(fragment)
Në një nga tavolinat pranë Restorant “Piazza” ishte ulur piktori Ali Oseku. Ishte vetëm. Sa më pa më ftoi në tavolinë. Në vitet ’70 piktori Ali Oseku binte në sy për veshjen.nga se mbante veshur një pallto të gjatë të zezë dhe herë pas herë shfaqej në shkallët e Pallatit të madh të Kulturës. Punonte si skenograf ne Teatrin e Operas dhe Baletit. Ishte një personazh që mbushte hapësirën artistike të kryeqytetit.
Ai ka një ngarkesë të madhe artistike dhe një fat tragjik. U dënua nga rregjimi për ndikimet moderniste dhe e kreu dënimin në Burgun e Spaçit.
- Kafen dua ta pi në lokal që të jetë me klas dhe luks. Më pëlqen vendi këtu. Kam edhe studion sipër. Por nuk jam shumë në formë për të folur – tha dhe fërkoi lehtazi mjekrën e bardhë.
Me një pamje prej babaxhani, trupin e mbushur, vështrimin e bitë Oseku të bëhet menjëherë i afërt. Sikur ke lenë në mes një bisedë e kërkon ta vazhdosh. Porositëm kafe dhe qendruam disa çaste në heshtje. Pastaj folëm për motin, ngjarjet e ditës dhe u çlirua dhe zuri të fliste për Pikason e veçanërisht Salvador Dalinë, pa harruar Matisin e Shagallin...
Kur mbaruam kafet, befas tha:
- Ngjitemi në studio?
U ngritëm dhe ngadalë u ngjitëm shkallët e shumta për të dalë sipër në taracën e pallatit. Studio është e madhe dhe shumë e pastër, shembullore. Në qendër kavaleti dhe një pikturë e sapo hedhur. Rreth e rrotull rraftet plot me telejo të pikturuara. Të vendosura me rregull si libra të stërmëdhenj. Nga magnetofoni vinin tingujt klasikë, duke u përhapur lehtë nëpër studio.
- Kur jam në studio dëgjoj gjithmonë muzikë klasike. E pëlqej shumë. Mozart, Bethoven, Bah, Rahmaninov. Kur lodhem me pikturën ulem e lexoj ndonjë libër.
Në mendje më erdhi një takim me piktorin, kur për herë të parë pas daljes nga burgu politik iu dha e drejta për të ekspozuar. Paraqiti një vajzë me veshje popullore. Pas ceremonisë dolëm bashkë. Duke ecur bulevardit e përgëzova dhe i urova fat dhe sukses.
“Eh... ma ktheu, ma dhanë të drejtën për të ekspozuar, por dorën me përkëdheli të ma vesh në shpatulla më del qumështi i nënës”.
Brenda tij ishin ferri dhe parajsa, të lidhura ngushtësisht, por ferrin nuk donte ta kujtonte. E kishte brenda vetes si një brengë, dhimbje të heshtur. Arti e shpëtoi. Tashmë ishte ndryshe. Nuk kishte asgjë nga e kaluara.
“Edhe aty në burg bisedonim për shumë gjëra që dëgjonim. Vizatoja në ndonjë letër, figura, tip balerina dhe e digjia me kandil. Po të të shihnin me pikturë të fiknin, bëje birucë. Ridënoheshe përsëri. Por... nuk kam qejf të prek burgun, të prek dhimbjet e mia. Dua të çlirohem prej tyre. Më ka besdisur qerpiçi i vjetër, balta, prandaj më merr malli për barin. Nuk rri dot brenda në lokal, rri jashtë që të shikoj barin. Nuk jam piktor social, si disa që kanë qëndrime sociale. Piktori për mua është universal.
I qetë dhe me lëvizje të ngadalta filloi të hiqte telajot dhe zuri t’i vendoste në murin përballë. Papritur filloi të tregonte:
- Pikturën e kam filluar herët në rrethet artistike. Babai ishte rrobaqepës dhe ka pasur një shok që shiste qilima, sixhade e sende të ndryshme. Nëna kishte shije. Më bënin përshtypje ngjyrat, punimet e larmishme në nuanca të pafundme, perdet, jorganët, komotë, orienditë e shtëpisë, pjatat e gotat prej kristali, kartolinat, gratë kur ishin të bukura e të veshura bukur. Ngacmohesha prej tyre. Visheshim bukur. E kisha dëshirë anën dekorative, të ishte e shtruar mirë tavolina, të ishte e shtruar bukur shtëpia. Visheshim me shije kur bënim dasma apo kur shkonim për vizita tek njeri tjetri.
