top of page

Alma Gjelaj Shkoza: O e mjera Shqipëri

  • Jun 6
  • 2 min read

Poezia “O e mjera Shqipëri” e Alma Gjelaj Shkozës sjell në kujtesë jehonën e fuqishme patriotike të vargjeve të rilindësit të madh Pashko Vasa. Ashtu si te thirrja e famshme e Vasës, edhe këtu Shqipëria personifikohet si një nënë e lënduar që vajton largimin e bijve të saj. Autorja e ndërton ligjërimin poetik mbi mallin për vendlindjen, duke e kthyer emigracionin në një temë të dhimbshme kombëtare, ku largësia fizike nuk arrin ta shkëpusë lidhjen shpirtërore me atdheun.

Në planin tematik, poezia mbështetet te vlerat tradicionale shqiptare – besa, burrëria, gjuha dhe dashuria për tokën mëmë. Këto motive janë të afërta me frymën e letërsisë së Rilindjes Kombëtare, ku poezia nuk ishte vetëm art, por edhe thirrje për vetëdije kombëtare. Autorja shpreh shqetësimin për humbjen e identitetit në mërgim dhe përmes pyetjeve retorike synon të zgjojë ndërgjegjen e lexuesit, duke i kujtuar se rrënjët kulturore dhe kombëtare mbeten pjesë e pandashme e qenies shqiptare.

Vepra fiton vlerë të veçantë pikërisht sepse ringjall, në rrethana moderne, mesazhin e pavdekshëm të Pashko Vasës: dashuria për Shqipërinë nuk matet me largësinë gjeografike, por me besnikërinë ndaj gjuhës, kulturës dhe kujtesës historike. Në këtë kuptim, poezia e Alma Gjelaj Shkozës mund të lexohet si një vazhdim bashkëkohor i asaj tradite patriotike që kërkon jo vetëm të kujtojë atdheun, por edhe të ruajë gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare te brezat e sotëm dhe të ardhshëm. (F. T.)

 

Alma Gjelaj Shkoza: O e mjera Shqipëri

 

O Shqipni, e mjera Shqipni

 

O Shqipni, e mjera Shqipni,

ishe zonjë e randë, me djemtë e tu pranë.

Kush të mallkoi, moj e mjera Shqipni,

që djemtë e tu s’po duan me u kthye?

 

Në emigrim ata tash kanë shkue,

se edhe të parët e kanë thanë:

Ngado që të shkoni, vendin tuaj do ta kërkoni,

o ju bijtë e shqiptarisë.

 

Ktheni kokën nga keni le,

bëhuni bij të denjë për atdhe.

Harruat gjuhën tuaj, mësuat të huajën,

ah, Shqipni, e mjera Shqipni!

 

Se harruan besën dhe burrninë,

na mundi vrasja dhe pabesia.

Ku e latë besën dhe burrninë?

Le ta marrë vesh e gjithë shqiptaria.

 

Po nga jeni ju, o mërgimtarë?

Kthehuni në vendin tuaj, atje ku keni qarë.

E zërat tuaj le t’i tundin malet anë e mbanë,

se ju, o mërgimtarë, zemrën në një anë të Shqipnisë e keni lanë.

 

Se shpirtin dhe zemrën në Shqipëri i keni,

se tokën mëmë ju kurrë nuk e lini.

Se edhe të parët e kanë thanë,

se toka e huaj nuk ju bëhet nanë.

 

Zërat tuaj le të kundërmojnë,

që shqiptaria të lulëzojë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page