të haremit pa asnjë llojë meraku…
Nevoja tejet e ngutshme për ndryshim e solli që doktor Frederikun ta emronin shef të pavionit të sëmundjeve infektive. Veprim i qëlluar. Si me magji ai e shndërroi nga problematik në model të shërbimit e kulturës shëndetësore. Dhe vlerësimet për të s'vonuan, që nga eprorët e deri tek gazetat e TV.
Kjo famë, si një lloj mburoje mbrojtëse shtesë, dhe funksionimi perfekt i mekanizmit të punës në pavion, i dhanë më tepër siguri e kohë të merrej me pasionin aq tërheqës të gjuetisë dhe zbavitjet e tjera. S'linte rast pa qenë i pranishëm dhe interpretuar çapkënllëqet plot humor.
Do festonim ditëlindjen e doktoresh Bexhetes, të njohur nga të gjithë me emrin Brixhida. Interesantë me ne shqiptarët, qysh nga koha e uzurpimit osman vijojmë të mbajmë nga dy-tre emra, si për të treguar edhe nëpërmjet tyre, që jemi njëkohësisht edhe Lindje edhe
Perëndim.
Doktoresha e kish ditëlindjen e tridhjetë. I madhë gëzimi, por edhe trishtimi, se ishte ende beqare. Të vinte keq pse fati qe treguar me të kaq i padrejtë dhe xhahil, ndërsa i plotësonte të gjitha: Mjeke me titull, e zgjuar, e pashme, me trup të skulpturuar e të lartë afro dy metra…
Mirëpo ata që e njihnin së afërmi qysh në fakultet pohonin të kundërtën. Kujtonin sidomos pesë-gjashtë raste të shkëlqyer, të cilët vetë Brixhida, natyrë impulsive, grindavece e xheloze, i pati përfunduar me rrahje. Kështu që tani s'guxonte mashkull t'i afrohej nga frika se e pësonte.
Blemë dhuratat e u nisëm për tek ajo. Për dreq s'e shmangëm dot Bolin, sekretarin e partisë, i cili vdiste të ishte i pranishëm në të tilla ngjarje për t'u dukur sa më popullorë. Nuk e dëshironim hiç prezencën e tij. Na pëlqente të ishim të lirë e shkujdesur dhe mos të dëgjonim moralizime bajate.
Atmosfera e festës erdhi e bukur, rrëzëllitëse, plot me urime, këngë, vallëzime, biseda, kujtime…
Në fund mbërriti dhe çasti i hapjes së dhuratave. Surprizoi në veçanti ajo e Frederikut. Një tortë e vogël si bazament mbi të cilën ngrihej statuja e penisit. Pastiçeri e kish dekoruruar dhe me papion, mustaqe e një shikim mashkullor të uritur dhe që uronte: "Brixhi e dashur, edhe një qind pranvera! I festofshim bashkë të lumtur! "
Shpërthyen të qeshura, komente, vlerësime… Të gjithë dakordoheshim se për një beqare kjo dhuratë qe e goditur. Dhe urimet s'reshtnin për doktoreshën: "Qoftë me këmbë të mbarë! ","Me fat!…. "
Nuk i rezistoi të qeshurës dhe Boli, por s'qendroi dot pa u shprehur.
-Më duket ca si e ekzagjeruar kjo shaka. S'e kemi në traditë të bëjm kësi lloj dhuratash. E kuptoj që doktor Riku të tilla i ka parë në Poloni dhe na i servir si diçka të re, moderne… Më duket allasoj. Tepër i pispillosur, tamam borgjez. Më kujton më shumë ballistët dhe anglezët pranë shtabit partizanë…
Ditëve mbas kësaj feste habitërisht vumë re një afrim të madhë të Brixhidës me doktorin. Kardiolog Genci ose karderriologu, siç ia kish ndryshuar Frederiku, dhe që bashkë iu puqeshin pipat, nisi ta cyt.
