ALI PASHA, RUSËT DHE ... NE
Nga Vladimir Bregu
Në përgjithësi autorët, kur duan të shkruajnë për një personalitet historik, krijojnë mendimin e tyreqë më parë, nëse këtë njeri do ta “lavdërojnë” apo do ta “shajnë”. Në këtë rast, përpiqen që të gjitha dokumentet ose materialet e tjera për këtë personalitet, t’ia përshtasin mendimit të krijuar në kokën e tyre. Nëse kanë vendosur që një personalitet ta “lavdërojnë”, atëherë të gjitha dokumentet dhe materialet që nuk flasin mirë do të përpiqen t’i zvogëlojnë, t’i anashkalojnë dhe të nxjerrin lloj – lloj pretekstesh për të ulur vlerën e tyre. Ndërsa, nëse kanë vendosur që ta “shajnë”, atëherë edhe kur për këtë personalitet dokumentet dhe materialet flasin mirë, ata do të përpiqen që të gjejnë lloj – lloj arsyesh për ta ulur këtë figurë.
Për Ali – pashë Tepelenën (Janina) janë shkruar shumë libra, si nga autorë të huaj dhe vendas, të cilët përpiqen të japin një panoramë të plotë të kësaj figure historike të shqiptarëve.
Në arkivat ruse ka një shumicë të madhe dokumentesh për Shqipërinë, për shqiptarët, ku ka shumë edhe për Ali pashë Tepelenën. Aliu përmendet në shumë botime ruse dhe atij i është kushtuar një libër i veçantë, shkruar nga akademiku rus G. L. Arsh në vitin 1963. Ky libër kryesisht është shkruar mbi bazën e dokumenteve zyrtare, të informacioneve të konsujve rusë në Ballkan, ambasadorëve në Konstantinopojë dhe të agjentëve të tjerë rusë që vepronin në Ballkan dhe në zonën e Adriatikut. Nëse veçon dokumentet që janë në librin e G. Arsh, ato përbëjnë një dosje të tërë. Ali pasha ishte i rrethuar nga të gjitha anët me konsuj rusë dhe njerëz të besuar të tyre. Pjesa më e madhe e këtyre ishin grekë dhe shqiptarë në shërbim të Rusisë. Dhe informacionet që dërgoheshin, pjesa më e madhe ishin në gjuhën italisht, frengjisht dhe greqisht, shumë pak ishin në gjuhën ruse. Kështu, rusët kishin konsuj nëKorfuz,Kotor, Ankona, Trieste,Otranto,në Shqipëri dhe Himarë,Prevezë,Artë,Vlorë, Napoli, Negroponte etj., informacionet e të cilëve kanë qenë me shumë vlerë për njohjen e Ali pashës dhe pashallëkut të tij.
Librat e shkruar si Kujtime, Përshtypje udhëtimi dhe të tjerë, zenë shumë pak vend në librin e akademikut G. Arsh.
Në pjesën më të madhe, dokumentet janë nxjerrë nga Arkivi i Politikës së Jashtme të Rusisë (Архив внешней политики России – АВПР) dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Flotës luftarako – detare (Центральный государственный архив военно-морского флота – ЦГАВМФ). Këto informacione ambasadorëve,të konsujve dhe personave të tjerë zyrtarë, rusë ose të huaj, paraqesin në vetvete burime të dorës së parë. Në to ka shumë të dhëna edhe për ngjarjet e politikës së brendshme në Shqipëri dhe në Greqi,materiale që kanë të bëjnë me përshkrimin e Shqipërisë dhe promemorje për sundimtarët feudalë shqiptarë, kryesisht për Ali pashën, të përpiluara nga diplomatët rusë.
Në librat në gjuhën shqipe materialet e arkivave ruse, e kryesisht të akademikut rus G. Arsh, pasqyrohen në: Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, e autorit I. Ushtelenca, botuar para viti 1990 dhe ribotuar në 1996; Ali pasha tiran apo reformator, i autorit Ll. Ruci, botuar nga “OMBRA GVG” në vitin2002; Ali pasha dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar, e autorit F. Meksi dhe botuar nga “ILAR” në vitin 2015, dhe Aliu midis historisë dhe legjendës, e autorit P. Thëngjilli, botuar në vitin 2019 nga Akademia e Shkencave.
Në këto botimevihet re se ka shumë pasaktësi në ngjarje të ndryshme, sajime faktesh, përkthime të gabuara, “përvetësim” të referencave si dhe disa probleme të tjera, që nuk përputhen me ato reale.
Kur ka lindur Ali pasha?
Në libra të ndryshëm, nga autorë të ndryshëm, si vitlindje të Ali pashë Tepelenësjepen vitet 1740, 1744 e përfundon deri në vitin 1750. Problemi i vitlindjes së Ali pashës trajtohet më gjerësisht në librin Aliu midis historisë dhe legjendës.
Në këtë libër, në faqet 35 – 36, shkruhet: “Viti i lindjes së Aliut është një nga çështjet ku ka mendime kontradiktore më shumë se për çështjet e tjera. Në letërsinë e deritanishme historike data e lindjes së Aliut ka lëvizur nga 1740 deri në 1752. Sqarimin e problemit me qëllim për t’iu afruar së vërtetës, po e nis me pohimet e vetë Aliut dhe të dëshmitarëve okularë. Në një letër të Aliut, dt. 27.9.1821, Aliu i deklaron sulltanit se ishte plak dhe i ka kaluar të shtatëdhjetat. I takon që Aliu të ketë lindur rreth vitit 1750. (Këtu jepet referenca e dokumenteve turke). Pohimin e tij e mbështet dhe folklori. (Këtu jepet referenca përkatëse: Shtatëdhjetë vjet që rrove/ sa zë dielli edhe shtrove, sos të dhanë vilajeti/ po të gremisi dovleti, i madhi vezir të erdhi me pahir. Thimi Mitko, Vepra, fq. 267 – 268). Zh. Marier, ambasadori britanik pranë Aliut, në vitin 1804 e vlerësonte Aliun 52 vjeç. (Referenca përkatëse: Letër e Zhon Marier – lordit Houkshëri, Janinë, 30 qershor 1804, dok. 20, f. 184). Pra paska lindur më 1750.Këto tri burime më bëjnë të pranoj si vitlindje vitin 1750. Para nesh disa autorë kanë pranuar këtë vitlindje. S’ka pse të vazhdohen më tej kërkimet, kur vetë Aliu pohon një gjë të tillë”.
Po në këtë libër, në referencën Nr 105, në faqen 35, ndërmjet të tjerash thuhet se “Mbështetur në burime diplomatike, K. Fleming e çon vitin e lindjes më 1752”.
Në fakt, K. Fleming ka të drejtë.
Nëse i analizojmë tre burimet e para që jepen në libër, nuk del ashtu siç shkruhet. E para, letra që Aliu i dërgon sulltanit, është me përafërsi. Aliu mund ta ketë shkruar kështu, sepse në atë kohë ndodhej i rrethuar nga forcat e sulltanit, pesë muaj para se ta vrisnin, dhe me këtë mund të përfitonte diçka. Ndërsa dy burimet e tjera, nëse bëjmë veprimet matematikore, del viti 1752. Në këngën ku thuhet Shtatëdhjetë vjet rrove .../, nëse nga viti 1822, kur e vranë Aliun, po të heqim shtatëdhjetë vjet që jetoi, atëherë përfundimi del 1752. Kjo këngë ndodhet edhe te libri i I. M. Qafëzezit. Por edhe te letra e Zh. Marier, nëse nga viti 1804, që është data e letrës, do të heqim moshën 52 vjeç që e vlerësonte ai Aliun në atë kohë, atëherë përsëri del viti 1752. Pra, nga këto tri burime, bilanci është 2 me 1 në favor të vitit 1752.
Në këtë rast, nuk është e drejtë që të shkruhet “S’ka pse të vazhdohen më tej kërkimet, kur vetë Aliu pohon një gjë të tillë”. Arkivat ende janë të pa eksploruara dhe vazhdimisht dalin dokumente dhe materiale që bëjnë fjalë edhe për ngjarje shumë më të vjetra. Më poshtë do japim dy fakte të dala nga vetë goja e Aliut për këtë problem.
Më datë 29 tetor 1798, Aliun e ka takuar një oficer i flotës luftarake ruse, i dërguar nga admirali rus F. F. Ushakov. Në librin e tij, ai sjell këtë bisedë të bërë me Ali pashën:
...
Po sa vjeç është admirali juaj?
Pesëdhjetë e gjashtë.
Pra ai qenka shumë më i madh se unë – tha Ali pasha.
Shkëlqesia juaj – i tha oficeri rus – unë nuk mund t’iu jap më shumë se dyzet vjet. Ju jeni ende i ri!
Jo! Unë jam dyzet e gjashtë vjeç – shtoi Aliu me pamje të gëzuar.
Edhe në këtë rast, nëse nga viti 1798 do të heqim 46 që thotë Aliu, atëherë del vitlindja 1752.
Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës përmendet në referenca edhe materiali Albanesi musulmani i Dora d’Istrias. Nëse ky libër do të ishte parë më me kujdes, nëse është parë, aty shkruhet se Veli beu, i ati i Aliut ka vdekur në vitin 1759 (Nuova Antologia, V. 14, fq. 33 – 34) dhe më poshtë janë fjalët e vetë Aliut, i cili shprehet: “Pasi vdiq babai im, mbeta vetëm në moshën gjashtë vjeç ...”.
Pra edhe këtu Aliu del se ka lindur në vitin 1752-1753, por muajin nuk e dimë që ta jepnim më të saktë.
Siç shihet, janë katër burime që vitlindjen e Ali pashë Tepelenës e japin në vitin 1752.
Po rinia e Aliut, si ka qenë?
Shumë autorë shkruajnë se ka qenë kaçak, kusar që grabiste të tjerët, por në librin Aliu midis historisë dhe legjendës na jepet një tablo ndryshe. Në faqen 44 shkruhet: “Aliu nuk kishte pse ta fillonte jetën si hajdut rrugësh. Ai u rrit dhe u edukua, si gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ai u arsimua si bir i një pashai ...”, ndërsa në faqen 750 shkruhet: “Për sa kohë ishte gjallë i ati, Aliu filloi të marrë arsim pranë familjes me mësues të veçantë, por pas vdekjes së tij, arsimimi i rregullt u ndërpre”.
Që Aliu ishte i biri i Veli beut, kjo jepet nga shumë burime, por që ka pasur ndonjë paraardhës të tij pasha, kjo nuk del në asnjë vend. Pastaj, çfarë arsimi mori ai deri në moshën gjashtë vjeç, që e la i ati kur vdiq? Çfarë mësoi deri në atë moshë? Edhe në vendin tonë, deri nga vitet 1970, në shkollë të pranonin pasi kishe mbushur moshën shtatë vjeç. Mos flas pastaj për vitet deri në 1759, se çfarë zhvillimi arsimor ka pasur Tepelena, nëse ka pasur mësues privat etj. Të gjitha këto jepen me hamendje, sepse nuk ka asnjë referencë ku të bazohesh.
Po në faqen 44 të këtij libri, thuhet: “Për rininë e Aliut në historiografinë është shfaqur mendimi se ai e nisi jetën si një hajdut rrugësh, kecash e dhish, si një djalë i rritur nga e ëma në një varfëri të madhe. ... Aliu rridhte nga një familje bejlerësh e pashallarësh me pasuri dhe katandi. Kur vdiq i ati, e la familjen me disa çifligje në Gjatë, në Karjan dhe në Zagori ... Së dyti, vetë titulli bej që mbante qysh në fëmijëri, e pengonte sado pak atë të fillonte karierën nga një hajdut kecash e dhish. Për arsye morali të kohës, nuk mund të binte në këtë nivel”.
Vetë fakti i veprimtarisë së mëvonshme të Aliut, tregon se ai nuk pyeste për moral.
Për të gjitha këto pasuri që ka pasur Aliu nuk jepet asnjë referencë, ndërsa për veprimtarinë si kusar e japin shumë autorë. Edhe Dora d’Istria, në shkrimin që përmenda më lart, shkruan: “Veli beu, [i ati i Aliut] djali më i vogël i tij [Muhtarit], u dëbua nga Tepelena nga vëllezërit e tij Salih dhe Mehemet, dhe për disa kohë i duhej të bënte zanatin e kapos së kleftëve, domethënë të udhëhiqte çeta kundër armiqve të tij, e ndoshta edhe kundër të tjerëve. Duke u hakmarrë ndaj vëllezërve që i dogji në zjarr, bëri një jetë plot të papritura. Veliu, që mbahej më paqësor se kapot e tjerë të vendit dhe që i nënshtrohej lehtësisht veprimit helen, vdiq në vitin 1759, duke i lënë të birit Ali një kasolle dhe pak fusha shterpë. ...”.
Pra, këtu del se edhe Veli beu ishte kusar, dhe “i la Aliut vetëm një kasolle dhe pak fusha shterpë”.
