top of page

Anjeza Musollari: Në kërkim të një emri



 

A është e vështirë të jesh njeri i mirë në një botë ku egoizmi lufton të jetë pjesë e lartësimit të vlerave njerëzore? Sigurisht që po, nuk është e pamundur të sfidosh negativitetin duke dhënë më të mirën tënde. Prandaj nuk mjafton të jesh i mirë. Problemi fillon atëherë kur e mira duhet të ndahet nga e keqja. Çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, është relative. Ka shumë pak modele të së mirës në këtë botë, dhe nga ata sot kemi mësuar se cilat janë cilësitë më të mira për cilindo person.

Njerëzit e mirë janë të ndershëm?  Ndershmëria është mënyrë jetese. Këta njerëz nuk vjedhin, nuk mashtrojnë dhe janë besnikë. Nuk i tradhtojnë miqtë dhe vendosin idealet përpara interesave.

Njerëzit e mirë janë të lumtur? Lumturia nuk ka të bëjë me paratë, pamjen apo statusin. Njerëzit e mirë janë sinqerisht mirënjohës për atë që kanë, dhe mezi presin agimin për te rilindur me Diellin dhe për të falënderuar Zotin. (Shpesh lumturia e tyre është ngjitëse.)

Njerëzit e mirë janë të respektueshëm? Ata i trajtojnë të tjerët sikurse duan të trajtohen. Respektojnë  ata që i rrethojnë pa dallim, të qenit njerëzor për ta është obligim.

Njerëzit e mirë kanë besim?  Jo gjithnjë kjo mund të jetë një cilësi e mirë, sidomos në arenën mishngrënëse ku kemi fatin të jetojmë. Por njerëzit e mirë kanë besim te ata që i rrethojnë, në të kundërt nuk mund të qëndrojnë me ta.

Njerëzit e mirë janë të vetë-disiplinuar? Vetë-disiplina është ndershmëria për të zgjedhur çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, dhe për të vepruar në përputhje me rrethanat. Njerëzit e mirë janë mjaft të fortë për ti thënë jo tundimeve të shumta të jetës.

Njerëzit e mirë krenohen me veten e tyre? Ndërkohë që ditët e sotme krenaria e tepërt shihet si mëkatare, njerëzit e mirë ndihen krenarë për atë që janë, atë që jetojmë dhe çfarë bëjnë. Kjo lloj krenarie i ndihmon të përcaktojnë se çfarë simbolizojnë në këtë botë.

Njerëzit e mirë janë të mëshirshëm? Ata janë empatikë ndaj nevojave të të tjerëve dhe bëjnë vepra të mira për të lehtësuar vuajtjet e atyre që i rrethojnë. Ky është një nga veprimet më themelore të mirësisë që njerëzit e mirë bëjnë si qenie njerëzore.

Jemi njerëz dhe shpesh e konsiderojmë veten superiorë,zotërues të tokës ku jetojmë dhe të aftë të marrim lehtë atë ç'ka duam.

A është e drejtë t'a quajmë veten si qenien më komplekse?  Pse duhet të konsiderohemi në majë të piramidës së evolucionit kur ka plot kafshë të tjera me aftësi që ne nuk i kemi?Nuk jemi as vrapuesit e as notarët më të shpejtë, shqisat tona kanë ndijime shumë më të dobëta se të kafshëve të tjera, nuk jemi ata që orientohen lehtë me diellin, nuk mund të shohim mirë natën, dhe përsëri mbahemi si qeniet më të forta, më të pershtatura dhe dominante në planet.Kush  jemi ne? 

U bënë mijëra vjet që nuk përgjigjemi dot. Kemi arritur të zhbirojmë galaktikat, të ndajmë atomin, të gjurmojmë dritën, dhe ende s'jemi marrë me veten tonë.

Ka një pengesë, ndoshta sepse njeriu e ka të vështirë të përkufizojë veten e vet, e ka të veshtirë të eksperimentojë me specien e vet, ose ndoshta mendja jonë është e projektuar në atë mënyrë që të mos zbulojë të fshehtat tona.Disa thonë se njeriu është një kafshë me arsye. kafshë na bëjnë instiktet. Instiktet na shtyjnë të plotësojmë nevojat bazë për të jetuar.

ID-ja, thote Frojdi, është një pjesë e errët, në nëndërgjegjen tonë, ku në mënyrë kaotike zhvillohen instiktet si uria, etja, uria seksuale dhe ruajtja nga dhimbja. Këto i kemi të përbashkëta me gjithë kafshët, ndërsa ato që na diferencojnë janë dëshirat tona dhe kufizimet që na vë shoqëria.Egoja na bën të realizojmë një set funksionesh psikologjike si gjykimi, ambicja deluzioni, agresiviteti, me pak fjalë gjithçka që mund të na duhet për të plotësuar nejovat që vijnë nga zëri i brendshëm i instikteve.