-Hidhu!… Ç'pret?… Është djegur e s'po duron të shuhet. Ka goxha lëndë…
-Ashtu është. Me atë fustan të kuq të vë flakën. Ngjyra e kuqe çmend dhe demin… S'di pse ngurroj. Mbase ngaqë është tepër e gjatë dhe për ta vjelë duhen dy palë shkallë…
Do ta mendoj e matem mirë, se ia njoh tipin. Godet për hiçgjë. Dhe grushtin s'e ka të lehtë! Njihen të tilla që kënaqen deri në orgazëm kur e rrahin triumfalisht mashkullin. Kështuqë me Brixhidën ekziston gjithnjë rreziku që ai miku në vënd të të ngrihet, të fshihet…
Në vijim doktor Riku i trashi zullumet. I palloi tre infermiere e zuri t'i vërdallisej ndihmësmjekes. E lëshoi fare dhe gojën, duke i shndërruar partiakët e pushtetarët në personazhet më komik të bisedave. Ja disa nga karakterizimet.
Drejtorin e quante: "Cjap i tredhur… I kanë lënë shëndetin me kohë hallatet e tani po ia lë edhe mendja… ". Shefen e kuadrit: "Pagure me uthull… Gjithmon duke blegëritur nga marazi se i është tharë goja lartë e poshtë… ". Për kryetarin e organizatës profesionale: "Papagall me kaçurrela dhe klloun i cirkut socialist… ", kurse sekretarin e partisë: "Babuin me syze… Para tij gomari është zotëri. Kur flet të vjen të kruash koqet… " Dhe: "Të gjithë këta shtetarnik rrotull të parit si leshi rreth k..rit. Janë veç minj dhe bubuzhelë të anijes heroike socialiste… "
Të tëra iu shkuan në vesh atyre. I vlerësuan si dëshmi të urrejtjes, diskreditimit e dëmtimit të pushtetit popullor. U dakorduan me udhëheqjen që të hakmerreshin, duke e bërë shëmbull për të frikësuar e tulatur edhe zërat e tjerë kritik.
Fillimisht hodhën në opinion etiketime për doktorin si: "Gomulka"(Emri i kryetarit të partisë komuniste polake tani revizioniste.), "Polaku","Revizionisti","I aftë, por i molepsur nga veset ","Doktor bordellua këshillon: Nëse doni t'ju rrijë dajak hajdari, hani koqe kaposhi dhe dashi." Ose :"Në Shqipëri do kolektivizojnë edhe femrat, dhe se vetëm këtu ndodh, që ata, të cilët mbrojnë e shpëtojnë jetën, e kanë rrogën tejet më të vogël nga ata që e vrasin dhe shfarosin… " e të tjera.
Qenë si aktakuzë e parathënë për t'ia fëlliqur imazhin e hequr simpatinë dhe motivuar goditjen. Me kujdes e shqetësim i sugjerova t'i vlerësonte. Nuk përfilli. Gjykonte se kryesore për cilindo është puna dhe kontributi.
Edhe zbavitjet s'pranoi kurrsesi t'i linte, qoftë dhe përkohësisht, sepse sipas tij të jepnin energji pozitive e përtërinin. Dhe si ta nxiste shejtani e shtoi frekuentimin e tyre. Shkonte më shpesh për gjueti dhe i pëlqente të mburrej se çdo herë kthehej me gjah të madhë. Kur i thoshnin që bashkëshortja pohonte të kundërtën, mbrohej se gjoja e dhuronte.
Në një rast i eci vërtetë. Me mjaft kënaqësi ekspozoi tërë prenë e vrarë në oborrin e vilës. Si të ishte në natyrë filloi të rjep një nga lepujt. Partnerja e ndiqte gjithë kërshëri. Sapo e zhveshi lëkurën ua hodhi zagarëve. Ajo e surprizuar e pyeti pse e bëri, se çfarë do t'i hanin qentë asaj lëkure?!
-Ke të drejtë e dashur. Ua hedh lëkurën vetëm që të mos harrojnë erën e gjahut.
-Ah, interesante! -reagoi ajo dhe menjëherë hoqi brekët e ia vërviti në fytyrë.
-Përse kjo, dashuri?! -i tha Riku i habitur.
-Që të mos harrosh erën e gruas tënde… -ia ktheu e shoqja, duke i shprehur me nënteks gjithë brengën për dashuriçkat e tij që kish dëgjuar.
