Shënime kritike mbi profilin krijues dhe vëllimin poetik
“Buka e fjalëve” të Agim Matos.
PROFILI…
Për Agimin së pari më ka folur im atë dhe Ilmi Jupja, mësuesi im i letërsisë në shkollën tetëvjeçare, bile ai më prezantoi me të gjatë një udhëtimi në brezaret e bregdetit. E kam gdhirë shumë herë në biseda me Agimin, kam qenë disa herë në folezën e tij, në katin e parë të Ndërmarrjes së Grumbullimit, ku Agimi punon si piktor-dizenjator, aty natyrshëm ka kavaleta, lapsa, ngjyra, peisazhe, portrete dhe libra, shumë libra. Është vend ideal për të punuar. Një mjedis ku gëlojnë veçanërisht zërat femërorë si zëra zogjsh, një folezë për të lexuar dhe pikturuar, pse jo dhe për të bërë dashuri. Aty Agimi më ka folur për herë të parë për një poet vibrant dhe tregimtar virtuoz të Çamërisë. (Është fjala për Bilal Xhaferrin).
PRURJET
Në profilin e vet krijues Agim Mato është kryesisht poet, një poet i njementë, i veçantë, bashkëkohor në mendim dhe në mjetet shprehëse. Ai në letërsi vjen nga piktura, nga bota e librave, nga një traditë familjare e lidhur me të lexuarit, natyrën, teknikën dhe dizenjimin. Klimën dhe natyrën e freskët e impresionuese të Bregdetit Jonik, koloritin e vaçantë të Fterrës dhe të Konispolit ai i sjell natyrshëm në poezi, ndaj librat e tij poetikë janë edhe kaq të vlerësuar e të mirëpritur.
“Buka e fjalëve”përbën jo vetëm një arritje cilësore, por dhe një kuotë të re në poezinë e Agimit, pasi për këtë vit vlerësohet prej kritikës letrare si krijimi më i mirë në shkallë kombëtare i një autori që vjen nga rrethet. Në 34 poezitë dhe dy poemat e këtij libri mbizotërojnë lulet e së sotmes, por brenda tyre jetojnë farërat e së djeshmes dhe frytet e së nesërmes.
Thellësia dhe gjerësia e mendimit poetik, vështrimet vertikale e horizontale në kohë dhe hapsirë, meditimet filozofike dhe ndjenjat qytetare, fryma novatore dhe mjedisi jonian, tematika aktuale dhe qëndrimi human, figuracioni i pasur dhe gjuha e zhdërvjellët janë elementët kryesorë që i japin fizionominë ideoartistike vëllimit “Buka e Fjalëve” të poetit Agim Mato, janë thelbi i prurjeve të tij.
MOTIVET KRYESORE
Në mënyrë të metaforizuar dhe enumerative “Buka e fjalëve” ka një varg motivesh kryesore që shkëndijojnë brenda librit si diamantet e kurorës. Aty ka dregëza mitesh dhe troje legjendash, epikë kreshnikësh dhe amfora lashtësish. Aty gjejmë kronikat e sentimenteve dhe dëborërat e përgjakura të operacionit armik të dimrit, hieroglifet e ullinjve dhe flotën e Guiskardit, autoblindën e përmbysur dhe hirin e ditirambeve, kufomat e sarajeve dhe pusin e nuseve, kubetë e tempujve dhe përbindëshat e përrallave, varret e vrame dhe kuçedrat e historisë, merimangat e shpirtit dhe tapitë e gjakut, portokajtë e dashurisë dhe lartësitë e purpurta të dritës, direkët e ëndrrave dhe duartrokitja e ditëve, plantacionin e hekurt të lirisë dhe qytetet e pagjuma të minatorëve, mushtin e yjeve dhe degën e lulëzuar të shpirtit, bukën e fjalëve dhe hutimin e syve, qytetet prej xhami të perimeve dhe reflekset e kuqërrëta të furrnaltave, njeriun që pi kohën dhe gatuan stuhitë, arin e vetëmohimit dhe diamantet e besnikërisë, vikamat e heronjve dhe gurët e çmuar të urtësisë, puhizat e yjeve dhe portokallet e brezareve që shkojnë në takim me ullinjtë, morinë gazmore të zogjve dhe maratonën e diellit, ajrin e shkumëzuar të kushtrimeve dhe bajamen e dashurisë, ankorimin e diellit dhe purrot gjigande të oxhaqeve, digat e kohrave dhe flamujt e mosnënshtrimit. Secila prej tyre mund të komentohet veças. Po analizoj vetëm metaforën “direkët e ëndrrave”, ku kemi marrëdhenie mes dy emrave në rasa, gjini e lakime të ndryshme, marrëdhenie mes sendit dhe frymorit, dhe një metaforizim të emrit të parë pasi direkë kanë anijet me vela që do të thotë se edhe ëndrrat u ngjasojnë anijeve me vela. Ndërsa tek “qytetet prej xhami të perimeve” kemi një hiperbole simbolike si në përrallat popullore dhe tek Dostojevski dhe një metaforë, por ajo në të vërtetë shërben vetëm për të thenë bukur emrin serat e perimeve. Pra është një barazvlerës shprehës si ato të gjumit tek “Makbethi” i Shekspirit, apo si një perifrazë gjuhësore e ndërtuar artistikisht bukur.
