Liri Bele
I
Disa vite më parë, në njërën nga shkollat fillore të qytetit drejtoria përkatëse miratoi sugjerimin e mësuesit të vizatimit, si një risi të kohës, që një ditë fundmaji të ekspozonin mbi disa banka të marra nga klasat aty pranë e të vendosura përgjatë një pjese të murit në korridorin e katit të parë, vizatime të nxënësve sipas klasave, të realizuara në fletë të bardha vizatimi me përmasa të barabarta. Përmbajtja e tyre prezantonte në radhë të parë fantazinë e adoleshentëve. Midis fletëve të shumta gjendeshin pranë njëra-tjetrës edhe vizatimet e dy shokëve të klasës së katërt, Anestit e Kujtimit. Pikërisht ai mjedis, në mënyrë të pakuptueshme, krijoi mundësinë dhe favorizoi lindjen e një filli të padukshëm, një ndjesi të veçantë të panjohur deri atëherë. Thjesht, Kujtimi po ndiente një kërshëri të brëndshme për të vëzhguar kohëzgjatjen e soditjes së kalimtarit mbi figurën e vizatuar prej tij, krahasur kohëpërqëndrimin në vizatime të tjera dhe më kryesorja për të, ishte figura e punuar nga Anesti. Sigurisht që nuk mundej ta shpjegonte atë ngacmim të brëndshëm, ndërsa po ndiente të pashkëputur prej tij dëshirën të dinte saktë ndryshimin midis punës së dy shokëve, pothuajse dy vëllezër. Nxënësit ishin duke kaluar nëpër korridor, ngadalësonin hapat dhe hidhnin shikime kureshtare drejt fletëve me figura të ndryshme. Kujtimi po e ndiente se ai miklim ngacmues fuqizohej pak nga pak brenda tij, por emrin e vërtetë të saj, “ambicie”, ai do ta mësonte dhe do ta përjetonte me dhëmbje në të ardhmen, shumë më vonë. Gjatë viteve të shkollës shtatëvjeçare, në orën e vizatimit, mësuesi vështronte radhazi nxënësit brenda klasës; Kujtimin e shihte shkarazi, ndërsa në momentin pasues, shikimi i mësuesit përqëndrohej ngultas tek Anesti, shoku i bankës së Kujtimit, ende në hapat e para të prezantimit si një piktor me talent të rrallë. Të dy, rastësisht, edhe ditëlindjen e festonin në të njëjtën datë, njëri në prill dhe tjetri një muaj pas tij. U rritën së bashku, sepse të dyja familjet banonin në godinat e hershme trekatëshe në periferi të qytetit, të ndërtuara me punë vullnetare. Baballarët, punonjës në njërën nga ndërmarrjet industriale të përpunimit të naftës; nënat e djemve ishin gra punëtore të devotshme, njëra në sektorin e pastrimit, tjetra në rrobaqepësi dhe kishin një mirëkuptim të plotë, e respektim të ndërsjelltë. Njëherazi nuk e fshihnin ndjenjën e gëzimit kur shihnin së bashku dhe vlerësonin shoqërimin e fëmijëve të tyre, si të ishin vëllezër. Pra, përgjatë kohës së fëmijërisë, Anesti me Kujtimin prezantuan shëmbëlltyrën e admirueshme të jetës së dy vogëlushëve që e filluan mbarë në të njëjtin kopsht fëmijësh .
Familjes të Kujtimit iu krijua mundësia të ndryshonte vendbanim duke u spostuar në një apartament më të gjerë, diku në qendër të qytetit. Pavarësisht largimit, marrëdhëniet midis tyre mbetën të njëjta, miqësore, sikurse djemtë që po rriteshin duke mësuar nga njëri-tjetri. Rezultatet e mësimeve në vitet shkollore ishin mbi mesataren, por nga dita në ditë prirja e ty djemve drejt pikturës po bëhej më e qartë dhe vendosën të vazhdonin shkollën e mesme në atë degë, e cila fatmirësisht mundësohej në qytetin e lindjes. Luanin edhe me shokë të tjerë, por koha më tepër u kalonte duke vizatur në fletë vizatimi apo me shkumësin e bardhë në dërrasën e zezë mbas mbarimit të mësimit. Ndonjëherë, duke mbajtur gozhdën e vogël në duar, krijonin figura të paqarta në murin e suvatuar të oborrit. Përqëndrimi në realizimin e figurave të ndryshme arriti deri atje, saqë, gjatë një nate, Kujtimi pa një ëndërr fëmijërore…
Në një ekspozitë, ku kish shumë ekspertë, kryetari i jurisë vlerësoi pikturën e Anestit, duke thënë fjalët më të bukura për të dy, si për Kujtimin, ashtu dhe për Anestin. Kujtimi bërtet:
- Unë jam më i miri! Vetëm unë bëj figura të bukura…
Zgjohet i mbushur me emocione, sheh pranë kokës ulur në shtrat të ëmën tepër të shqetësuar dhe të mbuluar me djersë, por vazhdon të flasë:
- As ti nënë, mos e beso atë kryetar jurie, as profesorin…
E ëma po e shihte e tronditur me sy të përlotur… Në fillimet e liceut, i vetmi problem lidhej me detyrën e paracaktuar në fushën e pikturës dhe, për të mundësuar regjistrimin në atë degë të veçantë, Kujtimit iu deshën shumë vështirësi, që i kapërceu mbështetur në përkushtim, përqëndrim njëherazi punë këmbëngulëse dhe të gjitha këto e favorizuan në nisjen e vitit të parë. Ndryshe pozicionohej Anesti, sepse çdo pikturë e përfunduar prej tij i emociononte mësuesit, pavarësisht nëse e njihnin apo jo.
Midis disa shoqeve të vitit të parë, vëmëndjen e të dyve më tepër e tërhiqte vajza bukuroshe me emrin Yllka, me tipare të spikatura, sy të kaltër të kulluar, që çuditërisht kishin një pamje zhbiruese të veçantë, si të donin të dinin më parë se me kë kishin të bënin dhe nëse e meritonte personi para tyre bisedën me të. Flokët kaçurrela të dendura hedhur supeve, shoqëruar me shpatullat e drejta, qafa e hollë dhe e gjatë që nxirrte në pah bardhësinë e lëkurës, sidomos në pozicion ulur, paksa e kthyer anash, të kujtonte një nga pikturat me famë botërore...