-Kurrë s'mund të ndodh të ngatërroj apo harroj erën tënde, më e këndshmja dhe e shtrenjta për mua. Edhe sikur, larg qoftë, të verbohesha e lajthitja ndonjëherë, jam nga ata që për gabimin i kërkoj ndjesë edhe qenit… Më vjen shumë keq që shpifja paska mbërritur deri tek ty. Të sigurojë jo dhe jo. Ta them me sinqeritet, që nëse do ekzistonte edhe një çmim Nobel për besnikërinë bashkëshortore, me siguri do më ishte dhënë. Qëndroju sa më larg thashethemeve e xhelozive, se e toksikojnë dashurinë…
Tashmë në punë Frederikun filluan ta provokonin për vogëlsira nga më banalet e ordineret me qëllimin djallëzor, që ai duke reaguar siç e kish zakon t'i shtonte gabimet.
Kështu shefja e kuadrit nëpërmjet dikujt i dërgoi vërejtjen paralajmëruese të mos humbte orë pune për llogje në bar-kafe. U nervozua e iu kthye personit.
-Të dërgoi shefja ëëëë?!… E falenderoj dhe i uroj hellin… E çmoj jashtëzakonisht, se ndryshe nga të tjerat, ajo i vesh brekët nga koka…
Ngjajshëm veproi dhe sekretari i partisë, duke i përcjellë me gojën e nënkryetarit të organizatës profesionale qortimin dhe këshillën që t'i shkurtonte flokët e basetat dhe të ndryshonte veshjen ekstravagante.
Nënkryetari i kërkoi të falur e i tha se e kish detyruar shoku Boli ta bënte. Doktori e falenderoi për sinqeritetin dhe si të ishte pickuar nga grerëza ia priti.
-Është palaço burrë ai!… I kam shpëtuar jetën maskarait!… S'ka më keq kur të mëson një budalla! Atij edhe qeni i nxjerrë gjuhën. Është i tëri zift. Nuk mund ta marrësh dot inat një idiot…
Në një nga mëngjezet ushtroi kontroll grupi i kontrollit punëtor, sesi zbatohej disiplina e fillimit të punës. Midis atyreve që erdhën me vonesë ishte dhe doktori. U bë mjaft zhurmë. Kuptohej për cilin binin ato daulle.
Pak më vonë pasoi një fejton në revistën satirike, në të cilin Frederiku kritikohej për sjelljet liberale dhe që jepte me tepri ditë pushimi për pacientët.
Mbas këtyre ndodhive e thërriti menjëherë në zyrë sekretari i partisë.
-Shef Riku, - iu drejtua Boli, -të kërkova se jemi të shqetësuar për disa ankesa në adresën tënde.
-Konkretisht për çfarë?
-Po ja, denoncojnë se ushtron imoralitet në vendin e punës, që do të thotë shpërdorim posti, përdhosje institucioni dhe shkatërrim familjesh…
-Janë shpifje, -kundërshtoi Frederiku dhe shtoi: -A mund të më thuash se me cilën?
-Po. Me infermieret B.T.dhe L.
-Cilët na qenkan këta informatorë? Ka rëndësi ta di…
-Hë për hë sekret, se i hapet rrugë konflikeve, hakmarrjes…
-Janë femra apo meshkuj?
-Kryesisht femra.
-Habitem me ty që iu beson apriori atyre e jo mua. E ke për detyrë të më mbrosh nga shpifjet e thashethemet, dhe t'ua mbyllësh gojën delenxhinjëve, që duan të më godasin pse kam suksese në punë… Cilat janë këto informatore që iu dhëmbkan kaq shumë veglat e të tjerave?! Duket e bëjnë nga zemërimi pikërisht sepse s'jam i atillë. Jazëk u qoftë!…
-Ne vlerësojmë e verifikojmë çdo informacion dhe mbajmë qendrim. Mos e merr me të tallur, siç e ke zakon, por çmoje seriozisht dhe reflekto e korigjohu…
-Dua të të pyes, ato tre infermieret për të cilat akuzohem, a të janë ankuar?
-Jo.