TUBIMI I IMAZHEVE
Poezia e Agim Matos është moderne, si e tillë ajo është poezi e imazheve të freskëta e të gjalla, e detajeve poetike dhe hollësive jetësore që kanë resonancë të gjerë filozofike, socoiale, psikike dhe etike duke marrë kështu vlera simbolike. Ja një prej tyre: traktori i parë i SMT-së së Finiqit tashmë është plakur, nuk i rrjedh më naftë në damarë, as nuk hedhin valle pistonat, por është ai që i shkuli me panxhë gjerdhet e fushave të endure si rrjeta merimange, është ai që krijoi së pari fytyrën e vërtetë të Vurgut, që vuante nën moçalet e dhimbjes dhe djerrinat e mynxirës.Ky traktor e meriton të jetë ciceron në hyrje të muzeut më parë se kapitelet e lashtësisë dhe portikët e mbishkrimet në gur. Kështu detaji i traktorit ciceron bëhet thelbi i ngrehinës poetike. Kështu, në mënyrë imazhiste dhe simboliste procedon poeti edhe me detajin e bishtukëve të fundit në ditën e parë të elektrifikimit. Lidhjet social-filozofike mes bishtukëve dhe apostujve krijojnë të tjera imazhe të gjalla. Vaji i fundit që ata djegin duke zbuar rreth vetes vetëm një metër natë në përfytyrimin e fatit tragjik të Atdheut, që për mijra vjet projektoi në muret e kasolles filmin primitiv të hijes së vetëvetes, që endej i tjetërsuar me trajta të stërmëdha e të frikshme në këtë ekran bardhë e zi mitesh e legjendash, duke kërkuar të çbllokonte nga kuçedrat e historisë lumin e dijes dhe të dritës. Ndërsa desantët e hedhur në det në qeska plasmasi ashtu si përbindshat e përrallave arabe të mbyllur në shishe i shërbejnë jo vetëm si mjete stigmatizimi, por edhe si kumte të vlerësimit të njeriut para kultit të idoleve të vjetra apo të reja.
ORA E SHQIPËRISË
Diku, pranë një autoblinde të përmbysur u gjet trupi i Siri Kodrës. Zemra e heroit ka ngelur, por ora jo. Ora e tij ishte kurdisur për kohë të reja. Nëse ai do të kishte ndenjur të maste pulsin e qetësisë i mbytur në ëndërrime, akrepat e ores së tij si dy lopatëza të vogla do të mbusheshin me kohë për t’u derdhur në harrim. Por Siri Kodrën e thirri Ora e Madhe e Shqipërisë (refleksion fishtjan) dhe ai me dorën në ajër si Eoli që zgjidhte kacekun e erërave, zgjidhi dufet dhe çliroi gjëmimet, ndaj lopatëzat e vogla të ores së tij zbresin në përjetësi heroizmin si thelb të qënies. Një strukturë të ngjashme poetike kanë edhe poezitë: “Karroca e fëmijës që do të lindë”. “Pulëbardha”, “Mbi kufomat e sarajeve” etj. Poeti e fokuson mirë kamerën poetike në objektiv, pastaj ndalet ca dhe mediton rreth tij, zhytet në parahistorinë dhe pas’historinë e faktit jetësor, aq sa mund të bëhet kjo me elementin substancial të poezisë lirike, për të dalë në thelbin e përgjegjësisë për jetën, për humanizmin dhe ardhmërinë.
