Arkeologji në sytë e Egnatias
Fatmir Terziu
Ndërsa shkëpusni të gurtën nga guri në një rrokadë
pa shumë dhimbje, duke ofsharë
trotuari është një ngarkesë e lodhur nga shkeljet,
dekori është i vjetëruar dhe i pathemeltë,
e ndjeni lotin që vardiset në një lloj të re mbetet
forma e tashme, një fletë,
ku lexohen dashuritë brenda një stimuli muskulor,
mes të dashuruarve politikanë e kolegë,
në opusin e abeliskut shekullor.
Arkeologjia e tillë duhet të jetë një rrokadë anësore
e zogjve rreth Kalasë, e kumurive
rreth magjeve,
anës shtëpive,
në një mënyrë që vërteton zotërimin e gurit
mbi shkëlqimin pa vdekje të vdekshmërive.
Të bësh rrokadë guri, nuk është e mundur në këtë skenar,
në një rrasë të veshur me myshk të plotë,
nëse nuk mund të shpikësh, ulur atje
një të shpëlarë rrëkeje prej lotëve
që është pa dhé
për të gjitha fantazmat që u yshtën herët
për shijet e tyre të mistershme,
me sy e gojë të errët.
Ninulla e hurmave farëzeza
Edhe dora, edhe syri, edhe koha
sillen duke dhënë fryte, njësoj si lashtësia
nga e vogla Azi, Persia, Abisinia, nga Bota
duke gërmuar për kohën e pakohë, gjashtë mijë vjet
në anën tjetër të botës, memece që s'flet.
Dhe bëlbëzimi, dhe fjala, dhe drita
vijnë duke dhënë fruta, mbi shkëmb-kodër, në baltë
ikjet si ulërimat të shfaqura nga frika ,
shfryrje, gonxhe që lulëzojnë gjithnjë në të bardhë
si dimri që largohet brenda natës,
e mbetet vetëm si një përrallë.
Ndërsa e gjitha vjen duke zvenitur fruta,
të pjekurat shijohen si gjithë të pjekurat,
dhurata të rrethuara prej moti, kaherës,
të stisur në risqe verdhacake, si ënjtje e reduktuar,
djegia e zemrës së një dielli të vonë të verës
që pret fundgushtin dhe shtatorët për ti shtruar.
Kur pema ndriçonte, piqte kokrrat si në furrë,
gjyshja e mira, e dashura, gjyshëzja e urtë
poshtë tyre, të mbjellurave me dashuri, dridhte me furkë
gëzimin e veshjes së nipërve dhe mbesave,
dhe këndontë me pak zë ninulla, derisa piqej ai frut.
Obelisk
Kashtëza si rrufe të zbutura shtriqen rreth gurëve
dhe trazojnë gjumin e lashtë të Kalasë. I kaltër si qelqi
zbret në koritë uji i çezmës
dhe shkëlqen. Shtatë kumuria krihen në dy vija të drejta.
Qafohen krahët e Rrapit të Bezistanit,
një gardelinë nuk shikon asgjë me një sy,
pastaj një sqep qafëgjatë bie në govatë. Nga një qiell bosh
një dallëndyshe kërkon vend për fole, duke u dridhur aty
hapësira, bojatiset përsëri në blu marramendëse.
Krizantema stilohen në mermerin e freskët dhe të lëmuar,
milingonat nxitojnë një bulkth të frikësuar
se ku mund ta çojë ky ekspozim në natyrë
ky pallosh me fytyrë të kromuar
shpalos këmbët dhe e gjen veten në hapësirë.
Vetë nën vetvete,
një grumbull vetësh qëndrojnë dorë për dore
me fije të shkulura në kohë,
dhe me dorë metafizike
pikturojnë obeliskun si një kuadraturë kohe,
dhe shikojnë kohën brenda kohës në turmë,
dhe në qendër,
në qendër jam unë.
(Poezi nga vëllimi poetik: „SYTË E EGNATIAS“)
Bình luận