Ahmet Mehmeti: RIKTHIM NË PARKUN SHEBENIK
- Aug 21, 2025
- 1 min read

Dy brigjet e Shkumbinit ngrihen vrik:
Lisa dhe pyje ahesh qindvjeçarë,
Sikur flatroj prapë mbi Shebenik
Në agim të rinisë sime të parë.
Këtu sikur prek qiellin me dorë,
Ndjej shijen e qetësisë dhe të gëzimit,
Këtu shkumëzojnë, lodrojnë përrenj malorë
Ndër guralecë mes heshtjes, gjelbërimit.
Këtu harron shqetësimet e përditëshme
Mes luleve dhe barit si mëndafsh
Edhe si në parajsë të perëndishme
Dialogon me drurë, shpendë dhe kafshë…
Mëngjeseve garon me dhi të egra,
Nga njëri shkëmb në tjetrin mund të hidhesh
Dhe me arinj përmes nëpër thrashegra
Mund të shijosh grushte luleshtrydhesh.
Në mbrëmje fqinj me yje e planete,
Me galaktika që të bëjnë për vete
Por s’është çudi një natë nëpër mjegull
Të ndeshesh me kaproj, ujk a rrëqebull…
Kështu kalon një ditë e një natë
Bashkë me kujtimet e rinisë së artë
Dhe përsëri dielli më gjen
Mes koreve të zogjve mbi liqen.









Comments