A gjenden diku në arkivat e huaja materialet e përmbytura nga lumi Kir të Zef Jubanit?!
F. Terziu
Zef Jubani (Shkodër 1818 - 1 shkurt, 1880) iu vu kërkimeve për folklorin shqiptar në një kohë relativisht të konsiderueshme, kur në folklorin shqiptar kishin ardhur J. De Rada dhe mbledhësit e tjerë arbëreshë. Ndërkohë emri dhe veprimtaria e Thimi Mitkos[1] (1820-1890) kishte zënë vend mjaft të rrëndësishëm pasi ai krijoi marrëdhënie me studiues të ndryshëm të çështjes shqiptare si me Dhimitër Kamardën, Majerin, Dora D’Istrian, J. U. Jarnikun, Kulluriotin, Kupitorin[2] etj. Sipas shënimeve që gjemë në parathënien e “Bletës” në letrën e Kamardës, etj., mësojmë se Mitkua e kishte nisur punën kërkimore përpara vitit 1860.
Këto kërkime sado që filluan në Shqipëri, nga mezi i shekullit XIX, patën qëllime të përcaktuara dhe i shërbyen drejtpërsëdrejti formimit të ndërgjegjes kombëtare, e cila po shkonte drejt rritjes. Kështu paralelisht me Mitkon, ishte në skenë ky patriot i shquar, Zef Jubani, që ishte njohur si nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar e ideolog. Si shkodran i pasionuar dhe si një pasardhës i gjyshit të tij, Ilias, një dukagjinas, që njihej si kundërshtar i Karamahmud Pashë Bushatlliut, ai kishte mjaft arsye të ndërrmerte nismën për kërkime folklorike. Dhe ai u bë një emër mjaft i njohur.
Meqenëse dajat i kishte në Maltë, qe dërguar për studime atje, ku përfundoi shkollën e mesme tregtare (1830-1838). Gjatë studimeve mësoi italishten, frëngjishten, anglishten. Zefi me kohë, ra në kontakte tregtare me Anglezë dhe Italianë, i ndikuar nga idetë e kohës, nisen t'i ngjallen ndjenjat patriotike që me kohën ia forcuan dashurinë për vendin e dëshirën për lirinë e atdheut nga zgjedha e huaj. Mbasi iu vra i ati me 1840, Zefi në 1841 u kthye në atdhe dhe në Shkodër qe ngarkuar me detyra të ndryshme nga ana e qeverisë. Zuri vend në zyrën postare që çdo 10 ditë dërgonte një njeri të besuar me letra dhe lekë për në Smilova Uglica, që ishte pika e kufirit mes Perandorisë Austriake e asaj Otomane, në rrethinat e Kotorrit. Prej ku merrte në dorëzim postën tregtare drejtuar Shqipërisë nga qytetet austriake e italiane të Adriatikut Qendror e Verior.
Njohja më pas ne mikun e vet shkodran, Halil Koplikun[3] e shtoi më së shumti dëshirën për të mbledhur folklorin nga hinterlandi. Zefi do shkruajnë «zoti Hekard e përshkroi Shqipninë e Veriut mbi gjurmët e veprës sime të pabotueme, e futi mbrendë disa kangë, që ia dhashë hua për nder, vetëm në përkthimin italisht. Tekstin shqip e rueja me zili për veprën time, që mendojshe ta botoj». Duhet të konsiderohet ndër të parët pararëndës të Rilindjes, personalitet i kulturuar dhe i pajisur me ide patriotike e përparimtare. Qe kurdoherë një kundërshtarë i klerit katolik të huaj. Që më atë kohë ai e kishte psikologjisë mirë popullin e Shkodres. Veprimtaria patriotike e tij nuk përkonte me mendësinë e shtresës feudale, prandaj përbuzej; veprat e tij për shumë kohë mbeten në heshtje, kontributi i tij në lamën historike, folklorike e letrare u vlerësuan me rezerva në presionin e disa qarqeve konservatore e antikombëtare.