Si vitlindje të Aliut deri tani duhet të marrim vitin 1752, që vërtetohet nga shumë burime. Nëse më vonë do të dalin dokumente të tjera, të reja, atëherë do të jemi të detyruar t’i analizojmë dhe t’i pranojmë osejo.
Duke mbajtur parasysh vitlindjen 1752, atëherë bien poshtë të gjitha historitë e tjera që jepen në faqen 47 të këtij libri se: “Më 1764 Aliu u hodh në Negroponte me 30 trima (palikarë) të ajkës, që u printe si bylykbash dhe hyri në shërbim të pashait të këtij vendi”. Në këtë rast, Aliu ishte vetëm 12 vjeç.
Po në faqen 47 të këtij libri shkruhet: “Ka mundësi dy vjet më vonë (1765) Aliu të ketë marrë urdhër që të inkuadrohej në ushtrinë e Mehmet pashës, mytesarif i Janinës, i cili në krye të 12 000 vetave të shkonte në Gjeorgji (Gjurxhistan). Një vit më vonë ka shkuar me 1 000 këmbësorë levendë, nën komandën e mytesarifit të Janinës, në ndihmë të valiut të Çëlldërit dhe seraskerit të Gjurxhistanit, vezir Hysein Pashës”. (Kjo është marrë nga dokumentet turke dhe jepen në referencat nr 19 dhe 20.).
Së pari, Aliu në moshën 13 vjeç nuk është e besueshme se ka shkuar të luftojë në Gjeorgji, por edhe një vit më vonë, pra që i bie në vitin 1766, pra që ka qenë 14 vjeç.
Së dyti, nuk mund të shkruhet “ka mundësi të ketë marrë urdhër”. Nëse ka marrë urdhër, duhet të ketë një dokument ose një shkrim, por me hamendje nuk mund të jepen si fakte.
Në perandorinë Osmane ka pasur shumë vezirë, pashallarë dhe bejlerë me emrat Ali dhe Mehmet. Nëse në dokumente nuk përcaktohet se për cilin Ali bëhet fjalë, atëherë nuk mund ta marrim të sigurt që bëhet fjalë për Ali pashë Tepelenën. Në luftën ruso – turke të viteve 1806 – 1812, në ushtrinë turke merrnin pjesë katër pashallarë me emrin Ali, e konkretisht:
Kuçuk Ali – pasha –një nga komandantët e jeniçerëve,
Ali – pasha i Nikopolit, komandant turk,
Ali – pasha i Janinës ose Tepelenës.
Ali – pasha, gjeneral turk, që komandoi forcat turke në Turtukaj.
Këto ndodhennë vëllimin III tëDokumenteve të Kutuzovit. Nëse nuk do të ishte treguesi i emrave në fund të librit, i cili jep për secilin nga këta pashallarë numrin e faqes ku përmendet, atëherë do të ishte e vështirë për t’i përcaktuar.
Duke u nisur nga mosha, pra vitlindja e Aliut, ndryshojnë edhe shumë fakte të tjera lidhur me jetën e Aliut.
Viti kur është martuar Aliu nuk jepet njësoj nga autorët. Kështu në librin Ali pashë Tepelena, botuar nga “Plejad”, në fq. 46 thuhet se “Aliu nuk vonoi të lidhet edhe më ngushtë me pashain e Delvinës dhe me ndërhyrjen e Hankos u martua me të bijën e Kapllan Pashait, Eminenë (1769). Dasma u bë me pompë të madhe në Gjirokastër, ku i lindi pas një viti djali i parë Muhtari dhe pas katër vjet dhe djali i dytë Veliu”. Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës, në faqet 60 – 61 shkruhet se “Dasma [e Aliut] u bë në Gjirokastër më 1768, me një pompozitet të madh. Mosha e martesës së Aliut në letërsinë historike vërtitet rreth viteve 18 – 28 vjeç”.
Në faqen 64 po të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “Më 1769 Emineja e gëzoi Aliun me Muhtarin. Në vitin 1773 Aliu u bë me një djalë të dytë, Veliun. Aliu u kujdes që ata të arsimoheshin dhe të edukoheshin, duke u vënë mësues privatë”.
Duke marrë për bazë vitlindjen e Aliut në vitin 1752, del se ai është martuar 18 vjeç, që i bie viti 1770 dhe Muhtari ka lindur në vitin 1771, ndërsa Veliu në vitin 1775. Këtë e mbështesimnë librin e I. M. Qafëzezit, ku në faqen 467 shkruhet: “Bijtë dhe nipat e Ali pashës që u preu krerët Sulltan Mahmudi II ishin këta: Bijtë e Ali Pashës: Myftar Pasha, ish sundimtar i Beratit, 51 vjet, Veli Pasha, ish sundimtar i Sheherit, 47 vjet”.
Nga vitit 1822 që atyre iu pre koka, nëse zbresim 51 për Myftarin, del se ka lindur në 1771, dhe 47 për Veliun, del viti 1775. Të dhëna të tjera më të sakta deri më sot nuk kemi.
Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës trajtohet problemi i emisarëve të huaj të dërguar në rajonin e Ballkanit, kryesisht ata rusë, ku në faqet 60 – 61shkruhet: “... Qeveria ruse organizoi kryengritjen në Gjeorgji, dërgoi agjentët e vet në Shqipëri, Malin e Zi, në Vllahi dhe Transilvani. Në Mal të Zi u dërgua Stefano Pikolo. Në Greqi u dërgua një prift për të biseduar me banorët e Lakonisë, me malësorët e Sulit (Seleida) dhe me himariotët (Akrokeraunëve)...”.
“... Caresha Ekaterina II dërgoi në Greqi një aventurier, Grigor Papadhopulli, i cili kishte miqësi me Orllovin, njeri i pushtetshëm, favorit i careshës, për të çuar më tej idenë e flakjes së zgjedhës osmane. Ndërkohë Rusia nxiti popullsinë e Moresë për kryengritje duke i furnizuar me armë dhe municione”.
Për të dy këta paragrafë, nuk jepet asnjë referencë.
Nga dokumentet e arkivave ruse del se Rusia ka dërguar shumë emisarë në Ballkan, pothuajse në të gjitha shtetet, të cilët punonin për të krijuar lidhje sa më të ngushta me këta popuj dhe për t’i ngritur në luftë kundër perandorisë Osmane. Emisarë të tillë kanë ardhur në Shqipëri, Himarë, More etj. Për sa i përket emisarit Stefano Pikolo,që shkoi në Malin e Zi, me siguri që ky fakt është marrë nga ndonjë botim në gjuhën italiane, por e vërteta nuk qëndron kështu. Stefano Pikolo, që rusët e quajnë Stepan Mallij, dhe që ne e përkthejmë Stefani i Vogël, nuk ishte emisar i dërguar nga qeveria ruse. Ky ishte një aventurier dhe mashtrues, por që popullin malazez e ndihmoi shumë. Stefani e quante veten Pjetri i Tretë. Për këtë dhe për probleme të tjera, në vitin 1769 qeveria ruse dërgoi në Malin e Zi gjeneralin J. V. Dollgorukov, si tregtar me emër tjetër, si dhe disa oficera të tjerë. Ata e kapën Stefanin dhe kur e morën në pyetje ai tregoi se ishte boshnjak, quhej Rajiç, që i vogël ishte endur nëpër shtete të ndryshme dhe në fund kishte përfunduar në Malin e Zi. Stefani u vra nga një grek në vitin 1771, i cili ishte dërguar nga pashai shkodran.
Lidhur me emisarët në More, Himarë etj, në dokumentet ruse thuhet: “Në vitin 1763, ... gjenerali G. G. Orllov dërgoi në Greqi dy emisarë, tregtarin grek nga Peterburgu M. Saro dhe togerin e artilerisë G. Papazoli, që të testonin tendencat e manjotëve dhe grekëve të tjerë, në rast të luftës së mundshme me perandorinë osmane”. Shkuarja e tyre në More dhe Himarë ka qenë një aventurë e vërtetë.
Kseromero, rajoni në bregdetin perëndimor të Greqisë, ishte një nga vendet e para që vizituan emisarët rusë. Këtu pushtetin në masë të konsiderueshme e gëzonin, sipas shprehjes së M. Saros, “kapidanët e vjetër”: Stafa, Bukuvalo, Makripulo, Zhurdo. Emisarët rusë pa vështirësi gjetën gjuhën e përbashkët me këta komandantë kleftoarmatollë, siç i quajnë ata në historiografinë greke. “Ata – siç shkruan Saro – asnjëherë, si ortodoksë, nuk duan të jenë nënshtetas turq, dhe kundër tyre me gëzim të madh do të shkojnë dhe mund të sjellin një shumicë grekësh të tjerë që jetojnë atje”.
Papazoli dhe Saro gjithashtu sëbashku vizituan rajonin malor të Shqipërisë së Jugut, Himarën. Qëndrimi i himariotëve me pushtetin turk ishte analog me atë të malësorëve grekë. “Turku ata kurrë nuk i nënshtroi – thuhej në shënimin e Saros – ... dhe ata gjithashtu kundër turkut janë në gjendje të luftojnë me jo pak forca”.
Pra këta dy emisarë, shkuan për të testuar tendencat dhe jo për t’i ngritur në kryengritje, aq më pak për t’i furnizuar me armë. Shkuarja e tyre në More dhe Himarë është një aventurë e vërtetë, sepse me zor shpëtuan kokën, dhe jo të kishin me vete armë e municione. Edhe veprimtaria e këtyre dy emisarëve pasqyrohet në dokumentet ruse.
Një nga problemet që zë vend shumë në librat për Ali pashën është edhe ai i marrëdhënieve me Rusinë.
Në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, pasi flitet për marrëdhëniet e Benakit me Aliun në vitin 1789, në faqen 32 thuhet: “... Prandaj pashai e pa të arsyeshme t’i rifillonte vetë i pari bisedimet e ndërprera dy vjet më parë me Rusinë. ...Në fillim të vitit 1791 ... ai mori nga Porta e Lartë urdhrin kategorik që së bashku me 20 000 ushtarë të marshonte menjëherë pranë ushtrisë së Vezirit të Madh. Për të sabotuar këtë urdhër, në mirëkuptim me Psaron (rezidentin rus në Sicili) pashai hartoi një letër të rreme në emër të Psaros, i cili u bënte të ditur udhëheqësve shqiptarë e grekë të popullsisë bregdetare, se më 1 mars do të zbarkonte atje me një flotilje ruse duke kërcënuar që në rast rezistence, rusët do të shkaktonin bastisje midis popullsisë. Këtë letër Psaro ia dërgoi në gjuhën ruse Ali Pashës, i cili e nisi menjëherë në Stamboll, duke shtuar se gjoja e kishte marrë atë nga prijësat shqiptarë e grekë të bregdetit, së bashku me lutjen që i kërkonin ndihmë ...” (Referenca është Arkivi Qendror Shtetëror i Flotës luftarako-detare, CGAVMF, Dok 60, fq. 343 – 344. Gibsi – Potjemkinit, 18 mars 1791). Në fakt, kjo referencë është marrë nga faqja 153 e librit të historianit rus G. Arsh.
Në librin Ali pasha midis historisë dhe legjendës, në faqen 112 thuhet: “Marrëdhëniet me rusët i nisi me Psaron, rezidenti rus në Sicili. Aliu hartoi një letër të rremë në emër të rezidentit drejtuar Aliut dhe grekëve, ku u bëhej e ditur se më 1 mars do të zbarkonte një flotilje ruse. Letrën Aliu ia dërgoi Psaros i cili ia ktheu Aliut në rusisht, kurse Aliu e nisi në Stamboll, duke shtuar se zonat e bregdetit i kishin kërkuar ndihmë, prandaj nuk mund ta zbatonte urdhrin. Në shkurt Aliu njoftoi rezidentin rus në Sicili se kishte vendosur të kalonte në anën e rusëve, po t’i sigurohej se pas mbarimit të luftës ruso – turke do të mbetej i pavarur”. Këtu nuk jepet asnjë referencë.
Po çfarë thotë historiani rus G. L. Arsh, nga ku janë marrë këto fragmente, pavarësisht se është shkruar se është marrë nga Arkivi i flotës luftarake ruse.
Në faqen 152 të librit të tij, historiani rus shkruan se vërtetë bisedimet rifilluan nga ana e Aliut, por konkretisht ai thotë: “Ai [Aliu] nëpërmjet Lasalit i transmetoi Benakit dhe rezidentit rus në Sicili, gjeneralit Psaro se “mendon të kalojë në anën e Rusisë ....”. Përfaqësuesit rusë iu përgjigjën se këtë premtim, në emër të qeverisë mund ta japë vetëm princi Potjemkin. (CGAVMF, fondi 239, dosja 29, fleta 105. L. P. Benaki dërguar G. A. Potjemkinit më 27 shkurt 1791).
