top of page

ARITMETIKA E FRYMËS


ARITMETIKA E FRYMËS

Tregim nga Fatmir Terziu

-Unë jam tani e tutje çdo gjë për ju. Mua më quajnë Ekri. Dhe emrin tënd ma kanë dhënë nga lista. Më ndjek apo?

- Po. Po. Po të ndjek se ishte kushti i parë.

- Më vjen mirë dhe në të njëjtën kohë mjaft mirë.

- Si ta kuptojë këtë?

- Kushti i dytë.

- Po i dyti ishte…?

-Mos u nxito!

-Pse?

-Kushtet i bëjë unë tashti.

-Si?

-Nuk është ndonjë problem i madh. Do më kuptosh.

-Përsëri nuk jam ndoshta…

-Kushtin e parë, mos harro.

-Duhet të jesh … edhe këtu. Dhe vetëm këtu.

-Pra?

-Do dëgjosh vetëm pordhët e mia.

-Pordhët e tua?

-Kushti i dytë. Nuk duhet të habitesh. Nuk duhet…

-Çfarë s’duhet tjetër.

-Nuk kam filluar ende. Kur të filloj do të të lajmëroj.

- E si do ta di unë. Kushti…kushti i …

-Ja atje… shikon? Atje është e gjithë ajo që duhet të jetë në syrin tënd. Atje është dhe duhet të jetë mendja jote. Truri yt do të punojë në varësi të asaj që do të shohësh e ndjekësh atje. Sytë e tu duhet të jenë njëzetë e katër orë në gjendjen e gatishmërisë. Ndodh që të harosh? Ndodh që të përgjumesh? E gjitha mbaron dhe trupi yt fluturon aq sa të hapësh e mbyllësh sytë dhe…

-Dhe çfarë ndodh me trupin tim? Çfarë…?

-Pyetjet i takojnë trurit dhe vëmendjes së mëtejshme në këtë zhvillim i takon asgjëja. Asgjëja është argjil. Është pluhur. Është ardhje dhe ikje. Është fjalë e kaluar fjalës. Dhe fjala është vetëm një arsye më shumë në të gjitha arsyet e kësaj ndodhje-gjendjeje. Ti ke një listë të madhe. Dhe duhet ti bindesh kushteve se ndryshe lista jote do të vazhdojë të fshihet sa herë që ti do rebelohesh ndaj kushteve.

-Lista?

-Po. Nëna. Babai, …. Gruaja, fëmijët …

-Mjaft? Cili jeni ju?

- Më duket se kultura ime ishte e saktë dhe isha mjaft i qartë. Që në fillim u prezantova dhe ua dhashë emrin tim. Ua përsëris dhe vetëm kaq. Unë jam Ekri.

-Ekri? E …

-Shkojmë tek kushti tjetër. Ja nga atje do të plotësohen pikët. Pikët janë fati dhe arti i kësaj loje.

-Lojë? Kockat më djegin sikur janë gurë në ndonjë furrë gëlqereje. Trupi vlon si vullkan. Fyti është një gyp fatfoni në pjesën e nxirë të katranit që del sikur kam pirë duhan gjithë jetën, kur unë as dhe nuk e kam provuar ndonjëherë. E alarmi vjen nga goja që s’pushon asnjë moment të prodhojë grahmën e një frike që pingulet si një shigjetë në ndjesinë time. E kjo qenka lojë?

-Lojërat nuk janë gjithnjë ato që mbahen si forma të eglendisjes njerëzore. Frymorët si ne kanë dhe një lojë tjetër të sqimtë, madje aq fine sa të provojnë karantinimin e tërë jetës së tyre. E aty jeta ka një leje të vetme. Është në varësi të lojës dhe leja bën vetë lojën derisa të thyhet korniza me të cilën është piketuar e projektuar drita. E frymori paqtohet më pas me errësirën.

-Unë nuk dua të …nuk dua që njerëzit e mi të… nuk dua…

-E dimë.

-Si ta kuptoj këtë?

-Ja pra thjesht dihet. Ne e dimë.

-Ore, kush jeni ju? Kush janë ata që e dinë?

-Kujdes! Po humbet pikët dhe…

-Dhe?

-Dhe ndiqe me vëmendje atje tërë atë skenë. Sapo ka filluar të prodhohet lëngu i parë që del nga ai Çinar shekullor. E ai sapo ka filluar të pikë-piket. Pikat e tij do të shënojnë dhe ecurinë e mëtejshme. Sa më të qartë të jemi, aq më të saktë do të jemi në vazhdimin tonë. Pikat do të duhet të sillen me vëmendjen e madhe në vëmendjen tonë. Dhe sipas hartës që kemi në projektin tonë, sipas projektit të hartës së skicuar nga specialistët tanë më të avancuar, do të gjejmë dhe kujt i takon pika e duhur. Pika e rënë është pikërisht ajo që do të tregojë se…

-Se çfarë?

-Se duhet të dëgjosh mirë. Çdo pikë përcakton një ikje. Një ikje që është saktësuar gjeografikisht, internacionalisht dhe madje globalisht në hartën tonë. Harta jonë ka vite e vite që prodhohet si arritja më e madhe në tipografitë tona. Dhe ai Çinar është përzgjedhur si pikë qendrore e tërë kësaj që do të ndodhë ngadalë e ngadalë me aritmetikën e frymës.

-Aritmetika e frymës? Kurë nuk e kam dëgjuar. Kurë nuk më kishte shkuar në mendje të formulojë një togfjalësh të tillë.

-Ti më flet akoma me libra. Duket se ke mbetur mes kapakëve të zverdhur të këtij shekulli të lodhur e të arnuar me mrekulli, lumturi, arritje e rritje ekonomike… Duket se ke … harruar një gjë, që është më kryesorja.