Dukej se vajzës i pëlqente shoqërimi me të dy shokët, pa lënë të kuptohej se cili ishte preferenca e saj përgjatë dy viteve të para. Me fillimin e vitit të tretë, Yllka nuk mund ta fshihte dot tërheqjen e saj ndaj Anestit. Veçanërisht kur Kujtimi provokonte duke kërkuar një mendim objektiv për pikturat e përfunduara, kohëzgjatja e shikimit të ngulitur shoqërohej me një rrezatim të ëmbël në sytë e saj të kaltër, si të plotësoheshin me të tjera nuanca të ngjyrës të ylberit, kur shihte pikturat e Anestit. Nga ana tjetër, pikërisht ato punime ishin të mjaftueshme të shpejtonin ritmin e zemrës së Kujtimit, në pamundësi ta justifikonte qëndrimin gjakftohtë të Anestit… Pa mundur ta shpjegonte as vetë, në ato momente Kujtimi përjetonte një gjendje të veçantë emocionale, e cila mori përmasa më të dukshme kur një ditë, afër mbarimit të mësimit, iu drejtua Yllkës:
- Si mendon për të shkuar së bashku në kinema? Mësova se sonte është një film me aktorët më të famshëm italianë...
Çuditërisht, Yllka drejtoi vështrimin në fytyrën e Anestit, si të priste aprovim prej tij, por nuk u dëgjua një fjalë e vetme apo të shihej përkulja e kokës lehtësisht para, shenjë e mirënjohur, e padiskutueshme e dakordësisë, teksa Kujtimi priste me një ndjenjë të pafshehur ankthi përgjigjen e dëshiruar… E njëjta situatë u përsërit në festimin e ditëlindjes së Fatmirit, i cili kishte menduar ta festonte me të gjithë shokët e klasës në një mbrëmje të mirëorganizuar, ku kishte ftuar dy këngëtarë të njohur dhe orkestrën shoqëruese të qytetit, gjë që në tërësi dukej më tepër një mbrëmje vallëzimi shkolle sesa një festim i zakonshëm në ditën e lindjes të një nxënësi . Natyrisht organizimi ishte ideuar dhe realizuar me shpenzimet jo të vogla të familjes së tij, njëra nga më të pasurat e qytetit. Dhe ja, Kujtimi e mori përgjigjen e mungesës së Yllkës, që mbante shikimin të ngulitur në fytyrën e Anestit, pa shqiptuar asnjë fjalë. Pra, vetëm me një vështrim indiferent, prezantoi mendimet e veta dhe veprimet pasuese, sikur Anesti zotëronte forcë urdhëruese në heshtje dhe drejtonte jetën e saj. Në moment, pa mundur ta shpjegonte as vetë, Kujtimi po ndiente një shqetësim, një ndjenjë shtrëngimi në gjoks, që kryesisht iu përqendrua në fyt, si të ishte një dorë e fuqishme mizore… Jo rrallë i bënte vetes të njëjtën pyetje: “Çfarë nuk shkon?”.
Dhe bënte analizë në heshtje, jo vetëm të paraqitjes së tij, por edhe për përshtypjen që krijonte te gjinia tjetër në përgjithësi… Pamja e tij fizike, shtati i gjatë e muskuloz, tiparet e fytyrës ngjyrë bronzi, balli i lartë rrethuar nga flokët e dendur tejet të zinj si të kishte hedhur mbi to një sasi zifti, sytë e të njëjtës nuancë me një shkëlqim rrezatues, i cili, sapo kryqëzohej rastësisht me atë të një vajze, në moment ishte e dukshme simpatia dhe ndjekja e saj për Kujtimin; ai e kishte magjepsur… Dihet mirë se tërheqja në moshën rinore bazohet së pari në pamjen fizike dhe Yllka më shumë i përkushtonte kohë shoqërisë me Kujtimin gjatë paradites në mjedise ku ishin të pranishëm disa nga shokët e shoqet e klasës. Pikërisht këto pozicione të njëanshme dhe këto rrethana e bënin të ëndërronte e të mendonte se ai përfaqësonte të përzgjedhurin e saj prej dy shokëve…
Por kishte diçka që nuk shkonte siç duhej në botën shpirtërore të Kujtimit. Shpesh ai kaplohej nga disa mendime të paqarta, të pakëndshme dhe të dyshimta, sidomos pas mbarimit të mësimit dhe pas përshëndetjes së zakonshme “Mirupafshim!”. Yllka, sa merrte rrugën drejt portës së shtëpisë, asnjëherë të vetme nuk e kthente kokën pas e dukej se as që donte t’ia dinte më për Kujtimin deri të nesërmen.
Natyrisht, Yllka nuk ishte njëra nga pedagogët dhe as mësuesit e dikurshëm që duhej të bënte vlerësimin e punës së nxënësve, të asaj kohe kur të dy shokët ende fëmijë, në rërën e lagur të bregdetit, realizonin figura të bazuara në imagjinatën individuale. Sigurisht, as atëherë e as më vonë nuk dihej se ato më tërheqëset ishin bërë nga duart e Anestit. Këtë diferencim e ndiente lehtazi vetëm Kujtimi. Ai nuk mund të shtrihej si gjithë të tjerët, si të kishte diçka që e pengonte dhe nuk mundej ta përcaktonte, veçse kishte të bënte me kohën më të zgjatur në përqendrim të shikimeve të hedhura në figurat buzë detit. Qëndronte gjysmë shtrirë në rërën e thatë përkrah Anestit, duke ndjekur me vëmendje ecjen e ngadalshme të plazhistëve midis dallgëve të lehta mbuluar me shkumën e bardhë, e cila, pasi prekte në formë gjysmë rrathësh pjesën ranore, shpërndahej pa cërkat e shkumës mbi të, ëmbëlsisht nën tingujt e një muzike të këndshme, duke ia lënë vëndin të tjerave pas saj - një proces i pandërprerë, që të joshte ta prekje sadopak me shputat e këmbëve, një bukuri magjepsëse. Sa për vogëlushët, e rëndësishmja u përkiste vetëm figurave të shumta në rërën e lagur të punuara me orë të tëra përgjatë pushimeve verore, në vitet e shtatëvjeçares.
