APOLOGJIA E VRASËSIT ME PAGESË


Resmi Osmani Tregim

APOLOGJIA E VRASËSIT ME PAGESË

Ata, hetuesi i burgut dhei burgosuri, ishin ulur përball njëri-tjetrit. I ndante tryeza. Zyra ishte mobiluar varfërisht. Binte në sy një dollap hekurime një dryn të rëndë. Muret të zhveshur, lyer me gëlqere që thuajse e kishte humbur bardhësinë. Dritarja e vogël, si sy i verbër, nga veriu, pa perde, e siguruar me hekura, nuk lejonte depertimin e dritës, diellore. Llamba elektrike e dobët , e verdhëreme shtonte zymtësinë mjegullore ogurzezë . Kishte vetëm tri karrige plastike, vetëm sa për tre të pranishmit. Mbi tryezë dosja e trashë me të fshehtat e saj. Hetuesia:dhomë shpellë misteresh, enigmash, të thënash e të pathënash, frikërash, që me emrin e saj, të kallte datën e të fuste të dridhurat. Nga muret rigonte duhmë rënkimesh , dhimbjesh, e netëve buisnin fantazmat e shpirtëra të vuajtur.

Në krye të tryezës, kishte zënë vend sekretarja, në pritje, me laptopin e hapur. Në ndërkohën që hetuesi kishte hapur dosjen dhe po shfletonte letrat, i burgosuri e soditi një valë herë, sa ajo u ndje në zor. “Sido që policë, dinë ta vlerësojnë bukurinë, i zgjedhin të pashme sekretaret”, mendoi i burgosuri.

Hetuesi, me formim juridik, e kishte kërkuar vetë këtë hetim. Kishte hetuar disa raste të vrasësve me pagesë dhe po përgatiste temen e doktoratës me këtë subjekt.Të hetuarit prej tij, i kishte renditur e klasifikuar në pesë kategori: fillestarë, diletantë, ekskluzivë, me përvojë dhe profesionistë.Brënda secilit grup kishte nëndarje me tipologji të ndryshme. I sotmi ishte vrasës profesionist me pagesë. Në tezën e doktoratës, ai kishte shkruar:”Janë të stërvitur e të mësuar mirë. Përdorin teknika të sofistikuara. Përdorin mirë armët dhe eksplozivët. Paguhen nga porositës, për të vrarë dikë për qëllime përfitimi,gjakmarrje, larje hesapesh, ekonomike por edhe politike.

Qëllimisht, nuk po ngutej për të filluar marrjen në pyetje. Ajo qetësi dhe shurdhëri shtypëse, ishte e fshehta personale, pjesa fillestare e punës së tij me te pandehurin, për të shtënë ankth dhe panik, dobësim të nervave, për ta tronditur dhe përfshirë në vorbullën e frikës, për ta zhytur në honin e befasive të akuzuarin, për ta zberthyer, që të ndjehej i dobët dhe i pambrojtur, për ta shtyrë drejt rrëfimit. Edhe pse nuk nënvlerësonte mjetet e tjera, kishte bindje se tekefundit, e para ka qënë dhe mbetet fjala, si i vetmi shteg për në rrugën e të panjohurave. Shkalla e vështirësisë varej nga karakteri i të pandehurit, vullneti, guximi, dinakëria dhe tinëzitë.

Para vetes kishte një djalosh reth të tridhjetepesave me trup atleti, në pamje i hijshëm: flokë thuajse ngjyrë ari, të butë, të prerë shkurt, ballë të lartë e të gjerë, hundë të drejtë,sy të kaltër,të bukur, por të ftohtë e me një dritësim çeliku, gojë të rregullt të vogël gati femërore, buzë të mishta, mjekër pak të dalë përpara, shenjë vullneti këmbëngulës, nofulla të fuqishme që i jepnin pamje energjike. Tiparet e tij kishin diçka të pacaktuar dhe enigmatike. Fytyra bardhoshe kishte një hijeshi e mirësi nga ato që u pëlqejnë femrave. Duart delikate dhe gishtërinjtë të hollë e të gjatë si të pjanistëve.Në gisht një unazë të madhe argjendi me emblemën e Legjionit të Huaj. Portret i çuditshëm për një vrasës me pagesë!

Avokat nuk kish pranuar të merrte. Kishte deklaruar se do të rrëfente gjithëçka do t’i kërkohej. Gjithsesi ai duhej zbërthyer për autorësinë e vrasjeve të pazbardhura që kishte kryer, mbi bazën e të cilave do të gjykohej edhe dënmi.

- Përse vrasës me pagesë?