-E kush është kjo? Nuk është jeta?

-Toka. Toka ore frymor. Toka. Këmbët i ke ende me gjurmët e asaj toke. Trupin e ke ende me pluhurin e asaj toke. Duart i ke… e qelizat e tua janë nga produkti më i situr i saj. E ti thua jeta? Jeta?! Po, jeta. Ja atje në atë mahijen tej Çinarit. Ndiqe me vëmendje si po fryhet lakuriqësia. E sheh? Trupi dhe truri janë në një pikë. Bardhësi dhe zezërimë. Skuqamë kofshësh të lara me qumësht, gjoks delikat dhe i fryrë me formën më agresive të kohës, atë që vetë trupi nuk e pranon. Buzë të fryra, e ai matanë është thjesht një i lodhur që nuk përballon dot lumturinë dhe rritjen ekonomike … mrekullinë. E sheh sapo ka firmosur pikën e parë të Çinarit dhe vetëm një tezgë e një kapak të gjysëmbyllur i kanë dhënë të ikë dhe të shpërngulet eksperimentalisht në errësirë.

-Ore ju përgjërohem. Ju përgjërohem më thoni cili jeni? Kush jeni ju?

-Në këtë moment sapo kemi mbërritur tek kushti numër dy. E me këtë kusht jemi në një kat tjetër, që përkon me gjendjen e sotme të eksperimentit tonë me Çinarin. Dega kryesore e eksperimentit tonë e ka dhënë sinjalin e parë. Çinari është në një ngritje normale. Dhe ne ndodhemi në hapësirën e mesme. E mesmja nënkupton, po ta them këtë që të mos pyesësh, pra nënkupton se ne jemi tashti në aritmetikën e duhur të frymës.

-Prapë aritmetika e frymës? Nuk arrij ta kuptoj dhe pse …

-Nuk mund ta kuptosh aq lehtë, por duhet ta dish se e ke firmosur vetë. Është një firmë këtu. E shikon? Është firma jote? Natyrisht që po, nuk mund ta kundërshtosh. Ke firmosur të marrësh para, kredi, ke firmosur të marrësh diploma, shkollëra të ndryshme, ke firmosur të blesh shtëpi, ke…shkuar në plazhe, shëtitje, restorante, ke…

-E prapë nuk ka ndonjë lidhje në kokën time. Të gjitha po janë …

-E pra, e kupton se janë? Janë se i ke dashur vetë. Ke dashur të shkosh mjaft përpjetë. E tani që ne të kapërcejmë nga kati në kat ti harron se ka qenë thjesht dëshira jote vetiake të hyje në këtë lojë fryme. Dhe lojës i dhe aritmetikë të ngutshme. Aritmetikë fryme. Sa herë e ke harxhuar frymën në këtë ngritje pakuptim dhe e ke lënë veten, frymën tënde në dhimbje e torturë? Ë, pra më thuaj sa herë? E këtë e ke bërë se harrove tokën dhe solle në vëmendje vetëm kokën që të kishte përhumbur në një eksperimet të pakuptueshëm.

-Pse eksperiment qenka të edukohesh e të shkosh në një rrugë të drejtë të jetës?

-Cili edukim? Cila rrugë e drejtë e jetës? Po tokën që e kishe pse e le peng për zvarranikë e kafshë të egra? Pse e vrave lirinë tënde të jetës dhe ua dhurove kafshëve të egra, atyre që pyllin dhe qetësinë i kishin fate të tyre? Pse? E shikon tani, ti qëndron këtu dhe dëgjon vetëm pordhët e mia dhe atje në tokën tënde bëjnë sfilatë mode vetëm drerë, dhelpra, dhi e kafshë të egra. E shoh që të ka hyrë frika. Nuk është frikë të kesh frikë. Frikë është të mos e kuptosh frikën. Ndaj të kuptoj mirë e të lexoj. Një nga kushtet e këtij kati ku jemi tani është që të hyj e të lexoj më lehtë atë që ke dhe ndjen nga brenda. Është që të delegoj më mirë në Çinar aktin e brendshëm e ai që lidhet me atë Global në këtë rast. Në këtë kat të ndodhjes sonë rastësore, tashmë kemi të dy një arsye më shumë të shkojmë në dremittje të përkohshme. E aty do të lexohemi më mirë. Më mirë lexohemi në errësirë.

-Si, më mirë lexohemi në errësirë?

-Po, se në dritë ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit, atje, tutje në errësirë e kemi të paktën një sqimë nga e gjithë kjo e mirë, jemi në vetmi, jemi në errësirë. E në këtë rast shkojmë atje ku ne duhet të ishim, por që kurë nuk kemi pasur rastin të jemi. Ndërsa jemi vrarë e rivrarë me njëri-tjetrin, tani kemi mjetin që të bëjmë lehtësimin e eksperimenteve tona, të ikim në dremitje, pa e kuptuar se e gjitha që kemi bërë ka qenë dhe mbetet një lajthitje.

-Dremitje? Po pastaj?

-Pastaj … pastaj… është koha të dëgjosh pordhët e mia. Të tjerat vijnë më vonë, më vonë në dremitje ose … edhe në errrësirë.

-Po … lista… të Tjerët?

-Ja pra më në fund e kuptove. Jam i lumtur që arrite të kthehesh tek aritmetiika e frymës. Pafsh ëndërra të … e ku ka ëndërra në këtë kat? Është kati ku gjithkujt i përcaktohet fati. Deri në zgjim le të shpresojmë se e kemi kaluar këtë kat me fat… Le të shpresojmë. Ju thashë unë jam Ekri.

64 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page