Ajazma artistike e ”Kryqëzimi i dytë i Krishtit”


Dhimitë Xhuvani

Ajazma artistike e ”Kryqëzimi i dytë i Krishtit”

Dr Fatmir Terziu

Ajazma e një burimi pagëzues që udhëton në një rrugë të çuditshme imagjinare nga dera e xhamisë së “Etem Beut” në Tiranë dhe pastaj përfundon nëpër ikonat e kishës së “Shën Marenës” në Greqi është një instancë karakteristike që ngre dhe ul prestigjin, moralin, gjendjen shpirtërore, pamjet e gjendjen e brendshme, situatën në të cilën ndodhet, përmbysjen e besimit, zbulimin e ndryshores së ndjeshmërisë mashkullore, ndryshimin e emrit, pagëzimin e mjaft gjëra të tjera të jetës së Isaf Metës, të shndërruar në Josif Pagëzori. Në tërë këtë udhëtim imagjinar dhe në tërë këtë ndryshim tipik është një Elenë në mes. Është një situatë amorfe që herë zvetënohet, herë shfaqet si hija e një asketi e herë përfundon në zhurmën e thyerjes së pjatave atje në atë apartament të vogël. Është një mesele që nis me një propozim tipik të atij që ishte ‘pronar tokash, pyjesh, dyqanesh, bankash, hotelesh dhe anijesh që i binin kryq e tërthor detrave të botës’ ndaj ‘një shërbëtori’ si hallexhiu, Isaf Meta. Në fakt kjo mesele është paksa e trazuar në një dyzinë shikimesh që përthyhen në retinën e Elenës, “që vishej si hyjneshë, ishte grua, femër me mish, gjak e epsh, aty të fshehur, aty të shfrenuar, aty engjëll, aty shejtankë. Mace, tigër, luaneshë, dhelpër, qengj e ujkonjë e, mbi të gjitha një aktore e shkëlqyer që i flisnin të gjitha pjesët e trupit, duke fshehur cuditërisht vetëm shpirtin”, ndoshta atë shpirt që më vonë do të ngjizej në atë ‘fytyrë demi të përskuqur’ të atij udhëtimi mes malesh të Isaf Metës me Elenën. Këtu nis ajo dilemë tronditëse mes një tresheje bos-grua-shërbëtor, që sa vinte e nënshkruhej ndryshe për hir të shpirtrave të tyre që s’kishin gjetur dot ‘shtëpizën e prehjes së përjetshme’. Pas asaj zhveshjeje lakuriq, vec me të mbathura të Isaf Metës, nis një rrugë tjetër jete, një emër tjetër i ngjizet, Josif Pagëzori, por edhe një frymë tjetër priftërore e ndjek nga pas, një ndjesi e cuditshme ndjell tërë urtinë e Priftit dhe pas atij hezitimi të cuditshëm fjalët e Elenës: “Uratë, ky nuk është Krisht. Është një emigrant nga Shqipëria, është…”, krijojnë një skenë të mrekullueshme artistike për të shijuar një mjeshtëri të lartë artistike që vetëm pena e shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, mund ta realizonte.

E gjithë kjo ndodh mrekullueshëm në një nga romanet më të bukura, më të ndjeshme e më interesante të shkruara nga shkrimtari shqiptar, Xhuvani, nën një titull që gatuan fabulën që në fjalëgjetjen e tij “Kryqëzimi i dytë i Krishtit”. Është kjo fabulë që me fuqinë filozofike të saj realizon lidhjen historike me faktin e ndrydhjes shpirtërore të Priftit që mendon se ai, Josif Pagëzori, është shembëllimi i Jezu Krishtit dhe me gjithë mllef i vërsulet ‘djallit që, sipas tij, ishte fshehur te unë, ten e shqiptarët që shembëm kisha e xhamia, që zumë me gurë e futëm në burg çdo njeri me mjekërr, që spiunoi vëllai vëllanë, që mbushën burgjet e kampet me gra e fëmijë”.


Dhimitër Xhuvani lindi më 23 maj 1934Pogradec. Studioi letërsiTiranë dhe në Institutin e Letërsisë "Gorki" të Moskës. Vdiq në Tiranë19 tetor 2009. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit.

Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga qyteti, kur ushtria gjermane vjen në Pogradec dhe ikën muhaxhir në Mokër, ku qëndron deri në çlirimin e vendit, dhe kthehet në Elbasan.

Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin "Gorki" të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit.

Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i "Çmimit të Republikës", proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze.


#dhimiter #xhuvani #terziu #fatmir

4 views

Shkrimet e fundit