(Fragment)
Takimin me piktorin Bujar Asllani e prita me shumë emocion. Kishim shumë vite pa u parë. Ai larguar në Kanadanë e largët, në vitin 1997, ku ka ndërtuar një jetë të re, kishte "humbur" dhe shumë përpjekje për të krijuar lidhje me të kishin shkuar pa rezultat. Krejt papritur mikun e tij, skulptori Hilmi Hoxha, më njoftoi me gëzim, Bujari ka ardhur në Shqipëri. Mundësoi takimin në një nga kafenetë "Mulliri i vjetër", pranë Drejtorisë së Policisë.
Si zura vend në një nga tryezat e lokalit në pritje të piktorit, në mendje më vinin disa takime me të shumë vite të shkuara. Vepra e tij kishte lënë gjurmë në Historinë e Pikturës Shqiptare dhe tre prej tyre "Bariu", "Poeti popullor Zenel Bastari" dhe "Zef Kosharja" bashkë me disa vepra të tjera të tij janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare në Tiranë.
Bujari hyri në Artet Pamore si një talent i rrallë që në kompozimin e parë "Bariu", i cili tërhoqi vëmendjen e kritikës dhe të shikuesve për trajtimin e thjeshtë kompozicional e koloristikën e goditur në një lirshëm baritor dhe një sfondi me një peizazh, të lidhur bukur me figurën shprehëse të bariut.
Ai që të godiste ishte heshtja e tij, thuajse vrastare. Edhe pse sa herë do flitej apo shkruhej për Artet Pamore, veprat e tij do përmendeshin si vepra të arrira, heshtja dhe mosprania e gjatë në mjediset artistike e kishin bërë shumë të largët. Vallë si i kishte shkuar jeta dhe krijimtaria?
Tiranas tipik në butësinë e shpirtit kishte shumë për të treguar. I ati marangoz i talentuar, mjeshtërinë e kishte mësuar në punishten më të madhe, hapur në Tiranë gjatë të kohës së Mbretërisë, nga një mjeshtër gjerman. Nga duart e tij janë punuar shumë sepete e sëndukë për nuse dhe më pas mobilje për personalitete si Ismail Kadare e Isuf Vrioni.
I vogël Bujari do të shkonte shpesh në punishten e të atit në Pazarin e Vjetër dhe do t'i mbeteshin në mendje mënyra se si i ati dekoronte mobiliet e ndryshme. Gjithmonë mbante tre kuti me ngjyrat bazë primare të verdhë, të kuqe dhe blu. Si fuste furçën e bojës në njerën prej tyre e ndërsa ajo kullonte hidhte e ravijëzonte figura floreale e më pas e fuste furçën në kutinë tjetër dhe krijonte nuanca të ndryshme, që shkonin nga e kuqeremta në kafe e nga kjo e fundit në jeshile e shkriheshin në një simfoni ngjyrash të bukura e të veçanta.
Ishin këto hedhje që i futën dashurinë për kolorin dhe trajtimin e tij për t'i dhënë më pas një paletë të bukur e plot nuanca shprehëse.
Nga nëna mori qëndrimin estetik të ngjyrave. Qëndistare duarartë, e heshtur ajo shikonte të birin dhe kur nuk buzëqeshte kuptonte se puna e tij nuk i pëlqente. Ajo do të bëhej barometri i vlerësimit dhe e gjykimit. Vështrimi dhe buzëqeshja e saj kishin brenda edhe pse pa fjalë gjithë mendimin e vlerësimin për të vijuar rrugën e artit.
Në konkursin e pranimit për në Liceun Artistik i drojtur hyri nga fundi në klasën e mbushur me konkurentë. Piktori i Popullit Abdurrrahim Buza si u ndau të gjithëve fletët e vizatimit të vulosura nga Ministria e Arsimit kur erdhi pranë kavaletit të Bujarit nuk kishte më fletë të vulosur. Ankthi i djaloshit se mos mbeste pa konkuruar, por Buza gjeti një fletë të vulosur, ku dikush tjetër kishte konkuruar më parë dhe mbi të kishte bërë një vizatim, i tha fshije dhe mbi të vizato.
Bujari nuk e fshiu vizatimin, por e ktheu fletën mbrapsh dhe aty nisi vizatimin e rozetës në allçi, të cilën Buza ua kishte vënë përpara konkurentëve.
Si kaluan disa çaste, Buza iu afrua Bujarit dhe si i hodhi një vështrim asaj ç'ka kishte pikturuar djaloshi, ia mori dhe me të në dorë doli para të gjithëve. Si e ngriti lart që ta shikonin të gjithë tha, kështu duhet ta bëni vizatimin!
Në listën e vlerësimit që i dërgoi Ministrisë së Arsimit, emri i Bujarit ishte i pari. Por kur u shpallën fituesit, Bujari pa që emri i tij nuk ishte ndër fituesit. Torana kishte numër shumë të kufizuar të drejta studimi dhe numri i konkurrentëve ishte tejet i madh. Kishte prej tyre që konkurronin me vite pa mundur të fitonin.
