top of page

Ana tjetër e medaljes


Ana tjetër e medaljes


Nga NADA DOSTI

Jorgani më rëndon si plumb, kur hap sytë në mëngjes. Është shumë e lodhshme ta largojë prej trupi. S’kam aq fuqi. Lërë pastaj që të çohem në këmbë. Atëherë heq dorë nga çdo përpjekje dhe kaloj orë të tëra mengjesi në shtrat. Internet..libra..shikoj tavanin, shikoj televizor, dëgjoj ndonjë gjë, qaj. Këto janë aktivitet e mia të preferuara gjatë kësaj kohe. E di që duhet të çohem, të dal, të ushqehem, të falem. Por të gjitha këto duken si beteja të mëdha të përditshme me të cilat nuk kam as fuqi të përballem.

Është shumë më e lehtë të rrij shtrij. Është shumë e vështirë të vishem dhe të dal. Është shumë e lehtë të lexoj një libër, por është shumë e vështirë të pastroj shtëpinë. Kam fuqi mjaftueshëm sa të haj diçka gati sa për mbijetesë, sepse është shumë e vështirë të gatuaj. Të rrij nuk rrihet, të dal nuk dilet.

Më në fund pas shumë ditësh vendos të dal. Marr autobusin deri tek metroja. Marr metron. Pas shumë stacionesh nën dhe mbi dhee, më në fund mbërrin stacioni im. Zbres. Eci për dhjetë minuta. 1, 2, 3, …10.! Sa larg paska qenë, ta dija nuk dilja fare. I shpenzova të gjitha energjitë për sot. Ende pa mbërritur mendoj si do ja bëj për t’u kthyer.

Pallati është i zi. Trokas në një zyrë. Zyra është e bardhë, ose jam unë që nuk dalloj dot ngjyra.

Zonja ulur përballë, më zgjat një fletë dhe disa lapsa që më duken të gjitha ngjyrë zi, dhe nuanca të zezës drejt të bardhës. Zgjedh ngjyrën gri. Unë e kuptoj të gjithë këtë lojën, dhe nuk zgjedh ngjyrën e parë që më vjen ndër mend, as atë instiktivisht. Por vendos me strategji: do t’i tregoj kësaj Zonjës se nuk jam rast i dëshpëruar, në mënyrë që mos të merret shumë me mua, dhe me dy ose tre takime të më thotë se nuk kam më nevojë të rikthehem këtu, në këtë pallatin e zi me zyrë të bardhë.

Para se ajo të flasë, e marr unë fjalën. Fundja kam muaj pa folur me dikë, kam pritur radhën në heshtje për aq shumë kohë. Shiko, i them, kjo ëshë jeta ime, këto janë gjërat që kam kaluar, këto jane gjynahet e mia, këto janë gjynahet e të tjerëve ndaj meje..Unë ndihem kështu për atë dhe këtë arsye, kam ngecur në këtë dhe atë fazë të fëmijërisë sime, kam pasur marrdhënie të prishura me filanin dhe fistekun, kam dështuar në këtë dhe atë punë dhe kam korrur sukses në këtë dhe atë punën tjetër. I them të gjitha këto me një frymë pa i lënë radhë zonjës përballë, me shpresë se këto rrëfime të mia do ma ulin dënimin me nga një ose dy takime më pak. Jo për ndonjë gjë, po kush bën edhe një herë gjithë këtë rrugë lart e poshtë.

Ajo më sheh me habi, e zura ngushtë të shkretën, nuk di më as çfarë të më thotë. Më në fund më lë të lirë. Por kur mendoj rrugën e kthimit…s’kam as fuqi ta mendoj. Do doja ta pyesja përse nuk keni një kënd këtu ku mund të shtrihem e të pushoj pak, sa të rimarr energjitë dhe forcën e duhur për t’u kthyer? Nëpër filma zyra të tilla kanë gjithmonë një vend për t’u shtrirë.

Rrugës së kthimit shoh një lagje që nuk është lagjia ime, shoh ndërtesa, shtëpi, rrugica..por shtëpinë nuk e gjej. Do kem ngatërruar stacion me siguri. Kushedi ku kam zbritur e për ku jam drejtuar. Përplasem padashje me një mur. Më fal mur!

Harrova t’i them Zonjës tek zyra se çdo natë më del gjumi në orën tre, jo tre e pesë, jo tre e dhjetë, por fiks në tre. Për natë shoh një mankth të ri, ose të vjetër por më ndryshe. Pastaj më del gjumi ose me lot në sy, ose me frymarrje që të ngec në fyt. Merr frymë, 1, 2, 3..Mbaje! Nxirre!

Një herë gjendem tek një nga shtëpitë e shumta të fëmijërisë. Në disa raste njëra prej tyre përmbytet, tjetra merr flakë, tjetra shembet nga tërmeti. Ia bëj disi dhe arrij të shpëtoj nga të gjitha këto fatkeqësi. Pastaj mbaj në prehër një djalë. Djali e ka lëkurën e bardhë dhe faqet e kuqe. Pastaj nuk e kam më. Mbetem me duart bosh. Përpiqem të notoj për nuk e arrij bregdetin, përpiqem të zgjas dorën, kur nën këmbët e mia dridhet toka, por nuk arrij të gjej duar ku të kapem fort pas. Jam tek rrugica që të shkon për tek shkolla vjetër. Pastaj menjëherë bëhet natë dhe unë nuk arrij dot ta kap mësimin.

Rikthehem tek zonja në zyrën e bardhë. Ajo më zgjat dy hapa një e bardhë dhe një e verdhë. E bardha është për mos t’u zgjuar më në tre të natës dhe për mos të parë më ëndrra. Edhe kjo do të mi vrasë ëndrrat si gjithë të tjerët, mendoj. E verdha është për të marrë frymë lirisht pa qenë nevoja të bëj ushtrime me numra.

Më duhet një tjetër hap, ndoshta gri, ndoshta pa ngjyra ose me të gjitha ngjyrat bashkë, që të mund t’i dua njerëzit dhe t’i lejojë t’më duan.

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page