Nga romani ''Kohë për muzg''
INTERMEXO
- Eeeeeeeee, heeeeeeeeejjjj, moreeeeeee, heeeeeeeeejjjjj! – kumboi zëri.
U duk sikur u ça timpani i luginave e i honeve që zgjateshin deri përtej kufirit.
- Oooooooooo, Hooooo, moreeeeeeeee, hooooooooo! - u përgjigj tjetri që ishte krejtësisht i padukshëm.
Përgjigja vinte që andej nga maja e maleve që ishin rreshtuar të kapur në supe, si valltarë virtuozë në një skenë të hapur natyrore.
- A duket gjë andeeeeeeej?
- Mjegull shoh e nëpërmjet saj dalloj ushtri të panumërta osmane. Si valë deti e si lumë vijnë që larg, nga Azia. Në krye u prijnë atdhemohuesit tanë, tradhtarë e shërbëtorë të Sulltanit, mbushur me florinj e xhevahirë. Si nuk u mbarua e si nuk u lodh ky soji i tyre?
- Mirë moreeee, mirë! Shtruar nuk do ta gjejnë shtëpinë! Me shpata, kosore, shtiza e jataganë do ti presim e mbi kufomat e tyre vallen do të ngremë!
- Heeejj eee heeejj! – kumbon përsëri zëri i parë. - Ç'po më shohin sytë kësaj radhe?! Një ushtri shumë e madhe po afrohet e në krye dalloj Baderën, Ballabanin, si e thërrasin tani. Matjanin, le e rritur atyyyy! Por pas tij shoh edhe vetë Sulltanin, ku ky tradhtari si një kone i lëpihet të zot. I pështirë, i ulur dhe i bindur.
- Nuk na tremb jooooo!. Si gjithmonë do të bëjmë detyrën ndaj vetes dhe Arbërisë, hallemadhes sonë.
Ishte buzëmbrëmje
Qielli lart ende ndriste si i larë në ar.
1
Betejat ishin bërë të përditshme dhe lufta dukej që nuk do të kishte fund. Kështjella qëndronte e vendosur si një shqipe mali me kthetrat e ngulur thellë mbi masivin e Krujës. Ballaban Pasha vështroi qiellin dhe diellin që po shkonte të flinte pas hapësirës së ujit në perëndim e mblodhi buzët. Ndjeu një trishtim e zbrazëti brenda tij. Ushtarët i pa të lodhur ndërsa ktheheshin për në kamp, një fushim sipër fushës së Tiranës. Kishin sulmuar disa herë portën e kalasë, por nuk kishin mundur që të hynin brenda saj. Javën që kaloi, aty afër mesditës e provuan edhe një herë tjetër. Kishin qenë vetëm një grusht luftëtarësh që nuk dolën më prej saj. Informacionet që mbërritën tregonin se ishin asgjësuar brenda nëpër dy rrugica të kalldrëmta dhe deri tek një portë e hekurt që shërbente si një çark minjsh pa mundur që të shpëtonin dot.
Dhe kjo e pikëlloi njeriun që mbante rrethimin e dytë prej disa muajsh.
Ishte vendosur dy vite të shkuara në Stamboll, e Sulltani Mehmet ll Fatih solli që nga andej në qershorin e shkuar një forcë që i kalonte këtë herë njëqind e gjashtëdhjetë mijë njerëz, për të marrë një shpagim për humbjen e rrethimit të parë.
- Kemi disa muaj këtu dhe jemi ende përtej mureve të Krujës. Pa hyrë brenda. Pa e prekur. Nuk jemi ngritur nga Stambolli me këtë fuqi ushtarake nga më të mëdhatë në botë për të ardhur e për të soditur bukurinë e kësaj kalaje. Por që ta mundim. Ta rrafshojmë së bashku me këta njerëz e bukëshkalin Iskander që është rritur në oborrin tonë.