Koha kalonte. Në njërën nga ditët e liceut, mësuesi kujdestar i klasës informoi nxënësit rreth një projekti me vlerë praktike: një piknik i organizuar në Apoloni, zonë arkeologjike tepër e pasur me gjëra të veçanta apo sende arkitekturore, si një procedurë e zakonshme dhe pjesë përbërëse e programit mësimor. Zakonisht realizohej me pjesëmarrje nga piktorë të mirëfilltë, pra një grupim i quajtur “kolonia”; 7-8 piktorë jetonin 10 ditë atje. Pikturën më të mirë e shpallte organizuesi, duke mbuluar gjithashtu dhe shpenzimet për ditëqëndrimet. Secili pjesëmarrës dorëzon më të mirën e punëve që do të ekspozohen në sallën e Galerisë të Arteve apo në hollin e teatrit të qytetit dhe pastaj është vetë opinioni i vizitorëve që vlerëson më të mirin punim. Të gjithë piktorët përdorin teknikën e vajit, telajot bëhen me beze të thjeshta, kornizat prej druri në ngjyrë kafe. Shfaqja e Apolonisë është si një vegim lashtësie: me pasuritë e panumërta arkeologjike që nga dita në ditë shumëfishohen, vlerat historike të mirënjohura e të pranuara botërisht, bashkë me peizazhet e rralla dhe të larmishme, duke filluar me ngjyrën e kaltër të detit në largësi, pikërisht atje ku retë e bardha shumëformëshe sigurojnë takimin e dy hapësirave qiell-det, por… në pamundesi të përcaktohet se kujt i përket përparësia e bukurisë. Njëherazi, shtrirja e pafund e fushave të gjelbra, një pjesë e të cilave të mbjella sipas stinës, ku valëviten kallinjtë e grurit e ku e kafta është përzier me gjithë nuancat e të gjelbrës, duke prezantuar një pamje aq mahnitëse. Shikimi vazhdon të endet me ëmbëlsi mbi rrethinën e kodrave të veshura me një vello të stërmadhe bimësish e pemësh të vogla, në një shtrirje thuajse imagjinare, si përfaqësuese të tokës kodrinore e fushore, gërshetuar ngushtësisht mes tyre në hapësirën e pafund midis detit dhe qiellit. Është një trinom që shihet dhe vlerësohet ndër prezantimet e rralla të natyrës…
Pikërisht në zonën e Apolonisë, brezi i nxënësve të shkollës së mesme në degën e pikturës kishte mundësi para vetes të tregonte talentin, durimin, këmbënguljen dhe, duke i shkrirë të gjitha në një subjekt të vetëm ,atëhere do të mund ta konsideronin si një dhuratë të veçantë. Gjithashtu, veç prezantimit të aftësive vetjake, do të ishte edhe mundësi e mirë, e dobishme dhe të konsiderohej e sigurt si shkalla e parë për vitet e ardhshme, para se të ngjisnin të tjera radhë shkallësh më të vështira, por të domosdoshme…
Në çastet e dorëzimit të detyrës, profesori u shpreh i mahnitur me realizimin e përkryer të punës nga Anesti… Po Kujtimi? A mund të pranonte qetësisht bukurinë dhe vlerën e pikturave, peizazheve të përfunduara artistikisht prej shokëve të grupit, në krye të të cilit meritonte të qëndronte Anesti, pa as më voglin koment? Sepse, gjithçka e krijuar, ngrihej në nivelin më të lart profesional falë duarve, penelave, telajos, mësuesit, por aprovuar nga mendja krijuese e Anestit... Kujtimi nisi të priste rezultatet përfundimtare me emocione të thella, që më tepër ngjanin me një dhimbje vertikale shpirtërore. Ishin çaste kritike kur puna e ditës kalonte në sitën e vlerësimeve profesionale. Kulmi vinte ditën e mbarimit të qëndrimit, kur, pa asnjë mëdyshje, profesionistët pranuan se punimet artistike të Anestit qëndronin shumë më lart se gjithë punimet e tjera që u përfunduan gjatë atyre ditëve në punë të përkushtuar .
Përgjatë një natë të pagjumë, mbas qëndrimit në Apoloni, Kujtimit i krijohet një situatë e vështirë emocionale. Po dëgjon Yllkën dhe shokët, që i thonë të vërtetën për talentin e Anestit, pozicionin e tij në krye të talenteve të reja në pikturë:
- Po unë ku jam?!
Dhe prej Yllkës mori një përgjigje gjithë ashpërsi:
- Ti je gjithmonë prapa tij!
Kujtimi përherë e më tepër shton ambicien, por bashkë me të shtohen dhe ngarkesat emocionale... Ai përjeton një jetë të trishtë, gjer në kufijtë e zbrazëtisë… Përgjatë vitit të fundit të shkollës së mesme, miqësia tashmë e konsoliduar midis dy shokëve mbeti e njëjtë në të gjitha aspektet, me përjashtim të sektorit të pikturës, gjë që secili e pranonte brenda vetes me pikëllim faktin se pikërisht dashuria për artin, perfeksionimi në pikturë që duhet t’i afronte, realisht po i largonte përherë e më tepër nga njëri-tjetri. Në takime midis shokësh apo vlerësime objektive të pedagogëve ndaj talentit të Anestit, me delikatesë e mjeshtëri, Kujtimi nuk mund të ishte i pranishëm… sajonte ndonjë arësye që justifikonte mungesën e tij .
