NGA LLESH NDOJ
Revolucion është një fjalë që nuk i përket vetëm zhvillimeve shoqërore. Ai ka qenë dhe është i pranishëm edhe në fushat e tjera të jetës, në shkencë, prodhim, teknikë e teknologji dhe ka shoqëruar historinë njerëzore në të gjitha etapat e zhvillimit të saj. Më shumë se përmbysje, kjo fjalë ka kuptimin e zhvillimeve cilësore, të vrullshme, në formën e një hopi që sjell një cilësi të re. Natyrisht që “cilësia e re” nuk vjen pa “përmbysjen” e së vjetrës, por qëllimi i revolucionit në vetvete nuk është përmbysja, por cilësia e re, zhvillimi që përmirëson e lehtëson jetën e njerëzve.
Fatkeqësisht në shoqëri ky term më së shumti, është parë si përmbysje e së vjetrës, se sa lindja dhe zhvillimi i së resë.
- Po ne shqiptarët ku gjendemi në këtë aspekt?
Të vetmet herë kur është përdor ky term ndër ne, janë në të ashtuquajturin revolucion demokratiko - borgjez i udhëhequr nga Noli në vitin 1924 dhe ai i Luftës Nacional - çlirimtare që i solli vendit rendin socialist. Të dyja këto revolucione rezultuan më së shumti si përmbysje e dhunshme (me të drejtë, kjo!) e gjendjes ekzisuese, por nuk mundën të ndërtonin një rend të ri shoqëror, prandaj edhe dështuan. Shkurt, nuk sollën zhvillimin e duhur për shoqërinë shqiptare, ndaj nuk mund të ishin të qëndrueshme. Nuk u quajt revolucion dhe nuk kishte tiparet klasike të tij, por edhe kalimi nga monizmi në pluralizëm, të njejtat tipare pati dhe pavarësisht përkrahjes masive popullore, po rezulton një dështim i radhës, jo se ajo që u përmbys (dhunshëm!) nuk duhej përmbysur, por sepse “cilësia e re”, që solli nuk po e afirmon veten si dobiprurëse për shoqërinë tone. Në këtë rast, dua të bëj sqarimin, se kjo ndodh jo se demokracia nuk është e pranueshme për shoqërinë njerzore, sepe ajo është afirmuar si rendi që mban në vetvete mekanizmat vetënxitëse për zhvillim, por se ajo që pretendojmë që kemi arritur, mbetet diçka hibride e mendësisë ramiziane duke “shkelur në rrugë të pa shkelura”, ndërkohë që modeli i tij efektiv ekziston në botën demokratike, ku ne duam të integrohemi.
Sali Berisha, i fundit zë komunist me peshë në shoqërinë shqiptare, akoma pretendon për revolucion! Se çfarë do të përmbysë, është e qartë: një rend ku ai nuk është “epiqendra e botës”, por se çfarë do të ndërtojë si cilësi të re, kurrë nuk e tha! Ndoshta ripërsëritja e tridhjetë viteve të cilave, më së shumti, u shkon për shtat shprehja: Ku ishe? Hiç gjëkundi! Çfarë bëre? Hiç asgjë! D.m.th, si kali në lëmë, sillemi rreth mullarit derisa të ngecim “me krye për huri”!
- Por a kemi nevojë pë revolucion ne shqiptarët?
Mendoj se po! Sot më tepër se kurrë më parë!
Le të mundohem të shpalos ndonjë mendim modest, se ku e për çfarë na nevojitet revolucioni sot në ditët tona, apo ku duhej të kishte ndodhur, sepse kurdoherë ka patur lëvizje të mëdha në shoqërinë shqiptare. Mendoj se është koha që shqiptarët të bëjnë revolucion në mendësinë e tyre dhe në vend që ta konsiderojnë veten epiqendra e botës, të mendojnë si pjesë e saj, si një hallkë e saj dhe të kuptojnë se, në se sillen si “qelizë e sëmurë”, trupi i shoqërisë moderne evropiane do t’i luftojë ato si të huaja, me ose pa medikamente, duke i flakur, herët apo vonë, jashtë vetes si të padenja për të.