Njeriu më i fuqishëm i perandorisë turke lëvizi brenda çadrës së tij të veshur me kadife të kuqe e blu ku binin në sy shiltet e zbukuruara me ornamente dhe shkronja që dukeshin të përdredhura si kremça e të qendisur nga mjeshtërit më të mirë me fije ari. Ndali një çast përpara një sixhadeje të madhe të varur në krahun e djathtë të tij dhe ia nguli sytë me ngulm. Aty paraqitej një pjesë e oborrit të godinës së tij atje në Stambollin e largët dhe ai vetë mes oborrtarëve i ulur mbi një stol të drunjtë duke mbajtur në duar një kupë ëmbëlsire të mbuluar me borë malesh. Përrreth disa gra të bukura që dukeshin se, sapo e kishin mbaruar një vallëzim para gjithë të pranishmëve dhe në sfond portreti i babait të tij Muratit, i vizatuar dhe i qendisur mbi një sixhade tjetër pjerrtas, por që valëzonte, sikur donte të tregonte se jetonte dhe flladitej në një tjetër botë, atë mistike. U kthye befas nga Ballaban Badera, njeriu që kishte përpara e që qëndronte në gjunjë si një shërbëtor tipik e i devotshëm Dukej se përpara eprorit të tij nuk merrte as frymë.
Njeriu i pushtetshëm i stambollit mblodhi nofullën e hollë ku në fundin e saj zgjateshin disa fije gjysmë të thinjura dhe shtrembëroi fytyrën. Pastaj u mbush me frymë e foli me një maraz të papërmbajtur e me një zë që i doli nga gjoksi si një bubullimë:
- Të ka rënë barra ty që ta thyesh e ta gjunjëzosh në emrin tim dhe të perandorisë sonë të lavdishme. Ndaj, po të kërkoj:- Kështjellën ose kokën, – kishte thënë me gishtin tregues, një çast para largimit, sulltani.
Kjo e kishte vënë në mendime që nga ajo kohë në mes të vjeshtës për të gjetur një zgjidhje. Iu duk se tashmë betejën e kishte vetëm me kështjellën dhe krenarinë e saj. Ballaban Badera komandën e luftimeve e kishte marrë që kur iku e u kthye në Turqi padishahu i tij
Ktheu kalin dhe me shpurën që e ndiqte nga pas, drejtues formacionesh të ushtrisë, nxitoi për në kamp.
Tek dera e çadrës i tha Sadedin Çanekalasë, sekretarit të tij, që të lajmëronte gjithë këshillin e luftës të mblidhej aty.
- I dua pa kaluar akshami. Mos u vono.-urdhëroi mëkëmbësi i sulltanit në atë fushëbetejë të stërgjatur.
Ia dha kalin një prej rojeve të tij e me hapa të vogla iu drejtua derës së çadrës së madhe të fushimit në ngjyrë të thellë blu, ku zakonisht rrinte e pushonte, por bënte edhe takime e mbledhje me vartësit e tij të luftës. Tashmë në kokë kishte një plan tjetër. Dredhi e pabesi. Duhej që t'i ndërpriste sulmet që bënte dhe organizonte ato ditë, t'i shtynte edhe më tej, edhe pse episodike, me të cilat donte që t'i thoshte e tregonte kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë kalasë se ishte prezent aty dhe se kishte akoma shpresë ta fitonte këtë luftë.
2
Një plak i kërrusur me rroba të linjta e të arnuara që mbante një shkop thane me gunga në dorën e djathtë, iu shfaq krejt papritur afër mesditës të së premtes së dytë të majit të shkuar. I doli përpara komandantit të ushtrisë në një prej shesheve në perëndim të Stambollit, ku fushonte prej një muaji e gatitej për luftë.
Ballabani në fillim u shtang, kur, befas, pas një bregoreje e shqoi njeriun që dukej si një lypës nga ata që i shihte vazhdimisht në pazarin e qytetit, sa herë do t'i binte rruga të kalonte e të nisej në Karadeniz, për në shtabin e luftës. E ndali kalin atë moment dhe ua bëri me shenjë ushtarëve të skuadrës që e ndiqnin dhe e shoqëronin, që kur kishte dalë një çast më parë nga pallati i sulltanit, dhe shkeli me thembër fort yzengjitë.
U ngrit në këmbë.
- Durgut, – iu drejtua shoqëruesit që kishte në krahun e majtë. - Ec përpara dhe pyete se ç'na kërkon ai plak i shëmtuar.
Tjetri lëvizi me kalë e doli në krye të rreshtit.