Rruga e shkollimit të lartë për të dy ishte e njëjta: Instituti i Lartë i Arteve në degën e pikturës, arti pamor. Atje u diplomua edhe Kujtimi, duke u gjendur i fundit në listën e konkuruesve, por marrëdhëniet midis tyre nuk mbetën të mëparshmet, edhe pse Anesti nuk reshti përpjekjet për të mos i zbehur ato. Mundësia e njohjes me shoqe e shokë të rinj nga i gjithë vëndi e favorizonte Kujtimin që të mos binte në sy reagimi i tij shpirtëror dhe përjetimi i një ndjesie të hidhur, sa herë që shihte vlerësimin në rritje të talentit të Anestit…
Yllka nuk mundi të vazhdonte studimet e larta, pra nuk ishte e pranishme midis grupit të studentëve, dhe Kujtimi nuk donte të kishte informacione për vazhdimësin e lidhjes me shokun e tij, gjë që realizonte të përjetuarit e vuajtjeve. Kështu, pas përfundimit të shkollës, ai nisi të punonte si mësues vizatimi në një shkollë të qytetit të tij. Anesti vazhdoi pikturën në krijimtari të lirë, bazuar dhe favorizuar në vendimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, një prej treguesve të vlerësimit të lartë për krijuesit në sferën e artit. Pikturat cilësore kryesisht i blinin institucionet përkatëse të kohës, ndërsa për individët kjo mundësi po bëhej përherë e më e pakët…
Si mësues, Kujtimi merrte një pagë të thjeshtë, ndaj dhe kushtet e jetesës nuk qenë në nivelet e duhura. Në vitet e para të tranzicionit u mundësua një jetë ekonomike më e mirë, por jo pa vështirësi. I ati, njeri punëtor, i mençur dhe praktik, pavarësisht shkollimit, zgjodhi rrugën më të mundimshme, por fitimprurëse në linjën e aktivitetit tregtar. Ai ishte një nga emigrantët që kish kapërcyer mbi muret rrethuese të ambasadës dhe, bashkë me dy shokë të tjerë, provuan të ecnin në rrugë të panjohura e të rrezikshme, por pas tre vjetësh rezultatet e para po dukeshin premtuese, duke përmirësuar ndjeshëm parametrat e jetës së përditshme në familje. Bëri përpjekje të tërhiqte në atë sektor edhe të birin, se e kishte të qartë plotësisht (ndonëse nuk qe profesionist në fushën e artit) shkallën modeste të nivelit krijues të Kujtimit, i cili e kundërshtonte forcërisht, me bindje se zotëronte talent, zotëronte prirje të një piktori ende të panjohur dhe se, së shpejti do të ishte një krijues që… njeherazi i biri, Kujtimi, nuk pranoi të ishte njëri nga bashkëpunëtorët e të atit në fushën tregtare…
Anesti, pavarësisht situatës ekonomike jo favorizuese ju përkushtua krijimtarisë çdo ditë e më tepër. Pikturonte me pasion, jo rrallë u dhuronte me kënaqësi të natyrshme miqve punime artistie realizuar nga të tijat. Pas një pune intensive disavjeçare, e gjykoi të arsyeshme të hapte një ekspozitë në qytetin e lindjes. Për më tepër, dëshironte të ishte i aprovuar më pas si pjesëmarrës në një ekspozitë ballkanike, planifikuar të hapej në Konstanca të Rumanisë. Anesti kishte ideuar realizimin e një peizazhi me bukuritë përrallore në afërsi të qytetit, saktësisht në kodrat e Apolonisë. Punimet më të mira me peizazhe nga qytetet shqiptare do të ekspozoheshin në atë ekspozitë ballkanike dhe kjo ishte një shtysë e fortë për Anestin, për pjesëmarrje dhe synime të përfaqësimit dinjitoz, pse jo për të konkuruar me një qëllim , të dilte më i miri.
II
Profesor Vilsoni, Piktor i Popullit, njëri nga auroritetet e artit pamor, ishte caktuar për vlerësimin dhe përzgjedhjen e punimeve të piktorëve të rinj për në ekspozitën ballkanike. Shumica e punimeve, kryesisht peizazhe, ishin të një cilësie të lartë, sa ai qëndronte gjatë para një pikture, aq sa po dukej i vështirë kalimi në tjetrën pasardhëse. Dy portrete pranë e pranë, njëri autoportret i Anestit dhe disa hapa më tej një tjetër djalosh me nënshkrimin “Dy shokë adoleshentë”, e gozhduan profesorin. Pikërisht niveli tejet profesional dhe artistik i Profesor Vilsonit mundësonte përshkrimin dhe zbërthimin e dy portreteve, duke zhbiruar karakterin e secilit person. Tek autoportreti spikaste burrëria, ndërsa te portreti i adoleshentit tjetër prezantohej me shumë mjeshtëri njeriu ambicioz. Natyrisht, kur e shihje gjatë, përmes thellimit artistik në subjektin e përzgjedhur, të lindte dëshira për t’i njohur personat përkatës. Ishin pikërisht këto dy piktura, të realizuara me mjeshtëri, frymëzim dhe plot talent, që tërhiqnin edhe vëmëndjen e vizitorëve të shumtë.