Sa herë kemi dështuar në përpjekjet tona për të ndërtuar një jetë më të qetë e më të begatë, fajin e kemi kërkuar jashtë vetes, tek të tjerët, ndërsa veten e kemi paraqitur, më të shumtën e herës, ose triumfatorë, ose viktimë. Asnjëherë pjesë të gjësë, kontribues e përfitues të saj. Nuk është se historia nuk është treguar e pa drejtë me ne, pasi kjo tashmë dihet, por edhe atëhere, edhe sot, “armiku i jashtëm” i ka gjetur udhët hapur duke shfrytëzuar arësyet tona kryesisht. Ne nuk e duam njëri – tjetrin, nuk kemi arritur (me ndonjë përjashtim) të ndërtojmë besimin tek vetja e ndër veti, nuk kemi punuar shumë për t’i mbrrit e tejkaluar shembujt e mirë, por jemi përpjek për t’i penguar ata e për t’i sjellë në nivelin tone, nuk kemi arritur tē shohim nga e ardhmja, por kemi “ngecur” duke xhiruar në baltën e së shkuarës, nuk dimë të falim (njëri - tjetrin), as të kërkojmë falje për gabimet e bëra, nuk e vlerësojmë jetën, por na rrëmbejnë emocionet e “trimërive” e të marrunit jetë, qoftë edhe brenda familjes, na pëlqen e huaja, qoftë si shtet, si arritje apo edhe për t’i patur drejtues të niveleve të ndryshme, por nuk e vrasim mendjen se si arrihet atje, sa punë e djersë duhet derdhur e sa kohë është dashur për t’u ngjitur shkallë pas shkalle, por…
Ose duam t’i nxjerrim sytë tjetrit për ta “qorruar” si veten, ose hidhemi në aventurën e të arriturit “brenda ditës në maja”, me koncepte revolucionare… Le të ecim pak më tej në nivelin e trojeve ku banojnë shqiptarët sot. Jemi ndoshta i vetmi popull në trojet e veta, i copëtuar në 5 shtete fqinje. Historia është treguar vërtetë e padrejtë me ne, por le të kujtojmë se ne asnjëherë, përjashtuar periudhën e Besëlidhjes së Lezhës nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, nuk jemi paraqitur si unitar në mendim e veprim. Le të sjellim në vemendje Konferencën e Parisit, ku nuk arritëm të jemi të unifikuar, le të kujtojmë, po deshëm edhe Rambujenë apo…. Le të vijmë në ditët aktuale, meqënëse kujtesën e kemi të shkurtër. Duhet theksuar se kurrë më parë faktori shqiptar nuk ka qenë më “i privilegjuar” nga fati, se në ditët e sotme! Kemi dy shtete shqiptare në rajon, kemi faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut në pozitën më të mirë që ka patur ndonjëherë, duke gëzuar të drejtën e elementit shtetformues, kemi një faktor shqiptar në Mal të Zi në ngritje, ku faktori shqiptar po luan rol të rendësishëm, kemi mundësi pa fund të bëjmë politikë mbrojtëse kombëtare për shqiptarët e Luginës, apo rikthimin në agjendë të çështjes Çame, por fatkeqësisht gjendemi përsëri duke xhiruar në baltën e së shkuarës me mendësi tipike feudale e megallomani tipike shqiptare.