Ballaban Pasha nuk dëgjoi se çfarë bisedoi i dërguari i tij me plakun e kërrusur që i kishte zënë udhën, por zërin e hollë si të një fëmije këtij të fundit ia dalloi që aty. Iu duk i përvuajtur dhe tepër i plakur për moshën e tij nën ato petka të pista e me zhul, që zor se i shquhej ngjyra. Zgjati dorën në çantën prej lëkure bualli që varej anës shalës së kafshës që kalëronte dhe nxorri prej andej një qese të vogël meshini me pesë mexhite ari dhe urdhëroi një tjetër ushtar shoqërues për t'ia dhënë lypësit.
- Për mirësi dhe bamirësi që të na ndihë fati në udhën që do të nisim për në betejë, - tha dhe zgjati dorën të përkëdhelte jelet e kalit të tij të zi, racë arabe, që s'e mbante vendi.
Kali fërgëlloi.
Shoqëruesi u kthye shpejt. Mbante në duar qesen e kthyer.
- Pashai im, ai plak shtrigan nuk e pranoi dhuratën tuaj.
Ballaban Pasha picëroi sytë e vegjël blu e lëvizi atje lart mbi shalën e kalit të tij.
Bëri ''hëëmmmm'', por nuk shqiptoi asnjë fjalë.
U ndie i fyer.
- Kërkon që të bisedojë vetëm me ju,- tha se ka një lajm e kumt që vjen nga larg.
- E pyetët se nga vjen?
Ballaban Pasha nuk u ndie i qetë. Kishte një lloj dyshimi, por edhe kurioziteti për të mësuar lajmin. ''Do të jetë ndonjë informator",- mendoi atë moment, sikur donte që t'i mbushte mendjen vetes në prag të misionit më të madh të karrierës pranë sulltanit të tij të madhërishëm.
Komandanti i ushtrisë i dha udhë kalit e disa metra përpara ndali fillimisht pranë shoqëruesit Durgut, të cilin e kishte nisur që të fjalosej me njeriun që kishte zënë udhën. E zhbiroi një çast me sy për të dalluar mirë se mos kishte të bënte me ndonjë që i kishte ngritur pusi vrastare dhe, kur e largoi këtë dyshim, u afrua përballë njeriut të leckosur që kishte ngulur vështrimin e tij tutje në një pikë të perëndimit..
- Po ju dëgjoj, - i tha lajmësjellësit.
Tjetri u duk se u drodh. U kthye dhe ia dalloi mirë kalorësit trupin e shkurtër e fytyrën kuqërreme me disa leshra bionde të pathinjura që kishin dalë nën çallmën turke e cila tregonte edhe gradën e pozicionin e tij në oborrin e sulltanit
- Mëhill Badera, mos harro që shumë vite më parë kjo ushtri që ti i shërben sot, t'i bastisi të gjitha fshatrat e luginës së Drinit te Zi në Dibër dhe në luginën e lumit Mat, deri në fshatrat e thella të Martaneshit që osmanet e cilësuan si ”çerdhe qafirësh”, ishte territor i princit të nderuar, Gjon Kastriotit, kapedanit ku shërbente familja jote e Baderave… - Pashait iu shfaq një ngërç në fytyrë e lëvizi para saj shuplakën e dorës së djathtë, sikur kërkonte që të trembte e të largonte diçka prej andej. Lëvizi muskujt e buzëve por nuk nxorri zë - Masakrat e osmanëve nuk kursyen asnjë familje arbëre në këtë krahinë kryengritëse. Fatkeqësia pllakosi edhe mbi familjen tuaj, sepse ushtarët turq të përdhunuan dhe ta vranë nënën, Helenën, gruan e Milloshit, babait tënd. - Ballabani këtê rrashë lëvizi i shqetësuar mbi kalë. Komandanti turk vuri dorën tek doreza e shpatës që i varej anash, por pa mundur që ta nxjerrë nga mylli. Njeriu i veshur me të linjta e që ligjëronte shqip, nënqeshi e tundi kokën me pikëllim, sikur donte të thoshte këtë herë një gjëmë, vazhdoi: – E po, t'u shërbesh vrasësve, siç ke bërë ti gjatë gjithë këtyre viteve, O Mëhill, nuk ka zot në tokë e qiell që ta gjykojë.
Ballaban Pasha e nxori shpatën e ajo vetëtiu nën rrezet e diellit që digjte atë mesditë fillim maji. Kali gërreu me patkoj tokën e dukej se i hanin këmbët për t'u nisur me revan. Ktheu përsëri kokën.
