APPLE MAPS EDHE NË GJUHËN SHQIPE


Begzad Balliu

1. Lajmi i djeshëm se Apple Maps i është përgjigjur pozitivisht nismës së vitit të kaluar, që vendbanimet e Kosovës të shënohen në gjuhën shqipe është një nga lajmet më të rëndësishme që na vjen nga bota, pas një kohe të gjatë indiference e harrese. 2. Nuk e di a është e domosdoshme të theksojmë se vendimi i Apple Maps për të miratuar një kërkesë të tillë paraqet një përmirësim të realitetit të përmbysur për më shumë se tri dekada me radhë dhe njohje të dyfishtë: të trashëgimisë kulturore në njërën anë dhe të standardeve shtetërore e kushtetuese që kemi vënë, në anën tjetër. Ata që janë marrë me të drejtën tonë gjuhësore, etnike, kulturore dhe historike të Kosovës dhe të hapësirës tjetër etnike shqiptare nën ish-Jugosllavi, e dinë se e drejta e shënimit dhe e përdorimit të toponimisë nga pas vitit 1981 në Maqedoni e Mal të Zi dhe pas vitit 1990 në Kosovë është rrëgjuar shumë dhe nuk është përmirësuar as pas çlirimit të Kosovës, jo edhe pa fajin tonë. 3. Pas Luftës për Kosovën qe themeluar Komisioni për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës, një komision specialistësh, i cili në bashkëpunim edhe me Këshillat komunale punoi me përkushtim në standardizimin e emërvendeve të Kosovës, por pas reagimit të Serbisë, UNMIK-u nuk i pranoi ato rezultate, ndërsa indiferente nuk qëndroi as administrata e Kosovës dhe për habinë tonë edhe një pjesë nostalgjike jugosllave e inteligjencies sonë. Pavarësisht nga kjo, aty ku kishte këmbëngulje: (Skënderaj, Vushtrri etj.) emrat e ri u pranuan edhe nga administrata vendore dhe ndërkombëtare. Pas Luftës së përbotshme për Kosovën, e kishim rastin të mënjanonim emrat e vendbanimeve, si (Obiliq, Devet Jugoviq, Orlloviq etj.), të cilët janë vendosur gjatë shekullit XX, nga nacionalistët serbë dhe në një mënyrë a një tjetër ishin nxitje për të gjitha luftërat dhe gjenocidin në Kosovë; apo emrat e gjeneralëve serbë Kaliqanin, Jankoviq etj., të cilët drejtuan forcat ushtarake e policore serbe dhe bënë gjenocid mbi shqiptarët. Atë kohë, nuk arritëm që emrin Besianë ta standardizojmë në vend të emrit Podujevë, sepse kryetarit të kësaj komune disa folklorist të etimologjisë, ia kishin mbushur mendjen se emri Podujevë nuk është me etimologji sllave. Në vitet ’70 intelektualët shqiptarë, nën hijen e pushtetit serb, arritën që të krijojnë një referencë shumë simbolike në hyrje të Komunës së Podujevës: Besianë, Restorant Besiana, Besiana (qendër arkeologjike etj,), ndërsa sot e kësaj dite Komuna e Podujevës nuk arrin të identifikohet me emrin më të bukur në Kosovë: Besianë. Po kështu ndodhi edhe me emrin e Komunës së Istogut dhe të Komunës së Gllogovcit. Ironi e madhe! Populli i Drenicës që vetëm pak vite më parë, me një luftë të përgjakshme e kishte mundur pushtetin serb, nuk po arrin ende t’i mund një grusht nostalgjikësh jugosllavë. Rasti i Istogut duket edhe më tragjikomik. Emri i kësaj Komune nuk mund të ndryshohej sepse emrin e Istogut e paska gjetur Ibrahim Rugova në një vepër të shekullit XVIII (!). 4. Shoqëritë, gjuhët, kulturat etj., janë vlera të përhershme dhe ndryshojnë në raport me ndryshimet historike që ndodhin brenda shteteve të tyre dhe madje në raport me ndryshimet globale. Në këtë rrjedhë hyn edhe toponimia, e cila ndryshon dhe rishqyrtohet në raport me ndryshimet që ndodhin në një shoqëri, në një etni e në një shtet. Kjo është arsyeja pse Komisionet e tilla shtetet i kanë të përhershme dhe i funksionalizojnë sa herë të jetë e nevojshme dhe këto komisione jenë formuar nga specialistët, si kusht i domosdoshëm i rishqyrtimit me kompetencë të këtyre përbërësve kulturorë në jetën e një kombi a një shoqërie. Ky Komision i përhershëm natyrisht do të mbulonte jo vetëm ojkonimet dhe toponimet, po edhe emrat e rrugëve, të shesheve e të lagjeve, në emërtimin e të cilave ka shumë dobësi, shumë pasaktësi, për të mos thënë edhe shumë marrëzira.



14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif