“Kultura e administratës”, përmbledh normat, parimet, vlerat personale, formimin akademik dhe jo vetëm të personelit të saj. Çdo njeri është vetvetiu i provokuar me mendimin se nuk mund t’i mësosh të tjerët atë që nuk e ke mësuar vetë. Nuk ka dyshim se metodat e këqija, edhe “mësimin e mirë” e bëjnë të keq. Mësimi mund të krahasohet me “lumin që s’ndalet”.
I madhi Platon tha: “shteti është i përbërë nga individët dhe është e nevojshme që virtytet të arrihen nga çdo person, që nga zejtari që duhet të ketë virtytin e urtësisë e deri te drejtuesit që kanë përgjegjësinë që t’i afrohen njohjes të së mirës”. Për Platonin, shteti ideal ishte aristokracia ku mbizotëronte arsyeja racionale. Sot nuk e di nëse është realitet apo utopi e erdhur nga ‘mesjeta e mençur’.
Shtetit shqiptar edhe pse i ka kaluar të njëqind vjetët e krijimit të tij, në përbërjet e tij të administratës publike ka marrë shumë pak nga qeverisjet e mëparshme, përfshi periudhën e Ismail Qemalit, atë të gjashtë mujorit të Princ Vidit, të regjimit gjysmë repubikë dhe gjysmë monarki të Ahmet Zogut dhe atij të sistemit komunist. Si dhe sa ka ndikuar kjo në ditët e sotme ?
Formulime për etikën dhe kulturën e punës në administratën shqiptare e gjejmë edhe në periudhën e qeverisjes së Zogut..
Në një qarkore që selia e Kryeministrisë u dërgonte dikastereve, Drejtorive të Përgjithshme dhe bashkive mbi sjelljen e nëpunësve, ndër të tjera thuhej: “ma së pari duhet vazhdimi rregullisht i nëpunësave në detyrë, punimi i tyre me zell e me energji të plotë e thjeshtë Kombëtar, ashtu dhe sjellja e atyne me ç’do njeri, si në zyrë q’i bie rasti për çdo nji punë zyrtare, si edhe jashtë, të jetë e urtë, e njerëzishme e plot me nderë...”.
Në periudhën e shtetit të diktaturës së proletariatit, etika e aplikuar ishte ajo e ideologjisë komuniste, nuk kishte rregulla të shkruara apo Kod Etike, por njerëzit ndiqnin atë që bënin paraardhësit e tyre në punë dhe vepronin duke zbatuar një autocensurë të fuqishme.
Sa e domosdoshme dhe e rëndësishme është kultura e komunikimit në administratë ?
Ndryshe nga shumë shoqëri të tjera, fqinje apo më gjerë, vendi ynë nuk ka ndonjë traditë në ndërtimin e administratës publike dhe aq më pak në kulturën e komunikimit dhe etikën që duhet ta përshkojë atë. Megjithëse një ngrehinë shtetërore mbi 100-vjeçare, qeverisja e Ismail Qemalit, administrata e Ahmet Zogut dhe e ajo shtetit totalitar, nuk arritën të krijonin një model që mund të ndiqej nga brezat pasardhëse.
Vendi i punës është një nga vendet më të rëndësishme në jetën tonë. Ne shpenzojmë pothuajse 1/3 për gjysmën e jetës sonë në vendin e punës. Duke pasur parasysh këtë fakt, respektimi i parimeve etike e bën këtë vend më të bukur, më harmonik dhe të favorshëm për rritjen personale dhe rritjen e organizatës. Pra ne shpenzojmë një sasi të madhe kohe në ambientin e punës, atmosfera është e rëndësishme pasi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin tonë .
Çdo vend pune pa parimet bazë të etikës jo vetëm që nuk mund të jetë në harmoni por ka dhe mungesë në produktivitet. Kjo nuk është e dëmshme vetëm për vendin e punës por dhe për vetë organizatën, pasi zvogëlon efikasitetin e saj.