Mbresat do të linin gjurmë dhe do t’i ktheheshin në tërheqjen drejt një pikture dekorative plot kolorit. I ka prekur të gjitha gjinitë, peizazhin, portretin, kompozimin. Kush i vinte në studio i bënte një portret si dhuratë. E kishte si një kartëvizitë mirënjohjeje.
Ndërkohë që tregonte merrte telajot e pikturuara dhe i vendoste në murin e studios. Si mbaroi me pikturat zuri të tregonte vizatimet. I shtronte letrat e vizatuara në dyshemenë e pastër shtruar me pllaka të kuqeremta...
- Kur rrinë bashkë tre njolla kanë një gjendje, një mendim, tërhoqi vemendjen. Ndryshe kur jeshilja rri me të kuqen, ndryshe kur rri me një kolor tjetër, me të ngrohtën, me të ftohtën. I vendos sipas një ideje dhe jam për emocione të brendshme. I jap shumë rëndësi ndjenjës dhe dua të gaboj me të, sepse kur gabon ndjenja është e bukur. Je i mirë kur gabon në ndjenja. Kur gabon me intelekt është tjetër gjë.
Nuk dua ta sajoj pikturën, bile a ka mundësi të mos korrigjoj veten, të dali plotësisht instiktive piktura, por të ketë kulturën si sfond.
Si mbaroi ekspozimin u ul e vazhdoi, po u zbraza, po u shkarkova, nuk e prek pikturën. Ki parasysh kur e kalon sportisti stekën, në kërcimin me shkop. Tri herë hidhet, nuk e bën dot. Shkoj ditën tjetër dhe e prek. Artisti e përgatit vetveten që të punojë sa më gjatë. Pesë orë, gjashtë orë, shtatë orë rresht. Kur punon gjatë ka më rezultat. Sikur harrohesh, ngjizesh dhe vjen një çast që ti pa arsye u mbyll pikturën. E ndjen. Nuk ke se çfarë thua më. Ai çast është shumë i rëndësishëm për pikturën. U zbraze dhe e braktise pikturën, se nuk i gjen dot fundin.
Në çastin që e mbaroj pikturën, ajo vdes. Atëhere mendoj se çfarë do bëj nesër. Kam shumë tension kur pikturoj. Nganjëherë bëhem qull në djersë dhe lodhem. Piktori lodhet, konsumon energji të madhe kur pikturon. Edhe studentëve u them të jenë të fortë fizikisht. Është frymëmarrje yaaa! Shkarkon. E rëndësishme është sa frymë mban, çfarë ngarkese ke? Je Lanë apo je lumë i fuqishëm, dmth sa energji ke, si e ke edukuar veten.
- Ke menduar ndonjëherë të ikësh jashtë? – e pyes.
Më vështroi ngultas dhe ma ktheu prerë:
- Asnjeherë! Isha pesë muaj në Amerikë. Kur hymë në burg, se hymë dy vëllezër, e pyeta babën, “Pse nuk ike nga ky vend?!” Ai u përgjegj, “Nuk ika, sepse këtu flitet shqip!” Kur shkova në Amerikë mu kujtuan fjalët e babës. Nuk mu duk qielli im, nuk mu duk peizazhi im.
Perëndia ta kompeson. Nuk kam lakmi. Nuk jam ambicioz. Nuk kam qejf të dal i pari. Ka bota të parë, të dytë, të tretë. Punoj për dy arsye. Kam dëshirë të pikturoj dhe dua të mbaj familjen. Nuk kam as kioskë, as jam matrapaz, as jam politikan. Pikturoj për qejfin tim.
Vonë dolëm nga studio dhe kur po mbyllte derën sikur kishte lenë diçka nga shpirti brenda. Ishin jeta, shpirti, krijimi dhe ëndrra e jetës.
Punimet e viteve të fundit të Osekut shpesh kanë të njejtin motiv dhe vijnë në seri të shumta, që duke u shpërfaqur formojnë një mozaik të stërmadh. Të qeta dhe pa zhurmë sikur kërkojnë të ndalin e ngurtësojnë kohën. Duket sikur artisti është në luftë me kohën që lëviz dhe ai kërkon ta ndalë. Nuk u lodh në këtë ndeshje dhe ndonëse koha fitoi mbi të, por jo ndërsa koha ikën vepra mbetet në përjetësi.
Në studio nuk do ndihen me hapat e artistit, kaseta e ngjyrave me paletën e penelat do rrinë menjëanë dhe mbi kavalet telajo e fundit do mbesë e papërfunduar, por ndonëse ai do mungojë janë veprat që do flasin...
Comentarios