ARISTOKRACIA “ÇENKO” E KËNGËS


ARISTOKRACIA “ÇENKO” E KËNGËS

Përsiatje mbi një grup isopolifonik

Nga Timo Mërkuri

Kur flasim për identitetit tonë kombëtar, dy tipare kryesore janë ato që e bëjnë të dallueshëm kombin tonë nga popujt e tjerë ku njera1 prej tyre është “iso-polifonia”, lindur në hershmërinë e formimit të etnitetit. Isopolifonia ka origjinën nga ligjërimet mortore, por të kënduarit e kësaj gjinie arti me nivel të lartë artistik të kohës së sotme ka si si domosdoshmëri interpretimin e saj prej artistësh popullorë të pregatitur, kryesisht në mënyrën tradicionale. Është njësojë si të pranojmë që pemët frutore mbijnë nga bërthama e frutave, por mqse kjo mbirje është shumë e gjatë si kohë dhe krijon vetëm një varietet peme, sot praktikohet mbjellja e fidanëve të krijuar nëpër fidanishte me metoda shkencore.

I-Fidanishtja e këngëtarëve ka qënë tradicionalisht shtëpia e tyre, ku fëmijët dëgjonin, mësonin dhe trashëgonin nga prindërit këngëtarë artin e të kënduarit, ashtu siç trashëgonin bijtë nga prindërit titujt e fisnikërisë.

Titulli i “këngëtarit” (rapsodit) në shoqërinë shqiptare ka qënë një titull specifik, që përmbante në vetvete sa respektin aq edhe ndrojën. Respekti për këngëtarin buronte nga fakti se ai “bisedonte” me zotin, me yjet dhe me të vdekurit në këngët e tij, por pikërisht te ky fakt buronte dhe “frika” e droja se mos vallë ai zemërohej në ndonjë moment dhe i “fliste” keq zotit për ndonjë person apo “ringjallte” ndonjë të vdekur të padëshiruar. Ishte ky respekt dhe droje ndaj tij që i siguronte këngëtarit paprekshmërinë fizike në çdo rast. Këngëtari nuk binte në gjak për këngën në një kohë që çdo burrë për një fjalë të pavend të shprehur e mirte përgjigjen me plumb. Ishte i vetmi njeri që kishte të garantuar me kanun paprekshëmrinë e tij fizike si kur i këndonte publikisht dashurisë së fshehtë të një vajze ashtu edhe kur i këndonte trimërisë së dikujt dhe kritikonte mungesën e saj te një tjetër. Kushti i vetëm që kishte këngëtari për këtë paprekshmëri, ishte që të kishte vërtetësi në këngën e tij dhe të mos adresoheshin fjalë fyese.

Në shoqërinë shqiptare arti i të kënduarit, në shumë familje qytetare trashëgohej nga njeri

brez te tjetri ashtu siç trashëgoheshin zejet dhe profesionet e ndryshme. Sigurisht që këtu bëhet

fjalë për qytete të vjetra, me komunitet të konsoliduar. Familjet që “trashëgonin” artin e të

kënduarit nëpër këto qytete, në fakt ishin shkollat e vërteta të muzikës së kohës, për arsye se këto familje i kushtonin një rëndësi të madhe rritjes cilësore të të kënduarit, qoftë si tekst i arirë dhe i ngritur artistikisht qoftë si vijë melodike e përparuar. Kjo ka bërë që këngët e tyre të rrezëllinin në ballin e isopolifonisë.Të dëgjosh këngë të tilla si: Doli vajza doli/ doli more shokë/ ujit manxuranë/potis borzilokë2...të kënduar nga Roland Çenko të vjen të thuash me zë të lartë: Të puthça këngët moj Gjirokastër, sa të bukura i ke! Sepse këngët e kënduara , trashëguara dhe përpunuara në breza të tërë këngëtarësh arijnë majën e vlerave artistike.