NOVACIONET
Poezia e Agim Matos është në thelb një poezi novatore që sendërtohet përmes një pyllnaje metaforike. Ky novatorizëm buron nga kërkesat e kohës, nga materiali jetësor dhe kështu i ngjizet brendisë ideoartistike të veprës. Poetit jo rrallë i duhet të përmbysë koncepte. Kështu p.sh. në poezinë e zkonshme koncepti “fushë” është tejkonsumuar me ato natyrat e qeta me hënë, kallinj, puthje e dashurira, edhe sikur të ketë brenda buçima traktorësh apo zhurmime autokombajnash. Një poezi e këtij tipi do të ishte thesht përshkruese dhe empirike. Ndërsa poezia “Fusha” e këtij vëllimi është në radhë të parë poezi filozofike, sepse poeti përmbys koncepte të vjetra, të përcipta e “delikate” për fushën dhe e burrëron atë. Përmbys raportin burrë-grua në dobi të gruas, përmbys raportin mal-fushë në dobi të fushës duke e lidhur burrërinë jo me krismat e armëve të kaçakëve apo luftëtarëve, por me punën ndërtimtare, me prodhimin dhe rendimentet, pasi ky është në thelb heroizmi i kohës së lirisë dhe paqes. Më konkretisht: poeti na kujton se kallinjtë dhe ushtat vinin tërë nxitim në pranverën e fushave të atdheut duke sjellë pas vetes lëmenjtë dhe sheshmejdanet, bukën dhe varret, jetën dhe vdekjen. Ishte një kohë kur me gramarët e mortit peshohej jeta e shqiptarit. Por tashmë fusha është çliruar nga pjerësitë, nga kthesat dhe shpellat. Ajo nuk fsheh asgjë. Shtrihet horizontale dhe e përpiktë si një balancë, gjykimit të së cilës s’i shpëton askush. Në kohën tonë, thotë poeti, të ecësh mbi ty do të thotë të peshosh vetveten, sepse pesha e burrit, e qëndresës dhe e dashurisë matet me arritjet. Pra fusha ka heronjtë e vet: traktoristët, kombajnerët, kooperativistët që rrisin rendimentet duke e mbajtur kallirin si zog në pëllëmbë të dorës. Është pikërisht ky konceptim i ri që e detyron autorin ta quajë fushën si bashin e jetës, vend ku njerëzit dhe malet mbështesin fort gjymtyrët, që të mos i lëkundin shqotat. Poeti i jep edhe drejtësisë shtrirjen e fushës, para urtësisë të së cilës hutohen dhe heshtin karakteret zhurmëmëdha.
AMBICJET
Poeti Agim Mato është ambicioz, por “Zilia” e tij është e bukur dhe njerëzore. Ajo s’ka asgjë të përbashkët me cmirën e zezë për suksesin e shokut, me zilinë e karrjeristit për poste dhe grada, me zilinë mikroborgjeze për komoditet, as zilinë e ashikut për gruan e bukur të fqinjit. Është zilia e njeriut të ndershëm që e shqetëson edhe një grime inferioriteti ndaj njerëzve dhe sendeve që e rrethojnë, është zilia që të jep kurajo dhe forcë dhe jo xhelozia primitive që shkakton vetëm ankth dhe stres. Poeti dëshiron të bëhet më i dobishëm se një rrënjë ulliri, më estetik se lulja e bajames, më punëtor se bleta, më i përpiktë se një yll në rrugën e vet. E parë në marrëdhëniet e tekstit poetik me kontekstin, pra me rrethanat që i diktojnë vullnetin për të folur kështu, me nëntekstin, pra me atë ç’ka ne duhet të kuptojmë, me mesazhin dhe kodet letrare atëherë duhet të themi se Agim Mato është poet ambicioz. Ai dëshiron të jetë jetëgjatë në poezi (ulliri), se këtë e arrin me punë dhe talent (bleta), se vetëm kështu mund të jetë i bukur (lulja e bajames), se vetëm kështu do të jetë origjinal (ylli) me zërin e tij të veçantë poetik.
