
Mos më trego se çfarë thanë për mua! Por më thuaj ku e gjetën besimin tek ty që të flasin për mua!?
Anjeza Musollari
Shefe e Sektorit të Botimeve
Çast reflektimi mbi fenomenin e gangrenizuar të shoqërinë njerëzore,thashethemi sëmundja tumorale që është kthyer në pandemi.
Ne vijmë në jetë prej njeriut dhe atashimin e parë e kemi me të parën ndjesi prekje atë të nënës, largimi prej ngrohtësisë të trupit të saj, foshnjës i jep të dridhurat e frikës. panikut, e më tej mësohemi që me rritjen tu besojmë ndjesitë tona, njerëzve të cilët mendojmë se i kemi krah dhe mbështetje.
Besimi është raport, është lidhje e ndërsjelltë bashkëpunimi ndërmjet dy apo më shumë njerëzve ,është relacion subjektiv, është një mardhënie ku njeriu jep dhe merr.Besimi jep frymë arsyes njerëzore, njeriu me besim të shëndoshë frymon dhe jeton më lehtë dhe më mirë.
Roli i besimit është i pazëvendësueshëm në jetën e njeriut, sepse vetëm qenia njerëzore beson, i beson vetes, shokut, rezultatit të mirë të punës, ligjeve natyrore, lajmeve ditore, ngjarjeve të kaluara, rrethanave të sotme, fjalëve premtuese etj. Fitimi i parave është më i lehtë sesa fitimi i besimit të dikujt dhe asgjë nuk sjell më shumë kënaqësi sesa të dëgjosh fjalinë: “të besoj plotësisht.”
Dyshimi është si sëmundja e kancerit e cila përhapet me shpejtësi në gjithë trupin e njeriut. Kur njeriun e “ha” dyshimi atëherë ai nuk sheh mirë si duhet sepse gjërat i sheh me njërin sy e kjo do të thotë se nuk sheh me besim dhe optimizëm, por me dyshim dhe pesimizëm, nuk sheh me mirëkuptim dhe dashuri, por me fanatizëm dhe xhelozi, nuk sheh me ndjenja altruizmi por me ndjenja egoizmi dhe karrierizmi.

Shprehja e cila thotë: “Burri lidhet prej fjalësh e kau prej brirësh“ tregon njeriun e besimit të fortë i cili e mbanë dhe e realizon fjalën e dhënë. Atëherë kur jemi në një fjalë me tjetrin, tregojmë besimin e palëkundur në vetvete dhe shtojmë mirëkuptimin, bashkëpunimin, shoqërinë dhe dashurinë në sajë të besimit dhe besnikërisë. Sa e mirë është jeta kur besojmë, shpresojmë dhe jetojmë nga dashuria e vërtetë!
Nga besimi i vërtetë rrjedh optimizmi, gëzimi dhe hareja, sytë dhe fytyrat tona janë plot jetë. Çdo gjë duket ndryshe, e mirë, e kuptueshme, e buzëqeshur, e shkëlqyer, e suksseshme dhe e gatshme për fitore të reja kur besojmë. Kur je plotë besim, paqe, gëzim dhe hare dallohesh nga të tjerët për shkak të reflektimit të dritës që ke. Kjo e bën njeriun qenie të qartë që bie në sy më shumë se të tjerët sikur stina pranverore që dallohet për bukurinë e saj. Njeriun e tillë e dallon edhe në mes të turmës si ylli që dallohet në mesin e errësirës të turbull .
Në jetën e përditshme bashkëudhëtojmë me shpifjet, intrigat, akuzat e pathemelta të cilat krijojnë dyshime, opinione të rreme, që të ndjekin si hija jote. Thashethemet janë bimë të këqija që mbijnë pa u mbjellë, që rriten pa u kultivuar, që edhe po t’i shkulësh në një vend, mbijnë në një vend tjetër. Janë si thëngjilli, përlyejnë njeriun për të cilin flitet, përlyejnë atë që e dëgjon, por edhe ate që e flet.