Ajo që ka rëndësi të veçantë është fakti se: në procesin e krijimt dhe përpunimit të këngëve në “shkollën” familjare ishin të pranishëm fëmijët, që si nxënës mësonin krijimin dhe ecurinë e këngës të prindërve të tyre. Ky “mësim” vlente si pikënisje për çuarjen përpara të artit të kënduarit prej tyre në krahasim me prindërit. Kështu krijoheshin breza këngëtarësh të një familjeje, që përsosnin dhe trashëgonin një traditë kënge. Këto familje kishin edhe një“mision” tjetër, ato ruanin me fanatizëm vijën melodike të këngëve madje edhe tematikën e tyre, e cila duhet të pranojmë se ishte “një parcelë e vogël” këngësh. Për të gjitha arsyet që lidheshin me artin gojor, këto familje përbënin “aristokracinë” e këngës.

II-“Aristokracia Çenko” e këngës gjirokastritshe i ka fillesat qysh ntga gjyshi Mersin Çenko me një aktivitet artistik në Gjirokastër gjer në vitin 1920. Koha e largët, mungesa e inçizimeve dhe e fotografimeve e ka lënë në hije dhe haresë këngën dhe stilin e tij të të kënduarit, por nuk i la në heshtje trashëgiminë që kishte emrin e të birit, Demo Çenko.

Demo Çenko ka hyrë në këngën isopolifonike gjirokastrite si një meteor që hyn në atmosferë, rrotullohet bashkë me tokën duke shpërndarë mbi të dritën e tij të zjarrtë, gjersa u shua më në fund në…këngë. Ai ka nisur këngën me bilbilat e parë të këngës gjirokastrite si: Nustret Çarçani dhe Hasan Çajupi dhe më pas u bashkua me ta edhe Xhevat Avdalli. Grupi vazhdoi me Xhevat Avdallin, Demo Çenkon, Lavo Erindin, Skënder Tushe etj, të cilët kënduan së bashku deri në vitin 1990, i njohur si “Grupi i pleqve”. Ishte grup i konsoliduar dhe i arirë artistikisht që i foli gjirokastritshe botës së këngës isopolifonike me stilin e tij “:të shtruar” të të kënduarit, me tekste këngësh popullore të Gjirokastrës dhe krahinave përreth. Si korife i grupit njihej Xhevat Avdalli ndërkohë që në këtë grup Demo Çenko i bënte të gjitha rolet e këngës si të “marrësit” dhe të “hedhësit”. Një nga këngët që kishte më të pëlqyer dhe që e këndonte shpesh dhe në shtëpi ishte kënga “Erdhi një haber i ri3” si dhe këngën tjetër..“Dërgoi Gjoleka njerine4”.

“Grupi i pleqve” i përbërë nga : Xhevati Avdalli, Demo Çenko, Lavo Erindi, Skender Tushe,

Beaudin Dobi etj. ishte nderi dhe krenaria e Gjirokastrës dhe ky nderim ishte sa institucional aq dhe popullor. Mjafton të shikojmë një fotografi të datës 18 Mars 1934 që paraqet Kryetarin e Bashkisë Gjirokastrës z Sami Kokalarin që pozon ulur në karike dhe pas tij, në këmbë, një grup burrash veshur me kostume popullore të qytetit. Janë grupi i këngëtarëve popullorë të qytetit të Gjirokastrës që hoqën “vallen e rrëndë” të burrave, valle e kënduar me këngën “Te rrapi në Mashkullorë5” atë ditë të inagurimit të bustit të Çerçiz Topullit. Vallja e rrëndë e burrave hiqet me dy rreshta valltarësh dhe ka momente që rreshtat e valltarëve lëvizin në drejtime të kundërta me njeri tjetrin. Pikërisht në këtë moment tonaliteti i këngës ngrihet në oktavë të lartë, opinga përplaset me forcë në tokë dhe ty të krijohet përshtypja se pas shpinës së valltarëve këngëtarë lëvizin në formë gjysëm rrethore malet, ndërsa valltarët rrinë si statuja. Fakti që kjo këngë e Çerçiz Topullit është kënduar me valle burrash është një pikënisje për kërkime të mëtejëshme të këngës dhe valles gjirokastritçe. Por le të kthehemi te kjo fotografi historike: po ta shohësh me vëmëndje duket se kryetari i Bashkisë krenohet që pozon me këngëtarët e qytetit, të cilët, të veshur me kostumet popullore të qëndisura me fije ari, finesa e të cilave bën me turp veshjet aristokratike te Europës, shikojnë diku tejë aparatit, ndërkohë që qëndrimi i kryetarit të Bashkisë duket sikur prezanton plot krenari: këta janë artistët e qytetit që unë drejtoj. Unë mburem me 'ta.