Ndaj, vendosja e parimeve të rëndësishme etike rritë produktivitetin dhe efikasitetin në vendin e punës.
A duhen formuluar parimet etike në vendin e punës?
Sigurisht, nëse punonjësit e dinë si të sillen në vendin e punës, parimet etike nuk duhet të formulohen. Edukimi i mirë kulturor dhe të menduarit janë të mjaftueshëm për të bërë që punonjësit të sillen në mënyrë të favorshme.
Diversiteti në vendin e punës dhe liria e shprehjes e bën të nevojshëm vendosjen e kufijve që nuk duhet të kalohen gjatë sjelljes ndërpersonale dhe kryerjes së detyrave.
Parimet ideale të etikës në vendin e punës duhet të përmbahen në kulturën organizative, por mungesa e saj dhe qasja drejt lirisë së ‘pakushtëzuar’ i bën njerëzit të kalojnë caqet duke krijuar konfuzitet.
Parimet e etikës dhe kulturës administrative
Pavarësisht nga kushtet e punës, natyra e punës dhe e fuqisë punëtore,disa parime etike duhet të ndiqen për të rritur harmoninë dhe produktivitetin në vendin e punës. Psh:
Integriteti: Integriteti personal i punonjësve duhet të jetë i nderuar me çdo kusht. Vlera e integritetit në administratë do të bëjë që të punësuarit të jenë të ndershëm e të drejtë në të gjitha praktikat.Objektivat: Objektivat duhet të përcaktohen qartë dhe të shfaqen në mënyrë që ato të mbeten në mëndje dhe të mund ti referohemi në çdo kohë. Çdo punonjës duhet të shpjegohet në lidhje me rolin që ai ose ajo ka në arritjen e objektivave .Përgjegjësia: Çdo individ duhet të jetë i qartë për përgjegjësitë e tij ose të saj. Përgjegjësia duhet të jetë aq e qartë sa kjo nuk duhet të lerë hapësirë për ndonjë paqartësi ose konflikt.Sinqeriteti: Praktikat në vendin e punës duhet të lejojnë shkëmbimin e sinqertë dhe të lirë të ideve dhe opinionet në mesin e të punësuarve në të gjitha nivelet. Çdo individ duhet të ketë një rol në gjykimin e mendimit dhe të ideve të nxjerra nga ndonjë punonjës tjetër. (Gjithmonë nëse ka të tillë).Diversiteti: Çdo administratë duhet të përfshijë në parimet e veta të punës, diversitetin.Asnjë punonjës nga një sfond i ndryshëm kulturor, etnik, fetar apo edukativ nuk duhet të ndjehet i lënë pas dore.Sjellja: Çdo administratë që ka një grup njerëzish të punësuar duhet të vendosë udhëzime të qarta për sjelljet ndërpersonale.
Kriza jonë kulturore ka të bëjë me kulturën e punës, kemi shumë probleme me këtë, ka një disbalancë mes reales dhe pritshmërisë, prandaj ajo që na duhet përveç një diplome universitare e cila tregon formimin tonë akademik si dhe trajnimeve dhe kurseve profesionale me vete të punësuarit në administratën publike i duhet dhe ajo që më së shumti na mungon kultura e punës.
Në punë të mos shkohet se ‘duhet shkuar’ , por sepse duhet të lesh gjurmën tënde të vlerë.
Pra, ajo që duket qartë është që, shumë nga këta njerëz që kërkojnë punë në shtet, nuk duan punë. Duan një pension të sigurt, që pastaj të bëjnë jetën e tyre, midis kafenesë, thashethemeve, “Solitaire”-ve dhe opinioneve profesionale politike. Dhe kur të arrijmë që punën ta kthejmë në art me kulturën tonë akademike dhe profesionale do të kemi arritur standartin që bota europiane do të na pranojë si të barabartë drejt rrugëtimit të ëndrrës qindra vjeçare të shqiptarëve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!
Comments