top of page

A ËSHTË FILMI ARTISTIK NË AGONI?



Dhe pyetje të tjera: për stile, për rryma, për shkolla e parime


Edhe pse vërehet një prodhimtari në rritje, çka ndonjëherë të habit, filmi artistik duket se nuk i ka punët mirë… Në një vështrim qoftë edhe soditës - në thellësi (të kohërave) apo në atë çfarë ofrohet për t’u parë, veças në dy dekadat e fundit - zhgënjimi shfaqet dukshëm e në skena trishtuese, sikur të ishte gjithashtu një film… Nëpër TV e rrjete, por sidomos te kjo platforma që të gjithë e ndjekin - nuk shkoj më tej, se quhet reklamë ose antireklamë - shumica e filmave ofrojnë pak. Mund të jem i gabuar, por le të shprehemi njëherë, mandej i rishikojmë edhe ‘gabimet’. Filma të ndërtuar mbi skenarë dosido, pa dramaturgji bindëse, pa ndonjë gjetje që të mbërthejë spektatorin, pa jetë e pa shpirt. Filma ku dominojnë efektet digjitale, që i falen dublimit dhe që anojnë nga animacioni, sikur bëhen nga robotë. Filma që fillojnë pa asnjëlloj gongu; e pastaj shko e shko, ec e ec, asgjë nuk ndodh, dhe asgjë nuk të fton të shkosh e të ecësh më tej…

Për më keq, në një sërë prodhimesh për ekranin, duket sikur autorët marrin përsipër t’u mësojnë shikuesve veset apo punët e shtrembëra të kësaj bote: si rrihet dikush paq; si mund ta shpërndash drogën; si mund t’ia hedhësh fqinjit; çfarë bën kur do të vrasësh dikë dhe pastaj të fshehësh gjurmët e krimit; si mund të veprosh kur duhet t’i fshihesh policisë; si mund të shkaktosh gjithfarëlloj skandalesh në rrugë e në bare dhe të mos pësosh asgjë; si mund të përplasësh makinën me dy a tre të tjera, t’u hipësh atyre sipër, të bësh rrëmujën që mund ta përfytyrojnë vetëm mendje të çartura e, për çudi, asgjë nuk të gjen, këmbë polici nuk shihet në rrugë apo përqark (!) Ose, do të duken në… aktin tjetër.

Në po këtë ‘yllësi’, vijnë luftëra pa asnjëlloj referimi historik e pa kurrfarë sensi, realizuar falë një fantazie që veç një tru i sëmurë mund ta posedojë; përplasje mekanizmash e rrangullash që një Zot e di si mund të përftohen; goditje e shpërthime e zjarre pa fund; armë të sofistikuara gjer në marrëzi; skena të frikshme dhe njëherësh po aq naive; krijesa të përçudnuara ‘nga planete të tjera’ ose nga epoka të largëta; çudira e transformime që veç një mendje e çartur mund t’i krijojë. Nuk di si arritëm këtu dhe si mund t’ua shesësh shikuesve për ‘krijime’ gjëra që nuk kanë ndodhur dhe nuk ndodhin kurrë në jetën reale, shpikje e sajesa që skenaristi, regjisori - a ndoshta më shumë producentët e filmit - mund t’i kenë parë në ndonjë ëndërr, apo thjesht i fantazojnë me një vullnet të habitshëm, shkatërrues e denigrues, sikur t’i ketë mbërthyer skizofrenia.

E vërteta jetësore dhe ajo artistike, janë koncepte e gjendje sa të ngjashme aq edhe të ndryshme; ato herë janë larg njëra tjetrës, herë i ndan veç një fije e hollë. Por ani, prapë lipset më shumë art për t’i thurur e gjithaq vërtetësi (sado në limite) për t’i besuar e pranuar si episode të jetës… gjithë këto marrëzi që një mendje normale vështirë se mund t’i qasë. Nëse vishen me termin ‘spektakël’ apo nëse duhet t’u prishësh mendjen adoleshentëve - dhe këtu s’bëhet fjalë thjesht për moshën - kjo është një çështje tjetër, që sigurisht autorët dhe producentët e marrin në sy, duke i bërë mirë llogaritë, çfarë fitojnë dhe çfarë humbasin.

Për më tej, besoj që jemi në një epokë pa yje. Aktorë dhe aktore që nuk të lënë asnjë pështypje, për nga loja e, ndonjëherë, edhe për nga pamja. Njëtrajtshmëri, mediokritet, pokeri. Dhe të gjitha këto, më së koti përpiqen t’i mbulojnë me hire dhe seks: Në ashensor, nëpër banjo publike, ku të munden protagonistët; (në fakt, ku i çojnë skenaristët dhe regjisorët, për ta bërë filmin ‘tërheqës’…) Me preteksin për të qenë ‘sa më pranë jetës reale’, filmat ndonjëherë rrëshkasin në njëlloj natyralizmi tejet të anuar, që mos themi të sëmurë. Ka filma asi që fillojnë drejt edhe në hale, teksa personazhi është duke kryer nevojat personale; dhe ky është ‘akti i parë’. Arti (i disave) është dorëzuar kryekëput përpara organeve gjenitale dhe seksit oral. Dhe denigrimi i dashurisë, në të gjitha kuptimet dhe aktet e saj, është në ‘modë’; ose thjesht e performojnë asi, me ngarkesa bishërore, ngaqë s’kanë në dorë dramaturgjinë e duhur, mungojnë karakteret që mund të thonë diçka, është larg letërsia e mirë, gjithaq historitë tërheqëse dhe gjetjet e rralla.

