Fatmir Terziu
Ajazma[1] e një burimi pagëzues që udhëton në një rrugë të çuditshme imagjinare nga dera e xhamisë së “Etem Beut” në Tiranë dhe pastaj përfundon nëpër ikonat e kishës së “Shën Marenës” në Greqi është një instancë karakteristike, që ngre dhe ul prestigjin, moralin, gjendjen shpirtërore, pamjet e gjendjen e brendshme, situatën në të cilën ndodhet ndjesia, përmbysjen e besimit, zbulimin e ndryshores së ndjeshmërisë mashkullore, ndryshimin e emrit, pagëzimin e mjaft gjëra të tjera të jetës së Isaf Metës, të shndërruar në Josif Pagëzori. Në tërë këtë udhëtim imagjinar dhe në tërë këtë ndryshim tipik është një Elenë në mes.
Është një situatë amorfe që herë zvetënohet, herë shfaqet si hija e një asketi[2] e herë përfundon në zhurmën e thyerjes së pjatave atje në atë apartament të vogël. Është një mesele që nis me një propozim tipik të atij që ishte ‘pronar tokash, pyjesh, dyqanesh, bankash, hotelesh dhe anijesh që i binin kryq e tërthor detrave të botës’ ndaj ‘një shërbëtori’ si hallexhiu, Isaf Meta. Në fakt kjo mesele është paksa e trazuar në një dyzinë shikimesh që përthyhen në retinën e Elenës, “që vishej si hyjneshë, ishte grua, femër me mish, gjak e epsh, aty të fshehur, aty të shfrenuar, aty engjëll, aty shejtankë. Mace, tigër, luaneshë, dhelpër, qengj e ujkonjë e, mbi të gjitha një aktore e shkëlqyer që i flisnin të gjitha pjesët e trupit, duke fshehur cuditërisht vetëm shpirtin”, ndoshta atë shpirt që më vonë do të ngjizej në atë ‘fytyrë demi të përskuqur’ të atij udhëtimi mes malesh të Isaf Metës me Elenën.
Këtu nis ajo dilemë tronditëse mes një tresheje bos-grua-shërbëtor, që sa vinte e nënshkruhej ndryshe për hir të shpirtrave të tyre që s’kishin gjetur dot ‘shtëpizën e prehjes së përjetshme’. Pas asaj zhveshjeje lakuriq, veç me të mbathura të Isaf Metës, nis një rrugë tjetër jete, një emër tjetër i ngjizet, Josif Pagëzori, por edhe një frymë tjetër priftërore e ndjek nga pas, një ndjesi e cuditshme ndjell tërë urtinë e Priftit dhe pas atij hezitimi të cuditshëm fjalët e Elenës: “Uratë, ky nuk është Krisht. Është një emigrant nga Shqipëria, është…”, krijojnë një skenë të mrekullueshme artistike për të shijuar një mjeshtëri të lartë artistike që vetëm pena e shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, mund ta realizonte.
Bukuria narrative
E gjithë kjo ndodh mrekullueshëm në një nga romanet më të bukura, më të ndjeshme e më interesante të shkruara nga shkrimtari shqiptar, Xhuvani, nën një titull që gatuan fabulën që në fjalëgjetjen e tij plot filozofi “Kryqëzimi i dytë i Krishtit”. Është kjo fabulë që me fuqinë filozofike të saj realizon lidhjen historike me faktin e ndrydhjes shpirtërore të Priftit që mendon se ai, Josif Pagëzori, është shembëllimi i Jezu Krishtit dhe me gjithë mllef i vërsulet ‘djallit që, sipas tij, ishte fshehur te unë, ten e shqiptarët që shembëm kisha e xhamia, që zumë me gurë e futëm në burg çdo njeri me mjekërr, që spiunoi vëllai vëllanë, që mbushën burgjet e kampet me gra e fëmijë”. Romani ka në thelb stilin e tij tipologjik. „Kryqëzimi i dytë i Krishtit“, ky roman me autor Dhimitër Xhuvani është botuar në Elbasan nga "Onufri", në vitin 1996 dhe ndodhet si një dhuratë e kahershme në Bibliotekën time personale. Libri ka 174 faqe dhe është përgatitur për shtyp nga shkrimtarja Flutura Açka nën korektimin e Albana Bitrit dhe me kopertinën nga Andon Lakuriqi.
