Apeli i njërit prej okulistëve më të mirë, përfaqëues i elitës së mjeksisë shqiptare
Prof.asc.dr.Ali Tonuzi - Profili i okulistit që na rikthen dritën e syrit
Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Dr.Tonuzi gjatë karrierës së tij profesionale dhe akademike ka marrë disa vlerësime nga institucione e agjenci të specializuara, për nivelin e lartë profesional, përkushtimin dhe cilësitë njerëzore dhe si hartues i suksesshëm i një sërë tekstesh universitare dhe traktatesh në fushën e mjekësisë. Përkushtimi, profesionalizmi dhe talenti i Dr.Ali Tonuzit është vlerësuar edhe nga shoqata Shqipëri-Itali. Kjo shoqatë i akordoi atij para disa ditësh një Mirënjohje në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e mjekësisë dhe në atë të jetës akademike e universitare
Nuk është rastësi që në pavijonin e ORL-së, të Spitalit Francez, në QSUT, pranë kabinetit të Prof.asc.dr. Ali Tonuzit të ndeshesh pothuajse për çdo ditë radhë pacientësh. Dr.Nexhat Kala,- otorinologu i njohur, ish-nëndrejtor i QSUT i cili prej vitesh jeton familjarisht në Kanada, këtë preferencë të pacientëve e shpjegon me nivelin e lartë profesional të okulistit të talentuar Ali Tonuzi, shpirtin human dhe reputacionin që ai e ka fituar me punën e përkushtimin qytetar, me sjelljen dhe shërbimin shembullor, pa i diferencuar në asnjë rast pacientët.
Prof, asc. Dr. Ali Tonuzi - oftalmolog, kirurg i vitroretinës, që e ushtron profesionin prej afro tri dekadash, si dhe një nga pedagogët e mirënjohur të Univeristetit të Mjeksisë (udhëheqës shkencor i temave të disa doktorantëve) është ndër të rrallët që ka realizuar me sukses mjëra operacionet të ndërlikuara. Ndërkohë, Qendra Shqiptare e Syve, drejtuar nga Prof.asc.dr.Ali Tonuzi, është ndër më profesionalet, ku përveçse vizitave të përgjithshme okulistike janë kryer dhe kryhen me sukses ndërhyrje të ndërlikuara, si kirurgji strabizmi; pterigium; kirurgji katarakte; kirurgji glaukome; lazer per retinën; kirurgji vitreoretinale; trajtim i syrit të verbër të dhimbshëm; proteza okulare; plastikë e syrit si dhe hapje e kanalit të lotit endoskopike (pa qepje).
Një patologji problematike, sipas tij, veçanërisht te mosha e tretë, është dëmtimi i perdes së syrit. “Katarakti është një sëmundje e shërueshme totalisht. Shumica e kirurgjive që bëhen në klinikën okulistike është katarakti. Trajtimi i kataraktit është i shumëllojshëm, por përzgjedhja e llojit të kirurgjisë varet nga mjeku”,- thotë dr.Tonuzi.
Falë përvojës së tij disavjeçare në Departamentin e Okulistikës pranë Spitalit Francez të QSUT, prof.asc.dr.Ali Tonuzi, vlerëson gjithashtu diabetin dhe tensionin si dy shkaqet madhore që çojnë tek okulisti personat, kryesisht të moshës së tretë, të cilët shfaqin probleme me shikimin. Ajo çfarë është më problematike sipas okilistit të talentuar, përveç shkallës së lartë të përhapjes, është se të prekurit përfundojnë në dyert e okulistit në fazën terminale, e për rrjedhojë dëmtimet janë shpeshherë të pakthyeshme.
