A ju kujtohet revista e Seksionit Letrar „De Rada“ në Ferizaj?
Prof Dr Fatmir Terziu
A ju kujtohet revista e Seksionit Letrar „De Rada“ në Ferizaj? Natyrisht ajo mund të jetë diku në arkivat e Kosovës, në mesin e librave të shkrimtarëve dhe të poetëve, por normalisht kontributi i madh i kryetarit të saj Hajro Ulqinaku, Drejtorit Shukri Hoxha, natyrisht që nuk mund të harrohen.
Ajo revistë quhej „Zgjimi“. Revista botohej nga Qendra e Kulturës në Ferizaj. Në Kolegjiumin e Revistës „Zgjimi“ ishin: Nuhi Vinca, Nol Berisha, Mikarić Milovan, Rexhep Rifati, Nazmi Marevci, Josip Živka, Hajro Ulqinaku dhe strugani i paharueshëm, Rahmi Tuda. Kjo revistë kishte për Kryeredaktor të saj Rahmi Tudën dhe si redaktorë teknikë Beqir Drizën dhe Reshat Arapin.
Kjo revistë letrare gjithëpërfshirëse dilte një herë në dy muaj. Në faqet e saj kishte mjaft materiale interesante, të cilët më pas bëheshin dhe pjesë e frymëzimeve dhe botimeve me karakter kërkues dhe shkencor për kulturën dhe traditën shqipe, për letërsinë dhe krijimtarinë në fjalë dhe për trashëgiminë letrare e kulturore.
Revista kishte dhe funksion të dyfishtë pasqyrues me teatikën nga kultura. Kultura, thuhej se para masave të dhunshme serbe të viteve 1990-1999, komuna e Ferizajt ka pasur 7 biblioteka publike me 60.565 libra. Biblioteka kryesore ka pasur 30. 913 libra, derisa degët në Gaçkë, Komogllavë, Talinoc të Muhaxherëve, Nerodime, Babush dhe Shtërpcë kanë pasur 29.525 libra, por pas luftës bibliotekat dhe koleksionet e librave duke përfshirë edhe ndërtesat dhe inventarin kanë qenë shkatërruar. Për pasojë, kjo komunë tash ka vetëm 5 biblioteka me gjithësejt 26. 352 libra. Dy bibliotekat në Nerodime dhe Babush dhe 34. 213 libra kanë qenë shkatërruar.
Edhe jeta e Teatrit ka qenë prezente në këtë revistë. Ferizaj, natyrisht ka edhe Teatrin Profesional "Adriana Abdullahu". Veprimtaria teatrore zë fill që nga viti 1943, ku sipas shënimeve themelues i teatrit mendohet të ketë qenë Hasan Dyngjeri. Deri më sot jan dhënë afro 143 Premiera teatrore.
Kjo revistë është sikurse e cituam pjesë e grupi letrar "Jeronim de Rada" që ka mbi tridhjetë vite që funksionon, i cili ka zhvilluar një aktivitet të dendur letrar mbi 30 vjet. Janë botuar shumë vepra, panorama poezish etj. E gjithë veprimtaria është kryer në baza vullnetare. Por, sot pas lufte thuhet se klubi nuk ka zyrë.
Që nga krijimi i saj, Revista „Zgjimi“ kishte dhe një synim të vetin për të mbajtur gjallë vlerat dhe frymëzimet deradiane, ku herë pas here është shkruar dhe përkujtuar me forcën e domosdoshme kulturore figura e De Radës. Dhe thuhej se përkujtohej ky poet i Madh, pasi ai mahniti Lamertinin, Viktor Hygonë, Dora D'Istrian, këtë poet të Madh që pasi pa rrezikun e asimilimit nxorri në dritë „Flamurin e Abërit“.
Kjo e fundit ndoshta ishte më e rëndësishmja dhe më e ndjeshmja e aktivitetit të Revistës „Zgjimi“ në ato kushte ku ndodhej Ferizaj, Kosova dhe tërë shqiptaria e vënë nën kthetra uzurpatori. Gjithësesi e ndjeshmja e revistës dhe e djeshmja e saj tingëllon bukur dhe ka timbër të fortë e sotmja ende nuk ka një zë të mjaftueshëm që të bëj të paktën një sinjal të domosdoshëm kulturor, kur dihet se ajo trevë gjithnjë është shquar për krijimtari letraro-artistike. Gjithësesi le të përkujtojmë sot Revistën „Zgjimi“ dhe stafin e saj të drejtuar nga një ekip i mrekullueshëm i saj.
Comments