I pandehuri nënqeshi hidhur.E priste atë pyetje, ndaj s’iu desh të mendohej gjatë që të përgjigjej.

-Është një profesion, jo si gjithë të tjerët, por ashtu është: një profesion. Ka plot profesione që i kushtohen vdekjes. Xhelati, me sëpatë që e heq kokën e të dënuarit mbi kërcu. Tjetri që shkreh sëpatën e gijotinës dhe prêt kokën në shportë, ve litarin në qafë, shtyn karrigen dhe e lë të varet viktimën në hallkën e litarit, ai që takon tensionin e lartë të karriges elektrike, pjestarët e togës së pushkatimit dhe së fundi ushtarët në luftë që marrin jetën e kundërshtarit. Duken të neveritshme, të përgjakshme, por të gjitha kanë të punësuarit e tyre, që s’janë gjë tjetër veç vrasës me pagesë. Janë pjesë e pushtetit, zbatues të drejtësisë. Dhe në shërbim të gjithë këtyre është varrmihësi dhe prifti që ua dorëzojnë kufomat tokës dhe shpirtërat qiellit. Se vdekja dhe jeta janë gjymtyrë të të njëjtit ekuacion, nuk bëjnë dot pa njera-tjetrën. Që të vdesësh duhet të lindësh dhe që të lindësh duhet të vdesësh. Edhe lindja edhe vdekja, të dyja ndodhin në kohë, por nuk kanë caktim në kohë apo në moshë, janë ndodhi të rastit, ngjajnë edhe kur si pret. Vrasja është profesioni më i vjetër në botë. A nuk thuhet në shkrimet e shenjta që Kaini vrau Abelin.Dhe me çfarë se?Me një nofull nga koka e gomarit! Kaini është vrasësi i parë. Stërgjyshi i profesionit tonë. Ne jemi vijimi i mallkimit të tij.

- Nuk je këtu që të na japish leksione, por që t’u përgjigjesh pyetjeve që të bëhen.

- Zoti hetues, e tillë qe pyetja, e tillë dhe përgjigja.

- Jo. Desha të dija përse u bëre vrasës me pagesë.

- Vrasës nuk lind. Vrasës bëhesh. Ka një fjalë të moçme: të gjitha rrugët të shpien në Romë. Edhe mua të gjitha rrugët dhe rastet me çuan aty. Duke filluar nga pararinia, kur vesha uniformën e skenderbegasit e në vazhdim, arsimi im është ai ushtarak. Shkenca e zotërimit të armëve dhe e vrasjes. Për ne bota ishte e mbushur me armiq të urryer dhe, armiku duhej asgjësuar. Pas viteve 90-të, ika jashte vendit. Më pranuan në “Legjionin e huaj[1] ”në Obanje, pranë Marsejës në Francë. Edhe atje gjeta shkencën e luftës dhe të vrasjes të ngritur në perfeksion. Stervitje deri në raskapitje e shtazërim, filozofia dhe psikologjia e vdekjes si e vetmja bindje. E maskuar me një moral human, në shërbim të paqes, si palë ndërluftuese kundër një pale tjetër, me bekimin e OKB, për të mos patur asnjë brejtje ndërgjegje.Ushtari duhet të bindet dhe jo të arsyetojë për atë që bën. Në luftë vlen vetëm jeta jote dhe e shokut që ke në krah: ”Uni pluribus[2]”, dhe e askujt tjetër. Armiku duhet vrarë e nxjerrë jashtë luftimit me çdo mënyrë e mjet. Asnjë mëshirë, asnjë keqardhje. Për këtë të paguajnë. Vra që mos të të vrasin. Ti nuk je më njeri, nuk ke më ndjenja njerëzore, je një mekanizëm, mjet për realzimn e qëllimit, robot, makinë e vdekjes. Kalova ferrin e llahtarshëm të Bosnjes, Ruandës, Senegalit dhe Ugandës, me KFOR në Kosovë. Pasi kaluan pesë vjet në luftëra dhe mbeta i gjallë, më nxorën në lirim.

U ktheva në Atdhe. I Shkatrruar, u dhashë pas pijes, për të gjetur pak prehje e ngushëllim. Pa shtëpi, pa familje, pa katandi, mes katër rrugëve. Nuk dija të bëja gjë tjetër. Profesioni im ishte ai i vrasësit. Sido i neveritshëm, i përbuzshëm dhe i llahtarshëm, është një profesion. Dikush na quan psikopatë, kriminelë, gjakatarë, por edhe pse mund të ketë të tillë. Unë s’jam si ata.

