top of page

Agim Bajrami: Metafora poetike e zjarrit të mallit të një poeteshe në mërgim  





 

Rreth vëllimit poetik "Shpirt i etur në mërgim" i Trandafile Molla (Baja)

 

Trandafile Molla (Baja) vjen herë pas here në qytetin e lindjes, jo vetëm për të promovuar librat e saj, por edhe për t'u parë sy më sy  me 'të. Është një rit nga i cili poetesha nuk dëshiron të heqë dorë, që nuk ka lidhje me besimin, por me thirrjet e forta të mallit dhe lidhjet e pashpjegueshme mistike, që krijojnë mes tyre qytetet dhe njerëzit e tij. Prandaj nuk është rastësi që shumë krijues të njohur, emocionet e takimit me vendlindjen i kthejnë në festë dhe i shndërrojnë në kryemotive të poezive të tyre. Unë nuk habitem pse edhe Trandafile Molla shumicën e titujve të librave të saj i ka emërtuar me emra malli dhe shumicën e vargjeve e poezive të saj i ka populluar me emra vendesh dhe toponimesh të lashta  durrsake, me emra njerëzish të dashur, të gjallë apo të vdekur, që kanë mbushur dhe vazhdojnë të mbushin akoma jetën e saj të sotme, me mbresa, ngjarje dhe kujtime, duke e konsideruar veten si pjesë organike të tyre. Trandafile Molla (Baja) s'bën gjë tjetër, vetëm se i transformon këto emra në imazhe dhe vlera artistike, i nxjerr nga këndet e kujtesës ku kanë qenë të harruara kaq kohë, duke i pasuruar ata me detaje dhe dritë bashkëkohësie. Rruga e gjatë për t'u kthyer drejt tyre, autores i mjafton për të freskuar kujtesën, por edhe për t'u përgatitur të përmbajë emocionet në çastin e kontaktit me 'ta. Ka shumë faktorë që ngjizin te një individ pasionin për të shkruar dhe iu drejtuar poezive, por te kjo autore faktori më bazik ka qenë dhe mbetet malli dhe zëri i dashur i atdheut.

Poetesha deshi një mbështetje te vargu poetik dhe ai nuk ja kurseu përkrahjen.

Unë i kam ende në sy profilin e saj përballë figurave të ndritura dhe të derdhura në bronx, të heronjve të Kosovës, e kam ende të regjistruar në memorje timbrin e zërit të saj kur recitonte poezinë e frymëzuar, kushtuar Pjetër Budit të madh në oborrin e një shkolle në Burrel, nga interpretimi i së cilës u  emocionova jo vetëm unë, por dhe kolegët e tjerë përreth meje. Është e kuptueshme që s'mund të ndodhte ndryshe me një bijë durrsake, rritur nën hijen e rëndë të mbretërve të lashtë të këtij qyteti dhe nën madhështinë e njerit prej amfiteatërve më të mëdhenj në botë. Historia dhe lavdia lënë gjurmët e tyre edhe te ndërgjegja e një krijueseje si Trandafilja. Duke lexuar librat e shumtë të kësaj krijueseje të dashuruar përjetësisht me etninë dhe rrënjët e saj, e kupton më së miri se brenda saj qëndron ndezur një zjarr i madh pasionant atdhetarie, që pret vetëm rastin më të parë për t'u ndezur. Dhe për ta bërë këtë asaj i mjafton vetëm një vështrim, një zë apo një prekje:

    Atdhe, dëgjoje zërin si shtrëngatë

    përtej detit vjen me dallgë shumë,

    ne poetët jemi bërë një varg i gjatë,

    mes vargjesh shpalosur me valë e me shkumë.

 

Është një poezi që organizohet mbi një   metaforë malli e dashurie dhe që merr një shtrirje të gjërë mbas çdo strofe. Edhe në këtë krijim kemi një shkrirje tërësore të heroit lirik me atdheun, por elementet poetikë që përdor autorja për ta realizuar këtë proces, nisin nga vetja. Ndërthurja e ndjenjave të saj me ritmin e kombit e pasurojnë poezinë me një imazh madhështie dhe shenjtërie njëherësh.