Ndodhej dhjetë hapa larg shpurës së tij. Askush nuk e kishte mësuar se ç'lajme e kob kishte sjellë njeriu që kishte zënë pritën dhe nga kush.
Badera pyeti:
- Kush je dhe kush të solli këtu?.
Tjetri lëvizi kokën në heshtje e mblodhi buzët e holla të thata e të mavijosura:
- Lekë ma thonë emrin. Arbër jam. Nuk vij nga ato vise. Sëmundja më ka zënë e më ka rënduar këtu tash e tridhjetë e ca vjet, duke u endur fillimisht nëpër spitalet e Kostandinopojës.. Por zemra më dridhet këtu brenda në kraharor dhe dua që të të them:- Mos! Mos u nis e mos e merr udhën me ushtrinë që të rrënon, që atij vendi, Arbërisë sonë të shtrenjtë e të bekuar nga zoti, t'i vësh zjarrin e flakën si turk e tradhtar. - Ngriti gishtin tregues dhe e drejtoi andej nga Veri-Perëndimi. - Ajo tokë do të të mallkojë. Atdhemohues!
Pashai ngriti shpatën lart, por kali instiktivisht bëri prapa. Hingëlliu dhe ngriti dy këmbët e para. Ushtaraku që nuk e priti këtë lëvizje të menjëhershme të kafshës, u kap fort pas tij. Trupi iu zbramps. Shtrëngoi dhe tërhoqi frerin për të ruajtur ekuilibrin mbi kalë.
- Ti je një i çmendur, – thirri turqisht, – që nuk ka heqim të të shërojë në këtë botë! Por unë nuk do të të kursej më. Prite fundin tënd.
U sul. Anoi pak djathtas dhe me kordhën në dorë e preu në mes.
Trupi i tjetrit u palos e pastaj si një degë e tharë vjeshte ra e u platit ngadalë mbi tokë.
Ndërkaq Ballaban Pasha kishte shkuar me kalë duke ndalur disa hapa më tej. Lëvizi supet dhe hodhi vështrimin nga shpata e tehu i hollë i saj që kullonte gjak.
Nuk e ktheu kokën që të shihte viktimën e radhës së tij.
3
Njoftimi i fundit që kishte mbërritur nga Stambolli, fliste për një formacion të madh luftarak që pritej të mbërrinte nga çasti në çast. Mbase edhe punë dy a tre ditësh. Ndofta edhe pak më shumë...
Ia kishte premtuar padishahu që në mes të shkurtit. Atëherë, kur dimri u acarua më shumë dhe, kur ishte kuptuar tashmë se Skënderbeun ishte tepër e vështirë ta mundje dhe kështjellën e Krujës që e kishin përballë, zor se do ta gjunjëzonin, ashtu siç kishin bërë me disa prej tyre gjatë kthimit të sulltanit për në Azi. Ushtria e rrethimit kishte shumë humbje në jetë njerëzish. Dukej e sfilitur dhe e lodhur në veprimet luftarake.
Nuk kishte të dhëna për numrin e ushtarëve, por as se kush e drejtonte atë. Padishahu me sa dukej emrin e mbante sekret. Kjo për shkak edhe të rrjedhjeve të informacioneve që vinin me një shpejtësi prej rrufeje më parë tek Skënderbeu që nga sarajet e tij të reja atje, në Stamboll.
Ballabani shpresonte që të ishte ngarkuar një komandant i zoti, për ta pasur më lehtë nën urdhërat e tij, me të cilin do të ndërtonte dhe realizonte planin e ri të sulmit.
E kishte menduar gjatë në periudhën e fundit.
Nevojën për formacione të reja ia kishte shfaqur edhe vetë padishahut që në momentin, kur me një pjesë të ushtrisë ai u largua nga Shqipëria për t'u kthyer me shpejtësi në Stamboll. Sipas tij gjendja atje në Perandori po vështirësohej pasi dy komandantë që la atje për të ruajtur shtetin e të qeverisnin prej muajsh, kishin hyrë në një konflikt të thellë. Flitej se nuk kishin administruar mirë as taksat me të cilat mbahej ushtria e Perandoria Osmane.