E takuam këto ditë me shqetësimin qytetar për të mësuar prej tij mbi ndikimin e Covid-19 në sëmundjet e syrit. Dhe padyshim, pa hyrë në detaje ai i bashkohet apelit të dhjetra mijëra kolegëve të tij në mbarë botën për domodoshmërinë e vaksinimit anti covid-19. “Si të gjithë vaksinat për parandalimin e rrezikut të infektimit nga viruset apo pandemitë e ndryshme edhe vaksinimi i popullsisë anti covid-19, duhet konsideruar domosdoshmëri, në radhë të parë nga qytetarët”,-shprehet ndër të tjera dr.Tonuzi. Duke vlerësuar fushatën sensibilizuese të ndërmarrë nga instancat qeveritare ai bën të qartë për opinionin publik se vaksinat ndaj COVID-19 ndihmojnë trupat tanë të zhvillojnë imunitet ndaj virusit që shkakton këtë sëmundje pa pasur nevojë të sëmuremi. Lidhur ngushtë me ndikimin në sëmundjet e syve, Dr.Tuzni shprehet për informacionin rreth syve të skuqur si një simptomë e re e koronavirusit. Kjo sipas tij për faktin se përveç simptomave tashmë të njohura të etheve dhe kollës së vazhdueshme, ka patur disa raste të infektuarish me koronavirus që mund të kishin sy të skuqur, sikur të kishin një reaksion alergjik.
Dr.Tonuzi gjatë karrierës së tij profesionale dhe akademike ka marrë disa vlerësime nga institucione e agjenci të specializuara, për nivelin e lartë profesional, përkushtimin dhe cilësitë njerëzore dhe si hartues i suksesshëm i një sërë tekstesh universitare dhe traktatesh në fushën e mjekësisë.
Përkushtimi, profesionalizmi dhe talenti i Dr.Ali Tonuzit është vlerësuar edhe nga shoqata Shqipëri-Itali. Kjo shoqatë i akordoi atij para disa ditësh një Mirënjohje në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e mjekësisë dhe në atë të jetës akademike e universitare.
Dr.Tonuzi ka një jetë në shëndetësi. Në duart e tij kanë kaluar me dhjetra e dhjetra mijëra pacientë të cilët i kanë besuar dritën e syve mjekut okulist, ku prej shërbimit të marrë kanë qenë mjaft të kënaqur.
…Edhe kur njerëzit i kanë patur të dy sytë, prapë mençuria botërore ka parë njëlloj verbimi me paditurinë që kanë patur njerëzit. Sytë hapen. Sytë shohin. Sytë njohin. Sytë qeshin..Sytë flasin. Sytë ëndërrojnë...Sytë kërkojnë. Sytë të magjepsin. Sytë të drithërojnë çdo qelizë të trupit. Sytë dashurojnë. Sytë gëzohen. Sytë dyshojnë. Sytë gënjejnë...Sytë fshehin. Sytë tremben. Sytë të trembin. Sytë lotojnë. Sytë thahen. Sytë mbyllen për të mos u hapur më…. Doktor Aliu jeton e punon që t’iu shërbejë sa më mirë atyre.
Në një kënd të caktuar mbase një libër “Përtej syve” do të bënte një lloj nderimi modest për atë që ka bërë dhe bën ky mjek okulist i shumëtalentuar. Një libër përshtypjesh për ata që kalojnë qoftë edhe një herë pragun e Qendrës Shqiptare të syve, do të ishte pjesa e lumturisë së tij me punën që ai bën për ta. Nëse e dëgjon dhe lexon se sa i mirëkuptuar dhe bashkëpunuese është ai me pacienët e kupton se sa larg e sa bukur lexohet tek ai profesionalizmi dhe humanizmi që kanë qene evident në çdo hap të karrierës së tij.
Për tri dekada këtu në Shërbimin e okulistikës të Spitalit Francez në QSUT ai ka dhënë provat e një mjeku mjaft të aftë dhe ambicioz në profesion.
Në kohët që jetojmë kemi nevojë për njerëz të mirë të mençur, vizionarë që të nderojnë jo vetëm një punë ku marrin një rrogë mujore, po shumë më tepër. Kohët që po jetojmë na bëjnë që ta kthejmë dhe më shumë syrin nga mjeku, nga humanizmi i tij. Për ta bërë më saktë portretin e tij do të citoja fjalët e një pacienteje. “Sa hyn dhe shikon Dr. Aliun, të rregullohen vetë sytë e s’ke më nevojë për syze.”
Në këtë përditshmëri ai mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare. Kjo sepse ka qenë njësh me pacientin, i shkrirë në nevojën e tij duke iu gjendur sa herë i lypte nevoja. Vlerësimi për dibranin e mirë dhe të zotin, Prof.asc.dr.Ali Tonuzin për cfarë ka dhënë në profesionin e tij si mjek dhe si profesor është i merituari dhe të tilla vlerësime nuk duhet të mungojnë për profesionistët.
Comments