KOHERËNCA
Poezia e Agim Matos është poezi tërësisht koherente, kjo koherëncë shpaloset qysh në kredon poetike të tij, në poezinë emblematike “Amfora”: “Dikur Joni një amforë lashtësie/më zgjati me duart tërë shkumë/dhe më tha:-Pije kohën,/për të qenë i kthjellët si unë!”Është pikërisht kjo lidhje shpirtërore me vendlindjen, me brigjet e Jonit dhe Sarandës ku jeton, me Fterrën e të atit dhe Konispolin e të ëmës, me lashtësinë dhe aktualitetin, me të tashmen dhe ardhmërinë që i jep puls e nerv poezisë. Porosia e Jonit për ta pirë kohën se ndryshe do t’i merren këmbët, do të përgjumet dhe turbullohet në vetëdijë dhe s’i mbart dot shekujt siç mbar tai anijet është porosi për t’u zhytur në thellësinë e motiveve, sepse në ujrat e cekta jetojnë vetëm peshq meskinë (poetë mediokër), në to nuk mund të nderen pëlhurat (gjetja e vetvetes), pa le të gatuhen stuhitë (ndryshimet sociale) Kujto p.sh.poezinë e tij të papërfshirë në libër “Bunaca”. Dhe Joni, kuptohet që s’është kushdo. Ai i ka prerë së pari kërthizën poezisë dhe ndaj brigjeve të tij klithën me dhimbje poetët. Kujtoni se ç’i shkruajnë Hygoi dhe La Martini poetit tonë Jeronim De Rada pas leximit të poemës “Këngët e Milosaos” Kjo ambicie e poetit Agim Mato lidhet me dëshirën që ai të jetë zëri i kohës.
FJALORI POETIK
Koherente është poezia e Agimit jo vetëm në përcaktimin dhe burimin e motiveve nga kërkesat e kohës, por koherente edhe në planin e harmonisë mes elementëve të përmbajtjes me ato të formës artistike, në ide, mesazhe, figura stilistike, fjalor poetik dhe elementet bazë të vjershërimit, si: strofa, vargje, rima e ritme. Edhe nëntemat dhe nënidetë, rrethi problematik etj., nuk vegjitojnë jashtë objektit poetik, temës apo motivit bazë, problemit dhe idesë kryesore; përkundrazi, harmonizohen me të. Le të sjellim për ilustrim fjalorin poetik të poezive: “Ditët e fundit të kapedanit plak” dhe “Vdekja e kapedanit”, që janë pothuajse vazhdim i njera-tjetrës. Gjithë familja, farefisnia dhe fusha leksikore e fjalëve janë të sferës detare, ndërsa përcaktorët në rolin e epiteteve apo stlizimet e tjera figurative dhe detajet shprehëse dhe hollësitë artistike - koherente me to: detari plak, bluzë me vija katrani, liman, anije e drunjtë, kuvertë, netë gjahu, tërheqje litarësh, shputat e këmbëve të brejtura nga kripa, romana deti, netë të mjegullta, brigje, pëlhurë e zhubrosur, direkët e kohës, pjerrësitë e netëve të detit, klubi i detarëve, inercia e rrugës, maunë, lundër jete, hambar anieje, stuhi detare, tallaze, ujrat e hidhura të dhimbjes, ngushticë dënesash, thellësi harrimi, spirancat e ditëlindjes dhe ditëvdekjes, sirenat dhe horizontet detare; për të mos përmendur edhe të gjitha foljet e lëvizjes, që nga vozis e deri te kallmoj spirancën.
INKOHERENCAT
Megjithëatë, me një punë më të kujdesshme mund të ishin shmangur edhe rastet e pakta ku mungesa e unitetit ideoartistik, e harmonisë së gjithë elementëve, pra inkoherencat që dëmtojnë vlerën e poezisë. Kjo ndodh p.sh. tek poezia “Naim Frashëri”, e shkruar nga dëshira e mirë apo moduli poeti shkruan për poetët, ku autori kalon në mënyrë të pa përligjur artistikisht nga pastat e thartuara të romantizmit në arin që la me testament Naimi në shpirtin tonë e del te buka e fjalëve të tij. Kjo vjen se autori në këtë poezi ka pasur pak miell për ta gatuar bukën e fjalëve. Pra megjithë kumtin ideor një temë shumë e rrahur, pa gjetur këndvështrime origjinale mbetet e varfër. Kjo ndodh deri diku edhe me poezitë “Hëna”, “Kohëzgjim”, “Në Butrint”etj., që rrokin motive të trajtuara dhe konsumuara poetikisht. Ndërsa tek “Sazani”, megjithëse tema është e konsumuar, intimiteti i motivit dhe motivimi artistik, plotëria e mbresave dhe impresionet i japin freski dhe orgjinalitet.