-Po çfarë je,si e përcakton veten?

-Një fatkeq, shpirtvrarë, me profesionin e përgjakshëm e të urryer, njollën më të errët të botës së krimit. Produkt i asaj pjese të sistemit shoqëror, me ligjet e xhunglës që e pjell këtë të keqe. E edukimit dhe rrethanave jetësore, që shoqërojnë luftën dhe përpjekjet ekzistenciale për jetën.

-Sipas teje, çfarë cilësish të tjera duhet të zotrojë një vrasës profesionist me pagesë?

-Janë disa, ndër të tjera: guximi dhe trimëria si e luanit, egërsia dhe këmbëngulja si e ujkut, vullneti i papërkulur, zgjuarësia,syri I mprehtë si i shqiponjës, dinakëria si e dhelprës, fshehtësia, maskimi si kameleoni dhe moslënia e gjurmëve, që policia të mos arrijë asnjë herë të zbardhë krimin.

- Ti i ke këto cilësi?

- Besoj që fillimisht nuk i kasha, por i fitova me kohë.

- Po të kishe gjetur një punë tjetër, do të kishe hequr dorë?

-Ah, jo. Me ato paga qesharake. Isha mësuar me tjetër jetë, me shpenzime thuajse marramendëse, pa mu dridhur dora, që më lejonin të bëja atë jetë që dëshiroja, që nga kazinot e bixhozit deri te femrat e shtrenjta dhe shtëpitë e pushimit në brigjet e liqeneve të Komos[3] dhe Kot d’Azur[4].

-Edhe?

-Rasti e solli të takoja një shok shkolle, edhe ai i liruar nga forcat speciale, pas kthimit nga Afganistani. Kishte hyrë në lidhje me rrjetat kriminale, por jo si vrasës, si sekser, ndërmjetës. Është më komode. Ai sillte porosinë, bënte pazaret për pagën. Mua më sillte fotografinë dhe adresën e viktimës. Isha një ushtar i vetmuar, një hije, që s’bija në sy për asgjë. Veç atij s’më njihte askush. Është një lidhje katërshe: porositësi, sekseri, vrasësi, shënjestra. Unë njihja vetëm sekserin. Shinjestra duhej kërkuar.

-Sa ishte pagesa?

-Varej nga personi dhe kamja e atij që bënte porosinë por edhe nga rrezikshmëria dhe vështirësija dhe mënyra e kryerjes së vrasjes dhe koha që nevojitej. Sa më takon mua, nuk pranoja pagesë më të ulët se tridhjet mijë euro brenda vendit dhe njëqind e pesdhjetë mijë për ato jashtë shtetit: në Greqi, Itali, Hollandë, Belgjikë e Gjermani. Sefte një paradhënie, pjesa tjetër pas kryerjes së porosisë. Gjithmonë nëpërmjet sekserit, që mirrte pjesën e vet.

-Më së shumti, kush ishin porositësit dhe cilat ishin arsyet që kërkoheshin vrasjet?

-S’më ka interesuar asnjëherë. Por bota e krimit është e errët dhe pus i thellë. Bizneset e mëdha për konkurencë, për trashëgimi pronash, gjakmarrje, larje hesapesh për llogari të pashlyera, tregjet e prostitucionit dhe të drogës e sa e sa të tjera kësodore. Kjo nuk ishte puna ime. Puna ime ishte shinjestra.

-Ç’farë armë përdorje dhe si i siguroje?

-Më së shumti, pistoletë me silenciator për vrasje të vetmuara, automatik kallashnikov, për vrasje në makinë apo në grup, pushkë snajper për vrasje në distancë. Për t’i siguruar? Paraja e bardhë për punë të zeza!Po të kërkosh s’ka gjë që s’gjendet, Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Edhe eksploziv me mekanizmin e shkrehjes, që është më i miri pasi nuk le gjurmë dhe realizohet në distancë.Të gjitha i kam përdorur.

- Thuhet që ke vrarë njëzet e tre vetë, por nga ti kjo nuk është pranuar. Si është e vërteta?

- E teprojnë, gazetat dhe televizionet e bëjnë për bujë, që të më paraqesin në publik si përbindësh. Gjithë e gjithë janë gjashtëë vrasje, por të personave të rëndësishëm. Dy në Shqipëri, një në Itali, dy në Hollandë dhe një në Belgjikë. Këto i kam deklaruar në hetimet e mëparshme dhe janë të njohura.

- Sa kohë u duhej për të kryer një porosi?

