top of page

Ajnshtajni nuk ka shkruar por i ka kënduar lirisë, i ka bërë hymn asaj!!!


Jorgo Mandili

Kush më mirë se Ajnshtajni do t'i thurte lirisë një hymn të tillë me kaq ngjyrime filozofie dhe poezie?

AJNSHTAJNI DHE LIRIA!

-Unë nuk besoj në lirinë njerëzore në kuptimin filozofik. Çdo njeri vepron jo vetëm nga shtysa e jashtme, por edhe në përputhje me kërkesat e tij të brendshme.

Thënia e Shopenhauerit se "njeriu mund të veprojë ashtu siç dëshiron, por nuk mund të dëshirojë ashtu siç mund të donte", ka qenë një frymëzim për mua që në rini; ajo ka qenë një ngushëllim i vazhdueshëm dhe një burim i pashtershëm i tolerancës përballë vështirësive të jetës, të miave dhe të tjerëve. A. Ajnshtajn. Në këtë fragment , Ajnshtajni, në mënyrë të sintetizuar ka shprehur ashtu siç mund t'a bënte vetëm ai,thelbin e konceptit të lirisë, të një lirie relative,e kushtëzuar nga dy forca, nga ajo e jashtme dhe ajo e brendshme.Rezultantja e tyre kushtëzon shkallën e lirisë së individit.

Bëhet fjalë për një forcë rezultante, që e bënë njeriun një qënie projektuese, në mënyrë që të përballë pa kurrfarë lëshimi, projektet e përpunuara në botën e brendshme të tij me situatën e botës së jashtëme... Duke pranuar si lajtmotiv të jetës së vet filozofinë e Shopenhauerit se "njeriu mund të veprojë ashtu siç dëshiron, por nuk mund të dëshirojë ashtu siç mund të donte", ai pohon pamundësinë në jetën reale të një lirie absolute.,por ndërkohë ai vlerëson se përpjekjet e njeriut për të realizuar në mënyrë sa më të plotë këtë ideal, asnjëherë nuk duhen rreshtur.  Ja vlen të analizojmë dhe të evidentojmë arsyet e shkaqet e këtij konceptimi ajnshtajnian të lirisë dhe pastaj secili le të kuptojë se sa gabim e kemi kuptuar dhe menaxhuar lirinë jo vetëm në aspektin individual,por edhe institucional,gabim i cili na çoi në marrëzinë e tranzicionit, që ende nuk po dalim dot .

-.Përse nuk mund të flitet për një liri absolute në kuptimin filozofik?

Njeriu është një tërësi e botës së rrethanave, një njeri konkret i mbërthyer pas botës materiale, "një njeri që ekziston në një kontekst gjërash, në një rrethanshmëri po aq ekzistuese sa dhe vetë ai" (Husserli). Pra njeriu, i cili nuk mund të shpëtojë dot nga kjo rrethanshmëri (sepse vetë jeta është lidhja midis një Uni dhe një Rrethanshmërie - një bashkekzistencë objektive), gjendet rrjedhimisht në një ekzistencë jo të tijën, "në një objektivitet të kufizuar në kohë dhe hapësirë që përbën pikërisht rrethanshmërinë e tij" (Joze Ortega).

Me rrethanshmëri nuk kuptohet vetëm ambienti fizik në të cilën rron çdo qënie njerëzore, por edhe ambienti shoqëror. Kësisoj krijohet një lidhje e fortë, një urë e pandashme midis botës së çdo individi dhe botës në përgjithësi, të kundruar nga jashtë si një shkëmbim alkimik midis ambientit dhe qënies.

Në këtë raport falë imagjinatës së vet, njeriu krijon një botë të brendshme krejt të tijën, por që "nuk mund të veprojë ashtu siç dëshiron" sepse është i vendosur në një raport problematik dhe autentik në rrethanshmërinë individuale, që i lejon njeriut të gjejë kuptimin e jetës së vet nëpërmjet gjetjes së prirjes individuale dhe vënies së saj në zbatim.

