top of page

A MUND TA NJOHËSH BOTËN E NJË BURRI


NATASHA XHELILI

A MUND TA NJOHËSH BOTËN E NJË BURRI

A mund ta njohësh botën e një burri

Teksa rri në këmbë dhe bluan mendime

Tek qesh, zbehet, ngryset me veten e vet

E ndez zjarrin e jetës tej në horizont?

A mund ta njohësh zemrën e një burri

Kur vërshon si lumë e brigje krijon

Kur natën dhe ditën i ndriçon me hije

Me fjalën e munguar dhe qëndresën që s’resht?

A mund ta njohësh jetën e një burri

Ndërsa të shoqëron në hapat që hedh

Në krah mban fëmijën si një perëndi

Dhe synimin e fundit si flatër zbukuron?

Tek rri të vështron dhe e struk fjalën

Dhe nga bota çmendur prapë në krahë të mban

Si koma uji gjithë fjalët kapërdin

Si mund ta njohësh shpirtin e një burri?

UDHËTIMI

E nisëm një udhëtim

Ne të dy

Drejt shtigjeve të reja

Në stinën e zemrës

Unë ndjek ritmin tënd

Ti ndjek ritmin tim

Si ndjek vala valën

Hapësirat që zbulojmë

Kufijtë e tejbotës

I zbresin nga supet andrallat e ditës

Unë në qiellin tënd

Ti në qiellin tim

Si yjt' e galaktikës

Vërtik lëshohemi

S'e njohim frikën

Në skajet më të largëta të njëri- tjetrit

Unë fillimfundi yt

Ti fillimfundi im

Ashtu si të verbrit

VESH KËMISHËN TËNDE

Vesh këmishën tënde Rruga drejtohet

si filli i perit të gjyshes

kur thur ëndrrat e vajzërisë

Mbrëmja largon tisin e mugët

me erashkën e perëndimit

Flladi që vjen më vesh

me ndriçimin e pëshpëritjeve të tua.

Kufijtë që s’ duhet ti shkel

largohen e marr frymë lirisht,

Parfumi që lëshon trupi yt

më deh e harroj realitetin

Ashtu e dehur derdhem ditëve

që ke veshur këmishën

Mas hapat që na ndajnë

Gjoksin e fshehur që dua ta prek

Kërkoj stinën kur më bën të lumtur

Ngre një stivë me vargje për t’u shprehur…

Ndiej hapa që më afrohen...

PËRKUNDJA E DRITËS

Përkundja e dritës

Në shilarës nata përkund dritën

Në çdo valëvitje ndizet një yll

Një ëndërr lag sytë e një galaktike të largët

Përralla e treguar përgjysmë

Errëson hënën që lahet në liqen.

Një udhëtar i vonuar

Ndërron stinët në kalendar.

Drita përhapet

Zbehet natësia

Udhëkryqet fjalëkalojnë

Zezonin e përkohshëm të diellit.

Shkrumbi i natës që zbret

Nga oxhaku i ligësisë

Ngarkon kuajt e erës që trillojnë flakën

Duaj-duaj valëvitet në ecje

Shkrumb i shkëlqimtë .

Më ndjek dhe mua përkundja e dritës

Kujtimet vijnë me dritëz si në aparatin fotografik

Pastaj ngarkohen në kurrizin e hijeve të natës

Të mbetura pa kujtime nga përmbytja.

Tik-tak  tik-tak

Është zemër apo zemrek

Nata përkund dritën

Që të lindin përsëri yjet.

VIJ NË TAKIM

Vij në takim

Flokët i kam të shpupurisura

Në buzë më ka çelur një buzëqeshje

Që më ka aromatizuar

Hijet e pemëve që vrapojnë mbi mua

Nuk ma fshehin dot dritën që më ka mbuluar

Semafori numëron countdown

Edhe pak.

Kaloj e shkujdesur dhe shtyj flokët pas

Të shoh

Vullkani i zemŕës shpërthen të kuqtë  jashtë meje

Duket se Tirana do të digjet

Eci mbi prushin e saj

Ti më zgjat dorën

Tek shigjetohemi përpara filxhanit

Bota nuk ekziston.

85 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page