Pse është kaq zor të gjejnë gjuhën e përbashkët dy qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë, kur këtë gjuhë kërkojmë ta gjejmë me instancat ndërkombëtare në gjithë botën botën? Pse duhet ta shpikim një çeshtje “Beleri” shqiptarisht, kur kemi mundësi të flasim shqip për Çamëri e çështje çame? Pse nuk gjendemi të bashkuar ndaj sfidave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por kërkojmë “t’ua shkelim syrin” herë një lideri politik shqiptar atje, herë një tjetri? Pse nuk bashkohemi për të mbrojtur Veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës dhe t’ia themi botës shqip, se ato troje janë tonat, por etiketojmë njëri - tjetrin si vllezër të Vuqiçit? Pse nuk e shfrytëzojmë momentin e arritur politik të kryesimit te OSBE - s, apo për të dytën herë radhazi të Këshillit të Sigurimit të OKB – s, për të qenê krenar ball kombeve të tjera, por shkruajmë letra skutash kundër njëri - tjetrit, duke u bërë qesharakë në sytë e botës! Kushdo shqiptar që e pati, apo e ka këtë fat, të flasë shqip nga tribunat më të larta të kancelarive evropiane e botërore duhet t’na bëjë krenar, e jo gazin e botës me akuzat tona qesharake.
Po në planin e brendshëm? Keq sa s’ka! Mungesa e opozitës reale, të vertetë e të besueshme, po lejon të keqqeverisemi gjatë. Në vend që të ketë betejë për t’u bërë alternativë e besueshme e dominuese në popull, segmentet e opozitës zihen kush e “ka ma mirë me qeverinë”! Ka disa vite që “luftohet”ër t’a përmbysur opozitën reale, Partinë Demokratike, nga brenda vetes, në vend të artikulimit të një alternative qeverisëse ndryshe, jo vetëm nga ajo e Rilindjes, por edhe nga periudhat e mëparshme, periudha kur ajo vetë ka qeverisur me gabime të mëdha. “Loja e maceve, qari i minjëve”, - kanë thënë të moçmit. Jemi ne që kërkojmē nga shteti (nënkupto: shoqëria), pa dhënë thuajse asgjë! Absurdi shkon deri aty sa që bizneset më fitimprurëse në vend kërkojnë lehtësi tatimore, ulje taksash, deri në subvension. Bërtasim të gjithë se pensionet janë të ulëta (e vërtet dhe e drejtë kjo!), por thuajse askush nuk ka dëshirë të paguajë contribute, punojmë në të zezë e deklarojmë të ardhura më pak se paga. Askush nuk proteston pse punëdhënësi deklaron gjysmat e pagesave, e të tjerat ua jep në zarf si “dhuratë” punonjësve që mezi sigurojnë bukën e gojës!
Le të guxojmë pak më shumë!
Ka një linjë, akoma të padukshme e të kamufluar drejt ekstremizmave gjithfarësh, kryesisht fetarë, rryma që nëse nuk vlerësohen seriozisht sot, nesër do të jetë vonë. Nuk mungon kjo linjë, që me përpjekje të kamufluara e të shumëanshme të punojë për zëvendësimin e ndjenjës së vllaznisë shqiptare me atë fetare. Ishin të trishtueshëm zërat pro masakrave të Hamasit në Izrael, thjesht në emër të kësaj vllaznie, duke i shërbyer kështu politikës shoviniste serbe që nën e mbi zë thotë nuk kemi gjë me shqiptarët, por me ekstremistët myslimanë shqiptarë, që me Kurtin shtypin vllezërit e tyre ortodoksë në Kosovën e Veriut.
Mund të rreshtonim pa fund mendësi shqiptare tipike të tipit: “Le të cofë lopa ime, veç mos të pjellë lopa e vllait”, por po e ndal këtu analizën time modeste për këtë temë, duke konkluduar se janë pikërisht këto mendësi dhe jo vetëm, që duhen përmbysur në mënyrë “revolucionare”, me qëllim që revolucioni ynë të mos shëndrrohet në një fiksim permanent i përmbysjes pa ndërtim, por në një objektiv që fillon tek vetja dhe ka si qëllim mirëqënien e individit, familjes dhe shoqërisë. Nga vetja fillon ndryshimi. Aty buron e mira dhe e keqja e shoqërisë.
Lezhë, më 11 tetor 2023 LLESH NDOJ
Comments