Më 1862 bashkëpunoi në organizmin e lëvizjes antiosmane të Mirditës. Autor i veprave: "Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare", "Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut", "Kundrime mbi gjendjen morale dhe intelektuale të popullit shqiptar", etj. Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin "Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë - Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d'Istria", ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Ilija-Jubani. Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar Shqiptarë dhe Arbëresh. Ajo do të shkruajë për të në një artikull të "Revista Europea", numri gjegjës i të cilës s'ekziston, por njihet nga burime të tërthorta. Poezia e Jubanit u botua për herë të parë në veprën "Dora d'Istrias - Shqiptarët" me 1870, përmbledhje poetike. Përfaqësues të inteligjencës nga Shqipnia, arbëreshët e Italisë dhe Greqisë mblodhën në këtë vëllim disa poezi të tyre kësaj shkrimtareje të përmendur për përkrahjen e çështjes kombëtare. Njihet si krijues i një alfabeti të posaçëm me bazë latine. Si atdhetar dhe mendimtar i dha një ndihmëse të vyer Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhe pak para se të ndërronte jetë i jep testamentin e tij mikut Pjetër Gurakuqit. U nda nga jeta më 1 shkurt 1880 në Shkodër.
Një pjesë e mirë e materialeve të mbledhura në këto kërkime folklorike, sipas një dëshmie që bazohet në të dhënat e tij, u dëmtuan nga një përmbytje e qytetit të Shkodrës nga lumi Kir në vitin 1866[4]. Me gjithë numrin e tyre të kufizuar, tekstet popullore të botuara në vëllimin “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash” janë materiale me shumë interes, si nga ana e dokumentacionit për ekzistencën e disa temave, sidomos të epikës historike të Veriut, ashtu edhe në qëllimet e autorit që t’i shërbente kulturës dhe ndërgjegjes patriotike shqiptare. Diku është përmendur se një pjesë të materialeve të humbura nga përmbytjet në Shkodër i janë dhënë një të huaji për publikim, dhe ndërsa lexojmë se Hécquard ishte shumë i interesuar për folklorin dhe mori të rinjtë Zef Jubani dhe Halil Kopliku me vete në udhëtimet e tij rraskapitëse nëpër shqipen e veriut ... (Robert Elsie – 2010), natyrshëm mund të repektojmë dhe fatin e ndodhjes diku të atyre kërkimeve mjaft të rrëndësishme për vlerat e tyre historike. Ndoshta diku në arkiva ato mbeten si një dëshmi e kohëve që hodhën mjaft errësirë dhe tym në pasuritë folklorike të shqiptarëve.
[1] Lindi në Korçë, ku ndoqi shkollën lokale të gjuhës greke. Xhaxhai i tij, Peti Mitko kishte qenë një ndër krerët e kryengritjes së 1847 kundër Tanzimatit. Të dy e lanë atdheun në vitin 1850, duke vajtur së pari në Athinë, më pas në Plovdiv, dhe së fundi në Vjenë, ku Thimi punoi si rrobaqepës. Më 1866 mërgoi drejt Egjiptit, ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare dhe ngritjes së një biznesi të suksesshëm në Beni Suef, ku dhe vdiq më 1890. Mitko mblodhi materiale të folklorit shqiptar prej 1866. Ai komunikonte me Jeronim De Rada, Demetrio Camarda, Dora d'Istria, Jan Urban Jarník, Konstandin Kristoforidhi, dhe Gustav Meyer, duke i mundësuar me kenge popullore, gjëegjëza dhe tregime. Koleksioni i folklorit shqiptar i vet Mitkos përmbante këngë popullore, tregime dhe thënie popullore nga Shqipëria e jugut, Alvaniki melissa botuar në Aleksandri më 1878. Sipas Mitkos, koleksioni ka si qëllim të sigurojë lulëzimin e komunitetin shqiptar në Egjipt me informacion në lidhje me zakonet shqiptare. Puna u rishikua nga Gjergj Pekmezi në Vjenë në 1924 nën titullin Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos. Mitko ishte edhe autor i artikujve të shumtë të revistave evropiane në mbështetje të çështjes shqiptare. Po ashtu edhe një shkollë në qytetin e Gjilanit është titulluar me emrin Thimi Mitko. [2] Folklori shqiptar. D. 2 [3] Fjalori Historik i Shqipërisë - Faqe 217. Hécquard ishte shumë i interesuar për folklorin dhe mori të rinjtë Zef Jubani dhe Halil Kopliku me vete në udhëtimet e tij rraskapitëse nëpër shqipen e veriut ... (Robert Elsie – 2010). [4] Z. Jubani (1871) Raccolta di canti popolari a rapsodie di poemi albanesi Trieste.
Fatmir Minguli Pershendetje Fatmir Terziu per kete shkrim analitik per Zef Jubanin dhe vepren e tij te madhe [4] Z. " Raccolta di canti popolari a rapsodie di poemi albanesi "Trieste., liber qe kam fatin ta kem ne shtepi. (Botim i 1871)