Në palcë të dimrit Badera kishte dërguar një letër ku i kërkonte dhe i kujtonte sërish përforcime.
Ishte i sigurtë që në se do të merrte në zotërim edhe një formacion luftarak që do të ishte e pakta mbi njëzetë mijë ushtarë të armatosur mirë, kryesisht kalorës, do të ndjehej më i sigurtë se do ta arrinte fitoren. Ishte mundësia që ta merrte kështjellën dhe do ta mundte Skënderbeun. Ëndërronte se do të kthehej fitimtar dhe se do t'ia puthte këmbët Sulltan Mehemetit me krenari...Ky ishte mendimi që e kishte kapluar gjithë atë kohë e jetonte me atë si zot i luftës në vendin që e kishte lindur.
Fërkoi duart i ngazëllyer.
E lajmëruan se darka ishte gati, por ai u tha se do të ulej në sofër më vonë.
Me trup të shkurtër e të lidhur mirë prej atleti e flokët bjond, ai ende mbante dhe ushqente besimin e gjithë perandorisë osmane si një nga gjeneralët më të zot, qyshkur kishte hyrë i pari në marrjen e Kostandinopojës. Pastaj ishte sprovuar edhe në disa beteja në Azi e disa vende të Ballkanit. Ishte përballur edhe me Skënderbeun në një betejë në Vajkal, tri vite më parë, edhe pse e kishte humbur luftën, kishte mundur me dredhi që të fuste në një kurth tetë nga komandatët me të zot të kryetrimit të Krujës.
Atë kohë në Stamboll e kishin pritur si fitues. Ndaj Sulltani gjithë shpresat i kishte varur tek ai.
E kishte thirrur me urgjencë nga krahina në kufi me Arbërinë, ku shërbente prej disa kohësh si sanxhakbej. Ai kishte fluturuar drejt qendrës së Perandorisë pa e ditur se çfarë shërbimi e priste këtë herë.
Për katër ditë e tri netë u ndodh aty.
Në sallën e madhe ku e drejtuan, kishte kohë që kishte filluar një takim i vetë Sulltan Mehmetit me disa nga komandantët më me emër që kishte ushtria turke nga gjithë Perandoria. Zuri vend e nuk u bë më i gjallë pas përshëndetjes me kreun e Osmanëve.
Përpara tij ishin dy nga negociatorët e dërguar pak kohë më parë tek Kastrioti në Krujë.
- Skënderbeun e ndeshëm në një kamp fushimi pranë një tende të madhe nën hije. Ishte buzë një lumi me ujë të kulluar. Atje na drejtuan, kur mbërritëm në Krujë, e kur u thamë që na kishit dërguar ju o i plotfuqishmi i tokës dhe i detrave përreth. Hanin, pinin, qeshnin si në dasmë, sikur të mos e dinin se ç'është lufta dhe ku mund të linin edhe kokën atje. Ne mbanim në duar flamurin e bardhë. Na morën e na shpunë më tej. Kryezoti i Arbërit që na u shfaq aty në majë të kalit, na pyeti: ''Ç'jeni ju dhe ç'kërkoni këtej?- I thamë që ishim lajmëtarë të mbretit të madh të Turqisë që është më i forti në botë. Kërkon që të dijë se ku mund të luftosh ti me mbretin tonë. Skënderbeu na u përgjigj shkurt:- Ec i thuaj le të vijë.
Sulltani rrudhi buzët e u prish menjëherë në fytyrë. E zuri inati. Vendosi duart mbi gjunjë.
Pyeti lajmëtarët:
- A e patë Skënderbeun?
- E pamë, o mbret i madh, – u përgjigjën menjëherë lajmësjellësit e u përkulën sërish.
- Po ushtrinë e tij?-
- E pamë, posi jooo! - Thanë me një gojë negociatorët.
- Kishte shumë ushtri Skënderbeu? Për këtë ju kam nisur, që të hetoni dhe të vëzhgoni çdo detaj. Të zbuloni atë që ne nuk e shohim nga këndej dhe jo të më tregoni përralla me të ngrënat e të pirat e shqiptarëve.