III- Familja Çenko në Gjirokastër njihej si “familja e këngës” dhe më tejë u startua nga kreu i saj Demo Çenko në grupimin e “aristokracisë së këngës” gjirokastrite.. Si familje e madhe që ishte, në odanë e shtëpisë së tij Demo Çenko “hapi” “shkollën e muzikës” me nxënës dhjetë fëmijët e tij. Realisht të dhjetë fëmijët e Demo Çenkos mësuan nga i jati që të këndonin, por mes tyre u dalluan dy djemtë Roland dhe Kastriot Çenko, të cilët nuk u mjaftuan me të mësuarin e këngës por shkuan më tejë, realizuan daljen e pare në skenë në vitin 1976. Ishin themeluesit e grupit të të “Rrinjëve” të Gjirokastës ku zërat karakteristikë të tyre dallonin mes shumë zërave të

tjerë. Kujton Rolandi :

-Unë dëshirën për këngën, e nisa nga babai që e dëgjoja kur këndonte në shtëpi dhe e shoqëroja me zë të ulët. Kur shkova ushtar në Sazan vazhdoja të këndoja me shokët për të kaluar kohën. Pasi u ktheva në Gjirokastër, një ditë të vitit 1976 ne, një grup të rinjsh këndonim për qejfin tonë pas Pallatit të Kulturës, kur rastësisht na dëgjoi ish drejtori i këtij Pallati, i ndjeri Petro Kosta. Ai na ftoi në zyrën e tij dhe atje hapi një magnetofon të ri i markës “Uer”. Ai ishte me shirita dhe kënga parë që figuron e regjistruar si këngë e “Grupit të të Rinjve” ishte kënga që u regjistrua te ajo zyrë : -“Ç’të them për Barjam Memën/ Gushti me njëzet e një/ Hodhën defteret në shesh/ Për të lar hesapet-ë" me “marrës” -Roland Çenko që ishte dhe themeluesi i grupit të të Rinjve.

Një nga kujtimet më të bukura për Rolandin ka qenë kurr e ftoi vetë Xhevat Avdalli t’ja “hidhte” këngës që do këndonte ai në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983. Ishte emocionuese pasi ishte i vetmi nga “Grupi i të Rinjve” që do kndonte me “marrës” Xhevat Avdallin, i cili në atë kohë ishte një “legjendë” e gjallë e këngës isopolifonike6 dhe vlerësohej edhe në sferat më të larta të shtetit. Suksesi ishte absolut dhe kjo ja shtoi bessimin te vetja, aq sa në “Festovali De Confolens” në Francë më 1990, për interpretimin mjeshtëror aid he grupi i tij u quajtën nga shtypi : “djajt e skenës”.