QERTHULLI POETIK I INTIMITETIT
Poezia së pari është intimitet, edhe kur ajo është erotike, filozofike dhe sociale. Pse? Sepse ajo është një shikim i botës dhe mjediseve të njohura me sytë e tu. Kjo i jep veçori mrekullibërëse artit intim, pasi ai bëhet bindës, i besueshëm, i vërtetë. Kështu të duket vetja si trishtil në folezën tënde. Kjo është magjia e qerthullit poetik të intimitetit. Kjo ndodh me poezitë: “Në kërkim”, “Afërdita”, “Kurajë” dhe “Shkallmuan drurët nga era”. ( Ky titulli i fundit është veçanërisht i bukur dhe orgjinal, që do të justifikonte edhe titullin e vëllimit poetik në vend të “Bukës së fjalëve” që më duket pak i kërkuar dhe libresk.) Në këto poezi Agimi ka depërtuar në të përgjithshmen përmes të veçantës, ku janë përdorur bukur figurat dhe detajet, antitezat dhe metaforat, enumeracionet dhe shkallëzimet poetike si një veshje artistike e një gjendje shpirtërore emocionalisht dhe poetikisht të ngritur. Rrallë poetë e arrijnë këtë. Ndaj dhe poezia e Agimit, kur nuk është e kërkuar, të magjeps dhe të bën për vete.
ARKIEKTURA POETIKE
Poemat “Muji dhe furrnaltat” dhe “Ullinjtë” plotërojnë fizionominë e vëllimit poetik, pasi me të dy poemat Agimi është brenda natyrës së vet poetike, ku duket cilësia e mendimit dhe përfytyrimit, ndjenja dhe fantazia, folklori dhe mitologjia, ritualet e moçme dhe moderniteti i shkrirë natyrshëm dhe organikisht me kohën e sotme. Të gjitha poezitë e Agimit shquhen për mënyrën e organizimit të materialit poetik, por poemat veçanërisht. E megjithatë tre poemat e tij (Përfshi edhe atë të botuar së fundi në revistën letrare “Nëntori”, që për mendimin tim duhej përfshirë në libër) ndryshojnë së pari pikërisht në arkitekturë, pasi e para “Muji dhe furrnaltat” mbështetet në një gjetje të bukur poetike: në udhëtimin e kreshnikëve ( e të vdekurve) në kohën tonë (të të gjallëve); ndërsa e dyta “Ullinjtë” në shtjellat e mendimit, përsiatjet dhe meditacionet rreth një objekti sa jetësor aq edhe poetik e simbolik (ullinjve). Poema “Ne” ka një zgjidhje tjetër. Është vepër e ndërtuar rreth një qendre, që strukturon dhe integron të veçantën me tërësinë, traditën me bashkëkohësinë.
