top of page

Ajër individual


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Produkti i “produktit të mirë” tashmë po ndërgjegjësohet?! Deri tani në rrëmujën kolektive të “bashkimit”, bashkëjetesës dhe transferimit të kolektivitetit në dimensione të tjera, produkti i tillë shkonte në sferat e komplikuara të njohjes dhe interpretimit. Ai ishte dhe nuk ishte pjesë e kulturës. Si i tillë i mëdyshur duhet të shkojë në shtratin e tij, pra të shndërrohet në marrëdhënie me publikun, sikurse duhet të jetë e të mbetet prodhimi i ardhur nga produkti i “vullnetit të mirë”. Ky produkt i tillë, vetë, pa marrë parasysh situatat e veçanta ose rastet e falshme nuk shkon dhe nuk duhet të shkojë më në frakturë, pasi me këtë frakturë dëmtohet e gjithë shoqëria. Me këtë respekt ndaj ridimensionimit të produktit mbetet e ngjizur sjellja. Sjellja në këtë pikë të ridimensionimit është një konsensus i përgjithshëm jokritik, dhe nuk ka të bëjë me vetëreklamimet, me shfaqjet dhe përcjelljet buzagaz në rrjetet sociale, por është tashmë dhe duhet të jetë një realitet e jo më një fantazmë. Reklamat tipologjike të mbarësisë së produktit të konstatuar në vend të grurit të jetë egjër, është ajo që vjen si “e prodhuara për botën”, në mënyrë që ky produkt i fantazisë së kulturës të bëhet reklama e një situate, që kërkon dominim, gjithnjë poshtërimin e Tjetrit dhe oshëtimën e një lugine boshe, që gjithnjë e zmadhon zërin e tij bosh, të zbrazët e hipokrit. Ky zë hipokrit ndeshet edhe këto ditë, edhe në shkrime, edhe në letërsi edhe në kritikë.

Sidoqoftë, ato karakteristika që fillimisht kanë vulosur shndërrimin e letërsisë në një produkt, ruhen në këtë proces. Ruhen se ky proces tashmë është bërë një anektodë më vete, ku librat shkruhen, botohen, shtypen, dhe… mbesin në thes. Më shumë se gjithçka në botë, kjo tipologji e produktit të kulturës ka ontologjinë e saj, askete, skeletore, të palogjikshme, dhe ajo mbetet një qasje në rrëmujën e kategorive rrjet-sociale si një kahje rreptësisht e sfilatur në një rrëmijë shkurrore të korijes së goditur pa mëshirë me sëpatë ku dominojnë ferrat dhe shkurret, të cilat mund të pastrohen, për shembull, nga romanet pa ndonjë lidhje me prozën e gjatë, të kohëve me produktin e bërë baltë.

Ajo që paralajmëron në përparimin e produktit të kulturës, si pafundësisht të palexueshëm, mbetet maska dhe maskimi për një ngjashmëri të përjetshme me kohën kur libri futej në shkrirje për karton dhe kohën kur shkruhet dhe libri është thjesht një karton. Kudo që ndryshimet duken se janë ndryshe, sikurse është vetë termi, kudo ku këto ndryshime maskojnë një skelet kulturor, pa qenë një produkt i tillë kulturor, një produkt i cili ka ndryshuar po aq pak sa vetë motivi i tij që nga koha kur u shfaq për herë të parë si produkti i lirisë së shkrimit, për mbizotërimin e tij mbi vetë kulturën, është në plan të parë, ky lloj produkti i “produktit të mirë” është vetëm një sfidë.

Kështu fjala “sfidë” nuk duhet të merret në kuptimin e saj të parë, se vetvetiu këtë kuptim e ka tharë, por i referohet standardizimit të sendit në vetvete, ndaj procesit të prodhimit. Megjithëse në libër, procesi i prodhimit i ngjan mënyrave teknike të operimit në ndarjen e gjerë të punës, punësimin e duarve dhe kompjuterave ai në këtë rast mbetet kryefjalë në konfliktin shumëvjeçar midis shkrimtarëve me emër dhe atyre që luftojnë të bëjnë emër. Çdo produkt i tillë ndikon në një ajër individual. Individualiteti në vetvete shërben për të forcuar ideologjinë, për sa kohë që iluzioni është i parashikuar që i riprodhuari plotësisht dhe i ndërmjetësuari kopjativisht është një vend i shenjtë nga drejtësia dhe jeta.

24 views1 comment

1 Comment


Qatip Mara
Qatip Mara
Jul 08, 2020

Me thellësi mendimi në çdo fjalë shprehni ide filozofike që të japin njohuri ,dritë përceptimi e qartësi për të kuptuar jetën në proceset e lëvizjes e zhvillimit. Me një pasuri gjuhësore lexohheni me shumë endje nga lexuesi i shumtë.. Ju uroj jetë të gjatë me lumturi e suksese në krijimtari miku nderuar Fatmir Terziu .

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page