Për poezinë ka një shumësi përkufizimesh, por ai që e krahason atë me lirinë, mua më duket më i qëlluari. Është kjo liri që i sugjeron autores tema dhe subjekte të ndryshme, që e nxit të lëvizë e të takohet me vendet dhe heronjtë e saj të preferuar, duke ndarë me 'ta krenarinë e të qenurit bashkatdhetare, duke i plotësuar kështu vetes dëshira dhe pengje të mbetur nëpër kohë.

    Më ka mbetur peng në zemër,

    që asnjëherë s'erdha më parë,

    edhe shpesh të shoh në ëndërr,

    mbete qytet mitesh, o Skrapar!

Kështu thotë ajo në një nga poezitë e saj

kushtuar Skraparit, për ta vazhduar këngën e saj për një vend tjetër të adhuruar nga ne të gjithë, Pezën heroike:

    Kalojnë vitet, kullojnë plagë

    zgjohen trimat në stuhi,

    mbete Odise e gjallë,

    zonjë e bukur në histori.

Edhe për viset dhe qytetet e tjerë shqiptare, këtej dhe andej kufirit, autorja përjeton të njejtat ndjenja dhe emocione, përdor të njëjtën pasuri leksikore dhe të njejtat shtytje dashurore.

    Ah moj Kosovë, në shekuj e mijëra vjet

    përpjekur për lirinë e tokën tënde,

    rraskapitur e gjakosur ke ecur në jetë,

    e pamposhur gjithmonë, vigjilente në mendje.


Duke depërtuar në thelbin e pohimeve të këtyre poezive, vëmë re se fjala kyçe e autores ka qenë dhe mbetet atdheu, toka mbi të cilën ajo u lind dhe mësoi fjalët e para, krenarinë dhe identitetin shqiptar.  Dikush mund të thartojë buzët dhe ta akuzojë autoren për tepri rreth kësaj teme. Por ata që kanë jetuar për një kohë të gjatë larg tij dhe i gezohen biletave të kthimit si një fëmijë, do t'i japin të drejtë autores. Tërheqja e atdheut ndaj bijve të tij më të mirë ngjason me tërheqjen gravitacionale të tokës ndaj sendeve të hedhura në ajër, të cilëve vetëm ajo mund t'iu dalë zot. Ndaj, ashtu siç e pohon edhe ajo vetë që në titull të librit, poezitë e saj janë krijesa malli dhe fryte të një shpirti të etur në mërgim.

    Moj e bukura zonjë e rëndë,

    ballëlarte plot hir je vesh,

    në mes shoqesh ke zënë vend,

    Shqipëri moj mbretëreshë!

Gjuha e pastër shqipe, e ndërthurur me figura stilistike, i jep më shumë forcë vargut, duke e bërë atë më energjik. Edhe pse libri është ndarë në katër cikle më vete, ndërmjet tyre ka një vijimësi dhe lidhje organike temash e shqetësimesh. Në qoftë se në kapitullin e parë temë qëndrore është e shkuara dhe e sotmja e shqetësuar e atdheut, nga luftrat dhe qeverisjet, një frymë e tillë bartet edhe në kapitullin e dytë dhe të fundit të librit, por në forma dhe trajta të tjera.

    Sikur të kisha një fuqi të madhe,

    kësaj bote të lodhur t'i falja mirësinë,

    njerëzia të mos kishte kurrë halle,

    tokën ta mbuloja me paqe e dashuri...

thotë autorja në poezinë e dytë të këtij kapitulli. Një gjë e tillë nuk motivohet vetëm prej ndjeshmërisë, por prej koncepteve të kultivuara të autores së atdheu nuk është vetëm sipërfaqja e tokës që ne banojmë, por edhe ati, biri, bija dhe dashuria e sinqertë e një njeriu.

Në ciklin "Malli shpirtin ma pushton", i cili për mendimin tim është cikli më i arrirë i këtij libri, autorja ka arritur të përshfaqë shumëçka nga ndjenjat dhe emocionet e saj më të spikatura, por edhe artin e saj shkrimor, gjithnjë në kristalizim. Elementet artistike të gjetur si simboli, krahasimi, anafora etj, e kanë pasuruar gjuhën e saj poetike dhe e kanë bërë më të zhdërvjellët.