Raportuesit u dukën se u trembën nga toni i egër i Sulltanit. Ai më i gjati që me sa dukej ishte i preferuari i sulltanit, sa herë i duhej këtij për të negociuar me armiqtë e tij, jo vetëm në ballkan, kroi zërin e tha duke ngritur supet:
- Ushtri nuk kishte shumë aty, aq sa mësuam, por ata që i gjetëm aty e kishin syrin pishë e hidhnin vallen e shpatave. Dukeshin sikur prisnin me padurim të merrnin urdhër që të turreshin në luftë.
Sulltan Mehmeti këtë herë bëri, sikur nuk ia vuri re, kur ai përdori me gjuhë të figurshme moralin e ushtrisë armike, atje në atë cep të Ballkanit, buzë Adriatikut. Tundi kokën në heshtje e ra një çast në mendime. Pastaj, sikur të ishte zgjuar befas nga një kllapi që e tundonte, pyeti duke ulur zërin; sa që tjetri përballë mezi e dëgjoi:
- Po Skënderbeu si t'u duk? A ishte i trembur?-
- Jo, o mbreti i madh. E kishim përballë me të dy duart të mbështetura në dorezën e shpatës, si një perëndi lufte.
U xhindos Sulltan Mehmeti sërish e shfryu inatin:
- Merrini dhe kyçini në hapsane! I vini nën torturë! I ka blerë qafiri dhe bukëshkali Iskander! Më kanë tradhtuaaaaar! - Tha e kërceu në këmbë - Më tradhtoooojnë! Por unë do t'u tregoj arbërve se ç'është vdekja. Do të lëshoj ushtrinë time që t'i kositin si bar. Të shohim pastaj në do të jenë të zot të ngrihen e të hedhin vallen e shpatave. Do ti shkel …
Ngriti e përkuli këmbën e majtë dhe pastaj e përplasi fort në dysheme.
Ballaban pasha u shkund nga kjo përhumbje e kujtimi i asaj skene, ku do të merrte më vonë edhe urdhrin për rrethimin e Krujës, në krah të vetë Sulltanit.
Ndjeu një përzjere në stomak dhe kuptoi që darka që priste atë mbrëmje duhej harruar.
Lëvizi drejt hyrjes së çadrës dhe hodhi sytë përtej në natën e zezë, në pritje të mbledhjes së këshillit të luftës që e kishte porositur më parë.
4
Nata ndihej e lodhur.
E pagjumë.
Kishte kohë që heshtte lart në kala e asaj mezi i dalloheshin që larg konturet.
I kishte fikur që të gjitha dritat në qiell, sikur donte që t'i krijonte një çast intim vetes, ndonëse mesnata ende nuk kishte zënë të kalonte pragun e saj. Klithma e dy shpendëve u duk se e çau për një çast terrin e pastaj u dëgjua rrahja e flatrave të tyre. Dhe qetësia u rikthye sërish.
Një hije luftëtari lëvizte ngadalë nëpër bedena. Silueta e tij herë qëndronte e bisedonte me rojet e shërbimit të fshehura pas tyre, herë hidhte vështrimin poshtë në këmbët e saj. Pishtarë të panumërt që jepnin andej poshtë, përtej Krujës, një dritë të zbehtë dukeshin që digjeshin të përçudnuara në ajrin e ftohtë e të lagësht të prillit.
Reflektonin ndonjëherë masive çadrash që nuk u dallohej ngjyra e forma.
Të kujtonin se aty gjendej ende kampi i rrethuesve.
Kishin muaj që ushtarët osmanë, me mijëra të ardhur nga një kontinent tjetër, ishin shfaqur aty. Në ditën e tretë taboret e panumërta zunë vend para kështjellës në pritje të sulmeve duke e treguar menjëherë egërsinë e tyre. Përgatitjet për luftë, pajisjet e makineritë e mëdha dhe gjigande luftarake, po zinin edhe hapësirat duke e kthyer gjithë atë pak fushë përballë në një kamp të madh ndërtimi. Ishin sjellë aty trupa e trungje të mëdha nga pemët e pyjeve përreth, por edhe një pjesë e tyre ishin këputur përgjatë rrugës që bënte ushtria osmane, që kur shkeli kufirin e arbërit.
Plani ishte detajuar që në Stamboll, në dhomën e madhe të sarajeve të Sulltanit. Kishin qenë një grup komandantësh nga më të zot që kishte ushtria turke, të sprovuar në rrethime e beteja të tilla kështjellash.
