top of page

ALI PASHAI DHE 16 “KAPEDANËT”


…Aliu gjithë inat Ç`të dërgoi një mandate. “Falu Shën Vasil i shkretë, Se do ti prish djemtë, Që janë gjashtëmbëdhjetë”. Ç`u mblodh të gjithë te rrapi. Foli kapedan Sokrati “Na zuri taksirati, Le të vijë po i`a mbajti”…

Pashai i ri i Janinës nuk kishte arritur akoma në apologjinë e fuqisë së tij. Legjendën e kishte filluar, por kishte krahina që po ruanin akoma një fare autonomie… …Fillimisht u pranua një armepushim i shkurtër. Me Shën Vasilin që Aliu e kishte pengesën më të madhe, bëri një mareveshje. Për siguri, ai u kërkoi kapedanëve dhe pleqësisë të atij fshati, gjashtëmbëdhjetë djem si pengje.

…Kishin kaluar mbi shtatë vjetë që ishte në krye të sundimit të Pashallëkut të Janinës, kur një mëngjes kishte mbërthyer me gishtërinjtë e gjatë e të bardhë, gurët e bedenave të kalasë dhe shikimin me sytë si të gjarpërit, e lëshoi në gjithë gjatësinë e maleve të Pindit. Pastaj ato i kulloti mbi liqenin si pasqyrë e errët, mbi Litharicën dhe ndriçim i morën sytë kur mendoi konkubinat e haremit. Ndjeu kënaqësi sepse edhe në seks ishte i pangopur, ashtu si edhe me florinjtë. Në anë të liqenit, pranë portës së kalasë, ishte e lidhur varka e tij e stolisur. Pastaj pamjen e shtriu përmbi qytet. Janina në ngjyrë hiri me pak jeshile, ku mbizotëronin muret e vjetër prej guri, shtrihej në një gjatësi ku Pashait i`a ngrohu zemrën. Ishte Pasha. Një sundimtar absolut. Mbizotëronte dhe vepronte si të donte jo vetëm në atë qytet, por edhe më lartë e më poshtë. Pranë i qëndronin anëtarët e këshillit të lartë ( divani) që përbëhej nga dy djemtë e tij, Muktazi dhe Veliu. Thanas Vaja vëllai i qumështit, Jusuf Harapi, Meço Bono, e shumë të tjerë besnik e gjoja trima. Zëri I gëzuar i Jusufit e shkëputi nga mendimet, i cili e njoftoi. “Pasha dolën nga muret e kalasë”. Aliu zgjati kokën jashtë bedenave. Mjekra e zbardhur që i përfundonte me majë, i mori një hark, dhe nduku një pjesë të mustaqeve. Zëri i Thanasit e tërhoqi në drejtqëndrim. “Ja edhe gjashtëmbëdhjetë kapedanët e Shën Vasilit, Pasha”! Thanasi në fjalët e tij nuk tregoi optimizëm si Jusufi që i shkëlqyen sytë e kuq si në perëndim, megjithëse ishte mëngjes. Megjithëse retë kishin ngarkuar qiellin, Pashain e verboi një rreze e shkurtër e diellit, dhe vendosi në vend kapelen rrombullake me ornamente, dhe sytë i hodhi përmbi kapedanët të gjashtëmbëdhjetë, të cilët morën rrugën të lidhur për mezi me të njëjtin litar. Në mes të tyre çapitej duke fshirë sytë më i vogli. Aliu fërkoi duart, pastaj krehu me gishtërinjë mjekrën, por nuk ariti ta hiqtedorën, sepse Thanasi i pëshpëriti pak nën zë. “Mos bëjmë gabim Pasha. Ju e dini më mirë, Por mos do permëndemi për keq dhe akoma më rendë, për dobësi, po të varim këta të gjashtëmbëdhjetë “kapedanë” që nuk janë kapedanë”. Pashai u kthye nga veriperëndimi, andej nga shtriheshin ato fshatra. “I kIsha lajmëruar të mos bënin marrëveshje me atë mburracakun e Delvinës. Në kundërshtim me armëpushimin, ata kërkuan ndihmën e Mustafa pordhës dhe të Kurt purthakut të Vlorës, i cili u menderos, sa dëgjoi që unë jam përgatitur për ti sulmuar me ushtri të madhe. Këtë u a quaj tradhëti Thanas. Për këtë do t`ua prish djemtë”. Të gjashtëmbëdhjetë “kapedanët” po ecnin duke u mbajtur për litari, drejtë litarëve. “Aty tek rrapi i Janinës do ti var. Kam urdhëruar të varen Thanas. Të varen. Të vënë mend dhe të tmerrohen. Sepse kështu si këta do ti var të gjithë. Do ti nënështrojë. Muktazi që i kishte veshët ngrehur se çfarë donte të