Këtë gjë e ka vërejtur edhe studiuesi i njohur prof. Zija Vukaj, kur shprehet në studimin e tij se autorja ka marrëdhënie të mira me gjuhën dhe gjithë sistemin stilematik të saj. Figuracioni i vjen natyrshëm dhe kompozimet e saj letrare i përkasin një metroprozodie përgjithësisht të rregullt me prani rimash dhe asonancash. Si shumica e autoreve me receptorë të ndjeshëm, pjesën më të madhe të motiveve të saj, autorja i merr nga thirrjet e zëshme, ose të pazëshme të realitetit dhe të historisë së vendit të saj.

Kjo i jep vargut te saj jo vetëm energji lëvizore, por e bën më të nxehtë dhe më reflektues.

Pozitiviteti dhe dashuria me të cilën i kundron ajo portretet fisnike të heronjve dhe njerëzve të thjeshtë që ndesh përballë është një nga veçantitë e poezisë së kësaj autoreje. Kjo e ka bërë vargun e saj të dalë nga guacka e ngushtë e individualitetit dhe këndit të ngushtë vetanak, të vishet me një dritë globalizmi dhe të marrë kësisoj një karakter dhe tingull më të gjerë universal. Duke jetuar për një kohë të gjatë në kontakt me kulturën dhe letërsinë e një kombi të fuqishëm, autorja ka ditur të marrë prej kësaj kulture ato çka i duhen dhe i nevojiten. Ngado ta rrotullosh vargun e saj, fryjnë erëra të forta, vizatohen dhe lëvizin fate njerëzish, të njohur e të panjohur, që bartin tipare dhe përvoja të ndryshme jetësore. Në ciklin me lirika "Malli zemrën ma pushton" dhe konkretisht në poezitë "Zëri i mërgimtarit më thërret", "Ju kam të shenjta", "Larg teje s'më vjen vera", "Letra e babait", "Në zemër të ruaj", bota e brenshme e autores vizatohet me një shumëllojshmëri gjendjesh dhe  raportesh të barazvlefshme me kohën dhe mjediset ku ngjizen dhe zhvillohen ajo.   Marrëdhëniet e sinqerta njerëzore dhe humanizmi i thellë që rrezatojnë veprimet e heronjve të saj e veshin mjedisin poetik të këtyre krijimeve me një atmosferë paqeje dhe ngazëllimi. Autorja shkruan qartë dhe natyrshëm. Ajo nuk hyn nëpër hullira që nuk i njeh dhe nuk i thonë ndonjë gjë të saktë. Spontaniteti i vargut dhe veshja e tij me ngjyrat ndjesore të saj e bëjnë atë sa të prekshëm, aq dhe konkret.

    Por sa shumë vitet kanë ndryshuar,

    dhe nuk jemi kurrë si më parë,

    unë shkoj e vij te ty sa herë dua,

    në gjirin tënd futem si e marrë.

 

    Dhe me thua: "Mirëse vjen mori bletë,

    mirëse vjen ti shend e verë fluturim,

    kur do ta shuaj këtë mall të nxehtë,

    ku hap krahët dhe më pret qyteti im...

Të   njëjtën situatë emocionale përjeton edhe në poezinë tjetër të arrirë: "Baba, ne të dy kemi një emër".

    Baba, ne të dy kemi një emër 

    një amanet nga ty e mbaj,

    një shpirt kemi dhe një zemër,

    çdo ditë të kujtoj, çdo minutë për ty qaj...

Në këtë poezi pjesa më e madhe e bisedës zhvillohet në një atmosferë të trishtë dhe nën shoqërimin e simbolikës së lotit dhe vajit të bijës për babain e vdekur. Në këtë moment lexuesit nuk i lejohet të ndërhyjë, por vetëm të përballojë emocionet e momentit.

I gjithë ky cikël përshkohet nga një ndjenjë e fortë nostalgjike dhe një frymë lirike e theksuar, ku spontaniteti i rrëfimit dhe prania e dukshme e detajit artistik ju japin atyre një vlerë të lakmueshme. Trandafile Molla (Baja) me punën dhe pasionin e saj shembullor, me këtë libër ka arritur atë, të cilat dëshiron ta arrijë çdo krijues, të identifikohet me poezinë. Orhan Pamuk thotë se të mbash një libër në çantën tënde në kohëra trishtimi, do të thotë se ke zotëruar një botë tjetër. Unë besoj se ky libër është një shenjë e qartë e rritjes artistike dhe krijimit hap mbas hapi të individualitetit të kësaj autoreje të talentuar dhe kerkuese.

77 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page