
DALLGËDYSHE
Fatmir Terziu
Kapaku i frymës bëhet arkë harmonike,
e ajo që përherë bëhet dallgë e ndarë dyshe
është udha jote e largët dallëndyshe.
Këtu është fryma e nisjes së ftohtë,
atje tej po aq kallkan,
tjetër botë,
nga përtharja e butë e buzës,
sytë godasin si çekan,
duke mësyrë në butësinë tënde,
unë memorizoj ikje-ardhjet,
stinët kur isha pranë asaj ëndrre.
Një pendë dallgëzimi të frymtë i end
mendimet, i çmend
një dallgë e ndarë dysh prej fryme
të bendur. Si një meteor
trupmavijosur i zjarrtë
ma përcëllon buzën
e përskuqur që ngjyhet
ndërkohë që dhëmbët e ftohtë,
pështjella e ajërt, kafshojnë shekujt,
mbërthejnë këtë fluturim si me gozhdë
të gjetur moçëm zemrës së tokës.
Është balada e atij që ka sy e veshë,
e njëjta tokë, e njëjta gjuhë,
i njëjti Komb, e njëjta kulturë,
fluturojnë nën harpën frymore të ndarë dyshe,
me t’u kthyer e ngrohta natyrisht,
sytë këndej i ke moj dallëndyshe,
valëzimi yt balerinë çel stinën e puthjeve,
karijoni ndalet,
sepse shija e keqe
është guaska e tij e mbarë harmonike,
këllëfi për krahët e marra peng prej shqipes
mallit tënd të tretur moj dallgëdyshe.
Comments