Do të ishte ankesa dhe këmbëngulja e Buzës, duke u thënë se djaloshi ishte më i miri dhe e kishte vlerësuar me notat maksimale. O Bujari regjistrohet në shkollë, o unë nuk jap më mësim aty! - do të shprehej i revoltuar ai.
Kështu do të niste rrugëtimin artistik i Bujar Asllanit si nga nxënësit me të mirë e më të talentuar të Liceut Artistik e më pas të Institutit të Lartë Artistk, ku më pas do të jepte mësim për gati 25 vjet!
Ndërkohë syri më kapi siluetën e ti që po kërkonte me sy rrotull tryezave. Ndonëse flokët e zinj i ishin thinjur e në kokë mbante një kapele me strehë për t'u mbrojtur nga dielli i fortë i gushtit nuk kishte ndryshuar shumë. Erdhi u ul dhe pas tij u bashkua edhe Hilmiu.
Zumë bisedë e cila zgjati gjatë, duke kujtuar kohën e shkuar dhe jetën në Toronto të Kanadasë. Kishte mbetur po ai Bujar, dashamirës, i urtë, i thjeshtë deri në admirim, kurrë nuk u mburr edhe pse kishte arsye, i mençur dhe fisnik. Nga dhjetra e dhjetra bashkëbisedime me artistë tepër rrallë të qëllon të takosh një shpirt kaq modest, gjë e rrallë në kthinën tonë artistike.
Piktura për të është e shenjtë dhe po të shenjtë ka dhe karakterin e pandryshuar, por mungesa e dukjes, aq e domosdoshme për një artist shkon përtej të zakonshme, kur edhe një ekspozitë, të hapur "me dhunë" nga nuk donte, do të shprehej e shoqja, në një nga galeritë më të mira në Toronto dhe ku pati shumë sukses dhe shtypi vendës shkruajti, "ndodhemi përpara veprave të piktorit Bujar Asllani, i cili na paraqitet me një individualitet kompleks dhe interesant. Qëllimi i tij Artistik nuk është të tregojë një histori, nuk është as edhe një përpjekje të ravijëzojë një tregim apo të imitojë në mënyrë të kujdesshme realitetin. Është më shumë një përgjegjësi për të frymëzuar te shikuesi disa përgjigje emicionale në çdo vepër që ai krijon. Imazhet i shërbejnë për të arritur katarsisin, gjeneruesin e reaksioneve të forta emocionale, mënyrë kjo që frymëzon apo trazon shikuesin. Vëmë re se megjithëse nuk imiton qasjet artistike të periudhave të qytetërimit të lashtë të trevës ballkanike, artisti është i mbarsur me frymën epike të historisë vetiake dhe kolektive të kësaj treve."
Duke kujtuar kohën e shkuar, piktori shprehet, se "kishim kufizimet ideore që shpesh bëheshin pengesë. Rrugën që zgjodha dhe se si e zgjidha, nuk kanë qenë pengesë e madhe, sepse brenda një kufizimi të tillë, e gjeja veten, gjeja frymëzimin, gjeja mënyrën se si ta shpalosja, gjithnjë duke e ruajtur për të mos e tepruar, mos me qenë shumë deklarativ ose me bërë punëtorë me muskuj. Ne ishim të ingranuar atëhere dhe patjetër duhet të paraqisnin vepra dhe ishte ëndërr e jona të bënim një pikturë të mirë, të bukur. Mbrojtja ime ishte zgjedhja e një teme patriotike, historike ndaj një vepre me temë partiake. Diskutonim për malësorët, për figura që kishim lënë gjurmë në histori. Nga pikëpamja ideore ato na jepnin frymëzim."
Arti i së kaluarës duke u parë në bllok është goditur e anatemuar shumë dhe ajo ç'ka ka krijuar piktori Bujar Asllani, por edhe shumë të tjerë, dëshmojnë se artin e vërtetë nuk mund ta vendosësh e ta kryqëzosh vetëm nën kornizat e së shkuarës, sepse arti i vërtetë matet me vlerat që krijon dhe jo me sistemet në fuqi.
Tashmë Bujari punon jashtë vendit dhe arti i tij ka marrë përmasa e vlera të reja, por ato ç'ka ai ka lënë në vendin e tij janë pjesë e pikturës më të mirë shqiptare.
Shpresojmë që së afërmi piktori të na dhurojë një ekspozitë, në mënyrë që shikuesit dhe admiruesit e veprës së tij, që janë të shumtë, të njihen me krijimtarinë e tij të mëvonshme, për të mbushur edhe atë boshllëk heshtjeje që la pas me largimin e tij.
Emri dhe vepra e piktorit Bujar Asllani është vlerë e njëmendtë dhe shikuesit e presin me mall e dashuri ritakimin me të.
Vonë në mbrëmje, ndërsa në Tiranë nata kishte hedhur tisin e saj u ndamë.
Duke u larguar mendoja se sa shumë mund të shkruhet për piktorin e mërguar dhe njeriun e mirë, sa shumë...
Kommentare