Fakti që Prof. Vilsoni vizitonte Galerinë e Arteve me pikësynimin profesional mbi të cilin do të realizohej vlerësimi për përzgjedhjen e pikturave, e bënte atë të vëmendshëm ndaj çdo detaji dhe qëndrimi të vizitorëve. Profesori vuri re një djalosh i cili përshkoi sallën disa herë dhe u ndal paksa më gjatë para autoportretit të Anestit. Dukej se ai djalosh përjetoi një pështjellim ndjesish, çka sikur ju shfaq dhe së jashtmi, duke i hedhur një vështrim paksa përbuzës autoportretit të Anestit, teksa i hodhi një vështrim, më të shkurtrin e mundshëm. Më tej, i njëjti djalosh bënte ecejaket në piktura të tjera, kryesisht në katër prej tyre, por mbi të gjitha rikthehej tek autoportreti. Pa e kuptuar as vetë, Prof. Vilsonit i lanë gjurmë në kujtesë qëndrimet e diferencuara të djaloshit në galeri…
III
Një ngjarje e hidhur, e rrallë dhe prekëse shqetëson qytetarët. Ishte një veprim banditesk ajo që ndodhi në galerinë e piktorit të talentuar Anesti, me moshë rreth të 25-ve dhe i vlerësuar në qytetin e tij, njëherazi pjesëmarrës në ekspozita të organizuara në bashkëpunim me të tjerë kolegë. Këtë herë, Anesti ishte prezantuesi i vetëm i punëve të krijuara prej duarve të tij në ekspozitën individuale njëherazi duke u ndodhur në një pozicion paksa të vështirë midis kënaqësisë së energjive të një pune intensive për realizimin e tyre dhe nivelit të vlerësimit aktual, sepse bazuar në të tjera shkallë do të mund të realizonte dhe siguronte një vijimësi që pikturat e tij do të mund të ekspozoheshin në muret e mermerta, të larta të salloneve madhështore në galeri pikturash evropiane…
Ishte muaji shkurt. Ekspozita, herët në mëngjesin e ditës së tretë të hapjes, gjendet e shkatërruar. Ky veprim tejet i shëmtuar as qe parë e as qe dëgjuar më parë. Gjithçka kishte filluar dhe përfunduar gjatë natës. Nga këqyrja fillestare kuptohej qartë se ngjarja ishte e planifikuar, prezantonte realizimin e një objektivi të qëllimtë, një veprim i menduar mirë, i studiuar me imtësi për t’u përfunduar me kujdes, pa lënë gjurmë, gjithçka të kryhej brenda mjedisit të saj, duke u futur nga mbrapa, pa e prekur fasadën në të cilën gjendej dera e jashtme, e gjerë dhe e përpunuar me mjeshtëri artistike, si të ishte e para që jepte informacione për çka pritej të shihnin vizitorët pas saj. Ekspozita ishte organizuar në njërën prej banesave në radhën e hyrjeve të katit të parë të një godine 6-katëshe, të ndërtuar në një rrugë të gjerë, shumë afër me qendrën e qytetit dhe pozicion paralel me rrugën kryesore përshkuese përmes qytetit. Galeria përfshinte një sipërfaqe të gjerë, realisht bashkësi e dy apartamenteve banimi të modifikuara në një të vetme, që plotësonte më së miri kushtet e ekspozimit në mure të pikturave të shumta. Brenda saj, një sektor i vogël funksiononte si qendër takimi midis të njohurve. Ai mjedis i vogël me funksionin e një holli i krijonte mundësi dikujt të shprehte opinionet e tij, pavarësisht nëse e kishte profil pune pikturën apo thjesht ishte një person admirues i artit, veçanërisht degën e pikturës.
Vizitorët ishin të shumtë. Largoheshin shoqëruar me mbresa positive; disa prej tyre këto mbresa i linin të shkruara në një libër përshtypjesh. Galeria qëndronte hapur paksa në kohë më të zgjatur se zakonisht, si paradite dhe mbasdite vonë, gjë që po e impresiononte krijuesin e saj dhe dashamirësit e artit. Dihet se vizitorët në galeritë e arteve, pavarësisht aktivitetit krijues të një personi, realizuesit, vendit dhe kohës së ekspozimit të saj, prezantojnë një qëndrim gati të ngjashëm midis tyre, si të ishin mirëkuptuar më parë, që të ecnin me hapa të ngadalshme përgjatë murit, ku pikturat në madhësi dhe me përmbajtje të ndryshme ia linin radhën njëra-tjetrës…
Pothuajse të gjithë i ndalnin hapat para një pikture të përkryer, bazuar në subjektin, harmoninë e ngjyrave, mjeshtërinë e punimit, përparësia e të cilave i përkiste aftësisë krijuese dhe në respektim të raportit imagjinatë-realitet. Si të zotëronte një forcë tërheqëse të brëndshme, ajo i ndalte vizitorët përballë vetes; nëse personi ishte i shoqëruar ata shkëmbenin disa fjalë me zë të ulët, ndërsa periudha më e zgjatur i takonte një shkëmbimi të pazëshëm mendimesh mes tyre, akordimi i të cilave faktohej me përkulje të lehtë të kokës…
Shqetësimi për dëmtimin e galerisë ishte i thellë dhe zaptoi shumë njerëz, jo vetëm ata që ishin të lidhur me artin apo punonjësit e policisë dhe drejtësisë, por edhe qytetarë të ndershëm. I befasuar e paksa i tmerruar, Anesti iu shmang kontaktit dhe bisedës me kolegët. Ai rrinte i menduar, tërësisht në heshtje, pa shqiptuar asnjë fjalë të vetme, pa bërë as më të voglin koment. Në fytyrën e tij të zbehtë lexohej pikëllimi, kishte një shikim të lagur e thuajse të ngurtë, buzët të shtrënguara fort dhe disa bula të imëta djerse I ishin shfaqur në ballin e lartë dhe në pëllëmbët e duarve. Befas, përpara tij u shfaq Prof. Vilsoni, që e shtrëngoi fort në gjoks, i heshtur e pa thënë asnjë fjalë. Tejet i ligështuar, Anesti nuk po u besonte syve kur gjeti të hequra nga kornizat, të grisuar në copëza të vogla dhe hedhur mbi pllakat katrore të çimentos pesë nga pikturat më të vlerësuara të tij, ndërsa katër të tjera të dëmtuara pjesërisht; mbi autoportretin e tij kishte shkarravina të shumta lapsi - gjithçka e ndodhur gjatë asaj nate dimri me stuhi dhe rrebesh të pandalshëm…
Prof. Vilsoni u largua paksa nga Anesti. Përballja me faktin e trishtuar i mundësonte profesorit vetëm ecje të përsëritura brenda mjedisit të hollit. Ndërkaq, kujtesa e freskët, si pjesa përbërëse më e rëndësishme e talentit të jashtëzakonshëm, ndiqte saktësisht hapat e vizitorëve para syve të tij, të pandara me kohën e qëndrimit dhe shprehjen përkatëse të fytyrës, përballë secilës pikturë të soditur prej tyre. Këtë analizë të brëndshme, thirrje të kujtesës, e shihte si një ndihmëse për t’u ndalur pikërisht mbi personin-vizitor, të dyshuarin e mundshëm. Shpejt u kthjellua, pasi zgjodhi njërën nga pikturat e grisura, afroi dhe bashkoi copëzat, duke folur i trishtuar:
- Pohoj sinqerisht se talenti yt, durimi dhe optimizmi, së bashku në një përbërje të vetme, do ia dalin përsëri, por jo pa vështirësi. Kjo pikturë do të ishte e denjë për në ekspozitë dhe unë mendoj se ti Anest ke akoma kohë ta riprodhosh me sukses!
