Anjeza Musollari: "Për Ty, Që Je Grua Shqiptare: Nga Heshtja në Zë"
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 days ago
- 6 min read

Manifest i heshtur i grave shqiptare, një pasqyrë e realitetit të shumë prej tyre por edhe një thirrje për vetëdije, forcë dhe ndryshim.
Për ty, që je grua shqiptare si unë!
Të jesh grua shqiptare do të thotë të rritesh në një shtëpi që nuk është plotësisht e jotja, me njerëz që janë të tu por edhe të huaj njëkohësisht.Pastaj, martohesh, dhe shkon në një tjetër shtëpi, që të thonë se është jotja, por prapë ndihesh mysafire mes fytyrash të panjohura. Të jesh grua shqiptare do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes me një buzëqeshje të përmbajtur dhe një përshëndetje të ngrohtë: "Mirëmëngjes, a keni pushuar mirë?" — ndërkohë që ndihesh e zhveshur përballë vështrimeve që të matin nga këmbët deri në kokë. Në mbrëmje, ti ulesh në cep, shikon të tjerët të pushojnë, ndërsa vetes i thua: "Duket sikur po i ruaj, jo po pushoj." Të jesh grua shqiptare është të të thuhet se është turp të flasësh, por jo turp të pastrosh shtëpinë në ditën e dytë të martesës, me duar që ende nuk janë tharë nga lotët e lamtumirës. Të jesh grua shqiptare është të mbash mbi supe peshën e një familjeje që kurrë nuk e ke zgjedhur — dhe as të ka zgjedhur ty. Të jesh grua shqiptare është të të përshëndesin me buzëqeshje, por pas shpine të ndërtojnë rrjeta dredhish, pikërisht në shtëpinë që quhet “e jotja”, por që kurrë nuk do ta ndjesh të tillë. Por ti qëndro, grua shqiptare. Qëndro, jo për të duruar, por për të lulëzuar. Bëhu e bardhë e bukur si bora, por ftohtë dhe e fortë si ajo për këdo që guxon të të shkelë. Respekto, por mos u nënshtro. Duaj, por mos u shuaje për ata që të shohin si të zakonshme. Fol, kur është koha për të folur. Mbroje veten, se askush s’e bën më mirë se ti. Mos e ul kokën, se nëse nuk flet sot, nesër vajza jote do të trashëgojë të njëjtin heshtje.
Të Jesh Grua Shqiptare – Midis Traditës dhe Vetëzgjimit

Të jesh grua shqiptare do të thotë të jetosh një realitet të ndërthurur mes krenarisë, sakrificës dhe peshës së padukshme që shpesh mbartet në heshtje. Është një përvojë që përthith gjurmët e historisë, të zakoneve, të rolit të trashëguar, por që sot, gjithnjë e më shumë, po shtyn drejt një vetëdijeje të re. Ajo që dikur përkufizohej si “forcë në durim”, po transformohet në forcë për të ndryshuar. Gruaja shqiptare lind dhe rritet në një shtëpi që shpesh nuk i përket plotësisht. Ajo mësohet që nga e vogla të jetë e sjellshme, e heshtur, ndihmuese. Nuk pyetet gjithmonë për ëndrrat apo dëshirat e saj, por më shumë për sjelljen, për pastërtinë, për shërbimin ndaj të tjerëve. Edukimi i saj, në shumë raste, bëhet jo për të ndërtuar veten, por për të përmbushur pritshmëritë e një rrethi që e shikon si shtyllë të familjes, por rrallëherë si individ me zë dhe dëshirë.
Martesa për shumë gra shqiptare ka qenë dhe mbetet një kapitull i vështirë. Ajo shpesh perceptohet jo si një zgjedhje, por si një kalim simbolik nga një shtëpi në një tjetër. Në vend që të jetë, vend i dashurisë dhe partneritetit, ajo bëhet një tjetër provë për durimin dhe përshtatshmërinë.
Gruaja shqiptare ndodh të përballet me një realitet ku dashuria matet me shërbim, ku vlerësimi jepet në heshtje, dhe ku liria është luks, jo e drejtë.
Por përtej këtyre kufijve të vendosur nga një shoqëri që ende mban gjurmët e patriarkalizmit, po ngrihet një brez i ri grash shqiptare që nuk pranojnë më të jenë thjesht përmbajtëse të dhimbjes.Ato nuk janë më vetëm durimtare, janë krijuese, zëdhënëse, drejtuese dhe guximtare.Ato kanë kuptuar se të heshtësh nuk është më vlerë, dhe se të duash veten nuk është egoizëm, por mbijetesë.
Të jesh grua shqiptare sot, është të jesh në kufirin mes dy botëve, asaj që trashëgon dhe asaj që do të ndërtohet. Është të mbash mbi supe kujtimet e nënave tona, por të mos lejojmë që vajzat tona të trashëgojnë të njëjtën heshtje. Është të ngresh zërin jo për t’i kundërshtuar gjithmonë të tjerët, por për të treguar se edhe ti ke diçka për të thënë, dhe që ajo gjë vlen.
Gruaja shqiptare nuk është më vetëm një simbol sakrifice. Ajo është një forcë që po rikrijon vetveten, që po i thotë jo rolit të viktimës, dhe po ecën drejt një të ardhmeje ku të qenit grua nuk është barrë, por krenari.
Të jesh grua shqiptare është një përvojë që shkon përtej përkufizimeve të zakonshme gjinore. Është një ndërthurje mes dashurisë dhe detyrimit, mes ëndrrës dhe sakrificës, mes heshtjes së trashëguar dhe zërit që kërkon të dëgjohet. Ajo është bijë, nuse, nënë, por mbi të gjitha, qenie që ka mësuar të jetojë në kufijtë e të mundurës.