Kësisoj kuptimi i jetës konsiston në pranimin nga çdokush të kësaj rrethanshmërie (kushtet e jashtme nuk do të mund ta lejonin të "dëshironte ashtu siç do të mund të donte") të pashmangshme, e përgjatë këtij pranimi, shndërrimit të saj në prirjen e vet personale. Ky realitet rrethues përbën gjysmën tjetër të personit, e vetëm nëpërmjet tij ai mund të integrohet dhe të jetë tërësisht vetëvetja, jo në kuptimin e Unit absolut,por në kushtet e rrethanshmërisë ku ai jeton dhe vepron.

Çdo njeri në jetë vepron jo vetëm nga kërkesat dhe dëshirat e tij të brendëshme, por edhe nga shtysa e jashtëme, për rrjedhojë nuk mund të flitet për një liri njerëzore absolute në kuptimin filozofik.

."të projektosh vetveten në cakun e lirisë."

Duke qenë se jeta është lidhja midis një Uni dhe një Rrethanshmërie, "të jetosh do të thotë të gjendesh në botë, të pësosh dhe njëkohësisht të veprosh mbi sendet në një lidhje të ndërsjelltë, në mënyrë që ta projektosh vetëveten në cakun e lirisë" (Heidegger). Pra njeriu është i dënuar ta përkthejë nevojshmërinë e vet në liri.

Është pikërisht liria ajo nëpërmjet së cilës Uni arrin të sajojë ekzistencën e vet ose e thënë ndryshe, "të ushtrojë lirinë për të vendosur atë çfarë kërkon të jetë në këtë botë"(Ortega)

Pra, është thelbësore ushtrimi i lirisë dhe vetë projektimi, sepse vetë jeta është domosdoshmërisht dhe imazh, fantazi, formulim idesh të reja, gjë që arsyeja për shkak të strukturës së vet karakteristike, nuk mund ta bëjë dot vetëm.. Është pikërisht kjo arsyeja që Ajnshtajni flet për liri të brendeshme dhe të jashtme për njeriun.  ... liria e brendshme dhe liria e jashtëme....

Me liri të brendshme Ajnshtajni kupton kushte të tilla të përgjithëshme ku formulimi dhe deklarimi i mendimeve, apo i bindjeve për problemet e veçanta dhe të përgjithshme të njohjes nuk do të ndikojë në gjendjen e tij materiale as do të rrezikojë jetën e tij. Kjo është liria e arsyes e cila konsiston në pavarësinë e të menduarit nga kufizimet që vendosen nga autoritetet dhe paragjykimet sociale, nga arsyetimet shabllone si dhe në përgjithësi nga zakonet. Kjo liri "është një dhunti e rrallë e natyrës dhe njëkohësisht është edhe një dëshirë shumë e kërkuar nga çdo individ". Kjo ka rëndësi të madhe praktike për zhvillimin dhe zgjerimin e njohurive në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore. Kjo lloj lirie për mundësitë intelektuale të zhvillimit është e nevojshme por jo e mjaftueshme.

Njeriu ka nevojë edhe për një lloj tjetër lirie, që Ajnshtajni e quan liri të jashtëme.

Këtë liri ai e lidh me kohën dhe fuqinë që duhet të ketë në dispozicion njeriu për t'u marrë me veprimtari të tjera që i interesojnë atij (përveç asaj që i duhet për sigurimin e nevojave jetësore). Dhe kjo arrihet atëherë kur do të zgjidhej në mënyrë të arësyeshme problemi i shpërndarjes së punës nga përparimi i shkencës dhe teknologjisë. "Një ndarje e planifikuar e punës - thekson ai - po bëhet një nevojë që kërkon gjithnjë e më shumë vëmendje dhe kjo nevojë do të sjellë sigurinë materiale të individit. Kjo siguri si dhe koha dhe energjitë e kursyera që individi do të ketë në dispozicion, mund të kthehen drejt zhvillimit të personalitetit të tij ". Në këtë rrugë shoqëria mund të rrisë mirëqenien e saj dhe "ne mund të shpresojmë se historianët e së ardhmes do t'i shpjegojnë simptomat e sëmundjes së shoqërisë së sotme si sëmundje foshnjore të një humanizmi të dëshiruar, të shkaktuar plotësisht nga shpejtësia e jashtëzakonshme me të cilin përparon civilizimi.