Superegoja është ajo ç'ka i frenon instiktet tona kafshërore, na bën njerëz të aftë të jetojmë në një shoqëri ku ka kufizime morale, shoqërore. Ndërsa instiktet na shtyjnë të veprojmë në një mënyrë tërësisht të lirë, superegoja na kufizon, na tregon ç'është e mirë dhe ç'është e keqe, si duhet të veprojmë drejt në një mjedis ndërveprues.Njeriu ka në dorë sjelljen e tij, përshtatjen dhe intelektin. S' mund të konsiderohemi si kafsha më e sofistikuar pa futur në lojë arsyen tonë, atë ç'ka na diferencon dhe na bën të bashkëveprojmë.Pa tolerancë, pa komunikim, qenia njerëzore, e cila dikur jetonte e vetme, si një gjuetare e thjeshtë, nuk do të organizohej për të krijuar struktura më komplekse, ku ndeshen bashkë interesat e përbashkët, por dhe ato të ndryshme.Njeriu ështe një epiqendër emocionesh dhe ndjenjash.Ngacmimet më të forta njerëzit i marrin nga një proces i veçantë jo nga dhimbja apo uria siç mund të ndodhte tek kafshët, por nga ngjarje, ndodhi që shkaktojnë emocione.

Njerëzit kanë thënë që vdekja është vdekja e tjetrit, që dashuria është motorri që lëviz botën... Njerëzit ia atribuojnë jetën e vet ndjenjave, janë pre e tyre. Ndjenjat influencojnë aq shumë sa çdo veprim varet nga to, nga gjendja  jonë shpirtërore. Njerëzit  shtrojnë  pyetjen nëse duhet vepruar me arsye apo me zemër. Njerëzit besojnë dhe kanë shpresë, me pak fjalë jemi shumë të veçantë, pikërisht nga kjo pjesë që na bën njerëzore, nga ndjenjat humane, ato që na mbrojnë nga instiktet e egra që duan thjesht mbijetesë.

Vjen një moment kur njeriu i cili gënjen veten dhe dëgjon gënjeshtrat e veta, nuk mund të dallojë të vërtetën brenda tij, e as përreth tij, dhe kështu e humb gjithë respektin për vete dhe për të tjerët. Dhe duke mos pasur respekt ai pushon së dashuruari, së ndjeri, humb nuhatjen e qenies humane.

Brenda kulturës sonë duket disi absurd gjykimi , se njeriu mund ta njohë veten vetëm nëpërmjet tjetrit.Duket si një ide e papranueshme që i ul gjithkujt personalitetin e vet dhe e privon nga  pavarësia e gjykimeve  dhe e vlerësimeve mbi veten dhe tjetrin.Mjafton të hedhim një sy në marrëdhëniet e përditshme midis njerëzve për të kuptuar se sa vuajnë ata nga kjo mendësi e nisjes nga vetja.

Komshinj që kanë mendime përbuzëse për njëri tjetrin, familjare që brenda pak minutash diskutimi përfundojnë në grindje apo në gjendje nervozizmi, e cila i vë kapak çdo diskutimi.

Kjo gjendje e fundit vihet re në shumë marrëdhënie midis prindërve dhe fëmijëve, të cilët pastaj ankohen në mjedise të caktuara se e kanë të pamundur të merren vesh me njëri - tjetrin.Në këtë mënyrë ajo që njeriu njeh te vetja e tij dhe imazhi i personalitetit të tij në këndvështrimet e opinionit të tjetrit mund të kenë një dallim pak a shumë  të konsiderueshëm midis tyre.I njëjti personalitet, i parë nga vetja dhe i parë nga të tjerët, përthyhet nën prizme të ndryshme, dhe merr për rrjedhoje përmbajtje të larmishme..Nga kjo pikëpamje kuptohet se për të ditur se cili është realisht, nuk mjafton që një politikan të dijë  sesi e mendon ai veten e tij, por edhe sesi e mendojnë atë të tjerët, pikërisht ata që nuk mendojnë njësoj si ai.Njohja e vetes nuk kalon vetëm nëpërmjet gjykimeve që gjithkush ka për veten e tij, por edhe duke njohur se si e vlerësojnë atë të tjerët.

Të dyja planet kanë rëndësi, por ndërsa i pari ka vetëm vlerë subjektive, i dyti ka paradoksalisht një vlerë objektive sepse përbën masën me të cilën e mat këdo shoqëria, mjedisi i jashtëm që e rrethon atë.Për të gjitha këto arsye “Njeri,mos njih vetëm vetveten, por njihe vetveten nëpërmjet tjetrit”

E kërkova një emër, nuk di pse kudo gjeta emrin  tim ,tëndin, ,tuajin.

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page