Gruaja shqiptare sot nuk është më thjesht një viktimë e sistemit. Ajo është një forcë që sfidon rrënjët patriarkale, që flet në emër të vajzës që nuk guxon, që mbron të drejtën për të zgjedhur, për të folur, për të jetuar me dinjitet.
Ndryshimi nuk ndodh brenda natës. Historia e njerëzimit e ka dëshmuar se rrugët drejt barazisë, drejt të drejtave dhe drejtësisë sociale kanë qenë të mbushura me përpjekje të vazhdueshme, sakrifica dhe zëra që shpesh janë përpjekur të heshtin. Në këtë udhëtim të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm, gruaja ka qenë simbol i qëndresës, i luftës së heshtur dhe më së shumti – i ndryshimit.
Çdo grua që ngre zërin përballë padrejtësisë, çdo grua që nuk përkulet përballë paragjykimeve, është një akt vetëdijësimi, por edhe një akt revolucioni. Ajo nuk përfaqëson vetëm veten, por të gjitha gratë që ende nuk kanë mundësinë apo guximin të flasin. Kjo është arsyeja pse zëri i një gruaje nuk është vetëm zë, por jehonë. Jehonë që shpërthen heshtjen shekullore të nënshtrimit.
Të jesh grua, për shumë gjatë, është parë si barrë. Shoqëria ka vendosur kufij, ka ndërtuar pritshmëri dhe role të ngurta që e kanë kufizuar potencialin e gruas vetëm në funksion të të tjerëve – si nënë, si grua, si kujdestare. Por ky perceptim po ndryshon, dhe ndryshimi ndodh pikërisht kur gratë zgjedhin të mos rrinë më në heshtje. Kur zgjedhin të jenë lidere, aktiviste, mësuese, shkencëtare, artiste – dhe mbi të gjitha, të jenë vetvetja.
Shoqëria e së ardhmes është ajo që e njeh gruan si bekim. Sepse një grua e lirë, e fuqizuar, është pasuri për gjithë komunitetin. Ajo sjell një perspektivë tjetër, ndjeshmëri dhe forcë që nuk e përjashton burrin, por e plotëson atë. Barazia gjinore nuk është një betejë kundër burrave, por një përpjekje për një bashkëjetesë më të drejtë, më të ndershme, më të njerëzishme.
Për të arritur këtë, duhet të pranojmë se rruga është e gjatë. Por çdo hap, sado i vogël, ka peshën e një ndryshimi të madh. Kur një vajzë mëson se zëri i saj ka rëndësi, kur një grua nuk ndëshkohet për guximin e saj, kur një shoqëri nuk e përkufizon vlerën e gruas përmes sakrificës, por përmes dinjitetit – atëherë mund të themi se kemi bërë përpara.
Në fund të fundit, të jesh grua nuk është barrë. Është bekim. Por ky bekim ndriçon vetëm kur shoqëria nuk e mbulon me hijen e paragjykimeve. Dhe çdo grua që ngre zërin e saj, është një dritë më shumë drejt asaj dite kur kjo botë do ta kuptojë vërtet këtë të vërtetë.
A ka ndryshuar mendësia mbi fenomenin “femër’?!
Ndryshimi nuk ndodh brenda natës. Ai është si një farë e mbjellë thellë në tokë, kërkon kohë, kujdes, dritë dhe guxim për të mbirë. Dhe në këtë tokë që shpesh është shterpë nga barazia dhe drejtësia, janë gratë ato që, me rrënjët e shpirtit të tyre të palodhur, kanë kërkuar të çelin shpresën.
Çdo grua që ngre zërin përballë padrejtësisë është si një dritare që hapet drejt së ardhmes. Një grua që nuk pranon të heshtë më, është një revolucion i vogël që nis brenda zemrës, por që përhapet në shoqëri si valë që thyen heshtjen shekullore. Sepse çdo zë gruaje që dëgjohet, është një grua më pak që e ndjen veten të padukshme.
Por për të kuptuar sa e rëndësishme është kjo luftë, duhet të mësosh të shohim me zemër. Shikoje gruan me syrin që do doje të shihje veten, jo si dikë më pak, jo si një barrë, por si një pasqyrë e mundësive, e dhimbjes, e forcës, e dritës. Askush nuk dëshiron të gjykohet për atë që është. Askush nuk do të ndjehet i pavlerë për shkak të një identiteti të trashëguar.
Dhe ashtu siç kërkojmë mirëkuptim dhe drejtësi për veten, duhet ta ofrojmë atë për të tjerët,veçanërisht për gratë.
Të jesh grua, për shumë gjatë, ka qenë sinonim i durimit, i sakrificës,i të jetuarit për të tjerët…
Gruaja, shpirti që bart jetë, që ndërton, që shëron, që krijon. Gratë nuk janë të forta sepse nuk kanë ndjerë dhimbje, por sepse e kanë përballuar atë me dinjitet. Dhe ky dinjitet meriton të njihet, të nderohet, të mbështetet.
Shoqëria jonë nuk mund të ecë përpara duke lënë pas gjysmën e saj. Nuk mund të pretendojmë zhvillim, drejtësi e përparim nëse gratë ende heshtin nga frika, ndalohen nga paragjykimi apo mbahen pas nga pritshmëritë e padrejta. Një shoqëri e drejtë është ajo ku vajzat rriten me besimin se janë të barabarta me vëllezërit e tyre, ku nënat nuk kërkojnë leje për të ëndërruar, ku bashkëshortet nuk e humbasin veten për të ruajtur një emër.
Të jesh grua nuk duhet të jetë më një sfidë për t’u mbijetuar, por një krenari për t’u jetuar.
Comments