top of page

Ani, më thërrisni provincial!


Fatos Luta

Ani, t'më thërrisni provincial! Pranë dua të kem një përrua, Të kem fushën e të kem mal, E i rrethuar nga zogjtë, dua.


S’ka gjë, t'ma thoni pa droje, Provincial më thoni, çdo orë! Mjaltin e bletëve, nëpër hoje, E dua, të më ngjitet në dorë...


Më besoni, s’po flas me hile, Thoni po deshët çdo minutë! Dua t'flë mes kopesë me zile, Dhe kalit të t'i ngarkoj drutë.


Thërrisni edhe me zë të lartë, S'ka gjë, të dëgjohet në qiell: Mik i dashur, ti je provincial! Por ama, mishin e dua n'hell!


Të bredh në pyje e n'livadhe, Sa m'këmbë dhe sa me kalë; T'zë peshk ndër lumë e zalle, T’zë dhe një kaproll të gjallë.


Më thërrisni, punë e madhe: Mik i dashur, ti je provincial! T'zjej vetë, rakinë prej thane, Të njom fytin me pikë t'parë.


Në m'u tektë të zë edhe derr, Mund të zbus me nge një ari; Të vë kazan, t'zjej manaferrë, T'më thërrisni provincial, ani...


Më thoni, nga agu në darkë: Mik i dashur, ti je provincial! Këtu do të vë kokë mbi varg, Këtu, ku jam i rëndë, sa mal! * * * Fatos Luta, 07/05/2018

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page