Ndonëse në vitet e para të ndërrimit të kursit të qasjes së shkrimeve letrare, Dhimtër Xhuvani mbeti dhe këtë e vërtetoi se ishte një shkrimtar i një kohe të re, një kohe me narativin në ngjitje, që i përkiste estetikisht ditëve tona, ndoshta më shumë se disa të tjerë të udhës së djeshme, ndaj ai me narrativin e tij të bukur e meriton epitetin e shkrimtarit bashkëkohor. Ai shkruan me metodën postmoderne, tërheqëse, duke karakterizuar arsyen e një ndërlidhjeje narrative klasike, monumentale, ku qasen në tërë dimensionin e tij në roman, trajta artistike plot gjallëri dhe me tablo që lenë mbresë, sikurse do ti citojmë e seleksionojmë më poshtë. Narrativi e zbras thelbin e bukurisë së tij, që lexuesi të ndjejë thelbin filozofik: „Isaf Meta nuk kishte ndërruar vetëm emrin në Josif Pagëzori. Ai sikur kishte marrë hua nga Greqia diçka të veçantë, sikur të mos kish pasë qenë në Athinë, po murg në Malin e Shenjtë.“ Dhe shkojmë më tutje: „Shën Mëria ishte një nënë që mëkon pjellën e saj dhe Krishti, një bebe që ka etje për një pikë qumësht“; „ai zambak uji po merrte format e plota të një trupi të përsosur femre“; „m'u duk njëlloj si deti i Ksamilit“; „Prita në ankth të ndodhte çudia, siç i ndodhi Moisiut në mal“; e mjaft të tjera.
Krijues i figurave karakteristike
Romani “Kryqëzimi i dytë i Krishtit” është një model i narrativit ku prodhohen mjaft figura karakteristike. Figura të tilla na mësyjnë të kuptojmë thelbin e ndryshesës së ndryshimit, kontekstin e kuptimin e kuptimit të këtij ndryshimi, ku mjaft nga karakteret e tij rrojnë gjatë tek ne, duke marë në thelbin e tyre logjik qashtërsinë logjike, me një stil shprehës, sqarues, gjuhë të bukur letrare që ka harmoninë dhe qartësinë sintaktike.
Dhimtër Xhuvani nuk shkon të mënjanojë defenitivisht dialektalizmat dhe barbarizmat që i duhen për esteikën e narrativit, pasi me ato rikrijon thelbin filozofik të mesazhit. Tek “Kryqëzimi i dytë i Krishtit” pa dyshim ka konstruktivitet dhe përkujdesje letrare dhe formati leksikor mbetet mjaft i shquar ku mund të thuhet se është një fryt dhe shprehje e formës gramatikore të gërshetuar me modernizmin dhe postmodernizmin bashkëkohor të krijuar nga emra më të avancuar të letrave globale. Autori në roman na jep një përshtypje të qartë dhe të saktë se me karakteret e tij ai ka furnizuar dhe thelbin e duhur të bindshmërisë në realitetin e përjetuar.
Shkrimtari i mjaft veprave të shquara të tij, që padyshim kanë një kënd të rrëndësishëm në krijimtarinë shqiptare, shkon përshtat me atë që Ortega i Gaset do të thoshte se „jeta ka rrënjë më të thella se çdo koncept mbi botën“.
Rreth autorit
Dhimitër Xhuvani lindi më 23 maj 1934 në Pogradec. Studioi letërsi në Tiranë dhe në Institutin e Letërsisë "Gorki" të Moskës. Vdiq në Tiranë më 19 tetor 2009. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit.
Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga qyteti, kur ushtria gjermane vjen në Pogradec dhe ikën muhaxhir në Mokër, ku qëndron deri në çlirimin e vendit, dhe kthehet në Elbasan. Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin "Gorki" të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit. Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i "Çmimit të Republikës", proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze.
Pas një sëmundjeje të rëndë, më 19 tetor 2009, ai ndërroi jetë, duke lënë pas për breza të tërë një thesar të madh si dramaturg, skenarist dhe publicist. Korpusit të tij krijues i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane ,drama, skenare filmash artistike etj. Veprat e tij të para "Kambana e fundit","Midis dy netëve","Tuneli"' „Përsëri në këmbë“ etj. dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptare të cilët bëjnë përpjekje për emancipimi dhe zhvillim letrar.
Comments