Një çast emocional për të pranishmit që dëgjuan profesorin, teksa në sytë e Anestit, si të ishte momenti i shkrepjes së një flake të brëndshme, u rrezatua një ndjenjë mirësie, shoqëruar me falënderim të çiltër për zemërmadhësinë dhe qëndrimin mbështetës e njerëzor të Prof. Vilsonit.
Pas dëmtimit të galerisë, shtroheshin pyetje por pa përgjigje:
“Kush mund të jetë autori? Pse u krye ky veprim i ulët?” - duke mbetur në pritje të mundësisë së zgjidhjes së situatës, ndërsa Prof. Vilsoni po mundohej ta gjente përgjigjen brenda vehtes duke bërë pyetje të panumërta. Befas, si një dritëz orientuese për dielmat e tij, iu kujtua diçka nga ditët e kaluara. Përgjatë pasdites së dytë të hapjes së galerisë, atij i kishte tërhequr vëmendjen një person me moshë të re, pikërisht një djalosh që kishte përshkuar disa herë hapësirën e sallës, por që dukej se nuk kishte interes të qëndronte, të vlerësonte dhe të shijonte bukurinë e pikturave. Më tepër ngulte ca shikime në të cilat nuk fshihej ndjenja e përçmimit. Pa e kuptuar as vetë, Prof. Vilsoni po shihte një ngjashmëri, apo më saktë shëmbëlltyrën e djaloshit me njërin nga portretet e adoleshentëve të pikturuar nga Anesti dhe sepse i lindi një ndjenjë dyshimi... Të ishte vallë pikërisht vizitori ai që prezantohej në atë portret adoleshent të pikturuar nga Anesti, ku në cepin e djathtë, në fundin e pikturës lexohej “Shoku i fëmijërisë”? Çuditërisht, portretin real e shoqëronin një larmi ndjenjash negative, në pamundësi të fshihnin brendinë e tyre, favorizuar nga qëndrimi para tij më gjatë nga sa qëndronin zakonisht vizitorët. Dyshimi mbështetej edhe në realizimin e përkryer të pikturës, një fakt i pamohueshëm për njohje midis personash apo një pozim i paracaktuar. Një episod jete i pashpjegueshëm. Më e veçanta e atyre çasteve për Prof. Vilsonin ishte edhe momenti i shkëmbimit të shikimit me të panjohurin, një rastësi e padiskutueshme, sepse, natyrisht edhe për të do të ishte diçka negative, nëse do të mund të mësonte se brenda atyre sekondave ai po transmetonte rreth vetes më të lartën shkallë të urrejtjes, prezantuar me një shkëlqim të egër të syve me ngjyrë të errët përzier me nuancën gri të theksuar, prej të cilëve dukej se nga çasti në çast do shpërthente një krismë. Ç’ish vallë ai qëndrim i djaloshit para një pikture, për të cilën, edhe nëse ishte plotësisht i bindur se i përkiste atij personalisht, atëherë shkalla e lartë profesionale, realizimi artistik prezantues, duhet ta bënin krenar? Por realisht ishte krijuar një perceptim i jashtëm se personi kishte pasur pështjellim dhe ndjesi jo pozitive ballë asaj pikture. Gjithçka ishte ndjekur me mprehtësi dhe objektivitet nga Prof. Vilsoni, i cili e kishte realizuar detyrën e vet me ndërgjegje në përzgjedhjen me objektivitet të punimeve artistike për ekspozimin e tyre në galeri jashtë vendit tonë por rrjedha e ngjarjeve e detyroi të qëndronte më gjatë me qëllim të ndihmonte në zbulimin e keqbërsit dhe arsyet nxitëse të këtij veprimi të shëmtuar. Galeria ishte në pritje të vizitorëve për katër ditë, por gjatë natës të dytë dikush futet nga dera e pasme dhe procesi u ndërpre…
Të nesërmen, ngjarja e pazakontë emocjonoi banorët e qytetit, për më tepër njerëzit e artit, të çdo dege. “Ai njeri, dëmtuesi, nuk ka ardhur nga jashtë, është këtu midis nesh. Kush mund ta bënte një veprim të tillë çnjerëzor?” - ky ishte shqetësimi i këtyre njerëzve. Sigurisht, organet përkatëse të drejtësisë nisën pa vonesë punën e tyre me korrektësi. Njëherësh edhe institucionet vendore u treguan në gadishmëri të plotë, por qëndrimi i prerë i Anestit për të mos ndihmuar në zbulimin e autorit, shoqëruar me një vuajtje të thellë shpirtërore, po prezantohej lehtësisht në fytyrën e tij me pamje burrërore dhe nuk ndihmonte në identifikimin e autorit. Premtonte në vetvete për të ecur përpara, por e përjetonte keqardhjen e thellë, të brëndshme për autorin, nuk kishte asnjë dyshim për të, njëherazi dukej tepër i vendosur për të mos u dorëzuar, të mos bënte të ditur personin keqbërës, edhe pse e njihte së afërmi prej shumë vitesh…
Në takimet e përsëritura brënda asaj dite, Prof. Vilsoni i qëndronte pranë, si të ishte vëllai i madh i Anestit. Njëri qytetar me emrin Roni ishte i dhënë pas piktures, sikurse një shok i tij që nuk i ndante librat nga duart, por ai asnjëherë nuk kishte pasur guxim të merrte në duart e veta një penel, pasi ta zhyste në një enë të vogël me bojë të çfarëdo ngjyre e të provonte shkarravitjen më të vogël në një kanavacë të bardhë që pa dashje e shkonte shpesh nëpër mend, por këtë mungesë e kompensonte sapo i krijohej mundësia. E vetmja gjë që mundej t’i dhuronte vetes, ishte përsëritja e vizitave në galerinë e Anestit dhe, pasi kishte përfunduar admirimin e gjithë pikturave, mbresat pozitive mbeteshin gjatë brënda shpirtit tij. Më e veçanta për të ishin ato të paraqitjes së luleve në kopshte natyrale.
