top of page

Ai shfaqet për herë të parë


Sejdo Harka

KOHA NË BRAZDAT E VARGJEVE TË KADRI TARELLIT Pas një seri librash në prozë,me kulturë e histotri,me reportazhe,monografi dhe kritika letrare,me titujt kuptimplotë:’’Misionarë në udhën e dijes’’,’’Kur lexoj një libër’’ dhe’’’Hytbi Tarelli,mjeshtër i penelit dhe i daltës’’,Kadri Tarelli,kohët e fundit shfaqet përsëri me një libër të ri. Por, ndryshe nga herët e tjera,ai këto ditë del, për herë të parë, me një tufë vjershash,të cilat i pagëzon me titullin ngacmues, ’’Koha në vargje’’. Përmes këtij vëllimi poetik,ai synon të gërvishtë mbi plagët dhe dukuritë negative të shoqërisë së sotme shqiptare,herë me ‘’thumbin’’ satirik të hostenit metaforik,herë me dushin e ftohtë, për të zgjuar nga gjumi letargjik dhe ëndrrat e këqia,bartësit e dukurive negative, dhe herë me kamzhikun sarkastik,për të ndikuar sadopak në shërimin e plagëve dhe veseve të shoqërisë së kohës dhe të individëve të veçantë të saj. Edhe pse në udhën e bukur të poezisë, ai shfaqet për herë të parë, që në poezitë e fillimit të këtij libri, duket se zjarri i vjershërimit, i grumbulluar gjatë në mendjen dhe shpirtin e tij poetik, erdhi një ditë që do të shpërthente,ashtu,thjesht e natyrshëm,pa bujë e krisma. Që të merrnin jetë vargjet,pritën dritën e botimit dhe kënaqësinë e lexuesëve.Poezitë,thotë autori,më rinojnë dhe më japin forcën e bukurinë e tyre. Ndaj këtë libër poetik ai e nis me vargjet, sa të thjeshtë,aq dhe emocionues:’’S’di pse vargjet më rrjedhin lumë/më rinojnë,më mbajnë gjallë”. Poezinë, ai e quan fron Perëndie, që ‘’zjarrin e ndez, edhe kur bie shi me gjyma”. Për poetin “Zemra nuk thahet nga pleqëria’’. Ajo, edhe në këtë moshë,‘’kullon frymëzim dhe dashuri’’. Vendin kryesor në këtë vëllim poetik e zënë vargjet për kohërat që jetojmë dhe plagët e saj, të cilat i gërvisht, jo që ato të mahisin, por për t’i shëruar,përmes humorit satirës dhe sarkazmës. Koha, është e vërtetë që ecën gjithnjë përpara,por fakteqësisht,ka dhe momente që ajo mund të ndalet në vënd, e aq më keq, në periudha të veçanta, mund të kthehet edhe mbrapa. Për këto lëkundje e zikzake të kohës,shkakëtare është shoqëria dhe njerëzit,që me idetë, bëmat, virtytet dhe veset e tyre, ose e shtyjnë përpara, ose e kthejnë pas. Autori,për të ndihmuar sadopak shërimin e këtyre plagëve shoqërore,përdor humorin dhe ironinë, sarkazmën dhe satirën. Armët e kësaj lufte magjike,janë të shumta.Por ato që janë përdorur më me mjeshtëri nga autori i këtij vëllimi poetik,janë: herë ‘’pambuku’’ alegorik; herë ‘’thumbi i hostenit’’ dhe herë “kamzhiku’’, metaforiko-sarkastik. Kadri Tarelli,pa mohuar vlerën që kanë partitë në sistemin pluralist, për ideimin e zhvillimit dhe frymëzimin e njerëzve për të ecur përpara,fshikullon dëmin që ato i sjellin shoqërisë,kur shtohen si ferrat,jo për të bashkuar idetë e fuqitë, por për të parcelizuar,çjerrë dhe konfliktuar shoqërinë njerëzore, deri në gara me përplasje të çmendura,për para e pushtet,që vrasin jo vetëm ekonominë,por dhe shpirtin e qenieve njerëzore,gjë që shprehet në vargjet”:’’Na mbinë partitë si ferrat shpërndarë,/në çahiret e tyre kullosin dhelpra dhe gomarë”. Janë këta mafiozë, sa budallenj aq dhe dinakë,që “atdheun e kanë kthyer në çiflig ndërsa popullin në hysmeqar’’. Në poezinë satirike për ‘’Bejlerët e rinj’’,poeti qëllon me ‘’thumba’’ sarkastikë, ata pushtetarë e zyrtarë,gjykatës e prokurorë të korruptuar,që në emër të popullit dhe ligjit,duke vjedhur dhe mashtruar, tjetërsohen në ‘’bejlerë të rinj’’, më të pasur se të vjetrit. Ja si i fshikullon ata poeti: ”Në pushtet,kur u ngjit horri, /prona s’kishte, prona mori/ Surrat ndritur nga yndyra,/nuk e njeh as vet pasqyra./Hiqen si burra të mirë,/qafë trashur,flokë lëpirë, /Shqipërinë e bënë lopë, /e mjelin, me sisët copë.