thoshte i ati, vari kokën. Me dorë krehu mjekrën e zezë të prerë shkurt. Ai kujtoi humbjen e fundit në tentativë për ti nënështruar ato tre fshatra. Kapedan Thanasi e pa me mosbesim për sigurinë e Pashait. Në kohën që vargu i pengjeve ishte larguar pak, për të mos e bërë të shpërthente, i tha me pakë ndrojtje. “I shikon sa të vegjël janë Pasha! Ne tallemi me ta duke i quajtur “kapedanë”. Këta janë fëmijë. Ju e dini shumë mire se ai piciruku që ështe në mes tyre ështe vetëm gjashtë vjeç e pak. Më i madhi është katërmbëdhjetë. Mos ndoshta do ti ngremë në revoltë të gjitha fshatrat e bregut, të Kurveleshit e më tej me këtë veprim. Marëveshjen edhe ne e prishëm Pasha. Armëpushim kërkuam, por përgatitëm këtë ushtri të madhe. Për këtë sulm të papritur u trembën. Më fal për guximin Pasha”. Aliu kërciti dhëmbët, por Thanas Vajën e kishte më të afërt e më besnikun, prandaj e uli zemërimin dhe ja preu shkurt. U tërhoq dy hapa mbrapsht duke liruar dhe duart nga gurët e ftohte të bedenave. Si një mendimtar absolute i divanit, e pa Thanasin me sy të picërruar dhe ju shpreh, por jo i revoltuar. “Dëgjo kapedan Thanasi. Kemi pirë një sisë, por me sa duket je i thyeshëm. UNË E SHIKOJë BOTËN NËPËRMJETË SYVE TË MI, LLOGJIKOJË ME TRURIN TIM, DHE FLAS ME GOJëN TIME. Shumë do ta quajnë një veprim makabër këtë veprim. Ama unë do ti bëjë të gjithë që nga Suli, bregdet e deri në Berat e Vlorë të pirdhen. Nëpër kuvënde e nëpër shtëpi do thonë të gjithë. Kur ai vari dhe fëmijë, neve të rriturve do të na kursej? Do të shtrydhyn brekët nga shurra edhe kapedanët e tyre”. Hodhi sytë nga Jusuf Harapi, por nuk arriti ta pyeste se çfarë mendonte, sepse duke dëgjuar edhe mendimin e Vajës, u shpreh. “Unë nuk kam as më të voglën mëshirë Pasha. Të varen, dhe të shikojnë të gjithë se nuk fal as fëmijtë Pashai i Janinës. Le ti kemi marrë si pengje”. Ali Pasha u tërhoq disa metra larg tyre dhe ju fal Allahut duke ngritur duart përpjetë, Në atë moment që e ndriçoi dhe pakë rrezja e Diellit, veshja e tij me ngjyra të vetëtishme i dha pamjen e një engjëlli i dërguar nga zoti. Mustaqet dhe mjekra i jepnin një hijeshi, si i një mendimtari që zbriti në atë moment për të vendosur drejtësinë njerëzore. Ndoshta ashtu e parafytyruan agallarët e tij, por në fakt ai ishte një xhind i krijuar nga Zoti, ku herë herë shfaqej dhe si engjëll. Ai ishte një xhind që kishte urdhëruar edhe për ti rjepur lëkurën njeriut që ishte kundërshtar i tij. U afrua përsëri tek bedenat të shikonte fëmijte, të cilët nuk e dinin se ku i çonin. Atyre nuk u ishte komunikuar asnjë vendim prokurori apo gjykate. As do tu merrej fjala e fundit. Ishte një vendim vetëm i një njeriu. Ai ishte prokurori, ai ishte gjyqtari, ai ishte avokati. Të varen! Koli i vogël, i cili as nuk dinte se ku i çonin, as nuk kuptonte përse ishte i lidhur me litar së bashku me shokët më të mëdhenjë se ai. Po hapëronte me ato këmbët e vogla duke u mbajtur për dore me më të madhin, i cili ishte nga lagjia e tij, Qeskun. Me dorën tjetër mbahej nga litari I përbashkët. Shikonte të gjithë djemtë që ecnin sipas ritmit të hapave të tij të vockëla kokulur dhe të përlotur dhe e pyeti Qeskun. “Do na varin?”