Në vazhdim, historiani rus shkruan: “Pasi mësoi në këtë kohë, se ... Ali – pasha mori urdhër kategorik që të niset me 20 mijë veta në ushtrinë e vezirit të madh dhe se atij “nuk i pëlqeu shumë ky urdhër”, Psaro vendosi ta ndihmojë atë në sabotimin e urdhrit të Portës. U ra dakord dhe u realizua kjo ecuri. Gjeneral A. K. Psaro përpiloi “letrën” për krerët kryesorë të fshatrave shqiptare dhe greke, që ata më 1 mars 1791 të ndihmojnë flotën ruse, në rast të kundërt fshatrat e tyre “ do të shkretohen”. Këtë “letër” ai ia dërgoi Ali – pashës, ndërsa ky e dërgoi te Porta, duke njoftuar se gjoja e mori atë nga kryepleqtë shqiptarë dhe grekë, bashkë me kërkesën për ndihmë. Duke dërguar “letrën” te Porta, Ali – pasha “kërkonte falje para saj” se nga ushtria e tij, ai pjesën më të madhe duhej ta linte për mbrojtjen e fshatrave bregdetare të përmendura dhe prandaj nuk ishte në gjendje të zbatonte fermanin për bashkimin me ushtrinë e vezirit të madh. Përveç kësaj, Ali – pasha i premtoi Psaros “të fusë luftë vëllavrasëse ndërmjet pashallarëve të tjerë dhe nëpërmjet kësaj t’i detyrojë ata të mos lenë vendet e tyre, ndërsa veten para Portës ta justifikojë se nuk ka vetëm ai arsye të qëndrojë në fshatrat e tij”.
Këtu ka vend për saktësim në interpretimin e dokumenteve.
Në librin e parë, Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, thuhet se “letra u drejtohej udhëheqësve shqiptarë dhe grekë të popullsisë bregdetare”, ndërsa në të dytin, Ali pasha midis historisë dhe legjendës thuhet “drejtuar Aliut dhe grekëve”. Historiani rus thotë se letra u drejtohet krerëve kryesorë të fshatrave greke dhe shqiptare, pra jo Aliut. Gjithashtu, Aliu i premtoi Psaros se “do fusë luftë vëllavrasëse ndërmjet pashallarëve të tjerë”.
Këtu duhet bërë dhe një saktësim tjetër. Nuk bëhet fjalë që letra u shkrua në gjuhën greke dhe pastaj u përkthye rusisht etj. Letrat, ose më mirë thirrjet ose manifestet që u drejtoheshin popujve të ndryshëm nga rusët në atë kohë, shkruheshin në gjuhën e vendasve të cilëve u drejtoheshin, dhe jo në gjuhën ruse, sepse nuk e kuptonin ata që do ta lexonin. Që në kohën e Pjetrit të Madh, në manifestin drejtuar popujve ballkanikë në vitet 1710 – 1711, ato u shkruan në gjuhët e popujve të cilëve u bënin thirrje të ngriheshin në luftë kundër perandorisë Osmane.
Ali pasha ka qenë pjesëmarrës në luftën ruso – turke të viteve 1787 – 1791.
Në faqen 109 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “... Ali pasha mbërrin në Maçin hijerëndë dhe plot lavdi ... (etj. për fitore të mëdha). ... Theksimi i trimërisë së Aliut në këtë betejë është një nga ato rastet kur biografi kërkon t’i bëjë qejfin të zotit të vet, mbasi në leteraturën turke do të trumbetoheshe si një fitore e madhe, kur në të vërtetë forcat osmane pësuan disfatë. Në këtë betejë u kap rob Mehmeti, nipi i Aliu. Me anë të një letre Aliu i kërkon moskovit të dorëzojë të nipin”. Referenca është marrë nga Alipashaida, fq. 153 – 156, pra janë vargjet e Haxhi Shehretit.
Nëse lexon kronikat osmane, që nga koha e Skënderbeut ato japin vetëm fitore për ushtritë e tyre. Edhe luftrat kundër Skënderbeut ata i shkruajnë si fitore të tyre. Kështu qëndron puna edhe me poemën e Haxhi Shehretit. Sulltanët dhe sundimtarët e tjerë si Ali pasha, nuk lejonin që të shkruhej ndryshe, dhe kjo ndodh me të gjithë sundimtarët që janë gjallë dhe kontrollojnë çdo gjë. Por nuk është gjithmonë kështu, sepse subjektivizmi në këto raste është shumë i madh. Ekziston një anekdotë, jo barcoletë, lidhur me subjektivizmin. Një perandor kinez, mblodhi dijetarët e tij dhe i urdhëroi që të shkruanin historinë e perandorisë. Pas disa kohësh, i mblodhi përsëri dhe i pyeti se çfarë kishin bërë. Ata iu përgjigjën se po vazhdonin të shkruanin historinë. Atëherë perandori u tha që t’ia sillnin t’i lexonte. “Ah, jo Madhëri! Ju ato nuk do t’i lexoni – u përgjigjën dijetarët. – Ato do t’i lexojnë ata që do vinë pas jush”. Komentet janë të tepërta.
Në librin Ali pasha midis historisë dhe legjendës janë bërë përpjekje për të saktësuar edhe datën e betejës së Maçinit, ku është kapur rob nipi i Ali pashës. Po në faqen 109 të këtij libri jepet dokumenti turk BOA, HAT, dos. Nr 210, gomlek nr 11317, 21 rebiyulevvel 1205 (29. 11. 1790), pra që beteja e Maçinit është zhvilluar në vitin 1790. Në vazhdim, në faqen 110 vazhdon: “Ky dokument [pra dokumenti turk i mësipërm] korrigjon edhe literaturën turke dhe atë shqiptare. E para betejën e Maçinit e çon në vitin 1791 (Ali pasha Islam Ensiklopedisi, fq. 344), kurse e dyta në vitin 1787 (Alipashaida, fq. 153 – 154).
Në fakt, beteja e Maçinit ku është kapur rob nipi i Aliut, është zhvilluar në muajin qershor 1791, pra e ka shumë të saktë Ali pasha Islam Ensiklopedisi. Për këtë, princi Potjemkin më 12 korrik 1791, me informacionin e tij Nr 34 njofton se “... forcat e Madhërisë Tuaj perandorake, nën komandën e gjeneralit, princit Repnin, korrën një fitore absolute ndaj ushtrisë së armikut në Maçin, ku ndodhej edhe vetë veziri i madh Jusuf pasha ... ndër robërit ndodhej Mehmet pasha me dy tuje ...”.
Faktin që nipi i Aliut u kap rob në Maçin, e jep edhe vetë gjeneral Repnini në raportin e tij të datës 29 qershor 1791, me të cilin njofton Potjemkinin: “ ... gjithë kampi i armikut mbeti në duart tona, u kapën njëzet e nëntë topa dhe dy mortaja, ... robër u kapën një pasha me dy tuje, Mehmet Arnaut pasha dhe disa të tjerë ... po iu dërgoj relacionin për betejat në Maçin dhe numrin e forcave të armikut sipas deponimeve të Arnaut – pashës me dy tuje, të kapur rob ...”.
Këto fakte ndodhen në dokumentet e Potjemkinit.
Sipas historianit rus G. Arsh, në këtë kohë Ali pasha nuk ndodhej në Maçin, por ishte në Shumlje.
Për nipin e Aliut, Mehmet pashën që u kap rob nga rusët, në faqen 110 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës thuhet: “Rënia rob e Mehmet pashës, nipi i Aliut dhe krahu i djathtë i tij, përmendet nga disa autorë, prandaj po e besojmë. Me këtë rast, Aliu pati një takim me Potjemkinin, kryekomandantin e frontit rus. U shkëmbyen dhurata dhe u zhvilluan bisedime. Aliu i shprehu Potjemkinit një respekt të veçantë ndaj rusëve ... Ai shpresonte se Rusia mund ta njihte sundimtar të Epirit në rast të shembjes së saj [perandorisë osmane] ...”. (Këtu jepen disa referenca: I. Koçollari,Alipashaida, A. Mufid, G. Remerand, W. Plomer, G. Vandocourt, I. Ushtelenca).
Për dijeni të lexuesit, sa kanë qenë gjallë në këtë botë, Potjemkini me Ali pashën nuk janë takuar kurrë në jetën e tyre.Ndërsa lidhur me referencat për faktin e takimit, në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës të I. Ushtelencës, në fq. 29 ai shkruan: “Meqenëse Ali pasha ndodhej në Shumlje, ku luftonte kundër rusëve, shfrytëzoi rastin dhe hyri në letërkëmbim të drejtpëdrejtë me Potjemkinin ... Për t’i matur pulsin, pashai i kërkoi kryekomandantit rus për t’i liruar nipin e tij që ishte zënë rob nga trupat ruse ...”.
Edhe historiani rus G. Arsh, në librin e tij në faqen 157 shkruan: “Në kohën që të autorizuarit e Ali pashës zhvillonin bisedime me Tamarën, vetë ai [Aliu] ndodhej në kampin turk në Shumlje. Këtu ai hyri në letërkëmbim [pra nuk janë takuar] të drejtpëdrejtë me Potjemkinin, me pretekstin e lirimit të nipit të tij Mehmet pashës, që kishte rënë rob te rusët ...”.
Ky fakt i mësipërm, plotësohet edhe me faktin tjetër që Potjemkini “... u takua me të dërguarin e Aliut, Mehmet efendi Bulçin në gusht të vitit 1791. Në letrën që Potjemkini i dërgon Aliut më 24 gusht 1791, e siguron sundimtarin epirot për gatishmërinë e tij që të vazhdojë lidhjet me të, pasi lufta e Rusisë me Turqinë kishte marrë fund dhe ishte nënshkruar traktati i paqes. Konkretisht Potjemkini i shkruan: “... gjithçka që më njoftoi mua personi juaj i besuar, më solli kënaqësi të vërtetë dhe Ju do ta shihni në të ardhmen sesi unë vazhdimisht do të përpiqem t’iu provoj Juve ndjenjat e mia”.
Ky fakt nuk është në librin e historianit rus, por në referatin që po ky historian ka mbajtur në Tiranë, në Kongresin IX për vendet e Europës Juglindore, nga 30.08. – deri 03.09. 2004.
Një nga çështjet më të rëndësishme që përmendet në leteraturën për Ali pashën, është projektmarrëveshja e tij për t’u lidhur me rusët. Duhet thënë se marrëveshjet, projektet, konventat, traktatet dhe të tjera dokumente që janë zyrtare, është e domosdoshme që të përkthehen sa më saktë, sepse ndryshe nuk del kuptimi i vërtetë i tyre dhe problemet ngatërrohen.
Kjo projektmarrëveshjeështë botuar për herë të parë nga historiani rus G. L. Arsh, në revistën “Shënime historike”, vëllimi 63, në vitin 1957 dheështë gjetur në Arkivin e flotës luftarako-detare ruse;për herë të dytë është botuar po nga ky autor në librin e tij në vitin 1963,ndërsa për herë të tretë, i plotësuar edhe me dokumente të tjera, është referuar në Kongresin IX që u mbajt në Tiranë, që e përmendëm më sipër
Historiani rus, në faqen 153 të librit të tij shkruan se “Rusinë e vizituan delegacione të ndryshme, që paraqesnin planet e luftës kundër Turqisë. ... gjeneral Tamara gjeti në Trieste, në prill të vitit 1791 delegatët të cilët më parë kishin qenë te Potjemkini. Ata i propozuan Tamarës “të studiojë me ne një kryengritje të tillë në Greqi, duke filluar me Shqipërinë, e cila pastaj të mund të qëndrojë [pra marrëveshja] edhe në rast të pajtimit tonë me Portën”. Pra, bëhet fjalë para se nipi i Aliut të kapej rob nga rusët.
Aty del se delegatët propozuan që në verë të vitit 1791 të përfundonin bisedimet për përmasat e ndihmës, kryesisht me plumb dhe barut, e cila do t’u jepej prijsave shqiptarë nga Rusia, dhe që në tetor flota ruse të afrohet në bregdetin ndërmjet Pargës dhe Prevezës dhe të zbarkonte 3 mijë desantë. (Marrë nga Arkivi Qendror shtetëror i flotës ushtarako - detare, f. “Kanceleria Potjemkin – Tavriçskij”, dosja. 32, fleta. 191. (ЦГАВМФ. Ф. “Канцелярия Потемкина – Таврического”, д. 32, л. 191).
Në qershor 1791, delegacioni i Ali pashësu takua me Tamarën në ishullin Kallamos.Një nga të ngarkuarit që kishte sjellë dhe projektmarrëveshjen ishte Ostaf Parusi, që mesa duket e mbante Ali pashën në kurs të të gjitha planeve të prijsave shqiptarë të krishterë. Përfaqësues të tjerë ishin Vasil Menksi [ kështu është në origjinal, ndoshta është Meksi] dhe Lasali. I pari shërbeu në flotën ruse në kohën që i parapriu luftës ruso – turke; i dyti ishte konsulli francez në Prevezë, njeri i besuar i Ali pashës. Kjo marrëveshje, e shkruar në gjuhën frënge, kishte nëntë pika.
