top of page

Agim Bajrami: Në vënd të një reportazhi për Pejën dhe poezinë

  • Jan 19
  • 4 min read

 Në kuadër të festivalit poetik “Flaka e janarit”, organizuar si çdo vit nga shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve të Pejës, nga kryetari Esat Loshaj dhe Nuradin Ymeraj, u ftua edhe një grup poetësh dhe artistësh nga Shtëpia e shkrimtarëve, Durrës.

  Edhe pse janari është i ftohtë, entuziazmi dhe emocioni mposht gjithçka. Doranin Agalliu e kishte për herë të parë, që vinte në një konkurs poetik, në këtë qytet me një arkitekturë kaq interesante, gdhendur nga koha dhe rrjedhat e historisë. Si vendlindja e Haxhi Zekës, por edhe e kaq artistëve dhe poetëve me zë të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë, ajo mbetet një ftesë e përhershme për ta vizituar, jo vetëm nga poetët, por nga gjithë shqiptarët.

  Ndërsa fotografi Luan Jaupi, fiksonte gjatë gjithë kohës me aparat njerëzit dhe peisazhet, gjen kohë të më tregojë edhe për disa nga momentet e vështira të vitit 1998, kur gjatë kohës së represionit dhe dëbimit masiv të shqiptarëve nga pushteti genocidist serb, kishte pasur rastin të njihej me poetin pejan Esat Loshaj ( atë kohë i vendosur në Durrës bashkë me familjen), dhe të bashkëpunonin së bashku, për realizimin e kopertinës së librit të tij “Dielli në duart e mia".

  Që nga ajo kohë miqësia e tyre u rrit dhe nuk u shua asnjëherë. Kjo ishte arsyeja, qe ai iu bashkua me dëshirë grupit tonë poetik, që shkonte, për të lexuar poezi së bashku me shumë poetë të tjerë nga gjithë trevat e Shqipërisë dhe Kosovës. Mes nesh ishte edhe poetja e talentuar Arjola Kondakçiu, poezia e se cilës, u nderua me çmim në këtë aktivitet.

  Peja është e bukur gjatë gjithë stinëve të vitit, por tani në dimër ka diçka më tepër se kaq. Ndofta është fryma e veçantë e alpeve dhe e dëborës, që ka nisur të zbardhë nëpër maja, apo edhe kënga e valëve të lumit, që i bie qytetit mes për mes. Nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit, prania e heronjve të bronxtë, që dhanë jetët për liri, është kaq e dukshme Në sheshin përballë hotel - restorant “Dukagjini”, grupi sklupturor kushtuar njërit prej vëllezërve Haradinaj, shikon shumë larg dhe ngjan se flet me Ali Hadrin, Haxhi Zekën e të tjerë.  Eshtë kënaqësi kur mëson, se një pjesë e mirë e këtyre skulpturave, janë realizime dinjitoze të mikut dhe bashkëqytetarit tonë Idriz Balani. Nga hera e parë që kam qenë këtu, shoh se shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Janë prishur shumë shtëpi të vjetra dhe të rrënuara, ndërsa bulevardet janë bërë më të gjerë dhe më me dritë. Janë prishur edhe barakat e vogla që ngriheshin buzë lumit në qendër, ku shiteshin qofte dhe suxhukë, që mua më kujtonin peisazhet gri dhe të rrëmujshëm të Tiranës së viteve nëntëdhjet.

 Në vënd të tyre tani është ngritur një godinë e bukur dhe moderne. Ngado që të shkosh në qytet, takon do ndeshësh një ndërthurje të traditës me të sotmen, njerëz të rinj dhe të moshuar me pamje malesh, që të përshëndesin me dashamirësi edhe pse nuk i njeh dhe nuk të njohin.

 - Qyteti ynë të thith, nëse rri më tepër se një javë, - më kishte thënë dikur poeti dhe studiuesi i njohur i këtij qyteti Sejdi Berisha, i cili nuk ka shumë kohë që është ndarë prej nesh, libri i të cilit “Zejtaria në qytetin e Pejës”, më ka mësuar shumë gjëra për traditën dhe etnografinë e saj të pasur. Unë kam lexuar shumë nga veprat e këtij krijuesi, por ky libër, më ka ngjitur. Në Pejë dhe rrethina shkruajnë shumë poetë dhe shkrimtarë me emër, që dallohen me krijimtarinë e tyre të veçantë dhe kaq origjinale, Është natyra e saj magjike, që të thërret gjithmonë me zërat e saj, të shkruash, ose të bëhesh pjesë e saj. Ndaj nuk thonë kot, se të jetosh pranë bukurive të tilla, do të bëhesh medoemos ose poet, ose piktor.

  Atmosfera në gjirin e krijuesve pejanë, ishte si gjithmonë e ngrohtë dhe mikpritëse. Aktiviteti i sivjetshëm poetik që mban emrin e shkrimtarit të njohur “Nazmi Rrahmani”, ja shton më shumë peshën dhe emocionin këtij eventi, si dhe tregon edhe njëherë respektin dhe admirimin e madh, që krijuesit e kësaj treve, ushqejnë për njeri tjetrin. Ndërsa bëjmë foto së bashku me Luanin dhe Doraninin në sheshin qëndror, më tingëllojnë befas në vesh, disa prej vargjeve të poetit emblematik Azem Shkreli, vargje të cilat duhet të vënë në mendime çdo krijues:

 Mos u bëj poet,

nëse s'mund të lindësh,

në secilin varg.

 

Të lindësh në secilën fjalë! Grupi i zgjedhur i poetëve konkurrues me vargjet e tyre të ndjerë dhe të larmishëm, u mundua t'ia shtonte emocionet sallës së madhe të restorant “Çardak “  aq më shumë, kur pranisë së poetëve Lan Qyqalla, Valbona Hadri, Bekim Kelmendi, Kozeta Zavalani, Lola Shehi, Perikli Shuli, Ajete Pavata, Nezi Plaku Velaj, Riad Berisha etj, i'u shtuan edhe interpretimet dinjitoze të artisteve të njohur nga Shqipëria Agim Xheka dhe Drane Xhai.

  Agimi kishte disa vjet që i kish munguar këtij aktiviteti, për shkaqe shëndetësore, ndaj ardhja e tij nuk më gëzoi vetëm mua. Jashtë bën ftohtë, por në këtë sallë poezia nuk e lë atë të hyjë. Kjo sepse festivalet dhe takimet mes poetëve, nuk janë vetëm garë, këmbime përvojash dhe shkollash poetike, por edhe nje festë e sinqertë mes miqsh. të një pasioni. Ndaj në këto raste, nuk vihet re, kush fitoi dhe kush jo. E rëndësishme është këmbimi i frymës dhe forcimi i bashkëpunimit mes njëri tjetrit. Në këto takime të gjithë ndihemi më të pasur dhe më të bukur njëkohësisht. Koha kalon dhe asnjeri nuk deshiron të largohet kaq shpejt, por rruga e kthimit është e gjatë dhe duhet të nxitojmë.

 Faleminderit organizatorëve pasionantë të këtij aktiviteti, dhe gjithë pjesemarrësve qe kontribuan për mbarëvajtjen e tij.

Mirupafshim një herë të ardhshme.

Durrës Janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page