. “Kush të tha”. “Ashtu i dëgjova shokët”. Qesku mbahej më i fortë dhe mundohej te mos e jepte veten. Kujdesej gjithe kohes për Kolin e vogël. Ja kishte lënë amanet i ati si më i madh. Po ecnin dhe rruga deri tek rrapi u dukej e pambarim. Më në fund e panë edhe rrapin. I panë edhe litarët e varur. Qesku i numuroi. Ishin gjashtëmbëdhjetë. Qau duke par Kolin e vogël. Qaujo për vete, por për Kolin. Përderisa ishte edhe litari i gjashtëmbëdhjetë, do të varej dhe ai. Uli pak kokën dhe i pëshpëriti. “Mos u tremb. Ti nuk do të varesh. Nuk ka litar për ti”. E gënjeu, por edhe Koli megjithëse kishte mësuar të numuronte deri në njëzetë, nga dridhja që i kishte mar trupi, i ngatërronte. “Po juve?” Pyetjen e bëri duke qarë. “Nuk i dihet. Fundi nuk dihet deri në sekontën e fundit”. Tahir Abaz beu që qëndronte më pranë Kolit, e dëgjoi bisedën dhe i pëshpëriti. “Mos u tremb ti Koli.” “Po këta?” “Nuk e di çfarë të them”. Koli që në atë moment pësoi tronditje. Fillimisht i dridhej i gjithë trupi. Mendoi se në ato litarë do tu dilte shpirti. Do të mbyteshin. Se si do vazhdonte të reagonte Pashai, kapedanët dhe agallarët po e vërenin dhe ndoshta diçka prisnin. Me dulbitë që kishte në duar po luante si i vogël duke afruar malet e deri tek shtëpitë e hirta. Në qëndër të vargut të djemve dalloi kërthiun e kapedan Shënvasiotit dhe u drejtua nga servileët që e rrethonin. “Do të desha ta shikonte ai kapedani kërthiun e tij, se si do të përpëlitet në litar”. Retë e errëta e kishin mbuluar krejt qiellin e Janinës. Pa pritur një ndriçim i çastit u shtri në qiell dhe bubullima tundi bedenat. Thanasi e këshilloi Pashain të futeshin brënda. “Nuk ka shi”. “Ama ka vetëtima Pasha”. “Mos u tremb Thanas. Na mbron minareja”. “Pasha, ka vetëtima që nuk i mban dot minareja. Nuk i dihet sa i sigurt është ai metali që ështe vendosur në majë të minaresë”. Ndërsa Ali Pashai me rrethin e tij i lan bedenat të ndriçoheshin nga vetëtimat dhe u mbështollën në divan duke parë Pashain se si e thithte argjelenë, grupi i djemve po i afrohej rrapit. Kola po qante duke u dridhur. Për atë lidhje me litar si kapedan, ishte shumë ,shumë i vogël. Duke parë litarët e varur me lak, mund të merret me mend se çfarë ndien djemtë. Ndërsa vetëtimat, sa u shtrua Pashai në divan, u shuan. Vënde vënde dielli lëshonte rrezet. Djemtë po qanin. Më të fortë mbaheshin katërmbëdhjetë vjeçarët. Në krah të djemve kokëvarur dhe shumë i menduar po ecte Tahir Abazi. Shpesh herë ndihmonte Kolën te hapëronte. Ai kishte detyrim karshi djemve, dhe sidomos për më të voglin e kapedan Thanas Shënvasiotit. Ndoshta nuk i ka kaluar me Pashain. Kur ai nuk dëgjon kapedan Vajën që e ka vëlla qumështi dhe më të besuarin, ku pyeste ai për një Tahir Abazi. Ndoshta këto mendonte në ato moment pasigurie që po shoqëronte këta fëmijë dhe po i çonte drejt litarëve. “Janë fëmijë o Zot. Kjo është një masakër e paparë. Si do ta durojë”. Megjithëse i belbëzoi me zë të ulët, Koli i dëgjoi dhe e pa në sy duke lëvizur këmbët e vogla. Tahirit i u drodh mustaqja sidomos kur Koli e pyeti: “xhaxhi Tahir, përse do të na varin neve. Ç`faj kemi bërë. Ne jemi fëmijë”. Tahiri pa e parë në sy, sepse ato tani i kishte hedhur tek rrapi dhe numuroi litarët ku i prisnin kriminelët, ju përgjigj si pa mënd. “Jo juve more djal. Prindrit tuaj. Ata nuk duan të varen nga ne”. Koli që nuk kuptonte e pyeti. “Përse edhe ata doni ti varni?” Jo mor bir. Jo në litar, por të komandohen nga ne”. Tahiri nuk e mbante veten për burr të ndershëm dhe bamirës. Përderisa ishte mbleksur me Ali Pashain edhe ai si të tjerët ishte. Kusar dhe vrasës. Por jo për fëmijë. Ka ndodhur më ndonjë luftë që janë vrarë, ama të çosh në litar në kohë të qetë gjashtëmbëdhjetë fëmijë, dhe ti varësh tek rrapi para popullit, ky veprim nuk i dukej i ndershëm. Populli në kalim shikonin litarët që vareshin në degët e rrapit dhe të