Në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, në faqen 33, këto pika janë përmbledhur si më poshtë: “Për personin, për anëtarët e familjes së tij dhe për të gjithë vartësit e tij të sigurohej liria e besimit fetar mysliman. Të përcaktoheshin me bisedime hapësirat e zotërimeve që do t’i mbeteshin atij për qeverisje, rregullat e drejtësisë dhe të qeverisjes së vendit. Për të neutralizuar ndikimin rus ndër banorët grekë, Ali pasha i angazhohej Rusisë se nuk do t’i rëndonte banorët grekë me taksa më të shumta se shqiptarët, se grekët njësoj si shqiptarët mund të gëzonin të gjitha postet në hallkat e administratës së tij civile dhe ushtarake dhe se pronat e tyre do të mbeteshin të paprekura ... Ali pasha merrte përsipër të mbante me shpenzimet e tij një trupë ushtarake të përbërë nga shqiptarë dhe grekë, e cila do të ishte vazhdimisht në gatishmëri. Në krye të saj do të emërohej një nga djemtë e tij, për të cilin propozonte ta dërgonte të arsimohej në Rusi. Kjo do të ishte si fillim marrëveshjeje dhe një garanci e pashait ndaj Rusisë ...”.
Në librin Ali pasha midis historisë dhe legjendës, në faqen 112, pikat e marrëveshjes përmblidhen afërsisht si te libri Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, dhe referenca është libri i historianit rus G. Arsh, fq. 154 – 156.
Ndërsa në librin Ali pashë Tepelena dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar, marrëveshja jepet në faqen 60 – 61, ku për pikën 2 shkruhet: “Ali pasha zotohet t’i trajtojë njëlloj si myslimanët dhe të krishterët dhe t’i pranojë ata si në administratë edhe në ushtri ...”. Në pikën 3 thuhet se “Taksat do të unifikohen për të gjithë banorët, grekë apo shqiptarë, myslimanë apo të krishterë qofshin”. Kjo marrëveshje përsëritet dhe në faqen 169, ku shkruhet se “Historiani rus G. Arsh ... zbulon vizionin e Ali pashës për të themeluar një shtet të pavarur me tolerancë fetare, me gjuhë të parë greqishten dhe të dytë shqipen”, e më poshtë jepet edhe pika 7 e saj, për të cilën thuhet: “Aliu gjithashtu pranon që ligjet dhe urdhrat të shkruhen në gjuhën greke, ndërsa shqipja do të jetë gjuha e dytë e shtetit”.
Por konceptet te libri i historianit rus nuk përputhen me ato të autorëve tanë. Do t’i shtjelloj si më poshtë:
Pika 2 e marrëveshjes nuk thotë “... Aliu angazhohej se nuk do t’i rëndonte banorët grekë me taksa më të shumta sesa shqiptarët, se grekët do të gëzonin të drejtën të merrnin pjesë në administratën civile dhe ushtarake ...”. Në marrëveshje është e shkruar se “ ... nga ana e tij [Aliu] detyrohet në atë pjesë [zotërimet e tij që do t’i mbeteshin] të mos rëndojë me taksa banorët grekë më shumë sesa turqit”.
Pika 3 e marrëveshjes thotë: “Grekët njësoj si turqit mund të gëzojnë të gjitha gradat dhe titujt civilë dhe ushtarakë ...”.
Në pikën 4 thuhet: “Ligjet dhe urdhrat do të shkruhen në gjuhën greke, e cila është gjuha më e përdorur në vendet që pashai dëshiron t’i shënohen në feudin e tij”. ...
Pra, siç shihet, në marrëveshje përdoren fjalët “grekë” dhe turq”, që në atë kohë këto fjalë nuk kishin kuptimin e sotëm, për të treguar thjesht dy kombe. Në atë kohë me fjalën “grekë” kuptoheshin të gjithë të krishterët ortodoksë, ndërsa me fjalën “turq” kuptoheshin të gjithë myslimanët. Me “latinë” kuptoheshin të gjithë të krishterët katolikë. Nëse këtyre fjalëve u jep kuptimin që kanë sot, atëherë lë jashtë marrëveshjes të krishterët ortodoksë maqedonas, bullgarë dhe të kombësive të tjera që jetonin në zotërimet e Ali pashës. Po ashtu, nëse thua shqiptarë, lë jashtë të gjithë myslimanët e kombësive të tjera. Por fakti është se fjala “shqiptarë” nuk përmendet në marrëveshje.
Në librin Ali pasha dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar, thuhet se “... shqipja do të jetë gjuha e dytë e shtetit”. Do na pëlqente shumë që të ishte kështu. Nuk do të arsyetojmë dhe të themi pse nuk është, pasi gjuha shqipe nuk shkruhej, se nuk kishte alfabet etj., si këto. Thjesht: nuk është e shkruar në marrëveshje.
Më saktë janë dhënë pikat e marrëveshjes në librin Ali pasha tiran apo reformator?.
Lidhur me këtë marrëveshje, ka një detaj në artikullin e vitit 1957. Aty thuhet: “Gjatë bisedimeve, të dërguarit e Ali pashës ranë shpejt dakord me propozimin e Tamarës, që peng i besnikërisë së pashait do të shërbejnë lënia për Rusinë e një ose dy kështjellave me limane, të cilat ndodheshin brenda zotërimeve feudale të kërkuara prej tij”. (Ky material ndodhet në Arkivin e flotës luftarako-detare, fondin Kancelaria Potjemkin-Tavriçskij”, dosja nr 70, fleta 173).
Pra Ali pasha ishte gati t’i lëshonte rusëve një ose dy kështjella, të cilat të kishin edhe porte.
Ali pasha kishte aq shumë besim te princi Potjemkin, sa në vitin 1798 i tha oficerit rus: “Po të ishte gjallë Potjemkini, ju nuk do të flisnit kështu me mua”.
Në faqen 113 të librit Ali pasha midis historisë dhe legjendës, shkruhet: “Marrëdhëniet e mira me rusët nuk patën jetë të gjatë për shkak të qëndrimit të dyanshëm që mbante Rusia ... Goditjen përfundimtare marrëdhënieve të Aliut me rusët ia dha veprimtaria e ushtarakëve rusë në ishujt e Jonit, duke pasur si bazë Korfuzin. Ata organizonin dhe veprimtari të fshehta kundër Aliut, nxisnin elementin kundërshtar. ...”.
Megjithëse nuk jepet ndonjë referencë, sipas kreut IV bëhet fjalë për vitet 1789 – 1792, por kjo që thuhet më lart nuk korrespondon me realitetin për faktin se në vitin 1791, por deri në 1797, Korfuzin dhe ishujt e Jonit i kishte Venecia dhe jo Rusia, kështu që nuk kishte bazë në Korfuz për të organizuar veprimtari kundër Ali pashës.
Po në librin Aliu midis historisë dhe legjendës jepen edhe detaje të ndryshme, të cilat duket se më shumë janë për të ngritur figurën e Ali pashës, pasi citimet nga janë marrë nuk jepen të plota, por vetëm ato që e ngrejnë figurën e pashait. Kështu për shembull, në fq. 126 shkruhet: “Aliu duhej të kryente mjaft detyra të tjera. Qysh në fillim të vitit 1796, Porta e Lartë qeverisjen e Durrësit (myselim) ia dha një të afërmi të Ali pashë Tepelenës. Kjo bëri të pakënaqur Mahmut pashën e Shkodrës, mbasi Durrësi ishte nën juridiksionin e tij”. Si referencë jepet libri i historianit rus G. Arsh, fq. 177.
Si episod ky është i vërtetë, por historiani rus shkruan: “... Në fillim të vitit 1796 Porta, ... emëroi në këtë post nipin e Ali – pashës. Kur mësoi për këtë, Mahmud – pasha i shkroi sundimtarit të Janinës se vetëm nga respekti për të, ai çdo vit do t’i dërgojë nipit të tij pagën që i takon në këtë detyrë, por që atij të mos i teket të shkojë në Durrës, “përderi sa ai kurrë nuk do të lejojë që në provincat e tij të ketë ndonjë governator tjetër, përveç shqiptarëve të vet, të cilët ai vetë i zgjedh, i vendos në detyrë dhe te të cilët ai mund të ketë besim”. (Ky është një informacion i konsullit rus në Raguzë, A. Gjika, me origjinë shqiptare, datë 13 prill 1796).
Një nga problemet që trajtohet është dhe ai i çlirimit të ishujve të Jonit nga flota e përbashkët ruso – turke. Kjo aleancë ruso – turke ishte diçka që as mund të mendohej, nisur nga luftrat e vazhdueshme ndërmjet këtyre dy shteteve. Si kryekomandant i skuadriljes së përbashkët u caktua admirali rus F. F. Ushakov [në fakt, atëherë ishte nënadmiral] dhe zëvendës i tij ishte admirali turk Kadir – beu. Sulltani kishte urdhëruar të gjithë pashallarët që ndodheshin në afërsi të ishujve të Jonit që të ndihmonin skuadriljen me forca ushtarake dhe me ushqime. Në këtë kohë, Ali pasha mori disa qytete bregdetare, që dikur i përkisnin Venecias, ndër to edhe qytetin e Prevezës.
Lidhur me marrjen e Prevezës nga Ali pasha dhe masakrën që është bërë atje, shkruhet vetëm në librin Aliu midis historisë dhe legjendës.
Kështu, në faqen 173 shkruhet: “Thuhet se në fund të betejës qenka bërë një plaçkitje dhe kërdi e madhe deri në urdhërin e sulltanit të vogël, se xhelati preu aq koka sa nga lodhja ra i vdekur së bashku me viktimat, kurse Aliu bënte sehir ... Në Prevezë u masakruan burra, gra, fëmijë, se Aliu nuk tregoi aspak mëshirë, kapi shumë vajza dhe nuse. Mijëra të tjerë u nisën si skllevër në Shqipëri, të tjerë u shitën si skllevër në Janinë. Shumë francezë që kërkonin të iknin u mbytën në det. Kusarët grekë që ishin bashkuar me francezët, u rropën të gjallë”. Si referenca jepen Pukëvili, Liku, Aravantini, Remerandi, S. Mela.
Më tej, në faqen 176 ndër të tjera shkruhet: “Kokat e të vrarëve u rropën, francezët u dërguan në Konstantinopojë, kjo ngjarje është e vërtetë, por natyrisht nuk tregon ashpërsinë e pashait. Natyrisht ai nuk bëri asgjë më shumë nga ajo që të gjithë e dimë, se e bëjnë turqit sipas rregullit të tyre, një zakon apo rregull rutinë. Pra ky është një zakon, traditë normale turke dhe për më shumë një normë ligjore e cila kërkohet nga vetë Sulltani, i cili kërkon të sigurohet me sytë e tij për ekzekutimin e armiqve të tij”.
Në vazhdim, në fq. 178 të librit, lexojmë:“Admirali Ushakov raprezaljet i kufizon ndaj robërve: pleq, fëmijë, gra, ku ndaheshin nënat nga fëmijët dhe u shitën si bagëti. Me këtë raprezalje në Prevezë, Aliu synonte të terrorizonte popullsinë e rajoneve të tjera që ndodheshin nën francezët”. Referenca është libri i historianit rus Arsh, fq. 197.
Në faqen 197 të librit të G. Arshit, shkruhet tekstualisht: “... në Prevezë u therën të gjithë ata që u binin në dorë, pleq, djem dhe shumë gra, ndërsa të tjerët, gra dhe fëmijë që kapën, i shesin si bagëtitë ose i japin si dhuratë ...”. Kjo ndodhet edhe te dokumentet e Ushakovit, volumi II, dokumenti 177.
Më tej, libri i historianit rusvazhdon:
“Në fillim të tetorit 1798, ushtria e Ali pashës me në krye djalin e tij Myhtar – pashën u shfaq para Nikopolit, pozicion i përforcuar i francezëve në hyrje të Prevezës, ku ndodhej garnizoni francez me 700 vetë. Pas luftimesh të ashpra, francezët u thyen. Në vërtetim të fitores së korrur, korrierët e Ali – pashës urgjent i çuan Portës 4 thasë të mëdhenj me kokat e francezëve të vrarë. Këtu kishte dhe shumë koka të banorëve vendas, të fajësuar se ata vepronin bashkë me francezët”.
Nuk e dimënëse Stambolli pranonte “kokat” e njerëzve të thjeshtë, por me sa dimë Ibrahim Pasha i Egjiptit nuk dërgoi kokat e vahabistëve të vrarë, por veshët e tyre,gjithashtubesohet se atje dërgoheshin kokat e komandantëve dhe pashallarëve rebelë, që ngrinin krye kundër sulltanit.