"Ja pra, me kushtin që liria e brendëshme dhe e jashtëme e individit të mos nënvleftësohen, mund të krijohet mundësia e zhvillimit dhe përsosjes shpirtërore, rrjedhimisht mundësia e përmirësimit të jetës së individit që padyshim çon në rritjen e mirëqenies së shoqërisë. Pa një liri të tillë nuk do të kishim as Shekspirin, as Gëten, as Njutonin, as Faradein, as Pasterin e as Listerin. Nuk do të kishim as shtëpitë komode për masat e gjera të njerëzve, as hekurudhat e radiondërlidhjen, nuk do të kishim as mbrojtjen kundër epidemive, as libra të lira, as kulturë dhe nuk do të shijonim as edhe kënaqësitë e artit për të gjithë. Nuk do të kishim as makineritë që i kanë çliruar njerëzit nga puna e rëndë, që është e nevojshme për plotësimin e nevojave thelbësore të jetës. Shumica e njerëzve do të bënte një jetë të rëndë prej skllavi, po ashtu si nën despotizmin e vjetër aziatik. Vetëm njerëzit e lirë kanë qenë ata që bënë zbulimet dhe punët intelektuale, që na i kanë bërë jetën tonë shumë të çmuar. A mos ka qenë e lehtë rruga drejt këtij progresi intelektual?

Aspak! Prandaj liria duhet mbrojtur!

Nëqoftëse do të dëshirojmë t'i rezistojmë forcës që rrezikon të mposhtë lirinë individuale dhe intelektuale duhet ta kemi të qartë se cilat janë problemet aktuale të saj dhe kujt ja kemi borxh atë liri që stërgjyshërit tanë e fituan për ne pas betejash të ashpra. Ky është mesazhi i Ajnshtajnit për ne dhe brezat e ardhshëm.

-Përse Ajnshtajni e mbrojti me forcë idealin e lirisë?

Sepse pa liri nuk ka krijimtari, nuk ka zhvillim nuk ka demokraci. Ka thënë (O. Wilde) se "Amerika është bërë e tillë siç është (me mirëqenie, me mundësi për njerëzit dhe kampione e demokracisë, Shën. im), jo se ka qenë e pasur, por se ka qenë e lirë"

Sepse, Liria sipas Ajnshtajnit është gjeneratori i demokracisë e cila nga ana e vet u krijon mundësi të pafundme individëve për punë dhe veprimtari krijuese. Vetëm individi i lirë e i pavarur mund të mendojë dhe krijojë vlera të reja për shoqërinë dhe "për më tepër, madje të përcaktojë edhe standarde të reja morali me të cilat përshtatet jeta e komuniteti".  Njerëzit e lirë krijojnë një jetë për vete dhe jo për të tjerët. Njerëzit e lirë dhe krijues janë të prirur të marrin përsipër rreziqe, janë të pashtershëm në ide, energji dhe vullnet për të realizuar idetë e tyre me një këmbëngulje sizifiane dhe me një shpirt kundërkonformist, jo tekanjoz e kryeneç, por një kundërkonformizëm racional, që buron nga modelet ideale të zgjidhjes së problemeve" (J. P. Sartri).

......Misioni i edukimit!

Ajnshtajni në mënyrë të qartë dhe të sintetizuar na thotë se edukimi ka për mision të ndërtojë një qënie që të tejkalojë kufijtë e së tashmes dhe të vetvetes. Dhe gjatë gjithë shkrimeve të tij përshkohet nga filozofia e Zh. Zh. Russoit për krijimin e qytetarit:

