Jeton Shehu më përcolli sot shqetësimin e tij qytetar. Kompleksi “AGZA DIBRA” në plazhin e Malit të Robit është i mbuluar me baltë. “Edhe vitet tjera është përmbytur, por është pastruar. Këtë vit balta do të zërë baltën pasi nuk ka kush ta pastrojë” më shkruan AiNë grupin e kompleksit ai ka shkruar me ironi: “Vazhdoni të mos paguani se kështu do ta gjeni kur të ktheheni në shtëpitë tuaja. Nuk ka lekë për punëtorin. Por ka dhe do të ketë edhe më keq”Vitin e kaluar vetëm 25 për qind e banorëve të 90 apartamenteve kishin paguar detyrimin. Dhe a e dini se sa është detyrimi? Njëmijë lekë në muaj, 10 kafe turke ordinere...Si gazetar, se banor i kompleksit tash 15 vjet, 9 vite më parë bëra një prononcim publik, prononcim që po e përcjell jo vetëm për Jetonin por edhe për shtetin që e ka lënë në harresë “Jetesën kolektive”...A. Ashiku8 tetor 2024
JETESA KOLEKTIVE, NJË PROBLEM I “HARRESËS SË MADHE” !!!
Vëzhgim
Jetesa kolektive; në një shkallë, në një pallat, në një rrugë në qytet (pse jo edhe në fshat)... është një problem që ka qenë dhe është larg vëmendjes së shtetit dhe shoqërisë. Flitet për një ligj për bashkëjetesën kolektive, një ligj të miratuar me vendim Kuvendi. Flitet por askush nuk të jep një adresë elektronike për ta lexuar. Dyshoj që nuk ekziston derisa as përmendet nga zyrtarë të lartë të zgjedhur e të emëruar, as zbatohet qoftë edhe me “eksperiment pilot”.Dhe ndodh pastaj që zhuli, papastërtitë, plehrat e të gjitha llojeve të mbulojnë vendin kudo, në qytete të mëdhenj e të vegjël, në fshatra nga brigjet e detit dhe lartësitë më të mëdha ku banojnë njerëz.Kryebashkiaku i Tiranës u dha katër muaj afat firmave pastruese për ta bërë Tiranën kryeqytetin “më të pastër në Ballkan” (!) Bëri thirrje që qytetarët e kryeqytetit të dalin një ditë shtatori në “aksion vullnetar” për pastrimin e vendbanimit të tyre. Me gjithë pesimizmin tim uroj që fjala e tij të shkojë në “vesh të hapur”.Nuk kam qëllim në këtë vëzhgim timin të komentoj Erionin apo këdo nga si bashkiakët e tjerë të cilët paguhen nga taksapaguesit për punën që duhet të bëjnë (e që deri sot nuk e kanë bërë). Qëllimi im është të ndez një “çakmak dritë” në pallate, atje ku fillon dhe copëtohet kultura qytetare.Në Shqipëri janë ndërtuar e po ndërtohen pallate të bukura në pamje jashtë por edhe në hapësirë jetese. Mirëmbajtja e tyre fillon tek dera dhe pasi bredh nëpër dhoma, ballkone e veranda, ndalet dhe humbet atje. Për shkallët që lidhin katet, për ashensorët, etj. askush nuk përgjigjet. Ndodh që vetëm për pompën që merr ujin nga depozita poshtë dhe ta sjell në çezmë, pas shumë hezitimesh mblidhen (jo nga të gjithë) lekët për riparimin apo zëvendësimin e saj.Ndodh që plehrat dhe zhulin e merr me këmbë dhe e mban në hundë sapo del nga shtëpia. Nuk ka pastruese, nuk ka mirëmbajtës, nuk ka një administrator...Pallatet po shkatërrohen...Po e zgjas “tërkuzën” e problemit në një mjedis konkret.Agim Islami dhe Zabit Muda, dy ndërtuese dibranë, banorë të qytetit të Durrësit para rreth një vit