E vërteta është se 80 përqind e bisedave tona të përditshme janë shumë personale, dhe aty ka më shumë thashetheme se në çdo diskutim tjetër. Një nga arsyet se pse njerëzimi është kaq i dhënë pas thashethemeve është se në vetvete “ai është argëtues në mënyrën më të parezistueshme
Meqë nuk e dimë se çfarë të tjerët mendojnë për ne, na pëlqen të koleksionojmë informacion herë pas here.Kështu bëjmë “detektivin” amator, pasi duam të jemi në mendjet e të tjerëve të dimë me çdo kusht se çfarë ata mendojnë. “Duke bërë thashetheme zbulojmë dhe njohim të tjerët më mirë. Ose njerëzit të paktën mendojnë se kjo është mënyra më e mirë për të njohur tjetrin.
Sigurisht që ka mënyra më të mira për ta bërë këtë por duket se kjo është e pashmangshme për natyrën njerëzore. Të bërit e thashethemeve është në natyrën tonë.
“Ne jemi padiskutim trashëgimtarët e një tufe njerëzish që fusin hundët,”-
Ndoshta nuk do të ishte e nevojshme të merreshim me thashetheme për të mbijetuar ashtu sikurse dhe paraardhësit tanë, por na ndihmon se kujt duhet t’i besojmë dhe se kujt jo.
Nga ana tjetër, ne na pëlqen të bëjmë thashetheme për t’i lënë të tjerëve të kuptojmë se cilët jemi ne. Ju pëlqen të flisni për pabesnikërinë e fqinjës suaj në lidhje me bashkëshortin e saj. Duke shprehur mendimin tuaj ju keni dhënë edhe fakte se çfarë karakteri apo morali keni vetë. Kështu ju zbuloni se duke bërë thashetheme personi përballë jush ka të njëjtin mendim me ju ose jo.
Por mbi të gjitha nëse merreni me thashetheme në vendin e punës mund t’ju krijojë edhe lehtësira. Informohesh për kolegun tënd, di të mirat dhe të këqijat e tij, mëson se si të mbrohesh nga shefi apo të dëgjosh historitë e shoqes tënde më të mirë. Në vendin e punës nuk do të thotë domosdoshmërisht të merresh me thashetheme, por është e rëndësishme të dish se kush janë miqtë dhe armiqtë e tu. Kështu mund të mbrohesh dhe të sulmosh në rastin e parë që të jepet,ndaj mos qëndro indiferent duke iu shmangur thashethemet, sepse kështu vetëm të tjerët do të merren me ty ndërsa ti do jesh subjekt i përhershëm diskutimi.
Një studim kryer në vitin 2015 zbuloi në një periudhë 12 mujore se rreth 74 për qind e punonjësve nëpër zyra merren me thashetheme. Çdo ditë ata e nisin ditën e tyre të punës me fjalët e para që kanë dëgjuar duke dashur që të jenë shpërndarësit e lajmit.
Thashethemet mund të lëndojnë, sidomos kur është i natyrës malinje, e kur nuk ka asnjë qëllim vetëm për të parë tjetrin poshtë.
(Thashethemet kanë pamje kameleonike, kanë helm gjarpri, herё të pickojnë si akrepi, herё të thithin gjak si ujku, herё të djegin si thengjilli i mbuluar. Ka edhe shpifje e thashetheme qё tё shtijnё gjallё nё dhe.)Sot nё Shqipni edhe ajri mё duket i ndotur prej thashethemeve. Vetëm e vërteta nuk besohet, faktet nuk dëgjohen, dokumentat fshihen e nuk lexohen. Shpifja është ngritur nё art.
I madhi at Gjergj Fishta kёshillonte: “Do tё masё nieri fjalёt e veta, sidomos kur tё jenё tё vërteta”I urti tha: “O Zot, mё ruej nga miqtё, se nga armiqtё ruhem vetё”.
Njeriu beson si i verbëri që beson në Diellin, jo pse e ka parë dritën e tij, por pse e ndjen ngrohtësinë e ëmbël diellore. Kjo është meritë e energjisë së diellit i cili është burim drite dhe ngrohtësie që mbanë gjallë tërë jetën në Tokë!
Ndaj është lehtë e besueshme të kuptosh nëse ai përballë është miku jot nëse vendos raportin e shprehjes :” Mos më trego se çfarë thanë për mua! Por më thuaj ku e gjetën besimin tek ty që të flasin për mua!? “
Comments