"Nuk ka shoqëri moderne pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetari. Krijoni qytetarin dhe dhe keni çdo gjë që ju nevojitet"  Vetëm një individ i tillë mund të mendojë dhe të krijojë vlera për shoqërinë, madje të përcaktojë standarte të reja morali. Këtë korrelacion midis individit dhe shoqërisë nuk mund ta shprehë askush më mirë se sa Ajnshtajni: "Pa personalitete të afta krijuese që mendojnë dhe gjykojnë në mënyrë të pavarur, zhvillimi dhe përparimi i shoqërisë është aq i pamendueshëm sa dhe zhvillimi i personalitetit të individit pa ushqimin shpirtëror të shoqërisë".  Pra, çlirimi ose izolimi i individit varet nga ushqimi shpirtëror i shoqërisë. Arsimi dhe morali janë mendja dhe zemra e një shoqërie moderne. Deformimet në moral e çojnë një shoqëri në kriza të vazhdueshme politike, institucionale, financiare, administrative. Deformimet në arsim e çojnë një popull në padituri, në injorancë, Kësisoj sa më pak i arsimuar të jetë një popull aq më lehtë është i mashtrueshëm, aq më e lehtë bëhet goditja e thelbit të ekzistencës së qenies: liria dhe vlerat e individit, për rrjedhojë aq më lehtë sundohet dhe skllavërohet populli,sepse "në epokën e paditurisë nuk vihet asgjë në dyshim, madje as atëherë kur bëhen gafat më të mëdha; në epokën e diturisë dridhemi edhe atëherë kur veprojmë si duhet" (Monteskje).Një njeri i arsimuar është në rrugën për t'u bërë Perëndi, një njeri gjysmë i arsimuar është në rrugën për t'u bërë njeri-djall. Kjo tregon se shkalla e lirisë dhe demokracisë së një shoqërie varet nga shkalla dhe lloji i arsimimit: nga do ti orientojë ai qytetarët e vet, drejt Perëndisë apo drejt Djallit?

-Sfida e edukimit tek ne.....

Kësisoj, nga të gjitha problemet që sot trajtohen si të një rëndësie kaq të madhe, në të vërtetë vetëm një është i tillë. Ai është i një rëndësie kaq të madhe, kaq jetike, sa nuk mund të përfytyrohet dot. E kam fjalën për injorancën e atyre njerëzve që kanë në dorë arsimin, të cilët e kanë lënë dhe vazhdojnë ende ta lënë këtë popull dhe rini në gjysmë dije. Në institucionet tona arsimore nuk investohet intelekt, por mediokritet, nuk investohet dinjitet, por vulgaritet. Shoqëria e re kërkon arsim të ri, shkollë të re, universitet të ri, mentalitet të ri që prej tyre të mos dalin "individë standard, pa origjinalitet dhe pa qëllime personale......Jo shtetas të nënshtruar, servilë ndaj regjimit që çon në shkatërrimin e idealit. Simptoma më e turpshme e humbjes së dinjitetit personal nga e cila vuan civilizimi është pikërisht ky individ standard...

Kjo njollë mortaje e qytetërimit duhet hequr me shpejtësinë më të madhe...Përkundër kësaj prirje duhen: "Qytetarë të formuar me normat dhe standardet e demokracisë e të së drejtës, të cilët e konsiderojnë shërbimin ndaj shoqërisë si problemin më madhor të jetës së tyre" - na mëson Ajnshtajni. Kjo duhet të ishte supersfida e politikës arsimore përgjatë këtyre viteve të agonisë së tejlodhshme dhe jo politizimi e militantizmi i skajshëm partiak për ta pasur më të lehtë "turmëzimin" dhe manipulimin e tyre. Dhe replikat për arsimin nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike nuk janë shprehje e shqetësimit real për të krijuar qytetarin por shprehje "makabre" për influencë dhe "ndarje territoresh" tek nxënësit e studentët, duke i indoktrinuar me veset e tyre qysh në bankat e shkollës. Kjo është kriminale!

Demokracia funksionale është Liri dhe Ligj!

Kurse liria,pas vetpërmbysjes së komunizmit,liria që nuk e kuptuam dot, "liria" pa rregulla, liria e shfrenuar na çoi në marrëzi.Marrëzia është injorancë dhe papërgjegjshmëri.

Si produkt i injorancës ajo shkakton pasoja afatgjata në veprimet tona.

Është e lehtë të tregohesh injorant duke ndjekur rrugën më të shkurtër.Edhe më e keqe është papërgjegjshmëria.Kur e di se çfarë duhet të bësh dhe bën të kundërtën.

Një sjellje e tillë ishte me pasoja shkatërruese.Siç ndodhi me ne pas vetëpërmbysjes së monizmit.

Jorgo Mandili

39 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page