A u fillua rruga Deçan-Plavë si projekt shtetëror apo si projekt promovues i partive politike?!
Nga Esad GJONBALAJ
Në fillim duhet cekur se kjo rrugë është jetike për Plavë-Gucinë, është investim strategjik jetësor për Kombin Shqiptar, gjegjësisht për ruajtjen nga asimilimi e zhdukja të kësaj pjese etnike e martire, etno-historike, kulturore e turistike të atdheut tonë të cunguar. Ne mund të vazhdojmë të këndojmë për Mollë të Kuqe, por ne po na shuhen mollat (copat e atdheut) para syve tanë!
Ka vite që kjo rrugë mbeti në hije dhe në sirtarët e qeverive të kaluara. Por ka disa çështje që e brengosin dhe e shqetësojnë çdo plavë-gucias, duke pyetur, siç thotë populli, se: “a u nis kjo rrugë për së mbari”! A u nis që në fillim me nënshkrimin e duhur të një marrëveshje me Malin e Zi?
Jo, nuk kishte asnjë marrëvshje ndërshtetërore Kosovë-Mali i Zi.
Andaj shtrohet pyetja tjetër: A kishte asokohe eleborat dhe projekt Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministritë përkatëse?
Jo, asqë është parë ndokund asnjëherë apo nuk është diskutuar haptas për projektin, intinerarin, koston, kohën e realizimit etj. etj.
Vallë, si mund të iniciohet një projekt i tillë ndërshtetëror, ndërballkanik, gjeostrategjik etj. pa elaborate të mirë studiuar e të përgatitur dhe si lejohet të fillohet një projekt ndërshtetëror pa lidhjen e një marrëveshje ndërshtetërore?!
Populli i Komunës së Deçanit e dijmë që e don dhe e përkrah lidhjen e kësaj komune me atë të Plavës, por duhet të bëhemi realistë, se kjo komunë nuk i ka mundësitë buxhetore ta jetësojnë një projekt të tillë kaq kapital.
Qeveria e Kosovës, asokohe, kur u fillua ky projekt, më mirë do të kishte qënë që fillimisht të kishte lidhur Marrëveshje me Malin e Zi, meqë atëhere në pushtet, në Malin e Zi, ishte një qeveri ndryshe dhe pak më konstruktive se kjo e tanishmja. Ka më se dy vite që Ministrit të Infrastrukturës së Kosovës, zt. Liburn Aliu, i kam bërë disa pyetje në emër të Portalit “Plava e Gucia Sot”, por siç po duket ministri Aliu nuk ka gjetë kohë të na përgjigjet asnjëherë. Këtë kërkesë e kam bërë dy herë, por siç duket ministri Aliu nuk e ka pà të udhës të na përgjigjet me asnjë fjalë të vetme. Një neglizhencë e tillë është e pakuptueshme dhe në fakt është vazhdimësi e praktikës së vjetër të lërjes në hije dhe mjegull të këtij projekti që ai e quajti “Rruga e Bjeshkës”, por për ne plavë-guciasit, zt Aliu, është rruga e ringjalljes së Plavë-Gucisë. Sot është koha që Qeveria e Kosovës të vëjnë në binarë të duhura këtë projekt që unë e quaj “Rruga e shpresës për Plavë-Gucinë”.
Më habit edhe fakti që as bashkëvendasit tanë, që janë të pozicionuar goxha mirë në detyra në shtetin e Kosovës, po heshtin dhe nuk po ushtrojnë ndikim, përndryshe- më mirë me thënë: nuk po e mbështesin me ndikimin e tyre vendlindjen e vet, përderisa luajnë rolin e dekorit të partive politike dhe si spektatorë bëjnë sehir se a mos pahiri po bëhet diçka e mirë për Plavë-Gucinë!
Plava e Gucia i janë mirënjohës përjetë Kosovës tonë për të gjitha të mirat, por as ne nuk jemi ndalur asnjëherë për mbrojtjen dhe mbështetjen e interesave të përbashkëta kombëtare në luftë dhe në paqe.
Është koha sot, sepse nesër do të jetë shumë vonë, sepse nëse vazhdon trendi i këtillë i boshatisjes së Plavë-Gucisë nga shqiptarët autoktonë, pas disa dekadash, jo fort larg, do të themi me nostalgji: “na ishte një Plavë-Guci, ku kishte shqiptarë dhe flitej shqip".
Dhé, atëherit, Rruga jonë e “Shpresës dhe e Ringjalljes” do të mbetet me të vërtetë "Rrugë e Bjeshkës", e cila do të përmendet e do të keq përdoret për interesa partiake e për përfitime të poenave politike, do të shndërrohet në rrugë, e cila nuk të shpie askund, andaj duhet të veprohet tashti menjëherë, se dikur do të bëhet vonë, shumë vonë.
Comments