-Atëhere ç'u duhet informatoreve me pronën private të këtyre? Kushdo bën ç'të dojë me të tijën. Unë, të them të drejtën, e urrej shumë pronën private dhe të shenjtë kam vetëm pronën socualiste. Nëse kam vënë dorë mbi këtë të fundit, ma prisni dorën e më burgosni…
-Partia do gjithmonë t'i ndihmoi dhe shpëtoi njerëzit…. Të pyesë edhe për diçka tjetër. Kemi një sinjalizim se nuk e do më gruan… Mund të thuash që është çështje e brendshme, dakord, por bëhet dhe shoqërore, se janë fëmijët dhe shqetësimet e tjera që vijnë më pas…
-Nuk është kurrsesi e vërtetë. Qysh nuk dashkam gruan time, kur unë dua dhe gratë e botës?!…
Keqdashësit e Frederikut gjykuan se tanimë kish ardhur koha të qarkullonin ndonjë shpifje edhe më të rëndë që ta urrenin njerëzit. Trilluan se gjoja e patën zbuluar që punonte për sigurimin polak dhe pritej arrestimi.
Dhe efekti erdhi shpejt. Disa nga kolegët e lidhur fort me pushtetin, me pretekstin se distancoheshin nga sjelljet e tij, nisën t'i shmangeshin e largoheshin. Ziliqarët e të pakënaqurit nga kritikat e tij për punën mezi prisnin të ndodhte.
Mahnitesha që i nënvleftësonte e të gjitha i quante veç ca miza, të cilat më kot përpiqen t'ia ndalin vrullin kalit. Vijonte të drejtonte në pavion pa u shqetësuar dhe me të njëjtin përkushtim.
Nuk shkoi gjatë dhe e arrestuan. Ka qenë dita më e trishtuar dhe e ankthshme. Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Disa e miratonin: "Mirë ia bën spiunit… Degjeneroi… S'ka si bëhet më i poshtër robi: Nuk la kuadër pa i hedhur shurrën në surrat… ". Të tjerë shfaqnin p
keqardhje e mërzi që do t'ju mungonte një mjek aq i zoti. Më të shumët e shprehnin mosdakordësinë me fytyrat e ngrysura e të habitura.
I bastisën banesën dhe gjëja më kompromentuese që zbuluan ishte një kasafortë e madhe përplot me materiale pornografike, literaturë erotike, revista, fotografi, letra, kartolina, kaseta me filma dhe më surprizuese qe një koleksion me veshje të brendshëme femrash me emrat përkatës.
Siç doli nga hetimi e kishte patur mani, që pas çdo mardhënieje t'ia mbante secilës të mbathurat si peng a dëshmi. Kjo dhe faktet e dëshmitarëve të instruktuar e përligjën dënimin e tij të rëndë.
Sipas porosisë u zhvillua një gjyq mësimdhënës. U vendosën altoparlant edhe jashtë sallës për ta dëgjuar sa më tepër njerëz. Akuza dhe treshja e gjyqtarëve zbërthyen e demaskuan me një gjuhë urrejtje tërë veprimet dhe fjalorin armiqësor të të pandehurit. Kryetari i gjyqit ishte mjaft kureshtarë për kasafortën. E quajti strofkë ku gjarpri i ideologjisë borgjeze kish fshehur vezët e helmta. Deshi të dinte hollësira dhe qëllimin.
-Përse i kishje grumbulluar gjithato brekë grash? Për çfarë të duheshin?… Dëgjo me vëmendje: Kur të përgjigjesh të ndalohet rreptësisht të përmendësh emra.
E porositi ashtu, se e dinte që disa nga ato ishin ose bashkëshorte të kuadrove të rëndësishëm, ose mbanin poste me peshë.
-Kasaforta me ato objekte e sende, zoti kryetar, është krejtësisht personale, është arkivi i kujtimeve, historive e dashurive të mia, dhe s'ka ç'i duhet askujt…
-Qysh more s'ju dashka askujt me arkivin e kurvllëqeve dhe maskarallëqeve të tua të neveritshme?! Ku jemi këtu, në pyllë të bëjmë ç'të duam si egërsirat?
Për ato të dërgoi në Poloni pushteti popullor? Kështu ia shpërbleve ti, bastardë e lavire borgjeze e pështirë? Kurrë s'do të lejojmë cilindo vagabond të kallëpit tënd që të degjenerojë rininë tonë të pastër. Në burg, në burg do kalbesh, revizionist i qelbur…
Doktor Riku i kreu të gjitha vitet e dënimit dhe e rifitoi lirinë pak kohë para rënies së regjimit totalitar. Demokracia e gjeti punëtor të llaçit e betonit. Nuk i qe dhënë e drejta e ushtrimit të profesionit, pasi s'kish pranuar kurrsesi të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit.