më parë u shpallën “Qytetarë Nderit të Durrësit”, qytetit të dytë më të madh të vendit....Nuk kam dëgjuar nga ndonjë radio apo televizion, nuk kam lexuar në ndonjë gazetë të shkruar apo elektronike, që ndonjë ndërtues apo firmë ndërtuese të ketë arritur në një shkallë të tillë korrektësie në ndërtim sa të bëhet nderi i një qyteti.Pse është bërë dhe si është bërë mendoj që qeveritarët dhe media që shkon pas tyre për të filmuar e komentuar ndonjë serrë dy dynymëshe “me luleshtrydhe” domosdoshmërish duhet të ndalet për të përcjellë përvojë dhe kulturë qytetare në ndërtim dhe shërbim qytetar.Një “copëz” nga kjo përvojë dhe fytyrën qytetare të Agimit dhe Zabitit në firmën e tyre ndërtuese “DIBRA-AGZA” po e përcjell për lexuesin (më gjerë edhe për ministrin e ndërtimit dhe ministrat e “luleshtrydheve”) në pasqyrim të kompleksit të tyre ndërtimor në Malin e Robit.Nuk është vështirë për ta gjetur. Merrni rrugën dytësore për plazhin e Golemit dhe pikërisht në vendin ku fillon silueta e Malit të Robit”, kthehuni në rrugën “Skënderbeu”. Është rrugë e pa shtruar, me zhavorr e pluhur, me gropa që të bëjnë ta prekësh tavanin e mjetit të vogël me kokë, me pluhur në verë e me baltë që të mban në xhirim rrotash në dimër. Ka një kanal në të majtë që takohet me një tjetër që nëpërmjet kallamishtes e çon ujin në det, ujë të zi që çdo vit nuk mungon në kronikat televizive.Rrugës mos u ndalni tek “Hotel Dajti” apo “Resort Kolaveri”, merrni djathtas dhe hyni në mrekullinë (po e quaj kështu pa hiperbolizim) “DIBRA-AGZA”...Tri ndërtesa me lartësi tre kate puls papafingo. Të tria rrethuar me mure e kangjella betoni të bardha. Tri porta hyrëse që mekanikisht hapen e mbyllen sipas rastit.Rreth e qark gjelbërim me dru pyjorë, drufrutorë (ullinj, portokaj, limona, shega, nespola, ftonj...) e bimë të tjera lulore e aromatike. Madje edhe me bimë bliri, dashuri e vjetër e autorëve në vlerë të “Bulevardit të Blirëve” të qytetit të tyre-Peshkopisë, marrë prej andej me rrënjë të gjalla. Banorët që e kalojnë një pjesë të vitit në shtëpinë e tyre nuk kanë munguar që midis luleve të fusin edhe erëza për gatim, erëza që i mbjell njeri dhe i mbledhin për ti dhënë shije gjellës kush të dojë. E tërë hapësira disa dynymëshe e kompleksit është e shtruar me tulla gri e mbi to janë vizatuar kuadrate ku secili banor ka vend-parkimin e vet me numrin përkatës të apartamentit.Stolat trevendësh prej betoni janë vende ku kuvendojnë të moshuarit, gra dhe burra...Ajo që e bën më të bukur dhe të sigurt për çdo familje mjedisin është hapësira për fëmijë, siguria në lojën e tyre. Mund të them se fëmijët, ata që vijnë për të pushuar për ditë e muaj të tërë, apo edhe për fundjavë, mezi e presin çastin për të luajtur me njeri tjetrin. Një hapësirë të tillë kolektive me çiltërsinë dhe sigurinë për fëmijët nuk e gjen as në mjediset me pagesë e me roje të paguara.Agimi dhe Zabiti e kanë përfunduar ndërtimin deri në pikën e fundit të përgjegjësisë së një ndërtuesi, deri në gjelbërim dhe siguri çka nuk