Edhe nëse janë mundësitë për të ndërtuar një gjë me vlerë, që vjen nga koha kur filmat xhiroheshin në studio të vërteta, sërish dikton prirja perverse për sajesa, përzgjidhen aspektet më të dyshimta nga jeta e prototipit, përçudnimi fiton mbi çdolloj përvoje e mesazhi. Bie fjala, në një film të tillë (film ishte?) për M. Monroe, në ‘vizatimin’ e një prej ikonave të kinemasë dhe të bukurisë femërore, ishin trashur gjer në ligësi e urrejtje anët e errëta dhe episodet më pak përfaqësuese të personazhit në fjalë; dhe nuk ishte lënë pisllëk pa u përdorur, duke e poshtëruar aktoren, por edhe vetë spektatorin, duke e ndyrë gjithë filmin, sikur ky ishte qëllimi: të shkatërrohet zhanri dhe çdolloj vlere e (në këtë rast) edhe ndonjë kujtim i mirë.

Sigurisht, njeriu është një qenie e çuditshme dhe në këtë jetë çfarë nuk ndodh e çfarë nuk provohet: për shkak të rrethanave, nga e mira, nga e keqja, nga snobizmi; përvojat janë nga më të papërfytyrueshmet. Por a e vlen me hedh në ‘pistë’ gjithçka të pistë? Të tilla teprime duket sikur bëhen për njerëz dhe nga njerëz (ose më mirë, fatkeqë) që mbase nuk e patën dhe nuk e kanë mundësinë të bëjnë dashuri; për manjakë dhe nga manjakë që drithërojnë për kurm e seks dhe nuk i dallojnë dot mirë nuancat e dukurisë sublime që quhet dashuri dhe që një shkrimtar të cilit i shiten miliona kopje e quan ‘gjëja më e bukur në botë’; nga amatorë që pothuaj tallen me filmin, me artin, me ngjyrat dhe kuptimin e jetës e të dëfrimit. Anipse, dalin mendjendritur pa mend, që i cilësojnë ‘arritje’ të tilla si një ‘shkallë tjetër’ në këto disiplina(!)



Dhuna, vrasjet, aksidentet e rënda, seksi i shfrenuar, gënjeshtrat për ndodhi ku nuk gjenden asnjëherë forca të rendit, etj. - me të tilla është e mbushur jeta - këto janë parë edhe në filma të mëparshëm që, në fakt, kanë bërë epokë. Por episodet në fjalë, asnjëherë nuk janë ofruar kaq trashë, kaq gjatë, kaq në zgrip, pothuaj qëllim në vetvete, siç po i shohim në platformat e ‘shkatërrimit të filmit’. Njerëzit e filmit, pra ata që çmojnë, qofshin krijues apo publik, nuk po maten dot me disa marrëzi e prirje që s’merret vesh nga vijnë: nga mungesa e parave apo nga teprimi i tyre; nga mërzia prej veprave të mira apo nga zilia që nuk i arrijnë dot; nga të qenit snob apo nga njëlloj paaftësie që të bën të vuash e të shkallosh; nga pajtimi me çdolloj ‘risie’ që në fakt vetëm aso nuk është, apo nga diçka tjetër, përtej të gjithave, dhe që autori i këtyre radhëve nuk e përkufizon dot… E kështu, me përjashtime gjithnjë e më të rralla, nuk bën më kush të atillë si “Ditë dashurie”, “Dy njerëz të një qyteti”, “Kumbari”, “Na ishte njëherë Amerika”, “Rroku dhe vëllezërit e tij”, “A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?” “Lista Shindler”, “Flokët”, “Kinema Parajsa”, “Forest Gamp”, “Pianisti”, “Notting Hill”, “Hachi”, “Gruaja më e bukur”, “Njeriu i shiut”, “Armiku te porta”, “Gladiatori”, “Erin Brokovich”, “Jeta është e bukur”, “Mesazh në shishe”, “Djalli vishet me Prada”, “Zhos profesionisti”, etj. etj. se vërtet janë shumë dhe, sipas shijeve vetjake, mund të përzgjidhen edhe më shumë, edhe më mirë…



Mungesat serioze, shpesh edhe aso profesionale, ndonjëherë justifikohen me… rrymën a shkollën që ndjekin krijuesit; dhe kjo është një hile e hershme. Ka shumë krijues (në fusha të ndryshme) që thonë (apo u duket) se ndjekin aksh rrymë a shkollë, në mos pretendojnë se kanë ‘shpikur’ ndonjë rrymë a shkollë të tyre… Eksperimentet apo kërkimet në letërsi e art kanë qenë të gjithkohshme, do të jenë të pranishme edhe më tej. Në rastet më fatlume, ato janë ndërrmarrë nga shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj, kanë prodhuar vepra klasi, që megjithatë janë bërë objekt debatesh, ndonjëherë janë qortuar rreptë, por ndërkaq kanë përcjellë një frymë të caktuar, kanë hequr krijuesit nga fotografimi, kanë sjellë teknika që i kanë shërbyer gjithë letërsisë e arteve, etj. Megjithatë,nuk ka rrymë e shkollë që të justifikojë teprimet në brendi dhe mungesat në art. Kjo mund të thuhet edhe për një sërë filma artistikë, autorët e të cilëve e kanë marrë nëpër këmbë emrin e këtij zhanri.

Më në fund, këto mund të jenë radhë të shkruara pa dëshirë, mund të jenë konstatime ku sekush e gjen veten ose jo, trajtesa ku mund të shtosh e mund të pakësosh ide e alternativa, sipas këndvështrimit dhe bindjeve. Gjithsesi, vështirë të heqësh nga fokusi një pjesë të së vërtetës; asaj nuk i fshihemi dot, edhe pse nuk i dimë apo nuk i gjejmë dot të gjitha arsyet për sa po ndodh në këtë zhanër pothuaj në krizë; jo më pak edhe në të tjera fusha.

107 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page