- Nga një herë edhe muaj. Është si në gjueti. Duhet të kërkosh në pyllin e qyteteve të mëdhenj, ku gjurmët e gjahut herë shfaqen e herë humbin, shpesh ata janë në lëvizje, nga qyteti në qytet por edhe nga shteti në shtet, për tu rishfaqur dhe humbur sërish. Gjahu nuk del në shtigjet ku e prêt, por ndodh që edhe kur shfaqet është në shoqëri dhe goditja nuk mund të bëhet. Ai ruhet, e parandjen, dhe ti duhet ta ndjekësh pas si hije deri sa t’i gjesh rastin e volitshëm. Ti je vetëm, si i thonë italianët, një “Lupo solitario[5]”. Durim, nerva të çelikta, por edhe emocione, që janë pjesë e gjuetisë,por jo keqardhje. Shënjestrën e fundit e ndoqa muaj të tërë, në Milano, Torino, Napoli, udhëtova me të në të njëjtin aeroplan, e ndoqa deri në qytetin e tij verior, i mësova shtëpinë dhe lokalin që kishte në pronësi. Mu deshën dit. Zura vend në një pallat të pabanur karshi lokalit të tij. Prita me ankth orë të tëra.Kur doli nga lokali ishte me një grua dhe një fëmijë.Po bëhej gati të hipte në makinë. E qëllova me snajper,me silenciator, me një fishek të vetëm drejt e në zemër. Ai u këput e ra i vdekur. Gruaja dhe vajza vunë kujen. U mblodhën gjindja, shihnin rrotull pa kuptuar se nga u qëllua, si një shkrepje rrufeje në të kthiellët. Vura paruken, u vesha si femër, shkova te makina dhe mora rrugën për Tiranë.

Të gjitha rastet kanë qenë të vështira. Por më e vështira humbja e gjurmëve. Kjo ka qenë më e lehtë në qytetet e mëdha,Amsterdam e Bruksel.

-Gjithë këto jetë të shuara, ky gjak i derdhur, ato gra të mbetura të veja dhe fëmijët jetimë, nuk të ngjallin pendesë?

- Këtë pyetje i takonte të ma bënte një prift.Po përgjigjem ashtu si i gjykoja gjërat në atë kohë: pendesa dhe keqardhja nuk janë , ose të paktën nuk duhet të jenë pjesë e profesionit tonë. Të tregosh emocionet nuk është aspak elegante. Varet si ti kuptosh dhe spjegosh gjërat që ndodhin. A nuk thuhet në shkrimet e shenjta, se kjo është një botë e rreme, dhe jeta e përkohshme? Një vrasje vetëm shpejton atë që ka për të ndodhur, dhe ndihmon që viktimat të shkojnë në botën e amshuar dhe të bashkohen me të parët, prindërit dhe të dashurit e tyre. Parë në këtë kuptim, mund të thuash se ky është shërbim dhe jo krim. Sa për jetimët dhe të vejat, a nuk thuhet gjithashtu në shkrimet e shënjta që prindërit hanë kumbulla të tharëta dhe fëmijëve u mpihen dhëmbët? E pra!

-Përse u vetdorzove, tu neverit puna? Pyeti hetuesi.

-Gjithsa thashë, ishte e shkuara, ashtu si i mendoja dhe gjykoja veprimet që ishin pjesë e punës dhe jetës time.Por gjërat ndryshuan.

Me të gjallët mund të luftosh, por jo me fantazmat e të vdekurve. Gjumi mu arratis, dhe kur isha duke dremitur, nisën të shfaqen nëpër mjegullën e mugët të ëndrrave të frikshme fantazmat e të vrarëve me këmishët e përgjakura. Hapeshin varret dhe nga arkmortet dilnin, si të papeshë e të pezullta kufomat e lemerishme me qefin të bardhë duke dihatur , rënkuar e qarë, dhe më qarkonin duke mbajtur në duar kryqet e tyre. Kërkonin hakmarrje. Zgjohesha ujë në djersë e me mëndje të çartur. Kjo nisi të ndodhte shpesh e më shpesh.Nervat ishin shkatrruar.S’më hynte gjë në sy. Isha një njeri i humbur, pa shijen e jetës. Ju ktheva të pirit, por ishte pa dobi. Edhe pse nuk jam besimtar, e mora këtë si një shenjë hyjnore, si nevojë për pendesë, për ta ndërprerë këtë valle të përgjakshme, për të vuajtur dënimin që më takonte. I thashë vetes: mjaft më. Ky vetëdorzim është pendesa ime.