“MUJI DHE FURRNALTAT”
Në të vërtetë “Muji dhe furrnaltat” strukturohet si një bisedë e ngrohtë me mbesën rreth shtegëtimit të kreshnikut të Eposit tonë Heroik e Legjendar nga thellësia e Mesjetës, pra nga koha e konflikteve të para shqiptaro-sllave në kohën tonë. Muji i mëkuar prej zanave me qumshtin vullkanik të tokës mëmë, të natyrës së shndërruar në Zanë u bë shtatvigan. Dy luanë mund të shtriheshin gjatë e gjerë në opingat e tij, në zjarrin e çibukut të tij mund të ngroheshin pa frikë gjithë burrat e një kuvendi, patkonjtë e gjogut të tij, të mëdhenj e të harkuar si mburoja luftëtarësh, shkrepnin si urori në strallin e bjeshkëve duke shigjetuar vetëtima të zjarrta mbi armiqtë. E pikërisht këtij kryekreshniku shtatvigan i duket vetja i vogël kur krahasohet me furrnaltat në ultësirat e përmbytura me dritë, me pallatet e bardha rrëzë kështjellave të moçme, përkrah gjogut prej çeliku që trokëllin duke tërhequr pas vetes ca shtëpi të çuditshme të mbushura me njerëz, para brumbujve viganë që bulërojnë duke vënë përpara dherat dhe kureshtjen e tij, përpara falangave të plantacioneve të rreshtuara si për paradë, para qyteteve prej xhami ku banojnë perimet. (këtu kemi shumë barazvlerës shprehës) Mujin e mahnitin reflekset e kuqëremta të furrnaltave, që si dragonj e kuçedra që nxjerrin flakë nga goja, ata ruajnë jo bashkën e artë në Kolkidë, por të Bukurën e Dheut! Prroi i metaltë i duket si një rrëshqanor rrezëllitës i mbështjellë me avuj e fyshkëllima, që e kapin si me fushnjë dhe e çojnë në nofullat e uzinave të mbuluara nga xixat e zemërimit të tij. Mujin e mrekullon madhështia e qytetit të hekurt që ngrihet si një epos i pafund, e huton dielli që humb në morinë e oxhaqeve si në një pyll drurësh shtatlartë, e habit koha që turret dhe të shtyn mënjanë si një lumë. Kështu, edhe hiperbolat e së djeshmes s’maten dot me realitete e sotme. E megjithatë, asosacionet dhe kontrastet, hiperbolizmi dhe legjendariteti, animizimi dhe shpirtëzimi janë mjatet shprehëse më funksionale në të dyja poemat.
“ULLINJTË”
“Ullinjtë” simbolizojnë paqen dhe pjellorinë. Janë bima e parë e botës për nga fisnikëria dhe lavdia. Të shkruash për “Ullinjtë”dhe të shkruash bukur do intuitë dhe koherëncë, angazhim dhe aktualiet. Në këtë poemë ulliri është boshti simbolik, detaji funksional, objekti poetik që strukturon veprën. Këtu asosacionet kanë vendin qëndror. Pikërisht shoqërimet e përfytyrimeve sipas kontrastit, fqinjësisë, shkak-pasojës dhe vijimësisë; metonimitë dhe sinegdodat i japin mundësi poetit të evokojë epoka, rite e zakone të lashta, fakte e hollësi që hedhin dritë mbi jetën dhe etnopsikologjinë e njerëzve që kultivojnë ullinjtë. Ullinjtë, thotë poeti, janë plot me mesazhe e kronika të largëta. Ndaj rreshtat e ullinjve të mbjellë prej ilirëve duken si rreshtat e një traktai paqeje. E më tej një ulli himarjot ku dikur lidheshin anijet, duket sikur ka plasur nga dhimbja e vashës së valëve, nga dhimbja kur shpërnguleshin arbëreshët me drudhe dheu në flokë, në duar dhe në shpirt. Ullinjtë e Ardenicës poetit i ngjajnë herë si krushq në dasmën e Kastriotit, herë si burra të mbledhur në kuvend, herë si luftëtarë gunëhirtë. Ullinjtë e Krujës që grupe-grupe i këndojnë lavdisë duket se e mbajnë me rrënjët e tyre kështjellën e lashtë. Ullinjtë e Vlorës janë mbledhur për një këngë me iso pas betejës me kushedi ç’hordhi të huaja.
E ndërsa lexoj, meditoj e pyes veten: -Këta janë ullinjtë e kukullave dhe gëzhojave ku fshihnim fëmijërinë, ku varnin nënat një fjongo të zezë në degën e muzgut, vendtakimi i dashurive të hershme, flamuj të gjelbër të shpresës dhe mosnënshtrimit, bardë të verbër që akordojnë harpat në erë; ullinj të moçëm që lëshojnë degët e lulëzuara në kohët e reja. “Po” përgjigjet Agimi.
E brezi im, thotë poeti, me bisqe (kalemë) të shartuar nga këta ullinj, ngriti një ushtri të tërë plantacionesh duke endur bashkën e artë të jetës mbi relievin e dhimsur të këtij dheu. Megjithatë poema më tepër evokon se sa reflekton. Kjo ndodh se pesha e historisë e prish drejtpeshimin. Dhe me të drejtë. Në jetën qindravjeçare të një ulliri një brez njerëzor është pak.
Konispol, më 13 nëntor 1986
*Botuar me pak shkurtime për herë të pare në gazetën “Fitorja” në nëntor të 1986-shtës.
댓글