U angazhua totalisht për demokracinë. Priu kudo me fjalën e zjarrtë e të mençur dhe sakrifikoi në greva urie. Ndërkaq, me kredinë që mori, ngriti një miniklinikë, të cilën gradualisht e shndërroi në spital me standarte konkurruese.
Për vet potencialin intelektual dhe ish i burgosur qe ndër më të lakmuarit nga partitë. S'pranoi absolutisht të rreshtohej në asnjërin krah politik. I qëndroi besnik vendimit për të qenë i pavarur dhe si i tillë të kontribuonte pa asnjë paragjykim me cilindo subjekt që angazhohej për shtetin ligjor.
Habiteshin kur e shikonin në protesta e manifestime të çdo partie e shoqërisë civile kundër represionit të pushtetit e në mbrojtje të të drejtave demokratike. Konfliktohej ashpër edhe me sivllezërit bashkëvuajtës kur i përdorte politika.
Këto qëndrime e futën në përplasje dhe armiqësi me krerët politikë, të cilët pasi u bindën që s'mund ta vinin nën komandë dhe shpesh iu prishte punë, nisën ta sulmojnë me gjithfarë epitete si: "Skizofrenik", "Sherrxhi", "Përçarës", "E ka lënë me pasoja burgu" e plot të tjera.
Mirëpo doktor Frederiku as donte t'ja dinte fare për to. Përgjigjen ua jepte me dinjitetin, integritetin, ndershmërinë e përkushtimin ndaj njerëzve e demokracisë. Mbeti përherë i bardhë si ato majëmalet me borë të përjetëshme, të cilat nuk i arrin dot kurrë ndotja.
Kozma Gjergji.
z. Gjergji, Vlerat jane te tregimit tuaj. Mua me emocionoi artistikisht. shendet dhe suksese te tjera . Me dashuri dhe respekt, MYSLIMI.
Z.Maska, ju falenderoj për opinionin e komentin e zgjeruar, mendimet
analitike dhe lavdërimet për tregimin "Arkivi i fshehur".
Janë investim i vlefshëm për këdo krijues. Shëndet e të mira, K.Gjergji.
Z.Minush, nuk mund të rri pa iu përshëndetur për konsideratën e
vlerësimet tuaja shumë të vlefshme për tregimin "Arkivi i fshehur". Testimi
dhe mendimet nga kolegët janë një ndihmesë tejet e çmuar që unë e
vlerësoj pa masë.
Ju falenderoj me mirënjohje për impenjimin dhe ju uroj edhe
juve suksese të reja në krijimtari. Me nderime, K.Gjergji.
E respektura znj. Lola Shehi, ju falenderoj për angazhimin dhe mendimet
rreth tregimit "Arkivi i fshehur". Kënaqsi që ju ka pëlqyer dhe që në vazhdimësi
paskeni ndjekur edhe krijimet e tjera. Për çdo krijues kjo është shpërblim dhe nxitje
shumë e madhe. Ju uroj shëndet e gjithë të mirat! K.Gjergji.
Tregimi "ARKIVI I FSHEHUR" i prozatorit te njohur Kozma Gjergji eshte nje vazhdimesi
mjeshterore, eshte nje dhunti e brendshme natyrore e talentit te tij ne tregime. Them
mjeshterore sepse tregimi s'ka asgje te tepert dhe artificiale.
Te habit per koncizitetin, humorin e kendshem anekdotik, te zgjedhur e brilant: (Femia kur pa qe vici po pinte siset e lopes bertiti: shikoni, vici po pi bibilet e lopes). Here- here
te trishtueshem e te dhimbshem, here sarkastik e revoltues. Te gjitha keto shkrihen natyrshem, te justifikuara e te besueshme ne gdhendjen e personazhit, mjekut te talentuar dhe "LIBERAL" -Frederikut ose Rikut, qe per lexuesit eshte e dhimbshme drama e tij.
Riku, sipas tregimit eshte i plagosur rende nga te dyja kohrat: Dhe…