(17). Figuracioni i vargjeve të tillë pamfletiko-sarkastikë,është sa metaforik,aq dhe i drejtpërdrejtë, sa që shpesh, s’ka nevojë për komente. Në shenjestër të humorit dhe satirës së këtij vëllimi poetik,janë vënë edhe individë të veçantë të shoqërisë së kohës,siç janë hipokritët dhe gënjeshtarët,të cilët populli i thërret me nofkën epitetike ‘’faqezinj’’. Ja si i karakterizon ata vjershëtori,nëpërmjet vargjeve: ’’O i ziu, faqeziu,vret dhe të vërtetën, /Me ujë të fëlliqur,ndot edhe kënetën./Kurrë s’e lë zanatin,kështu e gris jetën/Me blozë qymyri, ta nxin edhe jetën’.’(20) Për autorin,mburravecët,egoistët dhe karjeristët,njerëzit e etur për pushtet e para, kur i hipin kalit sëprapi,nuk dinë t’i zbresin më. Për t’i goditur ata me ‘’thumba’’alegorikë, Kadriu shkruan vargjet: ’’Mos u mburr kot,mbi samar të kalit,/Të fort’ nuk të bën, bishti gjatë i shatit/Pa fuqi dhe vlera, kot i ngjitesh malit’’.(24). Objekt i ironisë,humorit dhe satirës së Kadri Tarellit,janë bërë edhe të paditurit mburravecë, të cilët ai i quan ‘’kokëboshë’’, por që me marifetet dhe dredhitë e tyre,rrëmbejnë poste e funksione të rëndësishme të pushtetit. Për t’i fshikulluar ashpër këta të paaftë e marifetxhinj,poeti përdor vargjet satirikë:’’Në do punë të mos mbarosh,/shko e gjej një kokëbosh,/që e mbledh ujin me shoshë,/dhe mbahet si gjel-kokosh’’. Njerëz të tillë,edhe pse të paditur dhe injorantë, hiqen edhe mendjemëdhenj e sqimatarë. ’’Mbahen rëdë në çdo kuvend,/Që të flasin s’lën’ askënd’’. Ata e kanë për nder të mburren e krenohen me fjalët: ’’Edhe pse pa shkollë jam, /plot pushtet e para kam’’. Në poezitë e Kadri Tarellit,krahas stigmatizimit të dukurive negative të ditëve tona,bëhet dhe përurimi i virtyteve dhe dukurive pozitive të shoqërisë dhe njerëzve të kohës së djeshme dhe të sotme, siç janë: atdhedashiuria dhe krenaria, heroizmi dhe devotshmëria për t’i shërbyer kombit, atdheut, shoqërisë dhe individit. Si etalon i këtyre virtyteve të rralla shqiptare,vjershëtori Kadri Tarelli bën motrat Qirjazi, për të cilat shkruan vargjet: ’’Pena juaj grykë dyfeku, /flamur për Shqipëri,/Fjala juaj,kushtrim lirie,/trimat ju patën zili’’. Një vend të dukshëm në këtë lloj poezish, zë lufta, paqja dhe sakkrifica sublime në emër të lirisë e pavarësisë. Për të pasqyruar këto vlera të rralla,autori mer shembullin e qëndresës heroike të Adem Jasharit, i cili ra heroikisht në emër të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Është kjo arrsyeja që autori i këtij vëllimi poetik, në emër të Kosovës i drejtohet me vargjet apostrofikë: ’’Ku je komandant,o Adem Jashari! /Si shqiponjë u hodhe, ti në luft’ i pari, /Nuk të trembi gjylja, as të trembi zjarri’’. Aq e fortë ishte qëndresa e tij në atë luftë, sa që ‘’Gjer në qiell u ngrit pishtari’’, përmes të cilit vjershëtori do të thotë, se ky Hero,edhe pse u vra,moralisht triumfoi mbi vdekjen. Është kjo arrësyeja që Adem Jashari,’’Hyn në këngë burrash, si në djep lavdie’’. Ndërsa luftëtarit Isuf Veseli,që luftoi për mbrojtjen e Kosovës në luftën e viteve 1918, autori i vë në gojë vargjet, sa metaforikë, aq dhe të drejtpërdrejtë: ’’S’duroj shkjaun të na shkelë, /S’duroj sërb e malazes/Për Kosovë luftën ndez, /Këmbë pushtuesi të mos mbesë’’!