e di në se gjendet gjëkundi në mjedise të tilla popullore. Ata tashmë kanë detyra e detyrime të tjera në ndërtim e shërbimin qytetar.Tash për banorët e pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme, fillon një detyrë dhe detyrim tjetër, detyra dhe detyrimi qytetar kolektiv, detyra dhe detyrimi për ta mirëmbajtur dhe administruar me dije dhe kulturë vendin ku banojnë përkohësisht në pushimet verore madje edhe përgjithnjë, jeta në kolektiv.U caktua një administrator, Jasin Arifi, një njeri i kulturuar dhe i përkushtuar deri në hollësi për gjithçka. Mirëmban lulishtet dhe tërë mjedisin një burrë pensionist, Harun Kiku që me një dashuri të veçantë nuk lodhet as verë e as dimër. Në ditë dimri kur nuk ka banorë një qen i sertë nuk të lejon të shkelësh brenda...Shkurt mund të them se në sajë të tyre kompleksi “DIBRA-AGZA”, lulëzon. Por a do të vazhdojë kështu ky mjedis i bukur? A do të gjelbërohet, madje a do të vendosen lojëra për fëmijë në idenë e zhvillimit që ka Jasin Arifi?Përkushtimi i tyre e ka një kufi, kryerjen e ndërsjellët të banorëve, detyrimin e tyre për të paguar “kuotën e mirëmbajtjes”. Nuk kemi të bëjmë me njerëz që “vuajnë për bukë” por me njerëz që, megjithëse jetojnë në vende evropiane dhe e kanë kulturën e jetës kolektive, hezitojnë të paguajnë. Dhe nuk janë pak...Administrimi i mjedisit lidhet me pagën modeste të punëtorëve, me shërbimet e ndriçimit kolektiv, me ujin, bllokimin e kanaleve të brendshme, ndriçimin dhe pastrimin e shkallëve, me një sërë problemesh në dukje të vogla por që në llogari shndërrohen në shqetësim.Administrueset e mjedisit vitin e kaluar ishin gati ta linin punën, ta linin në dorë të fatit kompleksin e bukur. U këmbëngul që ta mbanin edhe një vit duke lënë mënjanë punë të tilla sezonale si pastrimi i shkallëve (duheshin punëtore për këtë punë) e ndonjë tjetër.Disa veprimtarë shtypën dhe shpërndanë në çdo apartament fletë ku bëhej thirrje për ta mbajte dhe mbrojt mjedisin, për ta mbrojt nga keqbërësit shtëpinë e tyre, për të paguar detyrimin vjetor, detyrim që është vetëm njëmijë lekë në muaj...Nuk ndryshoi asgjë...Do të ikin administruesit e rreth 90 apartamenteve?Po ikën gjithçka do të shkatërrohet...Do të shkatërrohet mjedisi i bukur?...Do t’i lihet hapësirë dhunimi banesave, vjedhjesh e plaçkitjesh, shkatërrim të gjelbërimit dhe murit rrethues?...Radhën që të mos ndodhë kjo e ka shteti, e ka vendosja e ligjit për jetën kolektive, detyrimit për të paguar si në pagesën e energjisë elektrike, të ujit, televizionit publik, taksave të ndryshme.Pse marrëdhëniet në bashkëjetesën kolektive, detyrimi monetar i secilit të mos futet në faturën e ujit apo të energjisë elektrike? Pse kjo lihet në dëshirën e njërit apo tjetrit?Nga kjo amulli dhe mungesë ligjore do të humbasin vlera të mëdha materiale dhe morale.Një zgjidhje e shpejtë, jo thjesht në rastin e përshkruar, por për të gjitha mjediset e jetesës kolektive në qytete dhe në fshatra përbën ngut.
Abdurahim Ashiku
Mali i Robit, 8 gusht 2015
Comments