Arbërorët ishin bërë një pengesë serioze e vetë shtetit dhe Perandorisë së Lindjes.
Pas Betejës në Fushë Kosovë ku kish lënë kokën sulltan Murati, në përballjen me ballkanasit, i biri Murati i dytë gjeti vdekjen pas humbjes së rrethimit të parë të kështjellës. Mjekët që e shoqëronin përgjatë rrugës së kthimit për në Anadoll, menduan se i kishte rënë damllaja brenda çadrës së tij, diku në humbëtirat e thyera ballkanike, në rrugën që të çonte drejt gadishullit të vogël aziatik. Ishte çasti që po kalonte natën në pritje të çlodhjes së ushtrisë së tij nga ai udhëtim i gjatë. Fillimisht kishin qenë disa lëvizje të pandërgjegjshme nga vetë padishahu si dhe fjalë që i lëshonte përçart. Kështu kishte deklaruar Safet Sadedini, roja i tij besnik që nuk mbyllte sy në krye të detyrës pranë shtrojeve ku ishte shtrirë e flinte padishahu. Por Nuri beu, mjeku më i besuar i familjes së Sulltanit që e shoqëronte në atë betejë ushtarake kishte pranuar se ishte zemra ajo që ndaloi për shkak të hidhërimit, stresit dhe depresionit për humbjen e betejës me kështjellën dhe arbërorët.
Ia kishte marrë e grabitur Gjon Kastriotit dhe pastaj e kishte pagëzuar si ''Kështjellë e Bardhë''. Por nuk do t'i rezultonte më kështu të birit, Sulltan Mehmetit që nxitoi t'i bënte një rrethim tjetër asaj pas disa vitesh, me merakun e madh që ta pushtonte e ta rrëzonte. Kështjella ishte kthyer në një mit jo vetëm për shqiptarët. Evropa e krishtërimi kishte filluar që t'i mbante sytë pikërisht mbi atë.
E konsideronin si simbol qëndrese.
Për Padishahun dhe më të madhin e osmanllinjve, Kruja dhe kështjella e saj ishte edhe një çështje hakmarrjeje për atë dhe familjen e tij e pastaj për perandorinë, për shkak se i mori kokën babait që e solli në jetë.
Dhe këtë nuk mund që t'ua falte dot arbërorëve.
Pas marrjes së Kostandinopojës nuk kishte më gjumë për Sulltanin, deri sa të mund ta vriste Gjergj Kastriotin e ta shtinte në dorë atë. Vetë kryetrimin e Arbërorëve e quante bukëshkalë e tradhtar të madh. Ai ishte rritur si peng në oborrin e familjes së Sulltanit e ishte formuar si luftëtar aty.
As këtij nuk do t'ia falnin. Ishin në binjakëzim mëritë turke për kështjellën dhe për vetë Kastriotin që tashmë e ruante dhe e mbronte me fanatizëm atë.
Rrethimi i dytë ishte menduar si goditja fatale ndaj të dyve, luftëtarit e ngrehinës lart mbi shkëmb. Kishte sjellë për të realizuar qëllimin e tij mbi dyqindmijë luftëtarë të mbledhur nga të gjithë krahinat e vendet që ishin në zotërim të një perandorie nga tre kontinente, Azia, Afrika dhe Evropa me buxhetin më të madh të kohërave që përfshinte tri vitet e ardhshme nga taksat e Perandorisë. I kishte rritur shumë për vendet nën pushtim gjatë kohërave të fundit për t'i hedhur pastaj që të gjithë aty. Këtë herë do të vinte përballë një nga gjeneralët e tij më të mirë, jeniçerin Ballaban.
Shpresonte në fitoren e këtij ushtaraku.
Ishte shqiptar dhe se përballë shqiptarëve, veçse një i tillë mundet që të merrte suksesin e të realizonte ëndrrën e vjetër të familjes dhe atij vetë.
Derdhi mbi të hekur, zjarr dhe i rrahu me gjyle të panumërta muret e trasha të saj sa për pese beteja të marra së bashku.
Gjithë verën e kaloi me sulme e lëvizje forcash dhe manovra ushtarake për ta frikësuar kundërshtarin. Kur pa që, edhe pas dhuratave e thirrjeve, premtimeve të panumërta, do të tregohej paqësor me ata, në se e dorëzonin kështjellën, nuk pinë ujë, premtoi sërish dhe u betua se do t'i falte edhe jetën.