(23) Vargje të tillë, me ngjyrime të thella apostrofike, janë kthyer në çdo kohë ‘’trumbeta’’ metaforike, që kanë nxitur e ngritur atdhetarët e vërtetë në luftë kundër pushtuesëve e sundimtarëve të kohëve të ndryshme. Ndërsa,për të lartësuar figurën e artistit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu,si dhe për të fshikulluar mungesën e përgjegjshmërisë së organeve të pushtetit vendor,për ruajtjen e monumenteve të kulturës, siç janë: bustet, skulpturat dhe pikturat, kushtuar figurave të shquara të luftës,artit dhe kulturës, poeti shkruan dialogun poetik satirik: ’’O Moisi artisti,pse qënke mërzitur’’?! Ndërsa busti i tij, si të ishte i gjallë, i dëshpërur thellë, përgjigjet: ’’Syrgjunosur mbeta,në pallat i mbyllur,/Dua të shoh dritë, shpirti më rri ndrydhur./Me lot po krip detin,/me sy po nxij diellin,/Me krahë të thyer, po ngjyros dhe qiellin’’. (26) Me një frymëzim të natyrshëm, sa të drejtpërdrejtë,aq dhe metaforik,burojnë nga shpirti poetik i vjershëtorit edhe vargjet: ’’Shqiponja puth retë, plisi po zbardh malet/Bashkë ndajn’ gëzimet, tok i qajnë hallet./Flamuri në ballë, gjakun ndez rrufe./Plisi i ngjesh armët, për komb e atdhe’’. (39) Një vend të dukshëm në këtë vëllim poetik,zënë vargjet që zbulojë dramën e ndarjes së nënës me birin e vetëm dhe të djalit të sapo martuar me vajzën e tij të zemrës, pa ja nxjerrë mallin, në kohra të ashpra luftrash,për liri e pamvarësi. Për të përçuar këtë mall dhe trishtim të thellë,autori shkruan vargjet me kolorit popullor-baladik: ’’Në luft’ iku djali, nuk dihet ku mbet,/U verbua nëna, me Zotin po flet,/ Lotët si burim, e mbushën një det,/Kthehu bir i nënës, /vdekja më thërret/Pa të par’ me sy, dheu nuk më tret’’. Ndërsa, nëpërmjet vargjeve, sa metaforik, aq dhe alegorik: ’’Ike burrëziu, mua më le vetëm /Farë kërkon ara, plugun tend prêt”,shpreh jo vetëm dramën e saj, por edhe mallkimin për ata,që me luftrat e tyre shkaktojnë ndarje të tilla tragjike mes burrit dhe gruas, pa e nxjerrë mirë mallin e martesës. Dashuria në vjershërimin erotik të këtij autori, ka erën dhe shijen e luleve dhe ëmbëlsinë e currilave të mjaltit, të cilat duket sikur kullojnë nga ‘’çezmat’’ më moderne të kohërave,siç janë hojet e freskëta të dyllit,të ndërtuara nga bletët punëtore. Për të argumentuar këtë mendim, mjafton të shkëpusim disa nga vargjet më pikante të poezisë erotike ’’Kënga e bilbilit”: ’’Gështënj’ e paprerë,/po pëlcet nga zjarri,/ Dil moj dil në derë,/se të prêt beqari./Lëndin’ e pashkelur,/do kositur bari./Shegët duhen shtrydhur, i poqi behari’’. Për djaloshin,vajza që dashuron është: “mjatë i patretur”, ’’lëndin e pashkelur’’,‘’shegë e ëmbël’’ dhe ’’me faqe të kuqe si mollë‘’. Vjershërimi i Kadri Tarellit është një vargëzim me kolorit të thellë popullor-qytetar,që buron natyrshëm, herë si ujët e krojeve dhe herë si valët e detit.Ai është një vjershërim i matur, me një muzikalitet të brendshëm ritmik, i shoqëruar nga një gjuhë e ngroh të dhe një figuracion sa i thjeshtë aq dhe metaforik, që të bën të ndjesh dhe të meditosh,të shijosh dhe të këndosh, i shoqëruar nga vargje sa ritmikë, aq dhe melodiozë.

24 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Jun 04, 2021

Pershendetje dhe mirenjohje per kete shkrim sa te ngrohte e jetesor aq edhe profesional e artistik. poezia ne penene e nje kritiku te holle mer tjeter dimension letrara dhe artistik. Faleminderit dhe urime ne shkrime te tjere.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page