Nga viti 1976 gjer në vitin 1995 Roland Çenko këndoi me “ Grupin e të Rinjve“ ku cilësohen për vlerat e tyre artistike Mehmet Visha dhe Kastriot Çenko. Kënget e grupit të të rinjve ishin të suksesshme dhe të dashura për gjirokastritët, por koha pruri shpërbërjen e grupit, ngjarje që ngjasoi me shëmbjen e një “shtëpie” historike dhe u prit me dhimbje e trishtim nga artdashësit. Roland Çenko nuk jetonte dot pa këngën prandaj themelon grupin “Argjiro“, grup që u bë shumë shpejt i dashur për publikun e gjerë me aktivitet brënda dhe jashtë vendit, si Francë, Poloni, Zvicër, Gjermani, Danimarkë, Itali, Spanjë, Greqi, Kosovë etj. Grupi “Argjiro” si mbartës i vlerave të spikatura të isopolifonisë gjirokastrite ka marrë pjesë në disa Festivale Folklorike Kombëtare duke u paraqitur me motive të mbetur në memorien e banorëve të qytetit, duke u dhënë “frymë” dhe jetë këtyre motiveve të mbyllura në kujtesën qytetare dhe për këto vlera është mbajtës i Dekoratës “Mjeshtër i Madh” si grupi “Argjiro” ashtu dhe Roland Çenko, krahas Çertifikatave nderuese dhe vlerësuese të marrë në çdo festival apo konkurim. Specifika unike e këtij grupi mbetet mënyra e të kënduarit me dy hedhje, shembull tipik i mësimit dhe mbartjes së këngës isopolifonike nga gjiri i familjes gjirokastrite.

Strukturën e grupit “Argjiro” përbëhet nga: “marrës”-Roland Çenko, “kthyes”-Shkëlqim Sehiti, “hedhës”-Kastriot Çenko, “hedhës” -Kastriot Çenkon me një “hedhje” tipike, gati personale, “kthyesi” Shkëlqim Sehiti, “iso-n” perfekte e Llabro Ballos si dhe një nga zbulimet më të spikatura të këngës gjirokastrite, talenti i ri - Alvaro Çenko, përfaqssues i brezit të katërt i familjes Çenko në isopolifoninë gjirokastrite, për të cilin historia e isopolifonisë po shkruan në faqet e saj qysh tani.

Në lidhje me vijën melodike duhet të themi se: grupi “Argjiro” i Gjirokastrës çmohet si një diamant orgjinal i isopolifonisë që ruan vlerat autoktone dhe i pasuron ato nëpërmjet përpunimit natyral të varianteve isopolifonike. Është grup me pesë veta dhe ka pesë zëra. Shternimi i zërave ne këtë grup nuk bëhet si tek grupet e tjeta me linja tipike, por me përkohshmëri për çdo zë. “Marrësi” këtu jo vetëm që jep linjën melodike por edhe alternohet me “kthyesin”dhe “prerësin” dhe kur kalon në shtrirje, bën tipizim melodik nëpërmjet vokalicave të ëmbëlsuar, që krijojnë një befasi të këndëshme harmonizuese. “Kthyesi” është tipik dhe atipik sepse futet në rol me një ëmbëlsi gati instrumentale,por gjatë zhvillimit të këngës bën edhe baritonin, por edhe tenorin dhe moderatorin. “Prerësi” është tipik gjirokastrit duke u alternuar me “marrësin” por në momente të veçanta kalon edhe në “iso” dhe në modifikues, duke mos ruajtur një linjë nga fillimi në fund. “Iso-ja” është me dy këngëtarë bazë, por që herë pas here bëhet edhe me katër zëra dhe herë shkrihet në interpretim. Alternimi i zërave në grupin “Argjiro” është më i veçanti në tërë iso polifoninë shqiptare. Këngët e kënduar nga ky grup janë ato tradicionale dhe do ta ilustrojmë në vijim, por duhet të themi se grupi nuk është pjestar aktiv i tematikave bashkohore, difekt që mendojmë se duhet të regullohet. Motivet janë të veçantë, të civilizuara, me muzikalitet të lartë dhe kanë të gërshetuara të gjitha format.