Të rrethuarit nuk pranonin kurrësesi. Ishin të vendosur në qëndresën e tyre.
Kampet përreth ia sulmonte Skënderbeu që sillej e vinte nga lartësitë si një dre mali. Ia digjte e plaçkiste duke i vrarë me dhjetëra e qindra ushtarë. Këtë nuk mund ta duronte dot padishahu. Si një luan i plagosur dridhej e ulërinte kudo. Mallkonte. Por bukëshkali që ishte jashtë kështjellës ku kish kyçur një garnizon atje, kërkonte dhe i jepte çdo ditë luftën ku ai nuk e mendonte. E ngacmonte nga krahët ndryshe nga të rrethuarit në kështjellë.
I ardhuri nga Azia ishte përgatitur për betejë e luftë frontale. Fërgëllonte dhe plaste nga inati që kundërshtari përballë nuk po ia jepte atë.
I marrosur dhe gati në çmendi i tha vetes së tij një mëngjes pa feksur mirë drita, tek dera e çadrës së tij, teksa kishte kaluar edhe një tjetër natë pa gjumë:
- Unë sulltan Mehmet pushtuesi, që kam vënë nën zgjedhë popuj, shtete e tri gjysma kontinentesh. Unë që mora vetëm me një lëvizje Kostandinopojën, qendrën e madhe të krishtërimit, nuk mund që të ndalem para kësaj kështjelle që po më zemëron.
Në mbledhjen e ditës, kur ajo ishte në të fikur dhe, kur e gjithë ushtria ishte kthyer në vendfushimet e saj, i tregoi grushtin komandantëve të luftës duke u thënë se atë që rri përballë mbi shkëmb e kishte brenda gishtërinjve të mbledhur.
Kërkoi që të sulmohej me shpejtësi e më fort.
Por shumë shpejt kishte kuptuar se përveç qëndresës së arbërorëve, nuk ishte as koha me të. Po fillonin shirat dhe vjeshta kishte ditë që kishte trokitur në Arbëri.
Inati nuk e mbante më.
Dy ditë e dy netë u mbyll brenda çadrës së tij e nuk lejoi që të hyjë aty asnjë këmbë njeriu. Mjekët u frikësuan. Menduan se mund 'ti ndodhte si të atit që kishte gjetur vdekjen nga e njëjta kështjellë. E gjithë shpura me historianë, kronikanë e lajmëtarë që e ndiqte nga pas në fushim e beteja të panumërta me kështjellën e arbërve, besuan dhe thanë nën zë se kishte ndodhur gjëma...Historiani Ibën Kemal përplasi dhe rrahu fort me grushta gjoksin e tij e uluriu si një ujk...
Kur e panë, ashtu si u shfaq në mesnatën e ditës së tretë me leshra të shpupurishura e një mantel mëndafshi të qielltë, e pandehën si një fantazëm. Dikush nga grupi që ishte ngulur prej ditësh para çadrës pa u larguar asnjë çast prej aty, pandehu se ishte babai i vdekur i padishahut, Sulltan Murati.
Dhe i tha vetes:
''Qenka ngritur nga varri lugat''.
Nata nuk kishte hënë e qielli ishte mbushur e i ngarkuar me re të përhimta. Sulltan Mehmeti dukej se ishte tretur shumë e mezi mbahej në këmbë ato çaste që u mbyll në çadrën e tij. Mbylli sytë e i fërkoi me kurrizin e dy gishtave tregues dhe u mundua ta shquante atë përtej errësirës.
Iu duk se po digjej në natën pis të zezë.
Pastaj picëroi sytë dhe ia dalloi që larg konturet që mezi shfaqeshin përmes një shtëllunge të përhime avujsh e që silleshin si një gjeratore rreth saj. Po pa ia cënuar aspak krenarinë, duke e bërë që të ndihej keq e të vuante.
Nuk ishin gjë tjeter veçse imazhe ireale e haluçinacione të një njeriu në jerm.
U mbyll sërish brenda e në mëngjes mori vendimin.
- Të iki pa turp e sa më shpejt nga ky vend i mallkuar, – i tha vetes.
Kështjellën dhe betejat për të, ia la Baderës.
Comments