Lidhur me rrethimin e Korfuzit që administrohej nga francezët, në faqet 181 – 182 të librit Aliu midis historisë dhe legjendësshkruhet: “... Ushtria ruso – osmane nisi rrethimin e Korfuzit në nëntor 1798. Rrethimi kërkonte anije të shumta, të cilat Ushakovi nuk i kishte. Duhej ndihma e Aliut. Komanda ruse i shkroi disa herë Aliut, por ai heshtte ... Duke e ditur se po shkeli këmba e Aliut, nuk largohej prej andej, sulltani për bllokimin e Korfuzit dërgoi Kadir beun, kurse Aliu u urdhërua të ndihmojë me forca ushtarake”. Për këtë paragraf nuk jepet asnjë referencë.
Në fakt, Kadir beu u nis bashkë me Ushakovin që në fillim të ekspeditës dhe nuk u dërgua më vonë, pasi ishte zëvendës i Ushakovit. Ndërsa në librin e historianit rus nuk bëhet fjalë për ta ndihmuar Ushakovin me anije, por me forca tokësore, e konkretisht shkruan: “... Operacionet e rrethimit kërkonin një sasi të madhe forcash tokësore, të cilat Ushakovi nuk i dispononte, sepse detyra e tij, sipas vetë fjalëve të tij, ishte të luftonte jo me kështjellat, por me anijet. Sipas marrëveshjes me qeverinë turke, forcat duhej t’i siguronte Ali pasha. Por ai nuk i siguroi siç duhej, gjë që pengoi vazhdimin e operacionit kundër francezëve”.
Më tej, në faqen 182 po të librit Aliu midis historisë dhe legjendës,thuhet: ” Porta e Lartë kishte urdhëruar flotën e përbashkët osmano – ruse që të vinte dorë mbi Korfuzin, i cili kishte mbetur nën francezët. Më 7 dhjetor 1798 pushteti qendror i dërgoi një letër Ali pashë Tepelenës lidhur me ceremoninë e pritjes së flotës së përbashkët osmano – ruse në More dhe në gjirin e Korfuzit”.
Për këtë fragment jepen shumë burime në referencën nr 136: BOA [dokumenti turk datë 8.12.1798), M. Leake, F. Pouqueville për dy librat e tij, A. Mufid, Aravantini, Remerandi; Kronika mbi Mahmud pashën, në Hylli i Dritës, Shkodër, 1931, f. 26; G. L. Arsh, Albanijai ... fq. 201 – 202, I. Ushtelenca, Diplomacia ... fq. 55 ... dhe disa burime të tjera.
Sa më sipër, mund të themi me siguri se kjo gjë nuk pasqyrohet, qoftë edhe me fjalë të tjera, as në revistën Hylli i Dritës dhe as në librin e historianit rus. Më poshtë do të japim se çfarë shkruhet tek Hylli i Dritës, në faqen 26, ndërsa tek akademiku rus flitet për luftrat e Aliut me pashallarët e tjerë, për Nelsonin etj. Një gjë e tillë nuk është as te libri Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, fq. 55. Se çfarë kanë burimet e tjera, nuk mund të flasim.
Marrëdhëniet me Ushakovin kanë qenë të tensionuara gjatë gjithë kohës së çlirimit të ishujve të Jonit. Në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, në faqet 56 – 57, shkruhet: “Në majin e vitit 1798, Ushakovi iu drejtua admiralit osman Kadir beut dhe të plotfuqishmit të Portës pranë flotës ruso-turke, Mehmet efendiut, me kërkesën që me marrjen e Korfuzit të merrej vetëm Ushakovi ose “ndryshe – siç justifikohej ai – Korfuzi nuk mund të merret”. Referenca është libri Admirali Ushakov, 1952, vëll. 2, Nr 31. Ushakovi dërguar Tamarës më 21 mars 1798.
Edhe te libri Aliu midis historisë dhe legjendës, në faqen 182, thuhet e njëjta gjë, por me pak fjalë: “Qeveria ruse desh ta shmangte pjesëmarrjen e Aliut në pushtimin e ishullit, prandaj i kërkoi qeverisë osmane që pushtimin ta drejtonte Ushakovi, kurse forcat e Aliut të ishin nën komandën ruse. Ashtu u bë, por Aliu u përpoq me të gjitha mënyrat të mos dërgonte ushtarë, pa të cilët Ushakovi do ta kishte të vështirë ta merrte atë”. Referenca është libri i historianit rus G. Arsh, fq. 200 – 201.
Nuk e dimë nga është marrë fragmenti i librit Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, por në librin Admirali Ushakov, vëllimi II, botim i vitit 1952, ky material nuk është as në dokumentin nr 31, dhe as në faqen 31 të librit. Por, për fragmentin e librit Aliu midis historisë dhe legjendës, në faqen 200 të librit të historianit rus G. Arsh thuhet se jo Ushakovi iu drejtua Kadir – beut dhe të plotfuqishmit të Portës pranë skuadriljes, Mahmud efendiut. Përkthimi është i gabuar dhe konkretisht thuhet: “Duke menduar se pa forca tokësore të mëdha Ushakovi nuk do ta marrë Korfuzin ... ai [pra Ali pasha] iu drejtua Kadir – beut dhe të plotfuqishmit të Portës pranë skuadriljes, Mahmud efendiut, me kërkesën që “t’i shkruanin Portës t’i dërgonte atij krigskomisarin, shuma të hollash dhe 25 mijë njerëz, furnizime, plumba dhe çdo gjë që duhet, ai mendon se me më pak se njëzet e pesë mijë vetë Korfuzin nuk mund ta marrësh, se për marrjen e Korfuzit t’i jepet atij urdhri, atëherë ai me forcat e tij do të niset të marrë Korfuzin”. Referenca është Admirali Ushakov, vëllimi 2, Nr 31, Ushakovi dërguar Tamarës, më 15 mars 1798. Këtu referenca e historianit rus është e gabuar, pasi skuadrilja ruso – turke në mars 1798 ende nuk ishte krijuar për të ardhur në ishujt e Jonit. (Krigskomisari ishte personi që merrej me furnizimet ushtarake, administrimin e të hollave, pajimet, armatimet, municionet etj.).
Për ta kuptuar më mirë paragrafin e mësipërm, duhen sjellë edhe disa rreshta, që janë para këtyre në librin e Arshit: “Sundimtari i Janinës kishte qëllimet e tij për Korfuzin. Ai varte shpresën që skuadrilja e përbashkët do të pësojë disfatë në bllokadën e Korfuzit dhe atëherë të gjitha operacionet do t’i besohen atij”. Sipas mendimit të Ushakovit, ai donte të ishte “pjesëmarrësi kryesor për pushtimin e Korfuzit dhe pastaj me çdo lloj mënyre dhe mashtrimi të na largonte ne”. Ka edhe një dokument tjetër lidhur me këtë. Ushakovi i shkruante Tamarës në mars 1799: “Ali pasha do të jetë me ne pjesëmarrës në marrjen e kështjellës së Korfuzit, nuk i heq forcat e tij që këtej dhe këto ditë ... dërgoi edhe 300 shqiptarë dhe ka ndërmend që gjithçka që është marrë në kështjellë dhe në qytet ta ndajë me mua si shokë. Nëse ai do të dërgonte te mua djalin e tij dhe bashkë me të 6 ose 7 mijë forca, atëherë unë do doja ta bëja atë pjesëtar, për të cilën dhe i premtova; por ai refuzoi dërgimin e forcave dhe kërkoi nga Porta e Lartë leje për ta pushtuar Korfuzin ai vetë, për të cilën mendonte të domosdoshme jo më pak se 25 mijë forca ... Unë atë, për ndarjen me ne të gjithçkaje që u kap nga ne në kështjellë, nuk e pranoj ...”. (Marrë nga libri Admirali Ushakov i V. L. Snegirevit, fq. 58 - 59, botim i vitit 1945).
Në faqen 183, të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, jepet një takim i Ali pashës me admiralin rus, por që nuk i përgjigjet realitetit. Ja çfarë shkruhet konkretisht: “Aliu dërgoi një njeri për të biseduar me admiralin rus. Admirali do t’i dërgonte një anije për ta sjellë Aliun në Korfuz, por Aliu me fregatën e tij mbërriti i paftuar. Ai u takua me admiralin rus dhe i premtoi se forcat do t’i dërgonte të komanduara prej tij. Kjo nuk ishte pritur mirë nga admirali rus. Pas takimit me admiralin, ai ardhi tek komandanti i flotës osmane dhe i shprehu mendimin se admirali rus nuk ishte dakord për angazhimin e tij në këtë aksion. Prandaj ai do të tërhiqej nga drejtimi i forcave ushtarake, po forcat do t’i dërgojë”. Këtu nuk jepet asnjë referencë se nga janë marrë këto rreshta.
Këto që janë shkruar më sipër nuk qëndrojnë. Takimi ka qenë vetëm një takim kortezie. Aliu shkoi me një fregatë ruse i ftuar, por që i doli garant një nga oficerat rusë, sepse kishte frikë se mos e kapnin dhe e dërgonin në Konstantinopojë, dhe nuk ka biseduar fare për probleme pune. Këtë e jep një oficer i flotës ruse, që ka qenë prezent dhe po e sjellim të plotë.
“Rreth mesditës, së po asaj dite, Myhtari me suitën e tij mbërriti në flotë,... Pasi mësoi se sa forca ndihmëse i duheshin aleatëve dhe duke bërë me admiralin vendimin për kushtet se çfarë pagese do t’i jepte atij dhe komandantëve të tij, Myhtari pa u vonuar aspak u kthye përsëri në Butrint për të bërë gati shqiptarët që do dërgoheshin në Korfuz.
Menjëherë pas tij u dërgua kapiteni i rangut 1-rë Sarandinaqi,... Ky oficer, pasi u takua me Ali – Pashain, e bindi me këmbënguljen e tij që të vinte në skuadriljen ruse dhe të njihej personalisht me admiralin Ushakov. [Pra më parë nuk janë takuar asnjëherë]. Ali – Pashai për një kohë të gjatë i bëri bisht dhe lëkundej, duke iu frikësuar tradhtisë së turqve, ... por të gjitha ndrojtjet e tij u zhdukën nga garancia e kapitenit Sarandinaqi. ...
Më 2 shkurt, Ali – Pashai me një suitë të tij të shumtë në numër, u nis me fregatën “Zbritja e Shpirtit të Shenjtë” dhe mbërriti para perëndimit të diellit në anijen admirale. Atij iu bënë nderimet vërtet të një admirali. Ai ishte veshur me petka turke të mrekullueshme ... Kadir-beu dhe komandantët e tjerë turq iu prezantuan atij nga vetë kryekomandanti. ... Nuk mund ta përfytyrosh se sa e madhe ishte kënaqësia e Ali – Pashait, kur pa të gjitha nderet me të cilat u mbulua; ai nuk e fshehu këtë dhe në fytyrën e tij të entuziazmuar pasqyrohej qartë ambicia e kënaqur.
Pas qerasjeve të zakonshme, sipas zakoneve orientale, ... ai shkoi të këqyrë anijen admirale, të ndriçuar me fenerë, dhe vizitoi kuvertën e poshtme dhe të sipërme. ... Pas kësaj vizite Ali – Pashai, i shoqëruar nga admirali Ushakov dhe suita e tij e komandantëve, vizitoi admiralin turk Kadir-Bej. Këtu ai qëndroi më pak se një çerek ore, duke kërkuar falje se disa punë e detyrojnë që të kthehet sa më shpejt në Butrint. Duke u kthyer po me atë fregatë, ai i tha kryekomandantit tonë një shumicë përshëndetjesh më mikluese dhe falënderimet për pritjen e shkëlqyer, ...
Pra, asgjë nuk përputhet me ato që shkruhen në librin Aliu midis historisë dhe legjendës, se “shkoi paftuar, biseduan për problemet e punës, iu ankua Kadir beut etj”.
Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës ka dhe disa detaje të tjera lidhur me admiralin Ushakov që nuk përputhen me realitetin.
Në faqen 189 të këtij libri, thuhet: “Duke përmendur kërkesën e pargasve bëhet e ditur se për diskutimin e kërkesës për futjen nën mbrojtjen e dy flotave ishte zhvilluar edhe një takim i Ushakovit me Ali pashë Tepelenën, se drejtimi i qytetit të Pargës lidhej direkt me aleancën ruso – turke”. (Këtu jepet një referencë nga dokumentet turke).
Në faqet 236 – 237 shkruhet: “ ... Nga ana tjetër, fqinjësia me Aliun e bënte të domosdoshme praninë e një personi që zotëronte gjuhën e Aliut (gjuhën shqipe) tek admirali rus Ushakov, prandaj admirali më 13 maj 1801 i kishte paraqitur Portës së Lartë kërkesën për caktimin e një personi të tillë. Pranë tij kishte mbërritur kapiteni ulqinak Ibrahim agai”. (Dhe këtu jepet një referencë nga dokumentet turke).
Në kapitullin që bën fjalë për veprimtarinë e Ali pashës në vitin 1806, në faqen 362, thuhet: “Arrihet një marrëveshje ndërmjet rusëve të Korfuzit dhe Aliut. Ai kërkoi një takim me Ushakovin, por mbeti i pakënaqur sepse nuk u muar parasysh kërkesa e tij mbi dorëzimin ose dëbimin e disa familjeve si Bukuvallat, Kacikojanët ...”.