Çuditërisht, në njërën nga mbasditet e frekuentimit të galerisë, i tërhoqi vëmendjen një person me moshë të re. Pa e kuptuar as vetë po vinte re një ngjashmëri me njërin nga adoleshentët e pikturuar nga Anesti. Kishte dyshuar se në perfeksionin e pikturës ndikonte edhe fakti i pamohueshëm që, gjysmën e tij, pra njëri nga djemtë e rinj, të mund të ishte një autoportret. Dhe ja, po shihte pranë vetes shëmbëlltyrën e adoleshentit tjetër. Një rastësi e pashpjegueshme?
Roni ishte njëri nga qytetarët më të pezmatuar dhe në bisedën me Prof. Vilsonin e mahniti përputhja e mendimeve për dëmtuesin. Gjithashtu, koha e qëndrimit të tij pranë tablove dukej paksa më e zgjatur se qëndrimi i zakonshëm për çdo vizitor. Më e veçanta e atyre çasteve për Ronin ishte momenti i shkëmbimit të shikimit me të panjohurin, një rastësi e padiskutueshme, sepse, natyrisht edhe për të do të ishte diçka negative, nëse do të mund të mësonte se brënda atyre sekondave ai po trasmetonte rreth vehtes më të lartën shkallë të urrejtjes të prezantuar me një shkëlqim të egër të syve me një nuancë gri të theksuar, prej të cilave dukej se nga momenti në moment do të shpërthente një krismë rrufeje. Pse vallë një qëndrim i tillë i një djaloshi para një pikture, për të cilën, edhe nëse ishte plotësisht i bindur se i përkiste atij personalisht, bukuria dhe shkalla e lartë profesionale me të cilën e kishin prezantuar, do ta bënin domosdoshmërisht krenar? Ronit nuk mund t’i shpëtonte ky element i vlefshëm.
Një dëshmitar okular, banor në godinën disa metra tej portës së pasme të galerisë, i moshuar, vjen mbështetur në bastun të dëshmojë vullnetarisht krahas kërkimeve të shumta dhe të vështira për disa arsye. Midis tyre i pashpjegueshëm ishte fakti që personi i dëmtuar drejtpërdrejt nuk po bënte asnjë denoncim. I moshuari tregoi se rastësisht kishte ndjekur ngjarjen. Pohoi se vuante nga mushkëritë, sëmundje që e detyronte të qëndronte gjatë në ajrin e freskët të natës, pavarësisht stinës, kishte pagjumësi dhe, duke shpresuar të gjente një ndihmesë të vogël, kalonte nga dhoma ngjitur në ballkonin e vogël ku kishte përshtatur një divan dërrase për t’u ulur dy-tri orë. Ambientin e rrethonin disa shufra hekuri, midis tyre funksiononte një dritare e madhe, ku hapja e kanateve i plotësonte kërkesat për ajrin e freskët dhe i dhuronte një pamje të këndshme së larti. Pikërisht ishte pensionisti që ndoqi rastësisht me kuriozitet dhe shqetësim lëvizjet e dyshimta të një personi mashkull me konstrukt të fuqishëm. I kishte tërhequr vëmëndje zhurma e thyerjes së xhamit, kryesisht shkolitja me forcë e katrorëve të hekurit mbrojtës në derën njëkanatëshe, hapësira dytësore. Ramizi, moshatar i repektuar për korrektësinë e tij, dikur punonte economist. Kur mësoi se ngjarja po hetohej dhe u bëhej thirrje qytetarëve që, nëse mund të kishin ndonjë informacion të rastësishëm rreth ndodhisë në galeri në lagjen e tyre (hapur nga piktori Anest e me vizitorë të shumtë përgjatë dy ditëve), të ndihmonte në procedurat hetimore, më e pakta përshkrimi i mundshëm i konstruktit të personit shkaktar, ai pranoi i ndërgjegjësuar të ishte dëshmitar në hetime, nëse ishte e nevojshme dëshmonte. Argumentimi i thellë dhe i pa anshëm i Ramizit i emocionoi të pranishmit atë mbasdite të mbledhur brenda galerisë, ku ende ruheshin gjurmët e veprimit banditesk; njëherazi e rritën vlerësimin për një pensionist me qëndrim objektiv, pavarësisht se ngjarja nuk kishte lidhje me personin e tij. Dukej qartë se nuk bëhej fjalë për dëmtim me vlerë ekonomike për Anestin apo komunitetin; realisht ky shihej si një nëpërkëmbje e dinjtetit njerëzor nëpërmjet dëmtimit të jetës private të një artisti piktor dhe dihet mirë që arti është një nga përbërësit bazë të shoqërisë njerëzore, pa shoqërimin e të cilit ajo do të mbetej në kufijtë e egërsisë…
E miratuan në heshtje se arti nuk njeh pronësi të askujt… Fatmirësisht punët po ecnin në drejtimin e duhur. Një tjetër qytetar kishte rastisur të kryqëzohej në kthesën e rrugës, kur shpejtësia e largimit të keqbërësit e detyroi të përshkonte një pellgaçe me ujë, dhe ajo i kishte shkaktuar një rrëshqitje nga biçikleta, anim të personit mbi të dhe një moment rrëzimi, përgjatë të cilit kapuçja maskuese e mënjanuar mundësoi shfaqjen e një fytyre djaloshare me tipare të spikatura, tërheqëse, të dallueshme nga llamba elektrike në kryqëzim të rrugës kryesore me dytësoren. Kështu, plotësuar me informacione të tjera, u saktësua emri i personit përgjegjës. Veprimi i tij përmbushte kushtet të gjykohej e dënohej konform ligjeve të drejtësisë, gjë që Kujtimi e pranoi pa më të voglin kundërshtim...