gjithë bënin të njëjtën gjë. I numuronin dhe mendonin se kush do të ishin këta të gjashtëmbëdhjetë martirë. Nuk ishte e para herë . Në atë rrap litarët qëndronin varur. Por jo kaq shumë. Nën hijen e rrapit u dhanë urdhër të ndalonin. Rrugët nga të dyja anët plotë me kureshtarë. Kurioziteti u shtua kur vërejtën se drejt litarëve po mbarteshin një grup djemsh, fëmijë, të lidhur me një litar. Sa i ndaluan nën rrap, të gjithë fëmijtë si ishin të lidhur për mezi me litarin e përbashkët, u bënë një grumbull duke përqafuar njeri – tjetrin. Me sytë e përlotur po shikonin litarët e varur. Të gjithë sa i vëzhgonin po qanin sidomos gratë që filluan kujën dhe shkulnin faqet. O Zoti Krisht, kij mëshirë. Ç`po bëhet. U çmënd Pashai. Po përplasnin pëllëmbët, jo për duartrokitje. Ç`është kjogjëmë. Prindrit që kishin fëmijë, i rrëmbenin dhe iknin sa më larg për të mos i parë ata djem kur ti varnin dhe të traugmatizoheshin. Rrëmuja u bë e madhe. Turma po shtohej. Rruga u zhurmua. Nën çdo litar të varur vendosën nga një fëmijë. Përveç njërit. Tahiri tërhoqi Kolin nga grupi dhe e mbante përdore. Të pesëmbëdhjetë djemve u kaluan lakun, ndërsa pesëmbëdhjetë palë duar mbanin shtërnguar litarët. Djemtë sado të forte që të ishin, filluan të qanin. Vetëm Qesku e mbante veten më krenar, por edhe ai me lotë në sy, u foli shokëve. “Mos e jepni veten se jemi burra. Le ta dënojë Zoti Krisht, Ali Pashain. Ta dini se do të na e marrin hakën”. Hyseni ngriti dorën lartë dhe e uli me forcë, në shënjë të zbatimit të ekzekutimit. Trupat i çuan nga toka duke tërhequr litarët. Shumë ulërima u dëgjuan nga grate dhe ju drejtuan Zotit. Shumë gojë ju drejtuan Allahut dhe ranë në gjunjë duke pëshpëritur lutje. “Merru hak o Zot. Dënoi fajtorët”. Tahiri nuk e ngriti kokën fare të fiksonte se kush mallkonte, por Hyseni që dhe i kishte shoqëruar djemte deri në Janinë, dhe që sot i shoqëroi për t`u marrë jetët , foli me kërcënim. “Dëgjoni o popull i pa bindur, dhe ju të bindur! Pashai nuk i dënoi kot këta djem. Kanë kundërshtuar Ali Pashain baballarët e tyre dhe e kanë pritur me luftë. Pashain tonë ata nuk e duan”. Tahiri i bëri shënjë të ndalonte, dhe Hysen agai e mbylli gojën. Djemtë kur i çuan në ajër u lëkundën në litar, dhe Koli që kishte rrethuar për mezi Tahir beun, u shkëput dhe ra i zalisur. Tahiri e permëndi, por kur pa shokët që tundeshin në litar dhe që kërkonin ndihmë duke ngritur duart, drejtonte gishtin litar më litar dhe i çorientuar përsëriste. “I varën. Shiko si tunden. Do vdesin. I tmerruar Koli thërriste shokët emër për emër. I terrorizuar po fliste përçart. Ajo mëndja e vogël i jepte forma të frikshme fytyrës së tij të vogël. Filloi të qeshte, pastaj të qante. Kriminelët nuk i mbajtën më shumë se katër minuta në ajër, pastaj i lëshuan në tokë. Koli ju shkëput Tahirit dhe shkoi mbi shokët. I tundi, u fliste, por kot. Tahir aga u shqetësua shumë për të, kur Koli thërriste. “Vdiqën shokët e mi. i varën”. Po ato fjalë përsëriste. Si do ti justifikohej Thanas Shënvasiotit. Ai bëri gabim që e mbajti djalin të shikonte atë skenë makabre. Per këtë u pendua më vonë. Por çfarë do ti dërgonte Thanasit. Djali iku nga mëndja. Ishte i tragmatizuar. Pas disa muajsh, shpirti i kolit gjashte vjeçar, u bashkua me shokët dhe u bënë gjashtëmbëdhjetë “Kapedanë” që me urdhër të Ali Pashait u varën në rrapin e Janinës… Fragment i shkëputur nga novela, Ali Pashai dhe gjashtëmbëdhjetë “KAPEDANëT”

Shkruar nga Kostandin Vogli

60 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page