Për dijeni të lexuesit,na duhet të themi se takimi që bëhet fjalë më sipër lidhur me Pargën, nuk është bërë. Siç thamë,janë takuar vetëm njëherë, gjatë vizitës së kortezisë që Aliu i bëri Ushakovit. Në rastet e tjera, për kërkesën e një përkthyesi në vitin 1801 dhe për kërkesën e Aliut që të takohej me Ushakovin në vitin 1806, këto nuk përputhen me realitetin, sepse Ushakovi nuk ndodhej në Korfuz pasi që më 6 korrik të vitit 1800 ishte larguar për në Sevastopol dhe nuk doli më jashtë Rusisë, deri sa doli në pension në vitin 1807. Dhe tjetra, pse Ushakovit duhej t’i sillnin një përkthyes ulqinak? E thamë, Ushakovi nuk mund ta ketë bërë kërkesën në vitin 1801, sepse kishte një vit që ishte larguar, por në flotën ruse kishte shumë grekë dhe shqiptarë, ku një nga këta të fundit ishte kapiteni Qirko nga Himara, i cili edhe është dekoruar për trimëri në luftrat për çlirimin e Korfuzit, ndërsa dy oficera grekë i ka përdorur si ndërmjetës me Ali pashën dhe Kadir beun, pasi zotëronin të dy gjuhët, greke dhe turke. Njëri prej tyre është Sarandinaqi, që i mbushi mendjen për të shkuar në anijen e Ushakovit.
Në librin e historianit rus G. Arsh ka disa materiale të cilat janë marrë nga revista shqiptare Hylli i Dritës. Materiale që i referohen po kësaj revistekadhe në librin Aliu midis historisë dhe legjendës. Më lart folëm për fragmentin e pritjes që do i bënte Ali pasha skuadriljes së përbashkët ruso – osmane, ku thuhet se është marrë nga Hylli i Dritës, viti 1931, nr 1 fq. 26, por që nuk rezulton që ky fragment të jetë në faqen e përmendur.
Në faqen 280po të atij libri, shkruhet se “... Aliu është pushuar nga detyra e lartë nga sulltani. Sipas historiografisë osmane, Aliu ishte pushtuar nga dëshira për t’u bërë i pavarur. Në bazë të ankesës së dinjitarëve të Rumelisë, ai u shkarkua nga detyra dhe Rumelia iu dha Vani Mehmet pashës ... prandaj më 5 nëntor – 4 dhjetor 1803 ejaleti i Rumelisë me seraskerllëkun iu dha mytesarifit të Shkodrës, Ibrahim pashës, si kundër balancim ndaj Aliut, duke i dhënë kompetenca të gjera. Ky mendim ka qenë edhe në historiografinë shqiptare.Referenca vetëm për fjalinë e funditështë Hylli i dritës, 1932, fq. 26. Në fakt, kjo referencë është në revistën e vitit 1931 dhe jo në atë të vitit 1932, siç është cituar.
Më tej, në faqet 280 – 281 të po këtij libri thuhet: “... prandaj nga kryeqyteti u dërguan provokatorë që i kërkonin [Aliut] të shkëputej dhe të ngrinte flamurin e kryengritjes kundër sulltanit. Ai u doli përpara rebeluesve dhe pranoi se kishin rënë në plogështi, prandaj i ftoi të marshonin drejt Sofjes. Pastaj ai paska marrë rrugën e Bitolit, kurse Stambolli priste që ai të dukej para dyerve të kryeqytetit”. Ndërmjet referencave, është edhe revistaHylli i dritës,viti 1932, fq. 26.
Në faqen 320, gjithashtu jepet përsëri një fragment, që citohet se është marrë nga Hylli i Dritës, viti 1930, fq. 26, ku thuhet: “Marrëdhëniet me Ibrahim pashë Bushatlliun vazhduan të ishin të tendosura. Të dy synonin të shtrinin pushtetin e tyre në territoret reciproke. Qëndrimi armiqësor i tyre kishte shqetësuar disa herë Portën e Lartë”.
Historiani rus G. Arsh i referohet edhe ai revistës Hylli i Dritës, dhe gabimisht vendos edhe ai disa herë vitin 1930. Revista Hylli i Dritës ka botuar një artikull me titull Kronikë mbi Mahmud Pashën, Brahim Pashën e Mustaf Pashën, në numrat 1 dhe 2 të vitit 1931, dhe jo të vitit 1930 ose 1932 siç jepet në referenca. Faqja 26 që përmendet shpesh, është e ndarë vertikalisht ku në anën e majtë është teksti italisht dhe në anën e djathtë ai shqip, të cilat nuk përbëjnë as dhjetë rreshta. Që të jemi korrekt me lexuesin, po e sjellim të gjithë tekstin e faqes 26 të Hyllit të Dritës:
“1801 – Brahim Pasha u çue e shkoj n’Elbasan, por, pa krye të thuesh kurrfarë punet, kthej në Shkoder.
1802-1803. – Këto vjet së kjene per kurrgja në shej veç se për dekë të Mehmet Pashës.
Në muej të Kallnorit, Brahim Pasha Vezir i Shkodrës kje ba prej Zotnis së Madh vezir-madh i Rumelis a se veqil-regj i të gjith Grekis, e i kjenë lëshue në dorë punët e Bullgaris. I kje lshue në dorë edhe me i dlir këto shtete prej cubash, perzisash e kryengritësash. Por sa i mori Brahim Pasha këto urdhna, çoj me të shpejtë n’Edrene Sulejman Pashë Peqinin si veqil të vetin a kajmekam, e në Monastir Sylejman Begun e vogël. Vetë mandej mlodh nji ushtri si lypej, e me madhni të madhe e qetësi mrrini, në ver, lumnisht n’Edrene. Prej këtej ... “, dhe pastaj vazhdon faqja 27.
Siç e shihni, në origjinal, në faqen 26 të revistës nuk flitet fare për Ali pashë Tepelenën.
Po kështu lenë për të dëshiruaredhe përkthimet. Më sipër folëm për përkthimin gabim, sikur Ushakovi i është drejtuar Kadir – beut dhe Mahmud efendiut. Por nuk është vetëm ky rast që përkthimet janë bërë gabim. Konkretisht, po japim edhe disa shembuj:
Në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, në faqen 86 shkruhet: “Megjithë që në vitin 1804 Rusia nënshkroi marrëveshje paqe me Aliun, ajo nuk hoqi dorë nga veprimtaria armiqësore kundër tij. Në vitin 1805 korpusi shqiptar u shndërrua në divizion shqiptar. Ai u zmadhua nga rusët me emigrantë dhe të arratisur të ndryshëm të mbledhur nga të gjitha anët e kontinentit”. Referenca jepet se është marrë nga libri i historianesruse A. Stanisllavskaja, fq. 309 – 311.
Dhe në librin Aliu midis historisë dhe legjendës, në faqen 337 shkruhet pothuajse e njëjta gjë: “Ndonëse qeveria ruse një vit më parë kishte nënshkruar paqe me Ali pashë Tepelenën, vazhdoi të veprojë nën rrogoz kundër Aliut. Në këtë vit korpusin shqiptar e ktheu në një divizion shqiptar, duke përfshirë rusë dhe emigrantë të arratisur nga zotërimet e Aliut”. Jepet e njëjta referencë si më sipër. Në këta dy paragrafë ka një ndryshim. Nëse në librin e parë thuhet “Ai u zmadhua nga rusët me shqiptarë ...”, në të dytin shkruhet “... e ktheu në një divizion shqiptar, duke përfshirë rusë dhe emigrantë ...”.
Ky paragraf është marrë nga libri i historianit rus G. Arsh, nga faqja 235 e librit të tij.
Në librin e Agustina Stanisllavskës, nga pretendohet se është marrë paragrafi, në këto dy faqe flitet për krijimin e forcave të rregullta, që numëronin 700 vetë, dhe të milicisë,që ishin forca vullnetare, 4000 vetë. Në faqen 309 thuhet se përveç këtyre forcave nga banorët e ishujve të Jonit, “autoritetet ruse filluan gjithashtu krijimin e korpusit të veçantë nga refugjatët grekë dhe shqiptarë të ikur nga kontinenti (suliotë, majnotë). ... për këtë qëllim u dërgua Pano Biçili, himariot. Këtu u tërhoqën dhe komunitete të tjera shqiptare dhe greke, e në radhë të parë himariotët. Në tetor 1805 ishte krijuar korpusi i himariotëve”.
Pra, nuk flitet fare për divizion shqiptar, por edhe fjala “korpus” nuk ka kuptimin ushtarak të një korpusi me divizione e brigada, por thjesht tregon një “trupë ushtarake”, sepse vetëm një divizion ka mbi 10 mijë vetë.
Gabime në përkthime ka edhe në paragrafe të tjera. Kështu, në faqen 130 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “ .... Aliu duhej të bashkohej me korpusin e 15 000 vetave që do të formohej nga pashallarët shqiptarë. Me pretekste të ndryshme ai kishte zvarritur ....”. Për këtë paragraf jepet si referencë libri i G. Arsh, fq. 163.
Por përkthimi është bërë gabim, sepse ai përkthehet “ ... Ali pasha ishte urdhëruar që me korpusin prej 15 mijë vetash t’i bashkohej pashallarëve të tjerë, pjesëmarrës të ekspeditës”.
Edhe në faqen 312 të librit të mësipërm,shkruhet: “Mocenigo në letrën e datës 19 qershor 1804 i shkruante Çartorijskit se qëllimet e perandorit për të bashkuar banorët e Epirit kundër Aliut ishin realizuar me sukses, se veprimet luftarake do të fillonin pas tri ditësh”. Referenca: G. Arsh, fq. 217.
Vërtet në këtë faqe ndodhet paragrafi i sipërm, por me një ndryshim, sepse nuk përkthehet “veprimet luftarake do të fillonin pas tri ditësh”, por “veprimet luftarake kanë filluar që prej tri ditësh”.
Gjithashtu, në faqen 139 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, ndër të tjera shkruhet se “I bindur se një nga faktorët e qëndresës së suliotëve ishte edhe ndihma e Rusisë, Aliu në vjeshtë të vitit 1793 kaloi në një shantazh ndaj qeverisë ruse, për të pranuar projektin e tij. Ai i tregoi Vukoviçit mbi marrëdhëniet jo të mira me pushtetin qendror, se ai po përgatitej të dilte në konflikt të hapur me të, prandaj kërkonte ndihmën e Rusisë, në të kundërtën, ai do të ndihmonte pushtetin qendror që të forcohej perandoria osmane”. Përsëri referenca është historiani rus G. Arsh, fq. 167.
Ky paragraf,që nuk ndodhet në faqen 167, por në faqen 164 të librit të historianit rus, ka një ndryshim, se Aliu i ka thënë që “do të jetë i detyruar t’i drejtohet për ndihmë perandorit austriak”, dhe jo se do forcojë pushtetin qendror të perandorisë Osmane.
Lidhur me këtë paragraf, të bën përshtypje një fakt: historiani rus shkruan “Sipas dokumenteve që kemi, është e pamundur të zbulosh se cili ishte reagimi i palës ruse për këtë propozim”. Pra ai as “hamendëson” dhe as thotë që “duhet të ketë qenë kështu, ose ka qenë ashtu” etj., që vihen re në disa libra për Aliun.
Në faqen 313 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, ka përsëri një gabim, të cilin nuk mund ta vlerësojmë nëse është gabim në përkthim, apo për të mos e nxjerrë Aliun në një pozitë inferiore. Aty shkruhet: “Aliu protestoi kundër veprimeve të emisarëve rusë. Kur nuk pati rezultat me protestat, ai ndoqi një rrugë tjetër, duke dërguar emisarin e vet në Korfuz dhe njoftoi se ishte gati të pushtonte Maqedoninë, t’i jepte garant dy djemtë, mjafton që Rusia të hiqte dorë nga veprimtaria antiAli. Qeveria ruse nuk e pranoi, por i shprehu gatishmërinë për të ndërmjetësuar për vendosjen e paqes me Lidhjen e bejlerëve, mjaftonte që ai të hiqte trupat nga Preveza, nga Vonica dhe nga Butrinti. Këtu si referencë jepet AVPR, dok. 5011, fq. 28 – 31, Mocenigo dërguar Çartorijskit, 11 qershor 1804.
Ky dokument, që në fakt është marrë nga faqja 216 e librit të historianit rus Arsh, dhe nuk është lexuar dokumenti origjinal, konkretisht thotë: “Ali pasha ndërmori gjithashtu përpjekje të fitojë simpatinë e Rusisë. Ai, nëpërmjet agjentit të dërguar në Korfuz, një farë Siropullo, propozoi që për Rusinë të pushtojë Morenë dhe pjesën tjetër të Greqisë, duke mbajtur për vete me cilësinë e feudit Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedonisë. Si provë të sinqeritetit të premtimeve të tij, pashai binte dakord që të jepte si peng djemtë e tij”. Por Mocenigo nuk kishte ndërmend aspak të ndalonte makinën e vënë në lëvizje. [Pra që veprimet luftarake kishin filluar]. Përveç kësaj, propozimet e Ali pashës ishin të papranueshme edhe në thelb, duke qenë se diplomacia cariste në atë periudhë synonte të ruante tërësinë territoriale të perandorisë osmane”.
