top of page

Albert HABAZAJ: FLUTUROI NJË FLUTUR E ARTË


FLUTUROI NJË FLUTUR E ARTË

 

Dy fjalë ngushëllimi në përcjelljen e Farfuri Gjikondaj Ribaj për në banesën e fundit, Hysoverdh, e mërkurë, 27.11.2024

 


 

Ikjet nga jeta të njerëzve tanë të njohur e të dashur na tkurrin, na zvogëlojnë, na bëjnë më të ndjeshëm e me ngarkesa të larta emocionale, por kjo ikje e Farfurisë na ligështoi keq.

Dje, më 26 nëntor 2024 duke kaluar faqen online të facebookut ndalova tek një njoftim i Mozës së Petritit. Iu riktheva leximit. Prapë e rilexova. Jo. Jo. E pabesueshme. Tronditëse. Por ishte e vërtetë. Ajo që në të gjitha frontet e jetës ia kishte dalë mbanë, Farfuria nuk e fitoi betejën e fundit. Iku e re. Këtë 29 qershor mbushi 64 vjeçe. Ishim moshatarë. Të Gjashtëdhjetës. Të lindur në vitin e Bllokadës, siç thoshim me njëri-tjetrin ne, bashkëmoshatarët. Vetëm 3 muaj më e vogël se unë qe Farfuria.

Pastaj, kur më mori në celular Petriti, unë, që vërtet dallgët e jetës më kanë bërë të prekshëm si fije bari në furtunë, por po aq dhe shkëmb të fortë në përballimin e tyre, vetëvetiu u rrëmbusha në lotë. Si duket diga e vetëpërmbajtjes nuk mundi të rezistonte më tej për këtë humbje humane. Vërtetë që Farfuria nuk ishte motra ime, por ishte motra e madhe e kunatës sime, Netës së Piros. Po unë e njihja shumë mirë Farfurinë, sepse kemi 35 vjet, që jemi bërë një shtëpi me familjen e xha Hamitit dhe xhi Mezesë. Ndërkohë, Hysua është kushëri i parë i gruas time dhe, mosha gati e barabartë i jep vlera më humane miqësisë, e lidh më ngushtë krushqinë.

Më ishte mësuar syri, që ta shikoja Farfurinë të hipte e të zbriste si gjeraqinë te shtëpitë e vëllait tim e motrës së saj, që Farua kujdesej aq shumë sikur ta kishte shtëpinë e saj e më shumë. Sedërtare si ajo, punëtore si xhi Mezeja, pastërtore që shoqe kishte veten, bukëbardhë e bukëdhënë shtruar sofrën, zjarrndezur 4 herë: në Vranisht, sa qe e re, në Hysoverdh 17 vjet e në Vlorë 2 herë, te shtëpia e kunatit - Njaziut në Ujë të Ftohtë 24 vjet (rreth një çerek shekulli) dhe tek shtëpia e saj e re në krahë të Akademisë së Marinës, ende pa gëzuar as 3 vjet.

Ajo ishte një menaxhere e mirësisë harmonike jo vetëm në vëllazëri e mëhallë, por kudo ku jetoi dhe punoi, la gjurmët më të mira dhe të pashlyeshme për të tjerët. Ajo sikur kishte lindur që të sakrifikohej për të tjerët. Dhe pa u ankuar asnjë çast të vetëm në jetë, me një buzagaz të thjeshtë, që unë e kam të regjistruar për gjithmonë në kujtesë.

Farfuri Gjikondaj Ribaj   lindi më 29 qershor 1960 në Vranisht nga dy prindër të mirë, me tradita atdhetare dhe zakonore shembullore: Hamit dhe Meze Gjikondaj. Vajza e madhe e tyre dhe motër e dy vëllezërve: Petritit e Muhametit, si dhe motër e tre motrave: Antonetës, Linditës dhe Aurorës. U shkollua dhe u arsimua në fushën e mjekësisë, ku dha ndihmesën e saj si infermiere model në shërbim të shëndetit të të sëmurëve dhe pacientëve si dhe të gjithë njerëzve të tjerë që kishin shqetësime shëndetësore.

Sikurse ngushëllon dhe shoqata Atdehtare Kulturore “Vranishti”, Farua ishte jo vetëm një shoqe, por edhe një kolege model. E shoqëruar, fjalëmatur, punëtore, sedërtare për të arritur suksese në punë, si dhe një bashkëshorte, një nënë, një gjyshe, një motër e kunatë e mrekullueshme.

Farfuria u martua me një bir vranishtiot Hyso Zenel Ribaj, por banor të fshatit Hysoverdh.

Ata lindën dhe rritën katër fëmijë model: Linën, Eglën, Brunën dhe Fitimin. Vajzat e kanë ndërtuar çerdhen e tyre dhe e gëzuan gjyshe Faron me nipër e mbesa. Timon e pati merak, por drita e syrit të Faros dhe Hysos do ta përmbush amanetin e së bardhës nënë të tij...

Pak ditë më parë Farfuria do të niste një luftë me shëndetin, nga ku do të transferohej në spitalin e Tiranës për t’ju nënshtruar një operacioni. Sot Farfuria i mbylli sytë përgjithmonë, për t’u bërë banore ëngjëllore e parajsës.

Farua jetoi në këmbë dhe iku në këmbë. Kreshnike e familjes së saj dhe e jetës dinjitoze njerëzore. Tani që do të gëzonte me të urtin Hyso vitet e para të pensionimit, iku, fluturopi në përjetësi...

Ju shpreh ngushëllime të thella e të sinqerta, bashkëshortit, fëmijëve, motrave, vëllezërve, fisit Ribaj e Gjikondaj.

Farfuri Gjikondaj Ribaj! Bëfsh dritë! Ike shumë shpejt. Makinë Frëngu, si xhi Mezeja... Jetove e punove si ti. Në këtë jetë nuk e njohe fjalën pushim. Tani po pushon për gjithmonë. Na ke helmuar shumë, o Faro... Sot po fluturon një flutur e artë në parajsë.

Faro! Të dritëroftë kujtimi, o Faro!

 

Vlorë - Hysoverdh, e mërkurë, 27.11.2024

36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page