Përgjatë zhvillimit të gjyqit, që nga përmbajtja u konsiderua i pazakontë, pyetjeve të protokollit Kujtimi iu përgjigjej saktë, prerazi, pa më të voglën brerje ndërgjegje:
- Po, unë jam autori i këtij veprimi të shëmtuar, por… isha i nxitur, i detyruar për disa arsye… E kam të vështirë t’i shpjegoj… Nuk mund të pranoja e nuk duroja dot që Anesti të hapte ekspozita, të ishte pjesëmarrës jashtë vendit, kur mua m’i kanë refuzuar punimet… Ndonjëherë e miratonin një pikturë timen si të më falnin një lëmoshë… Me piktorin njihemi nga mosha fëmijërore, në të njëjtin kopsht e shkollë shtatëvjeçare, të mesme në degën artistike… Tërheqja ndaj pikturës u bë e dukshme për të dy që në fëmijëri, me të vetmin ndryshim se unë shkarravisja disa herë në një fletë të bardhë dhe përsëri nuk e plotësoja kërkesën që më kishte nxitur, ndërsa Anesti me shpejtësi e realizonte saktë; nxënës klase, shokë, por fatkeqësisht unë nuk fitova për të ecur më tej. Në të lartën isha i bindur se mund të mos renditesha as i fundit në konkurs dhe as sot e kësaj dite nuk mundem ta kuptoj si munda të isha njëri nga studentët e kursit... Ndihesha i braktisur, i pikëlluar, sidomos kur u binda se mund të isha ndier më komod në një degë tjetër arti, mbase si model… Realisht kisha përzgjedhur degën e artit të pikturës, por me vështirësi pranova se nga dita në ditë po pozicionohesha në skajin e kundërt të saj… Me kalimin e viteve po qartësoja brënda vehtes se kisha probleme shpirtërore; thjesht nuk shihja rezultatet modeste të punës sime, sepse dita për mua fillonte e mbaronte me shkallën e arritjeve të Anestit, që shpejt u kthyen në njësi matëse. ----Brënda meje po merrte përmasa filizi i ndjenjës së xhelozisë, që më shkaktonte pështjellime të shumta, dhëmbje të thella në brëndësin e zemrës sime për të cilat jam i bindur se janë më të fuqishme se ato të lidhura me një sëmundje organike të saj, të cilat, me siguri do t’i pranoja pa kundërshti... Sot po më jepet mundësia të përmbys para vehtes dhe para jush gjithë skutat e errëta të shpirtit tim të mbushura me ambicie, pas të cilave mbase mund të ndihem paksa më i lehtësuar. Nisa punën si mësues vizatimi, njëherazi ndihmoja babanë në sektorin e tregtisë, saje të cilit gjendja ekonomike e familjes sonë e tejkalon nivelin mesatar, por si ndihem unë?... Sepse nuk po jetoj dhe gëzoj normalisht jetën time… E meritoj dënimin, cilado qoftë shkalla e tij. Njëherazi dua t’ju falënderoj për faktin se do përpiqem të bëj kthesë në jetë. Mendoj se, nëse dëshiron t’i shkaktosh vuajtje dikujt, krijoji atij ndjenjën e xhelozisë dhe atëherë je i sigurt se përmasat e dhimbjeve shkaktuar prej saj ende nuk e kanë gjetur njësinë matëse… Pa e kuptuar arsyen e vërtetë, Yllka e zgjuar dhe bukuroshe, e dashura ime, u largua prej meje, gjë që ende po e vuaj dhe nuk po mundem ta justifikoj por nuk mund të bëj fajtor Anestin. Pikërisht aftësia e saj depërtuese në botën time shpirtërore i shpjegonte gjithçka rreth meje, ndonëse unë përpiqesha ta fshihja… Argumentet bindëse nuk mjaftojnë… Pika kulminante e gjendjes sime të rrënuar psikologjike arriti para disa kohe, kur një i njohuri ynë me ironi më sugjeroi:
“Mos vallë do të ishte më e dobishme për ty Kujtim të punoje si një bojaxhi? Të paktën do të siguroje ambiente të këndshme dhe punë të vlerësuar”.
Në mënyrë të pakuptueshme po humbisja qetësinë, po ndihesha i tjetërsuar dhe xhelozia po më fundoste. U binda se shkalla më e lartë e vuajtjeve të qenies njerëzore nuk është ajo fizike, por gërryerja e shpirtit vetëm prej ndjenjës së smirës, forca e të cilës është e pamatshme… Pema gjigante e smirës brenda meje nuk mund të mbahej gjatë në këmbë, rrënjët e saj u vetëshkulën e ja ku ndodhem… Si dhe herë të tjera, Anesti e tregoi veten dinjitoz, me karakter burrëror. Pikërisht dora e zgjatur prej tij më ngriti nga ku isha zhytur. I jam mirënjohës, sinqerisht! Pranoj çfarëdo dënimi, e meritoj dhe jam i bindur se Anesti përsëri do të më ndihmojë. Ai mbetet udhërrëfyesi im...
Dukej një rrëfim i sinqertë dhe prekës. Të dy shokët i ngulën vështrime të përvuajtura njëri-tjetrit, ku dashuria dhe ndjenja e faljes flisnin pa shqiptuar asnjë fjalë të vetme dhe mençuria i këshilloi të kthenin kokën lehtazi për të mos lejuar ravijëzimet e lotëve…
* * *
Një ngjarje pothuajse fantastike, tepër mbresëlënëse për artistët dhe njerëzit e thjeshtë të pranishëm (vetëm Anesti e dinte, sigurisht Prof. Vilsoni, për mrekulli, e kishte kuptuar; tashmë një miqësi e konsoliduar me piktorin dhe pikërisht i pranishëm në respekt të vlerësimit të punës së tij dhe jo në përcaktuesin e piktorit përfaqësues në ekspozitat jashtë vendit si më parë). Piktori vazhdonte me përkushtim punën krijuese dhe përgjatë saj bën një befasi. Në ekspozitën pasuese, një nga punimet ia adresoi Kujtimit, si pjesëmarrës në ekspozitë. Pikërisht në çastin e përurimit Kujtimi me sinqeritet dhe kurajë admiruese iu drejtua vizitorëve:
- Kjo pikturë nuk është puna ime, është e Anestit. Ai po dëshmon të gjithë dashurinë që ka ndaj meje, pavarësisht aktit mizor që unë kam kryer rreth një vit më parë… Talenti është i lindur bashkë me Anestin. Sado që më dhurojnë në emrin tim një punim të këtij talenti, unë nuk jam autori; emri i vërtetë është Anesti, piktor me aftësi krijuese të jashtëzakonshme, njëherazi, njeri zemërgjerë, i mënçur, realisht idhull për mua…
Comments