Pra, siç shihet, Ali pasha donte të pushtonte Morenë dhe një pjesë të Greqisë që t’i mbante Rusia, ndërsa për vete të mbante Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedonisë.
Një nga problemetqë meriton më shumë vëmendje kur lexon librin Aliu midis historisë dhe legjendës është edhe fakti, nëse Aliu ka qenë despot, tiran, i egër, apo është rënduar shumë me këto epitete. Ai që e ka lexuar librin, me siguri kujton se aty përmenden autorë të huaj dhe shqiptarë që kanë shkruar për Aliun. Përmendet Pukëvili, i cili quhet “armik personal” i Ali pashës, Remerandi, Bessieri, Hjuxhi, Liku etj. Ndër autorët shqiptarë (fq. 15) përmenden emra të shquar si Vaso Pasha, që për të dy pashallarët, atë të Shkodrës dhe të Janinës thotë se “... ata ishin bërë tiranë, qeverisnin vendin me një despotizëm të tepëruar dhe populli i braktisi në dënimin që u dha sulltani”; përmendet Sami Frashëri, ku thuhet se “Të jepet përshtypja se autori është mbështetur tek autorët francezë dhe shpreh mllefin e familjes për ndjekjet e tij, duke e paraqitur atë si njeri analfabet e pashkollë, por shumë të zotin dhe të zgjuar ... Ai paska qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër dhe gjakpirës, intrigant, se në sytë e tij kryheshin tortura të tmerrshme, sa bënte që të vritej vëllai me vëllain ... se ai zhduku familjet e mëdha me influencë dhe të denja, një prej të cilave ishte e tija ...”; si dhe Syrja bej Vlora dhe Mehdi Frashëri që nuk kanë shkruar mirë për Ali pashën.
I vetmi që është përpjekur ta përmirësojë imazhin e Ali pashës ka qenë francezi Bessier, e për këtë shkruhet në faqen 173: “Tabloja e dytë jepet nga Bessieri në një promemorje, ku përpiqet të justifikojë katastrofën e Prevezës dhe egërsinë ndaj ushtarëve të krishterë që mbronin fortesën. Ai kërkon të zbusë imazhin negativ të Ali pashës përpara Bonapartit dhe kërkon të shfajësojë Aliun nga balta që ishte hedhur nga një artikull ...”. Më pas, në faqen 174: “Sipas Bessierit, Ali pasha nuk është pra i tillë, ashtu sikundër e përshkruajnë ata etj. ...”.
Lidhur me faktin nëse Ali pasha ka qenë barbar, i egër, tiran etj., mund të themi që në fillim se nuk ka asnjë autor që të shkruajë se ka qenë i mirë, përveç faktit se ka qenë trim dhe i zgjuar. Pastaj i kanëvendosur të gjitha epitetet më të këqija, intrigant, kusar, grabitqar, hipokrit, vrasës, i pabesë etj. Më poshtë do të japim disa shembuj, autorët e të cilëve nuk janë ndikuar nga autorët francezë, sepse këto kanë ndodhur para se të botoheshin librat e Pukëvilit, Remerandit, Bessierit etj., por edhe nuk besoj se ata i kanë lexuar.
Oficeri rus që shkoi, më 29 tetor të vitit 1798, në Prevezë për t’u takuar me Ali pashën, tregon:
“Rreth orës njëmbëdhjetë u ankoruam në Prevezë. ...
Kur iu afruam shtëpisë së zënë nga Ali – Pashai dhe që më parë i përkiste konsullit francez de-Lasal me bashkatdhetarët e tjerë të tij të vrarë këtu, na u shfaq një pamje tjetër akoma më e tmerrshme se e para: në të dy anët e shkallëve të mëdha të kësaj shtëpie, si gjylet para arsenaleve, ishin vendosur në formë piramidale koka njerëzish, që shërbenin si trofe e fitimtarit mizor të Prevezës fatzezë. Ai që nuk ka parë kokën e prerë njerëzore të lyer me gjak dhe me sy të hapur, ai nuk mund të gjykojë për tmerrin që na kapi ne te shtëpia e Ali – Pashës!”.
Më poshtë, oficeri rus vazhdon: “Ali – Pashait i kishin treguar gjithçka që kishte ndodhur me mua te shkallët. Sapo u futa në dhomë, ai më tha: “Ti nuk hëngre mirë në drekë, e di përse, di gjithçka, por unë këtu jam krejt i pafajshëm. Prevezakët vetë ngjallën zemërimin tim, duke vepruar bashkë me francezët”.
Këtu bëhet fjalë për vitin 1798, pra nuk ka asnjë ndikim nga librat e botuar, të cilët ende nuk ishin shkruar.
Një fakt tjetër. Në janar të vitit 1807, në brigjet pranë Vlorës u mbyt një anije luftarake ruse. Marinarët që shpëtuan dolën në breg dhe oficeri rus tregon peripecitë që kaluan, por përfundimisht i dërgua tek Ibrahim pasha në Berat, pasi kishin dalë në zotërimet e tij. Vetë oficeri shkruan:“... Pashai doli në qoshen e ndërtuar në verandë, nga ku na vështroi, urdhëroi të na kthenin ato që na ishin grabitur, na çoi në dhoma në shtëpi të krishtera dhe të na mbanin në mënyrën më të mirë, por me urdhër të rreptë që secili prej tyre përgjigjej me kokë për ikjen e mysafirit. ...Më në fund, pashai na njoftoi se Rusia i shpalli luftë Portës dhe se ne ishim robër lufte, prandaj ai nuk mund të na lëshonte. Ne në fillim nuk e besuam këtë lajm, por pashai i butë urdhëroi këshilltarin e tij (francez me rroba turke) të na përkthente fermanin e marrë nga sulltani. Atëherë, me hidhërim në shpirt na u mbush mendja për këtë lajm të hidhur për ne, dhe i dhamë pashait kamat tona, të cilat ai i mori me lot në sy. Më 10 shkurt u nda me ne miqësisht në oborrin e jashtëm të tij; lotët demaskuan shpirtin e tij të mirë dhe të mëshirshëm. Ai urdhëroi again rreptësisht, komandanti i karvanit, që të na mbrojë nga fyerjet dhe persekutimet dhe urdhëroi që për ne të merrnin kuaj deri në kufi të Shqipërisë, që u plotësua menjëherë. Por, sapo u futëm në kufijtë e tokave që atëherë ndodheshin nën sundimin e përbindëshitAli – pashë Janina, armiku më i madh i të krishterëve, e veçanërisht rusëve, që nga ajo kohë filluan dhe vuajtjet tona, që vazhduan deri në Konstantinopojë. Pothuajse në të gjitha qytetet që ndodheshin nën sundimin e Ali – pashës, shumë xhami ishin rrethuar me pahije sa një shtat njeriu, të cilat përqark ishin mbuluar me koka njerëzish. Për fat të mirë, Ali – pasha atëherë ishte në luftë kundër serbëve, që u ngritën kundër sulltanit nën udhëheqjen e Karagjergjit; ndryshe, ndoshta edhe kokat tona do të qëndronin në këto pahije”.
Ja pra që paska edhe pashallarë të mirë, si ai i Beratit.
Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës flitet edhe për vizitën e Bajronit tek Ali pasha.Në faqen 432 shkruhet: “Mjafton të veçojmë njërën prej tyre, letrën e Bajronit dërguar nënës në Angli (e datës 12 nëntor 1809). Bajroni vlerëson ndershmërinë, trimërinë dhe besnikërinë e shoqëruesve, pa lënë mënjanë edhe disa cilësi negative, si mizoria por jo të pabesë dhe të poshtër ...”.
Në këtë rast, nga letra janë marrë vetëm anët pozitive, në mënyrë që figura e Ali pashës të dalë sa më pozitive, por letra nuk sillet e plotë. Bajroni në letrën që i dërgon nënës së tij, ndërmjet të tjerave shkruan: “ ...Shkëlqesia e tij [pra Ali pasha] është gjashtëdhjetë vjeç, ai është i shëndoshë dhe me trup jo të lartë, por ai ka fytyrë të bukur, sy të kaltër dhe mjekërr të bardhë; ai është shumë i sjellshëm dhe njëkohësisht plot dinjitet, të cilën unë e has pa përjashtim te të gjithë turqit. Pamja e tij e jashtme nuk përputhet me thelbin e tij, sepse ky është një tiran i pamëshirshëm, fajtor në barbarizma të përbindëshme, trim, i famshëm me fitoret e tij, sa atë e quajnë Bonaparti mysliman. Napoleoni dy herë i propozoi ta bëjë mbret të Epirit, por ai është ithtar i Anglisë, ndërsa francezët nuk i duron, siç më tha vetë”.
Siç shihet nga letra, Bajroni e quan “tiran të pamëshirshëm dhe fajtor për krime të përbindëshme”, por këtu del dhe hipokrizia e Aliut, që “është ithtar i Anglisë, ndërsa francezët nuk i duron”, gjë që nuk ka qenë e vërtetë pasiAliu bëhej me më të fortin.
Për të mos e nxjerrë Aliun si mizor, nuk merren të gjitha fjalët nga referencat, por më e keqja është se ato ndryshohen. Kështu për shembull, në faqen 56 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “Qëndresës së Aliut ndaj derbendxhiut iu shtua dhe zgjuarësia për t’i shpëtuar pusisë. Ato rritën popullaritetin e tij. Me marrjen e Tepelenës, fshatrat që nuk i nënshtroheshin duhet të mendoheshin mirë”. Marrë nga libri i historianitrus G. Arsh, fq. 133.
Por historiani rus, në fq. 133 shkruan: “... Ali beu rivendosi pushtetin e familjes së tij në Tepelenë. Fshatrat që dikur ngritën krye kundër familjes së tij, iu nënshtruan ekzekutimeve”. Pra këtu nuk është fjala për “t’u menduar mirë”, por “iu nënshtruan ekzekutimeve”.
Si mund të justifikohen vrasja e kardhiqotëve, e banorëve të Hormovës, hedhja në greminë e grave të Sulit për të mos rënë në dorën e Aliut dhe jo të turqve, siç ka qenë e shkruar në histori? Komentet janë të tepërta.
Ka edhe raste të tjera kur bëhen përpjekje për të mos ulur figurën e Ali pashës, e për këtë arsye nuk sillen të plota paragrafet ose fragmentet e marra nga burimet e tjera. Kështu, për ngushtimin e territoreve të Ali pashës dhe djemve të tij nga ana e sulltanit, në faqen 635 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, shkruhet: “Aliu dhe Veliu e konsideruan atë si vepër e Halet efendiut, të cilit i ishte mbyllur rubineta e verdhushkave. Në vendin e Veliut u dërgua Sulejman pasha, i cili u prit nga disa çeta kundërshtare. Në shkurt të vitit 1820, Sulejman pasha mori me rezistencë Larisën dhe Tërhallën”. Referenca: G. Arsh, fq. 311.
Vërtet G. Arsh shkruan në faqen 311 për këtë problem, por ja se çfarë thotë: “... Përkundër frikës së Portës, Sulejman pasha pa rezistencë, në shkurt 1820 mundi të marrë Larisën dhe Trikallën”. Pra, nuk ka pasur asnjë rezistencë me armë. Kjo ndoshta bëhet për të treguar se edhe ithtarët e Aliut nuk dorëzoheshin lehtë, pa luftë.
Fakt është se përveç kështjellës së Janinës, ku ishte mbyllur vetë Ali pasha, të gjitha të tjerat kishin rënë brenda dy – tre muajsh.
Lidhur me një bisedë të Aliut me Paparigopullosin, në faqen 645 po të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, shkruhet: “Paparigopulli gjatë bisedës i kishte lënë të nënkuptonte se në rast të luftës me sulltanin, qeveria ruse do ta mbështeste atë. Paparigopulli nuk ishte njeri i besuar i qeverisë ruse. Ai me këtë mision në favor të heteristëve duhej ta shtynte Aliun në luftë me sulltanin që të lehtësonte kryengritjen greke. Veprimtaria e Paparigopullosit dhe e heteristëve që rrethonin Aliun lojtën rol në pozicionimin e Aliut ndaj sulltanit”. Fragmenti ka si referencë librin e G. Arsh, fq. 315 – 316.
Në librin e G. Arshit thuhet se qeveria angleze nuk interesohej më për Aliun, dhe se I. Paparigopulli ishte njeri i besuar i konsullit rus Vllasopullo, dhe jo se nuk ishte i besuar. Por përveç këtyre, aty thuhet: “Ali pasha i kërkoi Paparigopullit që të njoftojë qeverinë ruse se ai kërkon që Aleksandri I ta pranojë me çdo kusht atë në radhët e nënshtetasve të tij besnikë”.
Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës ka dhe shumë paragrafe ose fragmente që thuhet sejanë marrë nga libri i akademikut rus, ose nga libri Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, por që në fakt nuk ndodhen në faqet që referohen prej tyre.
Kështu, në faqen 312 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “300 suliotë shkuan nga Korfuzi në Pargë. Në këtë komplot duket se vepruan edhe rusët e Korfuzit. Bashkë me suliotët shkoi edhe një nëpunës i qeverisë ruse për rrogat e luftëtarëve. Më 27 qershor të atij viti u bë e ditur se qeveria ruse gjatë veprimtarisë luftarake do ta furnizonte çdo muaj me 1000 fund barrot, 2000 fund plumb dhe 1000 moc. ...”. Këtu jepet si referencë faqja 217 e librit të historianit rus G. Arsh.
E vërteta nuk është kështu. 300 suliotët aty nuk përmenden dhe as nëpunësi i qeverisë ruse për rrogat e luftëtarëve. Për 300 suliotët flitet në librin e historianit rus, por në faqen 219 dhe është marrë nga libri i Aravantinos. Diçka tjetër, nuk shkruhet fund, por funt, njësi peshe, ku një funt është i barabartë me 409,5 gram. Nuk shkruhet as barrot, por barut.
Në faqen 375 po të atij libri, shkruhet: “Mehmet efendiu u kthye nga Tilsiti në Janinë me shpenzimet e veta, me dy letra: njëra e shkruar nga Napoleoni dhe tjetra nga Tajerlandi. Napoleoni me diplomaci i shkruante Aliut se i jepte rëndësi miqësisë me të, se ai kishte dhënë prova të dashamirësisë ndaj tij, se do t’u jepte urdhër gjeneralëve që të merreshin vesh me atë, se tashmë ishte vendosur paqja me carin rus, se ai duhej të ishte i bindur ndaj sulltanit”. Këtu jepen shumë burime në referencën 91, ndër të tjerë edhe libri Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, fq. 108 – 109, dhe ai i historianit G. Arsh, fq. 236.
Në fakt, te këta dy të fundit këto fjalë nuk janë fare. Tek libri i akademikut rus G. Arsh thuhet: “... Ali pasha dërgoi në Tilsit përfaqësuesin e tij special Mehmet efendiun, të cilin e porositi që të arrinte të siguronte që atij t’i jepeshin ishujt e Jonit. Por Napoleoni, që dikur në mënyrë të sigurt i premtoi Ali pashës t’i lëshojë Korfuzin, tashmë “nuk mbante mend” për premtimet e tij”. Ndërsa te libri Diplomacia e Ali pashë Tepelenës shkruhet konkretisht: “Pa filluar mirë lufta ruso – turke e vitit 1806, Napoleon Bonaparti e la në baltë perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet në Tilzit për arritjen e një paqeje me Rusinë. Me anë të kësaj marrëveshjeje, që u nënshkrua më 9 korrik 1807, Rusisë jo vetëm i njihej pushtimi i krahinave osmane të Vllahisë dhe të Moldavisë, por i jepej edhe Bullgaria, ndërsa Francës i kalonin ishujt e detit Jon”.
Në faqen 660 po të librit Aliu midis historisë dhe legjendësjepen disa të dhëna për luftimet, tradhtitë në ushtrinë e Aliut. Pastaj shkruhet: “Nga ushtria e Aliut filloi dezertimi. U përhap lajmi se Omer Vrioni dhe kapedani Odise Andruco filluan të mos i binden Ali pashës. Njerëz nga Janina bënin të ditur se Aliu desh t’i vriste ata. Më pas Dalip Përmeti, i ngarkuar për të mbrojtur Artën, hyri në marrëveshje me turqit, prandaj Aliu nisi besimtarin e tij Elmaz aga Meçon me 3000 vetë”. Referenca: G. Arsh. Fq. 320.
Sa më sipër, Arshi shkruan se nga njoftimet e diplomatëve rusë filloi dezertimi në ushtrinë e Aliut, të vërteta dhe fjalët për Omer Vrionin dhe Odisenë, dhe që Aliu donte t’i vriste. Por fjalia e fundit, Më pas Dalip Përmeti, i ngarkuar për të mbrojtur Artën, hyri në marrëveshje me turqit, prandaj Aliu nisi besimtarin e tij Elmaz aga Meçon me 3000 vetë,nuk ndodhet te libri i Arshit. Gjithashtu, nuk thuhet besimtar, por i besuar, ose të besuarin e tij.
Më pas, në faqet 667 – 668, po të këtij libri shkruhet: “Shanishaja e mbyllur në kalanë e Libohovës pësoi një tronditje të madhe dhe u hidhërua shumë nga tradhtia e nipave. Ajo i shkroi Mahmutit se duhej t’i vinte turp nga qëndrimi ndaj Aliut, e nxiti për qëndresë dhe e mallkoi në rast se do ta tradhtonte gjyshin e tij, prandaj të mos hynte në bisedime me të dërguarin e Ismail Pashos. Ajo i dërgoi një shumë të madhe të hollash për t’i përdorur kur të paraqitej nevoja. (Referenca jepet G. Remerand dhe G. Arsh. Fq. 323)
Se çfarë ka në librin e Remerandit nuk mund të flasim, por në librin e historianit rus nuk është asnjë nga këto fjali.
Në faqen 712 të librit Aliu midis historisë dhe legjendësshkruhet: “Aliu u prit në ishull ... Aliu u trajtua me respektin më të madh. Hurshiti nuk e priti në ishull sipas marrëveshjes me pretekstin se ishte i sëmurë. Kjo i la Aliut një shije të hidhur. Megjithatë ai i çonte atje peshqeshe dhe me të mira e mbulonte si, qingja qumështi të pjekur, kafe të zezë, ëmbëlsira. Kabatë ndiqnin njëra pas tjetrës. I këndonin këngë që kishte qejf ai. Fjalë të ëmbla i lëshonin, por gurë në torbë. Erdhi dita që osmanllinjtë ta vënë në lojë Aliun”. Referencat janë Alipashaida, Vaje dhe G. Arsh. Fq.335.
Përveç faktit që Hurshid pasha nuk e takoi, se u hoq sikur ishte i sëmurë, fjalitë e tjera nuk ndodhen në librin e historianit rus.
Duket sikur referencat për librin e akademikut rus G. Arsh janë vënë për të shtuar numrin e burimeve, pasi ose nuk flitet aspak për ato që shkruhen në libër, ose merren të cunguara që të mos ulet figura e Ali pashës, ose janë shtrembëruar.
Në faqet 915 – 916 të librit Aliu midis historisë dhe legjendësshkruhet: “Ashtu siç e pamë në pjesën e parë, Aliu i propozoi pushtetit qendror për organizimin e rrjetit informativ në krejt Rumelinë. Ndonëse nuk dimë reagimin e pushtetit qendror, policia sekrete e drejtuar nga Tahir Abazi ishte shtrirë në krejt Turqinë Evropiane deri në Stamboll”. Këtu referenca është historiani rus G. Arsh, fq. 278, dhe V. Meksi, Prejardhja e Ali pashë Tepelenës,fq. 45, që është dorëshkrim në AIH.
Në faqen 278 të librit të historianit rus flitet për fortifikimet, udhëtimet brenda vendit që bëheshin me leje, rojat nëpër rrugët etj. Për policinë e fshehtë flet vetëm kaq: “Për luftën me kundërshtarët politikë Ali pasha kishte policinë e fshehtë. Agjentët e saj depërtonin nëpër shtëpi, ndiqnin veprimet dhe bisedat e banorëve ... etj”. Por nuk ka asgjë që Aliu t’i ketë propozuar pushtetit qendror për organizimin e rrjetit informativ në krejt Rumelinë. Nga ana tjetër, a do t’i interesonte Aliut që pushtetit qendror t’i jepte një armë të fuqishme me anë të së cilës ky pushtet ta luftonte vetë Aliun ? Paragrafi fillon me fjalët “Ashtu siç e pamë në pjesën e parë ...”. Këtë pjesën e parë, nuk e kemi gjetur ende.
Në librat Diplomacia e Ali pashë Tepelenës dhe Aliu midis historisë dhe legjendës, është edhe problemi i referencave. Në këta libra ka shumë fragmente ose paragrafë, por asnjëherë ato nuk janë vënë në thonjëza, kështu që nuk e kupton secila pjesë është marrë nga librat e konsultuar. Në shumë referenca jepen disa libra si burime. Kjo të lë të nënkuptosh se të gjithë këta autorë në librat e tyre kanë shkruar afërsisht të njejtën gjë. Por nuk është kështu, sepsenë shumë nga këto referenca, në të cilat jepet edhe libri i G. Arshit, fragmentet që jepen nuk janë aspak në librin e tij. Disa i përmenda më lart.
Referencat nga dokumentet turke, nga ato franceze, jepen në gjuhën përkatëse, ndërsa referencat ruse, si dokumentet edhe librat nuk jepen të shkruara në gjuhën ruse. Në të dy librat ka referenca dhe jepen dokumentet ruse, sikur ato janë shfletuar nga autorët përkatës. Në librin Diplomacia eAli pashë Tepelenës, megjithëse materialet janë marrë nga libri i G. Arshit, ai nuk përmendet asnjëherë si referencë, por jepen referencat e vetë historianit rus. Arsyeja është ndoshta se në atë kohë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik ishin ndërprerë. Po kështu edhe në librin Aliu midis historisë dhe legjendës, ku jepet si referencë libri i G. Arsh, ka shumë paragrafë sikur janë marrë drejtpërdrejt nga dokumentet ruse. Kjo nuk ka pasur mundësi të ketë ndodhur, sepse libri i G. Arshit është botuar në vitin 1963 dhe marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik ishin ndërprerë. E dyta, materialet arkivore nuk jepen asnjëherë pa paguar. Dhe së fundi, kur dikush u interesua që të merrte dokumente nga arkivat ruse për një punim të tij, përgjigja prej tyre ishte: “Kushtojnë shumë shtrenjtë. Ju nuk mund t’i blini”.
Të gjitha dokumentet ruse shënohen me germa shqipe. P. sh. po japim vetëm një për ilustrim, referencën nr 74 në faqen 111: CGAVMF, F. Kanc. PT, dok. 170, f. 173; AVPR, F.SRV, Dok. 342, Benaka-Kolegjit të PJ, 15 maj 1792. Germat e mëdha tregojnë Arkivin, pastaj jepet fondi përkatës, e më passhkruhetdok. 170. fq. 173. Kjo vihet re në të dy librat e përmendur. Një gjë e tillë nuk është e saktë. Në dokumentet në gjuhën ruse, pas fondit vjen Nr i dosjes përkatëse dhe pastaj numri i fletëve, dhe jo nr i dokumentit dhe ai i faqes. Ndryshe, nëse dikush i kërkon këto dokumente, nuk mund t’i gjejë në arkivin përkatës.
Në librat historikë të botuara në gjuhën ruse ka edhe shumë materiale të tjera për Ali pashë Tepelenën, përveç atij të botuar nga akademiku rus G. Arsh. Në to vihet re ky fenomen: autorët rusë shumë rrallë përsërisin ndonjë material nga botimet e tyre të mëparshme ose të autorëve të tjerë, por gjithmonë japin dokumente të reja, të pabotuara më parë. Nëse do të përsëriten ato që janë botuar më parë, ose do të merren pjesë voluminoze nga botimet e autorëve të tjerë, atëherë çfarë vlere ka?
Të vjen keq kur lexuesi merr në dorë libra të tillë, me gabime historike, shtrembërime të fakteve dhe ngjarjeve, sajime të fakteve që nuk kanë ekzistuar, për të mos folur për gabimet ortografike.
Historia nuk mund të shkruhet në këtë mënyrë, duke fshehur faktet dhe duke i shtrembëruar. Çfarë vlere ka kur sot ato që na serviren në gjuhën shqipe, mund të gjenden edhe në origjinal? Si do mendojnë lexuesit kur faktet që na serviren në gjuhën shqipe i kanë lexuar edhe në gjuhën e huaj? Përse ne përpiqemi t’i fshehim ose t’i ndryshojmë? Ali pashë Tepelena po bën 200 vjet që ka vdekur dhe meritat që ka nuk ia heq askush, por të shkruhen edhe ato anë negative të tij. Kaq sekret të madh përbëjnë këto fakte sot për Aliun?
Më e drejtë është që ngjarjet dhe faktet të jepen ashtu siç kanë ndodhur, dokumentet të sillen në gjuhën shqipe ashtu siç janë shkruar, me atë kuptim që kanë pasur në atë kohë. Historinë të mos e shkruajmë siç na pëlqen neve, por ashtu siç ka ndodhur. Tjetër gjë është interpretimi që mund t’i bëhet ngjarjes, faktit apo dokumentit nga autorë të ndryshëm.
ความคิดเห็น