
Urrej politikën bajate të grindjeve partiake,
por nuk mund të hesht për këto gjyqe Hage.
Si mund të lihej dikur krimineli, pa u vrarë,
kur vriste e përdhunonte truallin kosovar?
Pyetja më e thjeshtë, që bën çdo njeri,
kur vjen çasti të gjykohet me drejtësi:
Shkoi kosovari të vrasë serbin, në konak,
apo shkoi serbi, bëri masakër në Reçak?
Vajtën vajzat e dëlira kosovare në Beograd
në kabaretë e turpit, për qejfe ditë e natë,
apo u sulën hamshorët e pacipë të Serbisë
te virgjëreshat e Kosovës, në lulen e rinisë?
Me gjykim të njëanshëm Tribunali në Hagë,
si mund t’i behet përkrahës gjenocidit, prapë,
duke shkelur të drejtën e barazisë juridike,
për të akuzuar vetëm çlirimtarët, nëpër gjyqe?
Ashtu si një fermë, nuk ka të egër vetëm një viç,
Serbia s’kish të çmendur vetëm një Millosheviç,
por ushtri bandash, që përzuri popullin nga trojet,
të kërkonte në qytetet shqiptare strehë mburoje.
S’janë vendosur të drejtat e njeriut në Evropë,
për gjuajtje golash hakmarrëse, në një portë,
me arbitra, që kanë veshur bluzat e Serbisë,
dhe përdorin peshoren e vjetër të padrejtësisë.
Kini parasysh o gjyqtarë, në Tribunalin e Hagës,
mos i ndani, ca të njerkës, ca të nënës e babës,
nacionalizmit sllav, t’i kënaqni mllefin me vrer,
se kosovari lind e vdes, vetëm për liri dhe nder!
Comments