Nuk është vetëm ky shkaku. Bota nuk është rozë, argëtuese dhe gazmore si në lokalet e natës me muzikë, avuj alkooholi, ekstazë, drogë dhe dashuri. Ka edhe një jetë tjetër, që shumë se mendojnë, të nëndheshme, të padukshme për shumëkënd, që është e frikshme, e mistershme, me të fshehta, kurthe dhe pusira, e maskuar me buzëqeshje, por ku njeriu për njerinë, në këtë xhungël është ujk, apo si e thonë latinët:”Hominus et homine lupus est[6]”. Në punën tonë je edhe gjuetar edhe gjah, edhe ndjekës edhe i ndjekur. Një dëshmi e dëshmitar, që s’duhet të bëjë hije mbi dhe. Se të vdekurit nuk flasin. Ti që s’më le mua të jetoj, duhet të vdesësh vetë. Kur e kuptova se gjahtarët e tjerë, ata ndjekësit, për të cilët isha gjahu, kishin rënë në gjurmë, gjithë shtigjet mi kishin zënë , ata që kërkonin vdekjen time ishin më afër se asnjë herë, u vetëdorzova, për të shpëtuar gjall.

Nw gjurmwt e mija kishte rwnw edhe policia.Rrethi po ngushtohej.

- Të dhimbset jeta? E di që do të dënohesh me burgim të përjetshëm?

- Në s’më dhimbset ajo e të tjerëve, nuk do të thotë se s’mu dhimbkësh e imja. Gjithësa kam bërë,edhe pse e gabuar, ka qënë luftë për të. Dua ta çoj deri në fund, ta pi kupën e saj, sido që të jetë , deri sa të jetë e thënë, qoftë edhe e hidhur zeher. Më mirë i gjallë e në burg, sesa i vdekur nën dhe.

Sa je gjall, ke dhe shpresë.

- Ke menduar sesi të gjykon opinion i njrëzve?

- E di. Si vrasës, njeri pa shpirt, pa ndjenja, gjaksor, të urryer shoqërisht të rrezikshëm. Por kjo nuk më ka shqetësuar. S’jam i tillë. Në një far mënyre, edhe unë jam viktimë. Thjesht kam bërë atë punë për të cilën jam paguar, që i takonte profesionit tim. Se në mos unë, do ta bënte, dhe do ta bëjnë të tjerë. Sa kohë do të ketë vktima , do të gjenden edhe ekzekutorë.

-Ke dashuruar ndonjë herë, apo si t’a them, ke rënë në dashuri me ndonjë femër?

-Po. Një herë të vetme. Me gjith zemër, me gjithë shpirt, miturisht, dashuri e ëndërrt e pavetëdijshme, që lind vetiu, më ka shoqëruar si një kujtim i pashlyer në çaste përmallimi. Ka qënë e vetmja, në kopshtin e fëmijëve, kur isha gjashtë vjeç, ajo ishte si një kukull. Më pas jo. Të më falë zonjusha,kam shkuar në Greqi, Itali, Hollandë në bordello, me të bardha e të zeza, kombësish të ndryshme, vajza që shesin trupin këtu ndër ne , thjesht për shfrim dufi, një ritual banal. Një huq i mbetur nga koha kur isha pjesëtar i trupave në “Legion etrange”,kur ktheheshim nga betejat.

U duk se pyetjet përfunduan. I pandehuri kerkoi një gotë ujë. Sekretarja po gatitej të printonte proces-verbalin.

-Edhe një pyetje, tha hetuesi. Po të të falnin lirinë, çfarë do të bëje?

-Do të shkoja në fshat. Është në një kodër të bukur.Atje kam një copë tokë. Një shtëpi të thjeshtë, pa zot. Ai është Ararati[7] im. Do të mbillja një vreshtë, si patriarku Noe, do të bëja verë dhe do të dehesha. Do mbillja dhe një korie me ullinj.Do jetoja vetëm si një eremit pendestar, në shoqëri të një qeni, një dhie për qumësht dhe shpendëve shtëpiakë.

-Nuk do të martoheshe, je ende i ri.

-Jo se nuk do të doja të lindnin nga martesa ca fëmijë që mund të bëheshin si unë vrasës me pagesë.

-Për sot mbaruam.Firmose proces-verbalin.

Tiranë, më 07.4.2020

[1] Repart special I ushtrisë franceze, me ushtarë të huaj. [2] Një për të gjithë. [3] Liqen në Italinë e Veriut [4] Riviera e mesdheut francez. [5] Ujk I vetmuar. [6] Njeriu për njerënë është ujk [7] Ararati, mali ku u ul varka e nojes pas permbytjes së madhe.

87 views1 comment

Shkrimet e fundit